Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në një kantier ndërtimi në Kune, Shëngjin, ku 36-vjeçari Anton Zefi humbi jetën pasi u rrëzua nga lartësia, policia ka shpallur në kërkim drejtuesin teknik të firmës.

S.T 52 vjeç është drejtuesi teknik, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Anton Zefi, punonjës në kantier, u rrëzua në vendin ku është projektuar për tu vendosur ashensorin.

Ndërkohë burime për Report Tv, kanë bërë me dije se pronari i kompanisë së ndërtimit është Gjin Tusha, por ende për të nuk ka asnjë njoftim nga policia.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksdentin në një objekt në ndërtim, në Kune, Shëngjin, me pasojë vdekjen e shtetasit A. Z., bëjmë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë kryen veprimet për rastin, referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin:

-S. T., 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Ky shtetas ishte drejtues teknik në firmën që po kryente punimet për ndërtimin e pallatit, ku gjatë punës, dyshohet se aksidentalisht, humbi jetën punëtori, shtetasi A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë”, njofton policia.