Lufta kundër fesë, Si u mbyllën brenda
gjashtë muajve 2 169 kisha e xhami

Lufta kundër fesë, Si u mbyllën brenda<br />gjashtë muajve 2 169 kisha e xhami
TIRANE- Raporti: Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2 169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj....

Plot 6 muaj pas urdhëresës sekrete të Enver Hoxhës, me direktiva të qarta për të zhdukur çdo gjurmë të besimeve fetare dhe objekteve të kultit, nga terreni mbërrijnë rezultatet e para.
Njerëzit e partisë, të deleguar në çdo skaj të Shqipërisë veprojnë sipas direktivave të përcaktuara në urdhëresën e Hoxhës.

Ishte data 30 gusht 1967. Sektori i edukimit në Komitetin Qëndror sapo kishte hartuar raportin e parë informativ mbi rezultatet e  luftës kundër fesë. Raporti i gjatë prej 23 faqesh jep shifra, fakte, ngjarje dhe incidente që janë shënuar në të gjithë vendin dhe parashton një varg masash që duhen ndërmarrë për thellimin e mëtejshëm të kësaj lufte.

Ndryshe nga ç’ndodhte në çdo vend tjetër socialist, në bllokun Lindor e më tej, në Shqipëri vendosmëria për tu zhytur në ateizëm dukej si një rrugë pa kthim. “Lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hop i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste”, shkruhet në këtë raport.

Ndryshe nga ç’ishte propaganduar në shtypin e kohës, si një lëvizje e gjerë, por e inicuar kryesisht nga rinia, ky dokument dëshmon se kjo vepër ishte kryekëput sipas urdhërit dhe orientimeve të sakta të diktatorit Hoxha. Ja çfarë shkruhet, në raportin e 30 gushtit 1967. “...një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shoku Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike”. Ndërsa pak rreshta më poshtë, thuhet se lufta në fillim u drejtua kundër bazave të vatrave fetare duke marrë fillimisht disa kisha e xhami kryesore.  Më tej, pjesa tjetër i është lënë në dorë popullit, “masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato”. 

Pas kësaj me një dekret të Presidiumit të qeverisë u konfiskuan edhe të gjithë pasuritë e komuniteteve fetare. Objektet e kultit u kthyen në objekte shtetërore dhe në shërbim të kooperativave. Po ashtu  pasuritë e tjera, dhe llogaritë bankare u konfiskuan nga shteti.  “Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti (1967) ishte 1 959 307 (lekë të reja). Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasi bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj”, shënon raporti, ndërsa  përllogaritet që kjo pasuri (përveç asaj në llogaritë bankare, arrinte deri në 6 milionë lekë të reja, e ku 2 150 000, i kishin vetëm teqetë bektashiane.

Përtej konfiskimit të pasurive, në propozimet e këtij raporti të sektorit të edukimit, jepen edhe shumë masa të tjera që do të ndërmerreshin në vijim, ku kryesojnë udhëzimet për të shembur e tjetërsuar pjesnë dërrmuese të objekteve fetare.
Për lexuesit sot sjellim pjesën e parë të këtij raporti, për të vijuar në ditët në vazhdim me shumë detaje e ngjarje mjaft ngacmuese të kësaj fushate të pazakontë që ndodhi në Shqipërinë e fundviteve ‘60-të.
 
DOKUMENTI, pjesa e parë

Raport informativ Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe Disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj
30.08.1967
 
    Pas Kongresit të 5-të të Partisë dhe sidomos pas fjalimit të shokut Enver të 6 shkurtit, në gjithë vendin po zhvillohet gjerësisht lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.
    Kjo luftë zhvillohet në kuadrin e thellimit të mëtejshëm të revolucionit ideologjik, është luftë e thellë klasore midis dy botëkuptimeve, midis dy ideologjive, me objekt që të çrrënjosë botëkuptimin fetar si një nga bazat e fuqishme të ideologjisë reaksionare, për të edukuar masat me botëkuptimin materialist marksist-leninist. Lufta zhvillohet jo vetëm midis nesh dhe armiqve, por kryesisht në gjirin e popullit e të Partisë, dhe në një terren mjaft të ndjeshëm e delikat.

    Ajo dallohet nga këto karakteristika kryesore: a) Zhvillohet në një front të gjerë në qytet e në fshat, në gjithë shtresat e popullit. b) Dallohet nga aksione goditëse direkte, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por dhe kundër bazave që kanë ruajtur dhe ushqyer fenë. c) Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.
    Pra lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hop i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste.

    Sigurisht ky hop i madh nuk është i rastit. Ai është rezultat i gjithë punës 25-vjeçare të Partisë. Qysh në fillim Partia edukoi anëtarët e vet dhe masat me frymën e ateizmit. Mbas çlirimit mori masa të rëndësishme. Ndarja e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i institucioneve fetare, kufizimi e pastaj likuidimi i mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, duke mbyllur edhe institucionin përkatës, ndalimi i botimit të literaturës fetare etj., përbën një faktor të rëndësishëm pozitiv për luftën kundër fesë.

Por kryesore është puna e madhe e partisë për të përhapur arsimin e kulturën, për të zhdukur injorancën, për të përhapur njohuritë shkencore në të gjitha fushat dhe shumë masa të tjera me karakter ideologjik. Të gjitha këto përbëjnë një periudhë të tërë ndryshimesh sasiore të domosdoshme që po çojnë në ndryshime cilësore.

Ka rëndësi të veçantë fakti që Partia dhe KQ si kurdoherë gjykoi mirë gjendjen shpirtërore të masave, gjeti momentin e duhur për të hedhur parullën e luftës në front të gjerë dhe që jeta po e vërteton plotësisht të drejtë. Lidhur me këtë një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shoku Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.

    Me gjithë periudhën e shkurtër mund të bëhet një bilanc i rezultateve të para, të nxirren disa konkluzione e probleme se si e ku duhet të thellohet më tej kjo lëvizje.
    1) Lufta në fillim u drejtua kundër bazave të vatrave fetare. Më parë për të marrë disa kisha e xhami kryesore, kurse pastaj masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato. Kjo iniciativë nga poshtë u mbështetu       fuqimisht nga lart, nga komitetet dhe organizatat bazë të partisë dhe atyre të masave.

    Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare. Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2 169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

    Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronë shtetërore, ose u janë dorëzuar kooperativave. Kishat, xhamitë etj., që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1 959 307 (lekë të reja). Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasi bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj.

Kështu p.sh. vetëm 8 manastiret kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynymë tokë që i kaloi NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj. Një pasuri tjetër e luajtshme dhe e paluajtshme vazhdonte të ishte në duart e tyre. Kjo arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga të cilat 2 150 000 milionë i kishin teqetë bektashiane. (Në këto pasuri përfshihen ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.). Shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër kjo që arrinte çdo vit në 300 000 lekë të reja.

    Ky është një sukses i madh. Kjo qe goditja më e papritur për fenë. Rëndësi të madhe ka fakti që Partia edhe në këtë çështje ndoqi vijën e masave, duke siguruar në këtë lëvizje pjesëmarrjen masive të të gjithë popullit. Kjo ndikoi për zhdukjen e mjaft koncepteve të frikës e legjendave fetare të thurura në shekuj rreth “Çudirave” të vendeve të shenjta, “dënimit me vdekje” dhe “ngrirjes në vend” të njerëzve që tentojnë t’i prekin, se ato i ruan “zoti” etj., etj. Masat panë me sytë e tyre dhe mjaft besimtarë e shprehën hapur këtë, se gjithë ato legjenda rreth “vendeve të shenjta” ishin gënjeshtra të kota, dhe kjo shërbeu për edukimin e tyre. Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.

    Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme. Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturore ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë, dhe te brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme e të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen, dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja.

Po kështu të prishen ato që janë në rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike. Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish pa ndonjë vlerë historike.

    2) Një rezultat tjetër shumë pozitiv është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionit dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh, veç këtyre një pjesë e kishave e xhamive ka qenë falur nga besimtarë që bënin pjesë në këshillat e kishave apo të xhamive, numri i të cilëve arrin në disa mijëra veta.

    Sipas udhëzimeve të KQ të gjithëve u është siguruar punë, por një pjesë duke qenë të moshuar, pas mbylljes së institucioneve, rrinë pranë familjeve të tyre. Shumica punën e ka filluar në kooperativat bujqësore, sepse aty kishin edhe familjet, ndërsa një pjesë fare e vogël është vendosur nëpër ndërmarrje. Në këtë drejtim nuk ka ndonjë problem. Vetëm një çështje del për disa klerikë që përfitonin pensionin dhe që kanë vështirësi ekonomike. Me bllokimin e fondeve u ndalua edhe pensioni që ata merrnin. Kjo mund të shikohet konkretisht nga organet shtetërore duke gjetur një rrugë të arsyeshme zgjidhjeje. Ka rëndësi të shikohet cili qe qëndrimi i klerit.

Në gjithë këtë lëvizje të madhe të masave kundër fesë qëndrimi i klerikëve ka qenë i ndryshëm. Një pjesë e mirë e klerit tregoi edhe në këtë rast patriotizëm, lidhjet e tij të ngushta me Partinë.
Ata të nisur nga besimi që kanë te Partia, në përparimin e vendit, mbështetën e përkrahën iniciativat e kërkesat e masave. Një pjesë tjetër, megjithëse të pabindur për drejtësinë e domosdoshmërinë e mbylljes së institucioneve fetare nga populli, u pajtuan me të ose mbajti qëndrim të heshtur. Kurse disa të tjerë i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë lëvizjes së masave e mbajnë një qëndrim reaksionar ndaj saj.

Në mjaft raste këta në bashkëpunim me elementë të tjerë armiq brenda vendit, janë munduar të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat. Diku, duke përfituar edhe nga dobësitë e punës politike dhe ideologjike të disa organizatave të partisë, janë përpjekur të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare.

    Veprimtaria armiqësore është përpjekur që me anë të parullave dhe një seri veprimesh reaksionare të prekë pothuajse të gjitha sferat e politikës dhe të ideologjisë së partisë sonë. Ja disa nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie. Elementi armik dhe klerik reaksionar, si gjithnjë, e drejton luftën e tij kundër Partisë dhe pushtetit popullor duke hedhur parulla nga më të ndryshmet si: “Këtë që bënë këta nuk e ka bërë as turku, greku, italiani e gjermani, kur na kanë okupuar” ose “Kur të vjen fundi vete përplasesh në derë të kishës ose xhamisë, kështu që edhe kjo që bëjnë këta tregon fundin e tyre” (Kolonjë); ose “Kjo qeveri nuk i ka punët mirë me prishjen e fesë” (Gramsh-Shkodër); “Këto janë vetëm fillimi ndërsa fundi i tyre do të çojë në zhdukjen e familjes” (Vlorë) etj., etj.

    Ata përpiqen ta lidhin veprimin kundër fesë me kolektivizimin dhe shkurtimin e kopshteve personale e masat e tjera të Partisë për t’i penguar ato, duke thënë se: “Komunistët po i shkatërrojnë kishat e xhamitë, tokat na i morën dhe fenë na e hoqën” (Pukë) ose “Duke prishur teqetë e kopshtet këta i hapën punë vetes” (Tepelenë) etj.
    Janë përpjekur gjithashtu, të krijojnë përshtypjen se në pushtetin popullor ka dallime fesh, krahinash etj. Kështu në rrethin e Lezhës ku është më i përhapur besimi katolik janë përhapur parulla se myslimanët përkrahen, dhe për këtë shfrytëzohet edhe ruajtja e xhamisë ku vazhdojnë kërkimet për varrin e Skënderbeut. Po kështu në Pogradec e Fier marrja më parë e kishave nga xhamitë ose ruajtja si monumente e disa institucioneve është komentuar si përkrahje e një besimi dhe luftimi më me ashpërsi i tjetrit.

    Në disa rrethe armiku përpiqet ta paraqesë këtë lëvizje si kopjim kinez duke thënë se “Pse imitojnë botën, Kinën” (Fier), “Këta ndjekin rrugën e Kinës” (Shkodër), ose “hoxhallarëve e dervishëve iu hoq mjekra, se tani kanë hyrë në fe tjetër, në atë të Azisë, ata janë pa fe e nuk falen” (Gramsh).
    Elementi armik përpiqet të dëmtojë duke shfrytëzuar veçanërisht fenomenet e fatkeqësitë e natyrës si tërmetin, shirat dhe përmbytjet, thatësirat etj. Kështu në Sarandë e Gjirokastër qarkullojnë parulla se “Tashti që u prishën kishat e u ndoqën priftërinjtë, fatkeqësi do kemi më shumë, do të përmbyset bota”.

    Përveç parullave elementi dhe kleri reaksionar kanë bërë presione direkt mbi njerëzit e Partisë. Në Vokopolë të Beratit para se të merrej kisha u vendos një fletërrufe anonime ku shkruhej: “Prishja e kishës në Vokopolë ka tronditur gjithë fshatin, të mëdhenj e të vegjël. Ai që gris këtë fletërrufe do të përgjigjet”. Në Jergucat të Gjirokastrës sekretarit të organizatës bazë i vunë natën te dera e shtëpisë një letër në të cilën e mallkonin dhe e kërcënonin për prishjen e kishës. Në Shënavlash të Durrësit disa elementë vagabondë dhe me përbërje të keqe politike qëllojnë me gur të rinjtë e të rejat e shkollës “Naim Frashëri” që kishin shkuar për të përkrahur kërkesën e rinisë së fshatit për të marrë kishën etj.

    Kundër këtyre parullave e veprimeve armiqësore kanë vepruar organizatat bazë të Partisë dhe nën drejtimin e tyre organizatat e masave, duke i demaskuar ato dhe sipas rastit ndaj elementëve të veçantë është mbajtur edhe qëndrim nga organet përkatëse. Megjithëkëtë, organizatat e Partisë dhe organizatat e masave nuk duhet të bien në qetësi e vetëkënaqësi. Ato duhet të rritin vigjilencën revolucionare ndaj veprimtarisë armiqësore, të organizojnë një punë të dendur politike e ideologjike për sqarimin e masave të popullit.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin