Letrat e spiunëve që çuan
në pushkatim Ramize Gjebrenë

Letrat e spiunëve që çuan<br />në pushkatim Ramize Gjebrenë
TIRANE- Shkurt 1944. Brigada e V-të  po jeton ditë të vështira në malet e jugut. Operacioni i dimrit, moti i keq e vështirësitë e shumta i kanë lodhur partizanët e kanë shkaktuar dëme të mëdha. Në mes të kësaj tabloje, ngrihet një histori pasioni që pati një fund tragjik. Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka. Ajo përgjegjëse e rinisë, ndërsa ai zv. Komisar i  Brigadës. Thuhej se çonin dashuri atje lart në male, gjithkund ishin bashkë, e kishin lënë pas dorë punët e Partisë…
Pikërisht për këtë shkak ajo u vra me plumb pas shpine nga shokët e saj partizanë, pas një gjyqi ku iu deklarua vetëm se duhej të bënte autokritikë për sjelljet e pahijshme dashurore në sy të gjithë partizanëve.

Ai u fal për pak muaj, e befas në letra e raporte lufte jepet edhe fundi i tij. “Zaho Koka u vra apo e vranë…mos ka lidhje kjo me çështjen e Interesantit (Ramize Gjebrea)- pyet Nako Spiro në një letër Enver Hoxhën në atë kohë.
Për këtë histori janë shkruar dhjetra artikuj e kujtime, libra historikë e letrarë, mbushur me analiza e interpretime.
Përse u vra Ramize Gjebrea? A pati lidhje me të vdekja e Zaho Kokës pak muaj më vonë? A qe thjeshtë dhe vetëm një histori pasioni mes tyre ajo që trazoi krerët më të lartë të luftës, apo diçka më e thellë politike?

letra e spiuneve ndaj ramize gjebreas
(Foto: Letra e Partizanit Tanushi)
 
Në mbrëmjen e vonë të 22 shkurtit 1944 Gjebrea përfundonte dy letra të gjata me raportime për operacionin e dimrit, dhe arrestimi bëhej ose po atë natë vonë, ose herët në mëngjesin e 23 shkurtit.
Dokumnetet arkivore dëshmojnë se vetëm 3 ditë më vonë u zhvillua gjyqi partizan që gjykoi Ramize Gjebrenë e që përbëhej nga: Manush Myftiu (kryetar i gjyqit), Dervish Hekali, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli. Gjyqi filloi më 25 shkurt dhe përfundoi më 6 mars. Por dënimin Gjebresë ia dha gjyqi politik i partisë i 7 marsit 1944, i cili përbëhej nga: Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Pajo Islami, Hito Çako dhe Xhako (Ramadan Xhangolli), i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare.

letra e spiuneve ndaj ramize gjebreas

Momenti i pushkatimit është fiksuar më shumë nëpër kujtimet e botuara pas ’90-ës nga dëshmitarë okularë. Ndërsa dokumentet arkivore nuk flasin shumë rreth atij momenti.
Ajo çka ndodh pas ekzekutimit, letrat mes udhëheqësve të luftës, raportet e ndryshme dhe fakte që lidhen drejt për drejt apo tangent më këtë histori plotësojnë tablonë e ngjarjes.
Nexhmije Xhuglini, Enver Hoxha, Dushan Mugosha, Nako Spiro, Manush Myftiu, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli, etj… Mes këtyre emrave, dhe letrave që shkëmbejnë me njëri tjetrin, fshihet e vërteta e fatit tragjik të këtij personazhi.

letra e spiuneve ndaj ramize gjebreas

Nëse deri më sot janë botuar vetëm fragmente dokumentesh a ndonjë dokumenti shkëputur, lexuesi i Shqiptarja.com për herë të parë do të ketë mundësi të përballet me dokumentet e plota dhe faksimilet e tyre si dhe një analizë të thelluar për të kuptuar më thellë gamën e kësaj ngjarjeje dhe këtij personazhi të veçnatë e të shumë diskutuar.
Dokumentet e para që sjellim nga kjo dosje janë dy raporte mbushur me mllef e spiunime ndaj “lidhjes dashurore të Ramizesë dhe Zaho Kokës”. Komisari i Batalaionit të III-të Zenel Hamiti ia raporton ngjarjen Hysni Kapos(me nofkën Besniku), në letrën e tij raport të 16 shkurtit 1944 duke mos kursyer fjalorin banal, ndërsa tre ditë para tij më 13 shkurt 1944, me një letër plot mllef i niset Komandës së Brigadës V-të nga partizani Tanush Shyti. Të dy rrëfejnë “skandalin e dashurisë Ramize-Zaho.”
 
letra e spiuneve ndaj ramize gjebreas


Dokumenti 1

Partizani Tanushi Shyti Komandës Brigadës V
Zona e Lirë
Ashtë konstatuar prej të nënshkruemit se shokët Zaho Koka e Ramize bëjnë dashuri ekstremiste... – si fakt kryesor është nata 12.II.44 në shtëpin e Piro Dhimitrit në Jal të Vunoit ku të dy shokët jo vetëm që fletën të dy tok në një krevat, gjë që e kishin bër edhe natën e parë 11.II.44 e nuk i vura rëndësi nga që gjëndesha ndërmjet tronditjesh e çqetsimesh tjera – Çqetsim që çdo partizan i vërtetë, që ka çmuar luftën, gjakun e shokëvet derdhur për realizimin e qëllimit t’onë dhe gjithë mundimet e shokëvet t’jerë për organizimin e një ushtërie N.C. aqë të madhe e të organizuar e cila ndonëse qëndron gjithmonë besnike e F.N.C. por për një moment krejtësisht e shpërndarë nga shkaku i reaksionit fort armik; gjithë këto më kishin helmatisur  aqë tepër që edhe për gjëra më të mbëdhaja, e jo pse fleti Ramizea me Zahon tok, sikur natën 12 shkurt bashkimi i tyre në një krevat e në një fjetie gjoja të sinqertë, të mos kish kaluar krejtësisht në flagrant – por jo një çikë a një copë herë por kanë vazhduar tërë natën si me qënë burrë e grua të kurorëzuar e të mbyllur në gjerdhek.

Unë për të mos prishur qetsin shokvet të ma sipërm kam duruar ftomën e natës pa mos ndezur zjarrin, pse siç dihet, zakonisht partizanët, në konditat që gjënden, nuk bëjnë kurrë një gjumë të vazhdueshëm (mungesë rrobash e ftom madhe) atëhere detyrohen të flen 2 orë e të ngrihen me u ngrohur 1 a 2 orë të tjera. Këtë nuk e bëra dot natën 12 shkurt nga shkaku që të mos prishë qetsin shokëvet ma sipërm deri në ora 3-4 pas mes nate, kur u than djersët e sy të ftohëtit shokëvet Zaho-Ramize të cilët si pa gjë të keq patën pa turpërim që të ngrihen që të dy tok, njëri sikur të ndezë zjarrin dhe tjetri (Ramizea) të dalë jashtë me nxitim, tue aprofituar nga erësira e dhomës, e të mbërthenet a çbërthenet punë për ata!

Këjo nuk mjaftoi me kaqë, të dy shokëvet u paska rar mb’erë që unë diçka  paskam kuptuar dhe më largojnë nga vetia tu më dërguar në Himarë gjoja për të mbledhur bukë – për cilin? Kurse fuqit t’ona ishin të gjitha të shpërndara e kurse dit më parë unë mezi mblodha në gjith Himarë 10 copa bukë? nejse unë ika një lloi pse edhe vetë shpirtërisht nuk mundëshë të qëndroja dot tok më me ta.
Për mua imoralitet i atyre dy shokëvet ka marrë formë të preme e them me saktësin më të madhe pse jam në gjendie tu tregoj edhe numurin e herëve, që për tër atë natë, kaluan në flagrant.
Këtë raport ja bëj asaj Komande në vijë ushtarake, mbassi nuk kam ndonjë ndërlidhje tjetër, ku jam i sigurt se do të merren masa rigoroze për të qënë si shëmbëll për pas ardhësit e tjerë.
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Tanush Shyti
13-II-44



Dokumenti 2
 
Komisari i Bat. III
Zenel Hamiti
Raport

I dashuri shok Besnik (Hysni Kapo)
Me hidhërim të math po të përshkruaj një skandal që ka ndodhur në mes dy udhëheqësave t’ushtris s’onë partizane – Zaho Koka e Ramize. –
- ja ngjarja -
Qysh se kur erth në Batalionin e III Ramizeja doemos për të bërë punë Partie pashë me syt e mi një afinitet të math gjë që më la një përshtypje jo të keqe pse mendoja që Zahua si punë Partie që kish në Batalion doemos u takonte që të rrinin gjithëmonë pa ndaras. Shumë herë binte rasti për ndonjë studim sektori ushtarak ose ndonjë gjë tjetër që i bënin tok pa pyetur njeri mirë po unë prapë nuk u vijsha veshin mbasi, keshë besim të plotë tek Zahua deri sa partia e kishte cakëtuar me përgjegjësi dhe se ai ishte i zoti i vëndit që e dinte më mirë situatën; megjithëse, puna e tij nuk ishte si punë komuniste por si bajraktar ku kudo që takoheshim me popull ose partizanë folja e tij ishte si folje bajraktari. Kjo gjë ngjante me vendasit e jo me të tjerët.

Më dt. 3/II/44, tue qënë se Vuno-Palasë ishin dy kompani (I-II) dhe se që të dy unë e Zaho ishim në kompaninë e parë, vendosëm që unë të vejë në kompani e II. Po atë ditë siç e pe dhe vetë presioni armik detyroi forcat t’ona që të tërhiqen në mal të Vunoit.
Më dt. 4/II/944, shof që Zahua me Ramizen të vijnë e të qëndrojnë në kompaninë ku jeshë unë e jo ku ishin cakëtuar. Më në funt mbasi bisedova me Zahon që nuk është mirë të rrim tok e më shumë që të rrim në mes të partizanëve për t’i mbajtur me moral të lartë ika e shkova në kompani të I ku ndenja deri më dt. 11/II/44, në të cilën datë u ndan kompanitë në njësite. Shkaku i ndarjes ka qenë po prej çiftit Zaho e Ramize për të ndenjur rehat e për të vazhduar në qetësi vagabondazhin e tyre; megjithëse, u bë një gabim edhe nga të tjerë që po të takohemi do të skjarohemi.

Pra unë tue mos pasë me vehte asnjë udhëheqës vendas dhe se Zahua e kish ndarë kompanin vendosa që këtë film ta lozë dhe vetë pse nukë dijë ngatë vejë dhe se partizanët nga të ftohtit, urija e zhveshja ishin demoralizuar e disa dezertuan. Në ndarjen e njësiteve të kompanis ku jeshë vendosa që vetë të rrijë në vënt me të sëmurët dhe të kërkojë lidhje me Zahon e me Mehmetin që në funt e gjeta lidhjen në Jal të Vunoit.

Me të mbërritur në Jal përnjëherësh më afërohet Tanushi e më thotë që: Zahua me Ramizen kanë gjithë këto net që na lën pa gjumë pse vijoshin në kontakt seksual në mes të partizanëve që flinin n’atë dhomë. Me gjithë atë nuk doja ta besoja jo për gjë tjetër por pse nuk u njifsha të shkuarën e tyre e pse për Zahon gjithë monë keshë dëgjuar fjalë të mirë e më në funt nuk besoja pse ndoshta Tanushi si fraksionist munt t’a bënte dhe me paramendim. Më pas simbas shënjave e hetimeve marr vesh se këtë gjë e kishin kuptuar dhe të tjerë të cilët tue e ndier veten inferiorë përpara këtyre kishin frikë që të raportojshin.

At-here mua mu desh që t’i provoja edhe vetë që të sigurohesha për këtë gjë. Në vëzhgimet që bëra pash me syt e mi se të gjitha ato që më thanë ishin të vërteta aqë sa ku do që shkojshim si rrugës ashtu edhe kur flijshim lëftojshim tue u kacafytur, e tue fletur tok në një rrobë për kontakte seksuale aqë haptas sa që nuk ka munguar dhe nga populli ti shohin xhestet e tyre kurvërie.

Një gjë shumë e keqe ka ngjar në shtëpi të Kozma Çalit me dt. 15/II/44, i ka parë nji djalë i vogël i cili mbeti i habitur kur pa këmbën e Zahos që ja kish hedhur përsipër Ramizes dhe puthjet që bënin tue mos par djalin e vogël. Çdo bisedim në mes tyre ishin bisedime dashurie dhe këndonin po këngë dashurie.
Unë mendova nji herë që të kërkojë ndihmën e shokëve që ti përgjojshim e ti pushkatojshim mirë po prapë u ndala pse Zahua këtu njihet si bajraktar e popullit i duket se partia është Zahua e më në funt pse ishim në krahinë të tij ku mund të ngjante një dëm për partin t’onë. Pra e lashë në heshtje e mendova që këtë gjë ta rraportojë tyj dhe vetë ti ta raportosh në K. Qarkor për t’u marrë masat më drakoniane kundër këtyre krymbave që duan të helmojnë rinin (fidanishten) e ushtris t’onë, dhe sidomos Ramizeja që ka në dorë edukimin e rinis së Vlorës.

Jam i sigurtë se këtë gjë do ta ket par dhe shoku Xhake e Lefter Kasneci prandaj kur të merren në gjyq të pyeten dhe këta shokë pse munt të japin ndonji skjarim.
Unë mendoj që Zahua kur të pyetet të merret në një mënyrë të pa kuptueshme nga Ramizea.
Përfundoj se epshet e tyre shtazarake kanë lënë mbas dore punën e partis p.sh. mos kujdesia për të sëmurët që janë në mal, mos kujdesimi për armët që janë mbëshehur ndër shpella etj.
Të fala shoqnore
(Zenel Hamiti)


LEXO ME SHUME

 Pse shtatë burra e çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë
 EKSKLUZIVE/ Si e shiti Zaho Koka Ramize Gjebrenë
 Ramize Gjebreja, letra që e spiunoi tek Nexhmije Hoxha


 Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota

Meta ‘kokë më kokë’ me Kryemadhin: Një nga ne në Kryesi! S’do të thotë se do ikë Monika, mund të largohet edhe Iliri! Vendos vota