Lufta kundër COVID dhe infrastruktura, Banka Europiane e Investimeve: Ndihma për Shqipërinë

Lufta kundër COVID dhe infrastruktura, Banka Europiane e Investimeve: Ndihma për Shqipërinë

Banka Evropiane e Investimeve

Banka Evropiane e Investimeve ofron mbështetjen e saj në sektorë të rëndësishëm të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perendimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesi i saj për Ballkanin Perendimor, Alessandro Bragonzi thotë se kjo bankë në bashkëpunim me BE-në po punon për të lehtësuar pasojat e pandemisë duke rritur investimet, sidomos tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla që janë shtylla të ekonomive së tyre.

Banka Evropiane e Investimeve, krahu financues i Bashkimit Evropian ka në fokus të investimeve të saj, përparësitë e bllokut për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në të.

“Shqipëria është padyshim pjesë e planeve të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Transporti, diversifikimi i burimeve të energjisë, përmirësimi i efikasitetit të rrjeteve ekzistuese por edhe mbrojtja e mjedisit dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë përparësitë tona”.

Me krizën e COVID-19 që ka goditur ekonominë, Banka Evropiane e Investimeve po ju vjen në ndihmë vendeve të rajonit për të përballuar pasojat duke e përqëndruar mbështetjen e saj tek ndërmarrjet e mesme dhe të vogla.

“Në Shqipëri ne disbursuam vjet deri në 22 milionë euro në portofolin tonë ekzistues dhe mobilizuam burime shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që u prekën nga kriza dhe që kishin nevojë për burime likuiditeti për të mbijetuar. Ne po rrisim madhësinë e financimit për firmat e mesme e të vogla, megjithëse ato kanë qënë sektori kryesor i aktivitetit të Bankës Evropiane të Investimeve dhe përbëjnë 30 për qind të portofolit tonë”, thotë përfaqësuesi i BEI-it, Alessandro Bragonzi.

Ai i sheh masat e mara nga qeveria shqiptare si të përshtatshme, megjithëse ende nuk mund të parashikohet sa do të zgjasë kjo krizë.

“Shqipëria dhe vendet e tjera që varen nga turizmi kanë vuajtur shumë si pasojë e mosrealizimit të të ardhurave nga sektori i turizmit por edhe remitancat. Megjithatë, ka një strategji të drejtë për të rigjallëruar ekonominë. Nuk shoh ndonjë tregues që të sugjerojë që kjo nuk do të ndodhë. Megjithatë nuk është e mundur të parashikosh me saktësi se çfarë do të ndodhë me pandeminë. Jemi ende në mes të stuhisë dhe ende nuk kemi dalë prej saj. Pra është e vështirë të bëjmë parashikime dhe të shohim sesi ekonomia do të dalë nga recesioni i vitit të kaluar”.

Së bashku me Bashkimin Evropian, kjo bankë ka rritur financimet e saj duke investuar 1.7 miliardë dollarë nga paketa prej 3 miliardë dollarësh që BE-ja ka vënë në dispozicion për të mbështetur projekte në sektorët e shëndetësisë dhe atë privat duke rritur linjën e kreditit për bankat komerciale.

Aktivitetet e investimit të kësaj banke po përqëndrohen edhe në tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbërt dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.

“Një nga sukseset e rëndësishme për Shqipërinë ka qënë strategjia për të zhvilluar energjitë e ripërtëritshme dhe për të diversifikuar burimet e energjisë. Në Shqipëri jemi duke punuar për një projekt të rrjeteve hekurudhore veçanësisht në korridorin tetë ku po mbështesim punën për zhvillimin e një rrjeti hekurudhor nga Durrësi në kufirin e Maqedonisë së Veriut. Ne po mbështesim Shqipërinë edhe në projekte për mbrojtjen e mjedisit veçanërisht për parandalimin e përmbytjeve. Vitin e kaluar miratuam financimin e modernizimit të rrjetit të shpërndarjes së ujit për qytetin e Tiranës”.

Ndërsa vendit i është dashur të ndjekë një politikë më të kujdesshme fiskale për arsye të borxhit të lartë publik dhe kufizimeve të diktuara nga FMN-ja, Shqipëria po mundohet të përmirësojë kornizën regullatore për ta bërë tregun më tërheqës ndaj investimeve private.

“.. dhe kjo është e pëlqyeshme për ne dhe për çdo investitor të huaj. Është një trajektore e mirë. Menaxhimit të financave dhe nivelit të borxhit po i kushtohet vëmendje, gjë që është shumë e rëndësishme”, thotë zoti Bragonzi.

Bashkimi Evropian ka në plan të investojë 9 miliardë euro në vendet e Ballkanit Perendimor ndërsa pritet të mobilizojë instrumente të tjerë që kapin shumën 20 miliardë dollarë falë institucioneve si Banka Evropiane e Investimeve në mënyrë që këto vende të përgatiten për t’u anëtarësuar./ VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet