Libri i ri me kujtime, Fatos Kongoli për ish-persekutorët: Neveri, njërin e kam komshi, s’u hynë gjemb në këmbë!

Në vazhdim të një kronike të papërfunduar, dhjetë vite pas botimit të librit “Iluzione në sirtar”, shkrimtari Fatos Kongoli sjell për lexuesit librin  e tij të ri, “Kapitulli i Amerikës” (Botime Toena). Kongoli në këtë libër, ndalet tek shtatë vjet të jetuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë fëmijëve të tij, vajzës Eldës dhe djalit Dorit, bashkë me bashkëshorten Lilin, përshkruan edhe takimet me intelektualët shqiptaro-amerikanë, që prej kineastit Piro Manit, e shumë emra të tjerë të njohur. Ndërsa, fill pas botimit shkrimtarin e takojmë pranë shtëpisë së tij për të na rrëfyer emocionet që ka për këtë krijesë të re, që vjen pas “Gënjeshtar të vegjël”, edhe pas kapërcimit të një sëmundje të rëndë. Kongoli na tregon se: “Amerika ka qenë për të një eksperiencë e paharrueshme”.

“Ndihem shumë i kënaqur që ky libër doli, jo më kot them se ky libër vjen si vijim i një libri tjetër, “Iluzione në sirtar” (2010), por këtë libër ia kushton Julien Roche, mikut tim. Ato vite, pavarësisht ngurrimeve të mia, kanë qenë një përvojë shumë e bukur, e mrekullueshme do të thoja, sepse Amerika është një vend i jashtëzakonshëm. Është vendi më mikpritës në botë”, rrëfen Fatos Kongoli.

Shkrimtari u rikthehet sërisht edhe poshtërsive të dy punonjësve të ish- sigurimit të shtetit (rrëfyer për ta edhe tek Iluzione në sirtar), famëkëqijve V.M dhe Dh.SH, persekutorë edhe përndjekës të intelektualëve, njërin prej të cilëve e sheh çdo ditë në pallatin përbri.

“Këtë fakt e kam brenda meje, e mendoj edhe reflektoj për të. Ata janë njerëz që njihen botërisht, sepse kanë bërë shumë mëkate, janë ish- persekutorë të intelektualëve, njërin prej tyre e kam komshi. E shikoj edhe sot dhe ndiej neveri kur e shikoj, asgjë tjetër”.

Kongoli mendon se vendi ynë nuk mund të zhvillohet, derisa ata që kanë bërë krime asokohe, nuk shfaqin asnjë pendim dhe nuk kërkojnë as falje.

“Është një problem shumë i madh për shoqërinë tonë sot. Nuk ecet dot përpara kështu, sepse ish- kriminelët edhe persekutorët e djeshëm nuk kërkojnë falje. Atyre nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, përkundrazi”.

Ndonëse, ndihet krenar, që është një ndër 300 intelektualët që kanë firmosur për themelimin e Partisë Demokratike, megjithatë pas 30 viteve zhgënjimin për politikën e sotme nuk e fsheh.

“Ne që aspiruam demokracinë, të paktën brezi ynë që mbushëm rrugët e Tiranës me thirrjet “Liri demokraci”, zhgënjimin e patëm shumë të shpejtë. Të gjitha kahet politike, me këmbëngulje, në vend asaj që ëndërronim ne, demokracisë, dora-dorës nuk bën gjë tjetër veçse ndërtuan një karikaturë të saj, në formën më të shëmtuar. Ne kemi një karikaturë të  demokracisë”.

Autori ndalet edhe tek kjo periudhë e vështirë, që mbarë bota është duke kaluar për shkak të COVID 19.  

“Unë jam një njeri që nuk e kam të vështirë që t’u nënshtrohem disiplinave, kur ato kanë një logjik. Por, të them të drejtën, kam pasur një irritim, që të veçohesha si pensionist. Më dukej vetja i poshtëruar, kur më veçonin. Unë kam dalë, sepse nuk mund të rri një njeri i moshës sime pa dalë, pa marrë ajër jashtë. S’është e drejtë që të ndash një kategori shoqërore kështu apo do të më vinin shërbëtorë që të na ndihmonin neve”.

Librat e shkrimtarit Fatos Kongoli janë botuar në disa gjuhë të huaja dhe janë vlerësuar me çmime kombëtare edhe ndërkombëtare.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 25/04/2020 01:21

    Po vendosini emrat e persekutoreve, akoma frike keni. Po si denoncuat ju qe keni vojtur prej tyre kush do i beje. Pale te mendosh qe ju te hapni procese gjyqesore kunder tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

‘Formula’ belge për të tejkaluar çështjen “Beleri” mes Shqipërisë dhe Greqisë! Flet ambasadori Meurice

‘Formula’ belge për të tejkaluar çështjen “Beleri” mes Shqipërisë dhe Greqisë! Flet ambasadori Meurice