Ligj i ri kundër oligarkëve dhe monopoleve, për herë të parë padi kolektive nga konsumatorët ndaj kompanive që deformojnë konkurrencën 

TIRANË- Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për padinë kolektive, në kuadër të plotësimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi. Kjo është përpjekja e parë në Shqipëri për miratimin e një ligji të tillë, i cili parashikon kryesisht mbrojtjen kolektive të konsumatorëve nga kompanitë që kanë monopolizuar shërbime të caktuara, duke deformuar konkurrencën dhe dëmtuar ekonomikisht qytetarët. 

Pas kompanive që monopolizojnë shërbime të caktuara qëndrojnë kryesisht oligarkë, të cilët arrijnë të korruptojnë segmente të administratës dhe drejtësisë, për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe ruajtur pozitat abuzuese. Nisma ligjore parashikon mundësinë e ngritjes së padive kolektive ndaj ndërmarrjeve abuzuese, të cilët kanë shkelur të drejtat ekonomike, civile apo marrëdhëniet e punës. 

Nëse një grup personash janë dëmtuar nga e njëjta ndërmarrje publike ose private, atë mund të bashkohen, duke bërë një padi kolektive për dëmshpërblim në gjykatë. Sipas propozueses, ky ligj jo vetëm do të shmangë një numër të madhe padish dhe procesesh gjyqësore për një çështje, por do të jetë një instrument i ri, për të mbrojtur konsumatorët nga kompani në pozita të favorshme. 

“Shpesh kemi konstatuar praktika tregtare që dëmtojnë rëndë interesat e konsumatorëve. Këtu mund të përmendim shkeljet e evidentuara nga operatorë të industrisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtisë dhe shërbimit në industrinë ushqimore dhe jo-ushqimore, shkelje të cilat janë prezente për sa kohë nuk luftohen pasi mungojnë instrumentet që mundësojnë pengimin e këtyre shkeljeve dhe për më tepër mungojnë mekanizmat për të kërkuar dëmshpërblim kolektiv”, sqaron deputetja në relacion.

Padia kolektive nuk njihet nga Kodi i Procedurës Civile aktual. Deputetja sqaron se është më e përshtatshme miratimi i një ligji të veçantë për paditë kolektive, se sa implementimi i këtyre dispozitave në Kodin e Procedurës Civile apo ndryshimi i Kodit, i cili kërkon edhe konsensusin e opozitës. 

Ndërkaq, padi kolektive mund të paraqesin disa anëtarë të një grupi të dëmtuar nga një përfaqësues i tyre ose nga Prokurori si dhe çdo organizatë, veprimtaria e të cilët ka lidhje me
natyrën e të drejtave dhe interesave të grupit që pretendohen së i janë shkelur apo cenuar të drejtat. 

Kush për padinë është miratimi i një marrëveshje nga anëtarët e grupit të dëmtuar, në të cilën duhet të përfshihen personi i autorizuar, pra avokati, informacion mbi palët, përshkrimi i dëmit kolektiv, vlerësimi i dëmit, masa e dëmshpërblimit që kërkohet, dokumente identifikimi dhe një deklaratë që pranojnë marrëveshjen. 

Shqyrtimi i padive kolektive për dëmshpërblim dëmi bëhet sipas afateve, rregullave dhe procedurave të Kodit të Procedurës Civile për paditë e zakonshme. Padia depozitohet në gjykatën e rrethit ku banojnë pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit të dëmtuar. 

Nëse Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një procedurë apo hetim në lidhje me dyshimet për shtrembërimin e një tregu apo shërbimi të caktuar, padia kolektive pranohet shqyrtim vetëm pasi Autoriteti i Konkurrencës të dalë me një vendim përfundimtar. 

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rishfaqen nostalgjikët e diktatorit, a duhet bërë dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare?



×

Lajmi i fundit

John

Qëlloi me shuplakë në të pasme gazetaren italiane, tifozi merr dënimin e merituar! Ja vendimi