Letra e 6-të e Ramës dhe përgjigjia rrufe e Bashës

Letra e 6-të e Ramës dhe përgjigjia rrufe e Bashës

Edi Rama dhe Lulzim Basha

Letra e gjashtë e Ramës

Fort i nderuar kryetar,

Pikë së pari, ju falënderoj sinqerisht nga zemra për protestën e mbrëmshme. Madje, që të jem i sinqertë deri në fund, duhet t’ju falënderoj për koncertin masiv në bulevard.

5 kompanitë e pastrimit në kryeqytet mbetën pa punë nga protesta e 6-të. Edhe Erion Veliaj postoi një foto të vjetër në Twitter, me demek duke pastruar qytetin për këtë të diel të bekuar.

Dua t’ju falënderoj që as kapsolla nuk hodhët, as molotov nuk përdorët dhe çka e konsideroj më të rëndësishme për faktin që këtë radhë ju vetë nuk morët guximin të… këndoni himnin kombëtar! Për këtë ju falënderoj personalisht.
Sikundër e keni vënë re, reflektimi im ka nisur.

Ndryshe nga protestat e para paqësore, as Taulant Balla, as Elisa Spiropali nuk kanë dalë duke u tallur me protestën dhe protestuesit. Turizmi i protestave është i vetmi turizëm që nëse nuk e dëgjojmë dëmton rëndë ekonominë.
Protestuesit protestuan paqësisht. Tani është radha e paqebërësve.

Më erdhi mirë që pashë rikthimin e flamujve të BE-së në protestë. Duke perifrazuar një slogan të partisë që unë drejtoj: “BE-ja është e vetmja rrugë”.

Shqipëria ka një shans të vakët të marrë përgjigje pozitive për hapjen e negociatave në qershor. E pranoj se deri tani kemi gabuar duke konsideruar hapjen e negociatave dhe afrimin me BE-në si detyrë e qeverisë dhe si një shesh beteje mes pozitës dhe opozitës. Gabim! Është Shqipëria që negocion me BE-në dhe jo qeveria.

Detyrat janë të qeverisë, punët janë të përbashkëta me opozitën dhe meritat janë të shqiptarëve që na votojnë apo abstenojnë.
Ne ndodhemi në situatën e pakëndshme që duam të hapim negociatat, por nuk negociojmë me njëri-tjetrin.
Unë, një ditë, nuk do të jem kryeministër dhe ndoshta një ditë ju do të jeni kryeministër, por jo përjetësisht.
Asnjëri prej nesh nuk ka iluzionin që do të ndërrojë jetë duke ndenjur në karrige.

Duke jua drejtuar ftesën për bisedime juve, dhe jo pasuesve të listës që ju keni zgjedhur në Kuvend, pranoj se përfaqësoni jo vetëm militantët dhe anëtarët e partisë më të madhe të opozitës, por edhe kritikët e qeverisë time dhe të zhgënjyerit nga qëndrimi ynë 6 vite në pushtet.

Zgjedhjet më shumë se instrument për të ardhur në pushtet janë mjeti që bota e qytetëruar ka zgjedhur për të dorëzuar paqësisht pushtetin.

Në çdo vend, zgjedhjet e parakohshme janë instrument për të dalë nga kriza, ndërsa këtu një ftesë për t’u futur në krizë.

Reforma zgjedhore duhet kryer si përparësi që të mos themi pastaj se i bëmë edhe këto zgjedhje dhe puna e parë që kemi është të plotësojmë rekomandimet e radhës të OSBE-ODHIR-it.

Me sistemin aktual e dimë se kush do të jenë 90% e deputetëve ende pa nisur fushata. Ne kemi fuqinë për t’i dhënë vendit parlamentin elitar dhe në fakt nuk e kemi bërë këtë gjë. Ndoshta edhe për këtë shkak duhet menduar sistemi që përgjegjësinë të mos e mbajmë vetëm ne, kryetarët e partive të mëdha.

Mirë është që reformën që e kemi premtuar pas çdo zgjedhjeje ta bëjmë dhe të mos presim siç pritëm 3 vjet më parë që të na “bindin” ndërkombëtarët, siç na “bindën” për reformën në drejtësi.

Ju me të drejtë keni shumë pakënaqësi për reformën në drejtësi. Për shkak të mosbesimit të thellë te njëri-tjetri kemi pranuar arbitrin e huaj, që nuk ka asnjë interes tjetër veç interesit për përparimin e vendit.

E pranoj që veprime apo mosveprime të maxhorancës bllokuan për dy vite funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, çka ka sjellë situatën unike të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

E pranoj edhe që disa raste të vettingut lënë shijen e dy standardit. Por këto janë raste të pakta, janë pak dele të zeza në kopenë e bardhë që, për shkak të ngjyrës, duket se janë shumë. Të mos lejojmë që disa gjethe të na pengojnë për të parë pyllin. E sotmja mund të duket e zymtë, por pas çdo furtune patjetër që do të dalë edhe dielli.

E them shpesh frikën nga drejtësia e re. Deri më tani jua kam faturuar ju. Por frikë kemi të gjithë nga shkelja me apo dijeni e ligjit. Drejtësia e re do të ndreqë shumë punë. Mundet që sistemi që po ngremë (ashtu sikundër, për shembull, ndodhi në Rumani) të kthehet kundër nesh personalisht. Por e sigurt është që nuk do të kthehet kundër fëmijëve tanë.

Unë nuk po kërkoj ulje në dialog jo vetëm dhe për shkak se e kërkojnë miqtë tanë dhe më shumë tuajët, deputetët e CDU/CSU-së gjermane. Unë nuk po kërkoj ulje në dialog për të kaluar lumin e radhës. Është koha të shohim për zgjidhje afatgjatë që të mos përsërisim shfaqjet portokalliste para godinës së kryeministrisë (çadra, djegia e mandateve të deputetëve tuaj dhe greva e urisë së deputetëve socialistë).

Mund të mos biem dakord për shumë gjëra, por një formatim i sistemit, ku në qendër është dinjiteti i individit, ku pushteti buron nga votuesi dhe kontrollohet prej tij dhe institucioneve kushtetuese, mund të jetë një bazë e mirë për të ecur përpara.

E pranoj që reforma territoriale ku ju munguat dhe duhet të merrni përgjegjësinë dhe pasojat e mungesës e ka lënë të pabarabartë raportin mes partive në qeveri dhe opozitë sa i përket përfaqësimit.

Ju ishit nismëtar dhe ne ju mbështetëm në ligjin për dekriminalizimin. Ju kritikuat dhe ne po i mbyllim me ligj koncesionet dhe PPP-të.

Ju mund të keni të drejtë edhe për çështje të tjera, por asgjë nuk do të zgjidhim nëse njëri i bie gozhdës së krimit dhe tjetri patkoit të drejtësisë.

Nuk ka asgjë për të fshehur që dialogu politik është kërkesë e Këshillit Europian. Ne duhet të bëjmë çmos të ngrihemi mbi interesat personale dhe politike në të mirë të vendit. Për shkak të sherrit politik, Shqipëria ka humbur shansin e artë më 1997-n të afrohet me BE-në. Edhe sot, edhe nëse hapim negociatat, jemi shumë larg atij shansi që kishim 22 vite më parë. Herë ju e herë ne kemi gabuar në momente të rëndësishme. Votuesit na kanë mëshiruar, por druaj se nuk do të na e falin më.

Ne duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje për vendin, pa paragjykuar, pa kushte dhe pa hezitim.
Politikën si art i kompromisit ne, për fat të keq, e kemi kthyer në art të konfliktit në një betejë pa fitues. Është koha të kemi një betejë pa të mundur, ku të fitojë populli shqiptar.

Me shpresë se letra e 5-të do t’i hapë rrugë takimit të parë, pas dy vitesh, sy më sy.

Edi Rama

Përgjigjja e Lulzim Bashës

Zoti kryetar i Partisë Socialiste,

Udhëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian jo vetëm ka stopuar, por mjerisht ka bërë hapa pas. Ca më keq, kjo rrugë është minuar duke shpartalluar drejtësinë, kriminalizuar parlamentin dhe intimiduar median e pavarur.

Koha për të marrë vendime të mëdha është tani. Koha që ju të vendosni veten në rrugën e duhur të historisë është tani. Koha për t’i dhënë fund fjalëve dhe për të kaluar në vepra konkrete është tani.

Ne nuk kemi dalë në rrugë për të kërkuar pushtet në tavolinë. Ne kemi dalë në rrugë për t’i hapur rrugën e bllokuar Shqipërisë…

Ne kemi bërë atë që nuk e ka bërë dhe as e ka menduar asnjë parti politike në Europë. Ne dogjëm mandatet. Me flakën e këtyre mandateve donim dhe besojmë se arritëm të ndriçojmë të vërteta të mëdha për këtë vend të vogël.
Vlerat europiane për të cilat ka lindur Partia Demokratike kërkojnë kontroll dhe balancim të pushteteve, një drejtësi nga e cila druhet qeveria dhe jo protestuesit, një drejtësi që kur ujku shfaqet në rrugë, nuk kërkohen gjurmët.
Unë, për shkak edhe të formimit tim juridik, jam i vetëdijshëm se kushtetuta dhe ligji janë kufiri i hekurt i aksionit politik.

Unë bashkohem me ndërkombëtarët dhe ju se dhuna, sidomos dhuna e verbër, nuk është instrument në demokraci.
Unë u kërkoj ndjesë shqiptarëve dhe miqve të Shqipërisë për dhunën dhe ekseset që i kanë shqetësuar pa masë dhe i kanë dëmtuar në interesat e tyre ekonomike imediate.

Në reciprocitet të një sinqeriteti të vonuar të letrës tuaj pranoj publikisht dhe nuk kam asnjë kompleks për kusuret dhe gabimet tona. Asnjëherë të qëllimshme. Letrave tuaja të mëparshme u ka munguar vetëm një fjali: opozita nuk po qeveris mirë këtë vend.

Ne kemi munguar në reformën territoriale. Anglezët thonë: “I munguari është gjithmonë gabim”. Ne mund të kishim nxitur dhe përfunduar reformën zgjedhore. Ne angazhohemi për një demokraci përfaqësuese, ku vota e qytetarëve të numërohet dhe zëri tyre të dëgjohet. Ne kemi qenë të vonuar në reformën në drejtësi, por jo të gabuar. Ne nuk pranojmë që krimi elektoral të amnistohet dhe banditët apo bedelët e tyre t’u paraqiten votuesve si e “vetmja rrugë” për Shqipërinë.

Unë ju ftoj, zoti kryetar i Partisë Socialiste, të reflektoni për rrugën ku ndodheni. Nuk është rruga që na çon drejt Perëndimit, është rrugë që na çon në Lindje, tek autokratët që ju po i bëni miq për kokë.
Ju ftoj të ecni në rrugën drejt Perëndimit. Nëse e dëshironi vërtet këtë rrugë, duhet të largoheni nga rruga që keni nisur të hapni – rruga ku pushteti nuk është tek institucionet, por tek INDIVIDI, rruga ku ekonominë e politikën e kontrollojnë oligarkët, rruga ku padrejtësia shitet për drejtësi!

Zgjidhja është e qartë në sy të shqiptarëve. Shpresoj të jetë e qartë edhe për ju. Ne nuk do të zgjedhim asnjëherë se kush është kryetar i kundërshtarëve tanë politikë, kjo është alfa e bashkëpunimit në demokraci. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët tanë politikë. Kundërshtarin ne nuk e konsiderojmë armik, sikundër dëgjojmë kore nga kampi juaj. Ne ju konsiderojmë kundërshtar për t’ju mundur dhe jo për t’ju poshtëruar.

Marrëveshjet e mëdha tejkalojnë fatet tona politike.

Dialogu është forcë lëvizëse çudibërëse.

Ne kemi arritur marrëveshje dy vjet më parë duke pasur në mendje zgjedhjet që trokisnin. Këtë radhë duhet të shohim zgjedhjet e 30 qershorit dhe zgjidhjet afatgjata, që në këtë vend kryeministri të mos shkruajë letra dhe kryetari i opozitës të mos i djegë ato me molotov.

Zoti kryetar i Partisë Socialiste,

Unë jam i vetëdijshëm se veprimet tona ekstreme të djegies së mandateve dhe të refuzimit për të marrë pjesë në zgjedhje nuk i përkasin sistemit demokratik.

Ne i bëmë ato për të sensibilizuar. Ne po pranojmë dhe po mbajmë mbi kurriz kostot e tyre, po pranojmë që shanset tona kushtetuese për të qenë pjesë e parlamentit apo pushtetit vendor do të mund të realizohen (nëse nuk negociohen më herët) vetëm në verën e viti 2021 apo 2023.

Kjo do të jetë shumë e rëndë për ne. Por ne duam të bindim edhe më skeptikët, më i ashpri prej të cilëve jeni deklaruar vetë, se qëllimi ynë nuk është interesi im i ngushtë politik apo interesi pragmatist i partisë, por interesi më i lartë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj unë ju propozoj që në takimin e mundshëm, nëse do të keni mirësinë të merrni pjesë, të mos diskutojmë mandatet, as shtyrjen apo afrimin e zgjedhjeve, por të diskutojmë reformat dhe axhendën e Shqipërisë për integrimin.

Lulzim Basha,

Kryetar i Partisë Demokratike.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirana: 27/05/2019 10:27

    Jena ba gazi botes shtet pa vler. Tu tal te hujte me ne

    Përgjigju
  • Ervini: 27/05/2019 09:20

    Po Lutfi po, ti flet sikur te dy keta e bejne gjumin e qete naten se nuk kane asnje mekat per te shlyer. Ketu qendron gabimi, nuk behet Shqiperia me figura te perlyera nga cilido krah qofshin. Shqiptaret po preferojne te bejne edhe politiken jashte Shqiperise se ketu nuk ka vend per fryme te re.

    Përgjigju
  • Profesori: 26/05/2019 22:11

    asnjehere nuk ke folur me dinjtet .Bashe je genjeshtar Ti ke mare edukate nga babai jot gjak pires dhe kriminel Sali qe ne mes te tiranes ke vrare 4 qytetare te pambrojtur dhe i ve zjarrin tiranes je njeri tradhetar dhe terorrist me skuadren tende ti nuk flet me sinqeritet ke egon e pushtetit bere mire qe e shrive partine tende dhe largohu nje ore e me pare sa seshte vone se nje force e rre politike u formua dhe kjo eshte forca e se ardhmes .Ste do njeri ty sot se je nje klike kriminale Larg qofshi te paudhe pa din e pa iman .Hajdute kusare cifute e te papare larg duart nga pushteti jeni bashibuzuke armiq te shqiperise.

    Përgjigju
  • Nasi: 26/05/2019 19:15

    Ketu ka tradhti burro....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Përplasi për vdekje me ‘Range Rover’ 52-vjeçarin, arrestohet i riu në Fier

Përplasi për vdekje me ‘Range Rover’ 52-vjeçarin, arrestohet i riu në Fier