Lufta/ Duma ruse nesër mund të ndalojë shkëmbimin e pengjeve të luftës: Ata janë kriminelë nazistë! Ukraina: Pezullohen negociatat me Rusinë

UKRAINË- Duma, parlamenti rus, do të shqyrtojë nesër një projekt-rezolutë që ndalon shkëmbimin e pengjeve të luftës të cilët u evakuuan nga fabrika e Azovstal. Propozimi u bë nga kreu i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës, Andrei Kartapolov dhe u mbështet nga deputetët e Dumës.

Kartapolov thotë se ushtarët ukrainas të marrë peng nga fabrika e çelikut janë kriminela nazistë dhe nuk mund të konsiderohen si të gjithë të burgosurit e tjerë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim online në Festivalin e Filmit në Kanë, ku i kërkoi botës së kinemasë të "mos qëndrojë e heshtur" përballë sulmit nga Rusia.

Pas aspiratave të Finlandës dhe Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO, sekretari i Përgjithshëm Jenas Stoltenberg do të zhvillojë nesër një takim me ambasadorët e dy vendeve.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko  deklaroi se aktualisht nuk po zhvillohen negociata mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi Kievi është tërhequr nga procesi. Sa i takon masakrës së Buçës ku dyshohet se trupat ruse kanë kryer krime lufte, Moska kërkon një hetim të pavarur dhe të paanshëm për të sqaruar cfarë ka ndodhur.

Kievi ndërkohë ka deklaruar se që nga nisja e luftës janë vrarë 27 900 ushtarë rusë, ndërsa është konfirmuar se 8 persona mbetën të vrarë nga sulmet në rajonin e Chernihivit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:24
Presidenti polak: Nevojitet më shumë mbështetje nga BE për refugjatët ukrainas

Europa po neglizhon Poloninë dhe Hungarinë kur bëhet fjalë për mbështetjen për numrin e refugjatëve ukrainas që vendet po pranojnë, ka thënë presidenti polak Andrzej Duda.

Pas një takimi me homologun e tij hungarez sot, Duda pohoi se asnjë vend nuk kishte marrë mbështetjen e mjaftueshme për të zbatuar programet e nevojshme për të ndihmuar mjaftueshëm miliona njerëz të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ai tha se "nuk kishte dyshim" se ky qëndrim "minon unitetin evropian", por premtoi të vazhdojë të bëjë "gjithçka për t'i bërë mysafirët nga Ukraina të ndihen sa më mirë në Poloni".

Të dhënat e fundit të OKB, 6.2 milionë të larguar nga Ukraina:

  1. Polonia ka pranuar 3,376,992 refugjatë
  2. Rumania 919.574
  3. Rusia 850,534
  4. Hungaria 610,076
  5. Moldavia 464,294
  6. Sllovakia 424.027
  7. Bjellorusia 27,308
Ora 21:17
Zelensky në Festivalin e Filmit në Kanë: Në fund urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin

Zelensky u është drejtuar parlamenteve dhe legjislaturave anembanë botës dhe tani ish-aktori dhe komediani, dhe presidenti aktual ukrainas ka dërguar mesazhin e tij në Festivalin e Filmit në Kanë.

"Në fund, urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin", tha ai.

Ai iu referua fuqisë së kinemasë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë filmin e Charlie Chaplin "Diktatori i Madh", i cili tallte Adolf Hitlerin.

"Ne kemi nevojë për një Chaplin të ri për të provuar sot se kinemaja nuk është e heshtur”, tha Zelensky.

Fjalimi i tij mori një ovacion të fortë nga publiku në festivalin e famshëm.

Ora 21:08
Rrugëtimi drejt NATO-s, Jens Stoltenberg takohet me ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takohet të mërkurën me ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë, thuhet në një deklaratë të NATO-s.

Takimi vjen pasi të dy vendet deklaruan synimet e tyre për të aplikuar për anëtarësim në NATO në fillim të kësaj jave.

Finlanda dhe Suedia do të dorëzojnë aplikimin e tyre për NATO të mërkurën, tha kryeministrja suedeze Magdalena Andersson gjatë një konference të përbashkët shtypi më herët sot me presidentin finlandez Sauli Niinistö në Stokholm.

Udhëheqësit janë planifikuar më pas të takohen me presidentin amerikan Joe Biden të enjten.

Ora 21:00
Zelensky mban fjalim në Festivalin e Kanës: Kinemaja nuk hesht, diktatori do të humbasë

Në fjalimin e tij në lidhjen video me Festivalin e Filmit në Kanë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi botës së kinemasë të "mos qëndrojë e heshtur" përballë sulmit nga Rusia.

"Jam i bindur se diktatori do të humbasë", tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke krahasuar personazhin e famshëm të Charlie Chaplin me Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në hapjen e Festivalit të Filmit në Kanë.

 

Ora 20:39
Medvedev: Rusia nuk do të lejojë një Luftë të Tretë Botërore

Krahu i djathtë i Putinit Dmitry Medvedev ka thënë sot se Rusia nuk do të lejojë që Lufta e Tretë Botërore të shpërthejë.

"Rusia nuk do të lejojë që Lufta e Tretë Botërore të shpërthejë", tha nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitry Medvedev, sipas raporteve të Tass . 

"Arsenali i armëve moderne, të besueshme dhe efektive sot ftoh ambiciet e atyre që janë gati të nisin Luftën e Tretë Botërore ne nuk do ta lejojmë këtë situatë. Por jemi të detyruar t'ju kujtojmë vazhdimisht se në rast të një sulmi ndaj ne do të jemi në gjendje të japim një përgjigje të menjëhershme dhe super të fuqishme. Për të zmbrapsur çdo agresion që kërcënon shtetin tonë”, shtoi ai.

Ora 20:22
OBSH kërkon të hetohen sulmet ndaj ndërtesave shëndetësore në Ukrainë

Shefi për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ngriti alarmin lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, duke bërë thirrje që të hetohen mbi 200 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore.

Drejtori për Evropë i OBSH-së, Hans Kluge, tha se çdo i treti pacientë ka probleme në qasjen në ilaçe dhe një në pesë persona në zonën e konfliktit ka nevojë për ndihmë psikologjike, duke shtuar se rastet e dhunës seksuale janë në rritje dhe se ka rrezik të shpërthimit të kolerës.

“Deri më sot, OBSH-ja ka verifikuar 226 sulme në kujdesin shëndetësor në Ukrainë. Kjo nënkupton se që prej 24 shkurtit kanë ndodhur tri sulme në ditë. Nga këto sulme janë vrarë të paktën 75 persona dhe 59 janë plagosur”, tha ai gjatë një konference për media në Kiev.

Duke përshkruar situatën, ai tha se sulmet e tilla janë fyerje e përkushtimit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Këto sulme nuk janë të justifikueshme, ato duhet të hetohen”, tha ai.

Ora 19:59
Biseda telefonike me Zelenskyn, Macron premton më shumë armë për Ukrainën

Presidenti francez Emmanuel Macron i premtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky armë shtesë në ditët në vijim në një telefonatë mes dy liderëve, sipas një deklarate të Pallatit Elysée.

"Macron konfirmoi se dërgesat e armëve nga Franca do të vazhdojnë dhe do të rriten me intensitet në ditët dhe javët në vijim, si dhe dërgimi i ndihmës humanitare", thuhet në deklaratë.

Macron tha gjithashtu se aplikimi i Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të "shqyrtohet" gjatë një sesioni të Këshillit Evropian në qershor. Shqyrtimi i bllokut do të bazohet në "opinionin që do të kishte dhënë Komisioni Evropian dhe në frymën e shprehur në samitin e Versajës nga të gjitha vendet anëtare që deklaruan se Ukraina ishte pjesë e familjes evropiane".

Udhëheqësit diskutuan gjithashtu evakuimet e uzinës Azovstal si dhe "sfida e sigurisë ushqimore dhe mënyrat e mundshme për të lejuar eksportet e drithërave ukrainase, nga e cila varet një pjesë e madhe e botës për ushqimin e saj".

Biseda telefonike mes dy presidentëve zgjati një orë e 10 minuta, sipas Pallatit, dhe ishte “e gjatë dhe thelbësore”.

Ora 19:47
Alarmi i OBSH-së: Mariupol në rrezik të epidemisë së kolerës

1652809789_Capture.JPG

Drejtori rajonal i OBSH-së për emergjencat, Dorit Nitsan ka deklaruar se Mariupol është në prag të shpërthimit të një epidemie kolereje pasi pastërtia është në nivelet më të ulëta dhe ujërat e zeza përzihen me ujërat e bardha në disa vende.

“Ne marrim informacione nga organizata joqeveritare se në Mariupol ujërat e zeza përzihen me ujin e pijshëm. Kjo kërcënon përhapjen e shumë sëmundjeve, veçanërisht kolerës. Ne po përgatitemi për këtë me një fushatë vaksinimi , duke punuar me OJQ-të që mund të shkojnë atje për të mbështetur njerëzit", tha Nitsan.

 

Ora 18:47
Alarmi i OSBE-së: Rrezik i lartë i shfrytëzimit seksual dhe trafikimit të refugjatëve në Ukrainë

Mbi 5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në muajt e fundit dhe këta njerëz kanë një rrezik gjithnjë në rritje për t'iu nënshtruar shfrytëzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore . 

Ky ka qenë alarmi që ka ngritur koordinatori i OSBE-së për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Valiant Richey, gjatë një konference për shtyp pas takimit me disa përfaqësues të Komisionit dhe Këshillit të BE-së sot në Bruksel. 

Sipas një studimi të kryer nga OSBE, u zbulua se një numër gjithnjë në rritje i kërkimeve në internet për pornografi dhe shërbime seksuale në lidhje me Ukrainën është rritur me 600% në faqet pornografike, ndërsa kërkimet për Eskortë ukrainase u rritën me 200% në motorët e kërkimit.

Richey më pas shpjegoi se zyra e tij merr raporte të vazhdueshme për burra që u afrohen grave ukrainase në stacionet e trenit ose në vendet e mbërritjes me oferta false akomodimi , transporti dhe parash. Për të adresuar fenomenin, OSBE-ja ka zhvilluar një sërë rekomandimesh për Shtetet Anëtare duke përfshirë përdorimin e operacioneve kibernetike të policisë për të parandaluar shfrytëzimin online dhe monitorimin e platformave të shkëmbimit të informacionit me rrezik të lartë.

Ora 18:37
Suedia e gatshme të bisedojë me Turqinë për anëtarësimin në NATO

Kryeministrja suedeze është shprehur se është e gatshme për bisedime me Turqinë për të zgjidhur çdo problem.

Kjo pasi Turqia, një anëtare e NATO-s, ngriti kundërshtime ndaj vendeve që i bashkohen bllokut.

"Ne po kërkojmë kontakt me Turqinë dhe jemi të përgatitur të udhëtojmë në Turqi për të diskutuar dhe sqaruar çdo pikëpyetje që mund të ketë”, tha kryeministrja e Suedisë.

Gjatë konferencës për shtyp, të dy udhëheqësit thanë se synonin të dorëzonin ofertat e tyre për t'u bashkuar me NATO-n së bashku të mërkurën në selinë e aleancës ushtarake në Bruksel.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se dy vendet nordike nuk duhet të dërgojnë delegacione për të bindur Turqinë për ofertat e tyre pasi i cilëson si vende që mirëpresin në territorin e tyre terroristë kurdë.

Pa mbështetjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s, Suedia dhe Finlanda nuk mund t'i bashkohen aleancës ushtarake.

Ora 18:24
Zelensky bisedë telefonike me Macron

1652804666_Capture.JPG

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se ka pasur një bisedë telefonike “të gjatë dhe kuptimplote” me presidentin francez Emmanuel Macron për luftën në Ukrainë.

Zelenskyy shtoi se ai dhe Macron kishin diskutuar gjithashtu çështjen e furnizimeve me karburant në Ukrainë dhe mbështetjen e mbrojtjes nga Franca.

"Tregova për rrjedhën e armiqësive, operacionin për të shpëtuar ushtrinë nga Azovstal dhe vizionin e perspektivës së procesit të negociatave. Ngrita çështjen e furnizimit me karburant në Ukrainë. Ne diskutuam gjithashtu mbështetjen e mbrojtjes nga Franca, përgatitjen e paketës së 6-të të sanksioneve, mënyrat e mundshme për të eksportuar produkte bujqësore ukrainase. Mbajtëm një diskutim thelbësor për aplikimin tonë për statusin e një kandidati për anëtarësim në BE”, shkruan Zelensky.

Ora 18:18
Funerali i ish-presidentit Kravchuk, Zelenksy takohet me bashkëshorten pas 3 muajsh

1652804344_Capture.JPG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zonja e parë, Olena Zelenska , morën pjesë në funeralin e ish-presidentit Leonid Kravchuk në Kiev, i cili vdiq më 10 maj në moshën 88-vjeçare në mes të pushtimit rus. 

Çifti Zelensky dukeshin të qetë, por të rraskapitur ndërsa ecnin së bashku për të vendosur lule në mbi arkivolin e Leonid Kravchuk, i cili ishte presidenti i parë që udhëhoqi një Ukrainë të pavarur pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991.

Ora 18:07
Fati i ushtarëve ukrainas të evakuar nga Azovstal në dorën e Gjykatës ruse! Ministria ruse e Drejtësisë: Janë organizatë terroriste

Rusia ka kërkuar nga Gjykata e saj e Lartë të caktojë Regjimentin Azov të Ukrainës si një organizatë terroriste.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, Ministria e Drejtësisë në Moskë është shprehur se një çështje gjyqësore për njohjen e shoqatës nacionaliste paraushtarake ukrainase Azov si një organizatë terroriste dhe ndalimi i aktiviteteve të tij në territorin e Federatës Ruse është caktuar për gjykim më 26 maj.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë nëse mbrojtësit e fabrikës së çelikut të cilët tani janë në paraburgim rus do të trajtohen si të burgosur lufte apo si kriminelë lufte.

Regjimenti Azov u formua në vitin 2014, menjëherë pasi Moska aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës, për të luftuar kundër forcave ruse dhe rebelëve pro-rusë në rajonin lindor të Donbasit.

Disa luftëtarë të Azov fillimisht kishin lidhje me grupe nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë. Regjimenti më vonë u përfshi në Gardën Kombëtare të Ukrainës.

Ora 17:57
Vazhdon evakuimi i ushtarëve ukrainas nga Azovstal

Të paktën shtatë autobusë që transportojnë luftëtarë ukrainas po nisen nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.

Të hënën, më shumë se 260 luftëtarë ukrainas u larguan nga fabrika e çelikut në qytetin e rrethuar dhe u dërguan në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Qeveria ukrainase tha më herët sot se ishte duke punuar në "fazat e ardhshme" të evakuimit të njerëzve të mbetur nga uzina.

Ora 17:50
Fituesit e Eurovizion 2022 turne në Europë për të mbledhur fonde për Ukrainën

Fituesit e Eurovizionit 2022 kanë deklaruar se do të mbledhin para për ushtrinë e vendit të tyre duke bërë turne në Evropë.

Orkestra Kalush fitoi Evrovizionin duke shënuar fitoren e tretë të Ukrainës në festivalin europian të muzikës me këngën “Stefania”.

Frontmeni Oleg Psyuk tha se grupi do të njoftojë në Instagram se ku do të zhvillohet turneu.

Ai shtoi se statuja e fituesit do të nxirret gjithashtu në ankand me të ardhurat që do të shkojnë për të mbështetur ushtrinë ukrainase.

 

Ora 17:41
Lavrov: Rusia tërhiqet nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik

1652730820_Screenshot11.jpg

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, këmbënguli sot se Rusia kishte marrë vendimin për t'u larguar nga CBSS "në përgjigje të veprimeve armiqësore" të grupit, me sa duket duke iu referuar pezullimit dhe sanksioneve të ndryshme të vendosura ndaj Rusisë nga BE.

"Përfundimi i anëtarësimit në CBSS nuk do të ndikojë në praninë e Rusisë në rajon," tha Lavrov, përpara se të paralajmëronte se çdo përpjekje për "të dëbuar vendin tonë nga Balltiku është e dënuar me dështim".

Ai akuzoi gjithashtu NATO-n dhe anëtarët e BE-së të CBSS se e kanë kthyer këshillin në një instrument të politikës anti-ruse.

Ora 17:31
Tjetër sulm me raketa në Donetsk, plagoset rëndë një fëmijë 9 vjeç

Sulmi raketor shkatërroi një ndërtesë pesëkatëshe në qytet, sipas policisë rajonale të Donetsk. Një person ka mbetur i vrarë dhe një fëmijë 9-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë.

“Numri i saktë i viktimave është duke u sqaruar”, tha policia.

Bakhmut është një qendër e rëndësishme për ushtrinë ukrainase dhe spitali i saj trajton ushtarët e plagosur. Është afërsisht 12 milje (20 kilometra) nga vijat e frontit rreth Popasna.

“Rusët nuk i ndalin bombardimet masive përgjatë gjithë vijës së frontit nga Vuhledar në Bakhmut”, tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk.

"Sulmet të martën në mëngjes kishin dëmtuar një shkollë në Bakhmut dhe disa objekte infrastrukturore", shtoi ai.

Ora 16:59
Finlanda dhe Suedia dorëzojnë të mërkurën aplikimin në NATO

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinistö në Stokholm tha se të dy vendet do dorëzojnë aplikimin e tyre në NATO të mërkuren.

"Demokracia ka fituar",  tha Niinistö.

"E gjithë kjo pranverë ka qenë një triumf për demokracinë në Finlandë", tha ai, duke iu referuar mbështetjes dërrmuese që aplikimi i Finlandës për NATO-n mori sot në parlament dhe mbështetjes nga populli finlandez.

"Suedia gjithashtu pret të bashkëpunojë së bashku me Turqinë brenda NATO-s”, tha Andersson.

Komenti i saj i drejtohej deklaratës së mëparshme të presidentit turk të hënën se ai nuk do të miratonte anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO lidhur me sanksionet ndaj Turqisë dhe akuzoi më tej të dy vendet për strehimin e "organizatave terroriste" kurde.

Ora 16:48
Borrell: Nuk do të lejojmë që Ukraina të jetë pa armë

1652693862_20191007PHT63581original.jpg

Mbështetja europiane për Ukrainën me armë dhe paisje ushtarake po bën ndryshim në terren, në kapacitetin e ushtrisë ukrainase.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim ushtrinë ukrainase”, kështu deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell , në fund të takimit të ministrave të mbrojtjes të BE-së. 

“Kjo mbështetje tani është thelbësore sepse lufta është në një pikë vendimtare, në një pikë kthese. Nuk mund ta lëmë Ukrainën pa pajisje dhe nuk do ta lejojmë. Beteja në Donbas është vendimtare”, shtoi ai.

Ora 16:36
Zelensky: Asnjë pushtues nuk do të na sundojë, herët a vonë do të fitojmë

1652798360_Capture.JPG

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky me anë të një postimi në Telegram teksa ka ndarë foto nga Ukraina është shprehur se herët apo vonë ukrainasit do të fitojnë. 

“Nuk ka zinxhirë që mund të lidhin shpirtin tonë të lire. Nuk ka asnjë pushtues që mund të lëshojë rrënjë në tokën tonë të lirë. Nuk ka asnjë pushtues që mund të sundojë popullin tonë të lire. Herët a vonë do të fitojmë”, shkruan Zelensky.

Ora 16:25
Nga sanksionet ndaj Rusisë tek furnizimi me armë dhe statusi i vendit kandidat në BE, ministri i jashtëm ukrainas takim me homologun holandez

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba diskutoi furnizimet me armë, sanksionet e reja kundër Rusisë dhe dhënien e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian gjatë një takimi me homologun e tij holandez Wopke Hoekstra në Hagë.

"U takova me kolegun dhe mikun tim Wopke Hoekstra në fillim të vizitës sime në Hagë. E lavdërova atë dhe qeverinë holandeze për përpjekjet e tyre për të mbrojtur paqen në Ukrainë dhe Evropë. Ne u fokusuam në furnizimet e mëtejshme të armëve, sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe statusin e kandidatit në BE për Ukrainën”, tha Kuleba.

Ora 16:09
Shtohen dyshimet për gjendjen shëndetësore të Putinit, ja detaji i ‘dyshimtë’ gjatë takimit me presidentin e Taxhikistanit (VIDEO)

Pas pamjeve të fundit të shpërndara nga takimi me presidentin e Taxhikistanit, janë shtuar dyshimet se presidenti i Rusisë Vladimir Putin mund të ketë probleme shëndetësore.

Videoja, e marrë dje ndërsa Putin u takua me homologun e tij nga Taxhikistani, Emomali Rahmon, tregonte këmbën e majtë të liderit rus duke lëvizur në mënyrë jo normale për një lider, aq më tepër në një takim zyrtar para kamerave.

Putini më vonë e rregulloi pozicionin e tij në karrige dhe e vendosi këmbën fort në tokë ndërsa fliste me Rahmon për zhvillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Taxhikistanit, por këmba e tij dukej se po i dridhej.

Lëvizjet e çuditshme ranë në sy të liderit Taxhik, i cili u shfaq disi i shqetësuar ndërsa shikonte poshtë dhe shikonte këmbën e Putinit që përkulej në mënyrë të çrregullt.

Ka pasur shumë spekulime mbi gjendjen shëndetësore të Presidentit rus gjatë javëve të fundit me ekspertë shëndetësorë, politikanë dhe madje edhe biznesmenë rusë të mërguar që pretendojnë se ai ka të ngjarë të luftojë me një sëmundje të rëndë.

Sëmundja e Parkinsonit – një çrregullim i trurit që prek aftësitë motorike – është një kusht i përmendur shpesh nga komentuesit me të cilin mund të përballet Putin.

Sindroma e këmbëve të shqetësuara – një dëshirë e pakontrollueshme për të lëvizur gjymtyrët e poshtme dhe këmbët – është një simptomë e shfaqur shpesh nga të sëmurët nga Parkinson.

Në festimet e Ditës së Fitores së Rusisë më 9 maj, 69-vjeçari mbajti një fjalim në të cilin ai projektoi një imazh të forcës dhe fuqisë ushtarake ruse, pavarësisht luftës së lëkundur në Ukrainë.

Gjatë vetë paradës, ai u pa i ulur me një batanije të rëndë mbi gjunjë, pavarësisht se veteranët geriatrikë të luftës ishin ulur rreth tij me prehër të zbuluar.

Në fund të prillit, Putin u filmua duke folur me ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu në Kremlin, por u shfaq i fryrë teksa mbërtheu tryezën gjatë gjithë takimit.

Fytyra dhe qafa e fryrë jo karakteristike e Putinit shkaktoi pretendime se ai po i nënshtrohet trajtimit me steroide, ndërsa raportet kanë sugjeruar se Putini shoqërohet ‘vazhdimisht’ nga një mjek i specializuar për kancerin e tiroides.

 

Ora 15:51
Anëtarësimi në NATO dhe kërcënimi rus, Gjermania forcon bashkëpunimin ushtarak me Finlandën dhe Suedinë

1652795639_Capture.JPG

Kancelari gjerman Olaf Scholz është shprehur se Gjermania do të rrisë bashkëpunimin e saj ushtarak me Finlandën dhe Suedinë dhe se vendi i tij do të shtyjë për një ratifikimi "shumë të shpejtë" të pranimit të tyre në NATO.

"Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë ushtarak veçanërisht në rajonin e Detit Baltik dhe nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta",  tha ai.

Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin e Lihtenshtajnit, kancelari gjerman thotë se ka besim se Turqia do të mbështesë Finlandën dhe Suedinë që t'i bashkohen aleancës, pavarësisht kundërshtimeve të saj fillestare.

Më herët, Scholz foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe, sipas një zëdhënësi të kancelarit, ata ranë dakord që një zgjidhje e negociuar diplomatike midis Ukrainës dhe Rusisë do të kërkonte "një përfundim të menjëhershëm të armiqësive nga ana e Rusisë dhe një tërheqje të trupave ruse nga Ukrainë".

Ora 15:39
Putin: Disa vende europiane nuk mund të ‘heqin dorë’ nga nafta ruse

1652465668_httpscdn.cnn.comcnnnextdamassets220228151805putin0218.jpg

Disa vende evropiane nuk mund të heqin dorë nga nafta ruse, kështu u shpreh presidenti Vladimir Putin.

"Vendet evropiane vazhdojnë të vendosin sanksione të reja në tregjet e naftës dhe gazit. E gjithë kjo çon në inflacion, por në vend që të pranojnë gabimet e tyre, ata po kërkojnë dikë për të fajësuar," tha Putin gjatë një takimi për industrinë e naftës.

“Evropianët e pranojnë se nuk mund të heqin dorë plotësisht nga burimet energjetike ruse dhe është gjithashtu e qartë se disa vende të BE-së ku përqindja e hidrokarbureve ruse është veçanërisht e lartë, për një kohë të gjatë nuk do të mund të heqin dorë nga energjia jonë”, tha ai. , duke shtuar se vendimet e miratuara nga Bashkimi Evropian "dhe deklaratat për një heqje dorë të plotë nga burimet ruse të energjisë kanë shkaktuar tashmë një rritje të çmimeve të naftës".

Ora 15:25
Anëtarësimi në NATO, Biden nesër takim me liderët e Suedisë dhe Finlandës

1652794059_Capture.JPG

Presidenti amerikan Joe Biden do të presë të enjten në Shtëpinë e Bardhë kryeministren suedeze Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez Sauli Niinisto.

“Udhëheqësit do të diskutojnë aplikimet për anëtarësimin në NATO të dy vendeve skandinave dhe sigurinë evropiane, si dhe bashkëpunimin në mbështetjen e Ukrainës”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Ora 15:17
Parlamenti finlandez voton pro aplikimit në NATO

Parlamenti finlandez ka votuar pro aplikimit për anëtarësim në NATO ditën e sotme.

“Parlamenti mbështet kërkesën e Finlandës për anëtarësim në NATO. Parlamenti miratoi qëndrimin në përputhje me raportin e Komisionit të Punëve të Jashtme pas votimit 188-8 pro”, shkruhej në llogarinë zyrtare të parlamentit në Twitter.

Ora 14:53
Zyrtarët e Kievit: Sulmet ajrore vranë 8 persona në Ukrainën veriore

Gjatë ditës së sotme 8 persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror rus në fshatin Desna në rajonin verior të Ukrainës, Chernihiv.

Lajmin e bëri të ditur Shërbimi Rajonal i Urgjencës ukrainase.

Guvernatori i rajonit të Chernihiv, Viacheslav Chaus, tha:

"Po, nuk ka më pushtues në rajonin e Chernihiv, por është e lehtë për ta të arrijnë tek ne. Mos i injoroni paralajmërimet për sulm ajror!"

Ora 14:14
‘Të rrethuar nga forcat ruse e disa prej tyre të plagosur', momenti kur ushtarët ukrainas dalin nga fabrika e çelikut

 

Ky është momenti kur luftëtarët ukrainas largohen nga fabrika e çelikut në Mariupol pas rrethimit të gjerë nga forcat ruse.

Ushtarët ukrainas shihen duke u kontrolluar nga ushtria ruse përpara se të evakuohen me autobus, ndërsa të plagosurit janë duke u transportuar nga fabrika e çelikut me barelë.

Videoja është publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ora 13:56
Finlanda pritet që të bëjë aplikimin për në NATO, Rusia i dëbon dy diplomatët

Moska ka njoftuar se po dëbon dy diplomatë finlandezë në kundërpërgjigje të vendimit të Helsinkit që dëboi dy diplomatë rusë në prill.

Ministria e Jashtme ruse tha më 17 maj se ka thirrur në bisedë ambasadorin finlandez në Rusi, Antti Helantera, për ta informuar atë për këtë vendim. Moska tha se këtë vendim e ka marrë për shkak të “kursit konfrontues të Finlandës karshi Rusisë”.

Ndërkohë që ligjvënësit në Helsinki pritet që gjatë ditës së sotme të mbështesin aplikimin për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.

Muajin e kaluar, Finlanda dëboi dy pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse në Helsinki në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës.

Ora 13:39
Moska: 265 ushtarë ukrainas ulën armët dhe u dorëzuan në fabrikën e çelikut në Mariupol

“265 ushtarë ukrainas në fabrikën e çelikut Azovstal janë dorëzuar deri më tani tek forcat ruse”, ky është njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Moskës, e cila tha gjithashtu se 51 prej tyre janë plagosur rëndë. 

“Ata ulën armët dhe u dorëzuan”, tha Ministria, sipas raportimeve të mediave ruse.

Të gjithë të plagosurit u transferuan në spitalin Novoazovsk në Republikën e vetëshpallur të Donetskut.

Ora 13:18
Kievi: Negociatat me Moskën pezullohen, nëse rifillojnë mund të jetë vetë Zelensky ai që do t'i drejtojë

Procesi i negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës është pezulluar. Lajmin e ka konfirmuar Këshilltari dhe Negociatori Presidencial ukrainas, Mikhailo Podolyak, pasi lajmit të dhënë nga Moska.

Këshilltari tha se nëse negociatat rifillojnë, drejtuesi mund të jetë vetë presidenti Volodymy Zelensky. 

Ora 12:01
Vazhdojnë luftimet intensive në Ukrainën Lindore

Ushtria e Ukrainës thotë se Rusia po "vazhdon ofensivën e saj" në lindje të vendit, por pretendon se trupat e saj kanë pasur disa suksese në mbrojtje gjatë 24 orëve të fundit.

“Armiku i përqendroi përpjekjet e tij kryesore në Donetsk”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një postim të tijin në Facebook këtë mëngjes.

Zyrtarët shtuan se mortajat, artileria konvencionale dhe sistemet e raketave me shumë lëshime të ushtrisë ruse janë duke synuar Donteskun.

Shtabi i Përgjithshëm tha gjithashtu se trupat e tij kishin arritur të zmbrapsnin 11 sulme ruse nëpër Donetsk dhe Luhansk, duke goditur një avion rus “Su-25” dhe një raketë lundrimi në proces.

Pesë tanke ruse, një sistem raketor anti-ajror Tor, gjashtë sisteme artilerie dhe 12 pjesë të pajisjeve të blinduara u shkatërruan gjithashtu, thuhet në raport. Raporton BBC.

Ora 11:32
Rusia: Aktualisht nuk ka negociata me Ukrainën

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrei Rudenko  deklaroi se aktualisht nuk po zhvillohen negociata mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi Kievi është tërhequr nga procesi i negociatave. 

"Jo, negociatat nuk po vazhdojnë. Ukraina është tërhequr praktikisht nga procesi i negociatave, negociatat nuk janë duke u zhvilluar në asnjë formë", tha  Rudenko para gazetarëve në Nizhny Novgorod.

Ora 10:59
Zëdhënësi i Kremlinit: Veprimet e Perëndimit kundër Rusisë janë ‘një luftë’

"Veprimet e vendeve perëndimore ndaj Rusisë janë një luftë", kështu ka deklaruar Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas raportimit të Agjencisë së Lajmeve ruse “Interfax”

"Rusia nuk mund të izolohet politikisht, ekonomikisht apo në sferën e informacionit. Ukrainasit janë njerëz paqësorë dhe të talentuar, vëllezër me Rusinë, por ata janë mashtruar për një kohë të gjatë", tha Peskov.

Lidhur me masakrën e Buçës, Moska e konsideron të nevojshëm një hetim të pavarur dhe të paanshëm për të sqaruar situatën në qytetin ukrainas ku trupat ruse dyshohen se kanë kryer krime lufte.

Ora 10:37
Lufta në Ukrainë frenon zhvillimin ekonomik të Evropës

1652776754_61289815303.jpg

Lufta në Ukrainë po ngadalëson rritjen ekonomike në BE dhe po rrit inflacionin. Kjo po ndodh kryesisht për shkak të çmimeve të energjisë. Megjithatë borxhi shtetëror në vendet e BE-së është në rënie.

Për shkak të luftës në Ukrainë Komisioni i BE-së e ka ulur në mënyrë drastike parashikimin e tij të rritjes për ekonominë evropiane. Sipas prognozës së pranverës ekonomia e BE-së dhe e vendeve të eurozonës pritet të rritet këtë vit vetëm me 2.7 për qind në vend të katër për qind që pritej më parë. Parashikimi për inflacionin në vendet e eurozonës në vitin 2022  pothuajse është dyfishuar në 6.1 për qind.

Autoritetet e Brukselit sqaruan se lufta në Ukrainë dhe mbi të gjitha çmimet e vazhdueshme të larta të energjisë dhe lëndëve të tjera të para po vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj ekonomisë. Këtyre u shtohen edhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

Për vitin e ardhshëm Komisioni i BE-së supozon një rritje prej 2.3 për qind në BE dhe në eurozonë. Në prognozën e shkurtit komisioni kishte parashikuar për vitin 2023 një rritje prej 2.8 për qind për BE-në dhe 2.7 për qind për vendet e eurozonës.

Perspektiva më të këqija edhe për Gjermaninë

Edhe parashikimi për ekonominë gjermane u korrigjua gjithashtu ndjeshëm, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë. Komisioni i BE-së parashikon për këtë vit vetëm rritje prej 1.6 për qind, në vend të 3.6 për qind që pritej më parë. Vitin e ardhshëm ekonomia më e madhe e Evropës, do të rritet me 2.4 për qind në vend të 2.6 për qind që ishte parashikuar më parë./DW

Ora 10:20
Kievi: 27.900 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës

1652775787_2352245316aa542f11f524678906a794e193dd6b2.jpg

Të paktën 27,900 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, sipas ushtrisë së Kievit. Në përditësimin për humbjet e deritanishme të Moskës, thotë se pas 83 ditësh konflikti janë edhe 201 luftëtarë, 167 helikopterë dhe 436 dronë të rrëzuar. 

Forcat e Kievit pretendojnë se kanë shkatërruar 1,235 tanke ruse, 578 copë artileri, 3,009 automjete të blinduara për transportin e trupave, 97 raketa lundrimi, 198 raketahedhës, 13 anije, 2,109 midis automjeteve dhe cisternave për transportin e karburantit.

Ora 09:40
Irani, gati për të kontribuar në ndërmjetësimin mes Rusisë dhe Ukrainës

Autoritetet iraniane janë gati të ndërmjetësojnë në konfliktin mes Moskës dhe Kievit.

Lajmin e bëri të ditur Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Teheranit, Said Khatibzadeh, për agjencinë ruse Ria Novosti. 

"Ne do të jemi në gjendje të kontribuojmë (në zgjidhjen e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë) sa më shumë që të jetë e mundur dhe për aq sa të dyja palët të jenë gati, Republika Islamike e Iranit, me dëshirën e Zotit, do të fillojë një të re raundin e përpjekjeve të saj për të zgjidhur konfliktin " tha Khatibzadeh.

Zëdhënësi vuri në dukje se të dyja palët e pranojnë dhe e marrin seriozisht ndërmjetësimin iranian.

 

Ora 08:22
'Tanku rus në flakë!', shkatërrohet nga forcat ukrainase (VIDEO)

 

Në një video të publikuar nga Agjecia e Lajmeve bjelloruse “Nexta”, duken pamjet ku forca ushtarake ukrainase shkatërrojnë tankun e ushtrisë ruse.

Ora 08:18
Zelensky: Ne kemi nevojë për heronj të gjallë për të ruajtur jetën e fëmijëve tanë

1652554833_RussiaUkraineWar59072.jpgc6e5f.jpg

“Falë punës të ushtrisë së Forcave të Armatosura të Ukrainës, inteligjencës, ekipit negociator, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe OKB-së, shpresojmë të jemi në gjendje të ruajmë jetën e fëmijëve tanë. Mes tyre ka të plagosur rëndë që po u ofrohet ndihmë. Dua të theksoj se heronjtë ukrainas i shërbejnë të gjallë Ukrainës. Operacioni për të kthyer ushtarët tanë në shtëpi ka filluar. Është një punë që kërkon delikatesë dhe kohë", tha Zelensky në mesazhin e tij gjatë natës.

Mesazhi i Zelensky ishte për mbrojtësit e Mariupolit dhe erdhi pasi Ministria e Mbrojtjes e Kievit konfirmoi fillimin e evakuimit të ushtarëve të barrikaduar në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.

 

S.C/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 17/05/2022 18:04

    Perse nuk thone qe u dorezuan si legena ushtaret e azovit po thone qe u evakuan legena gazetare !

    Përgjigju
  • Leli: 17/05/2022 08:33

    Zelensky o pler e ndyre mos u be vegla e Amerikes se po vret popullin tend dhe leri keto pallavra qe po fitoni e leshi e treshi por ik largohu qe te vendoset paqja !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Momenti kur molotovet hidhen drejt derës së bashkisë, dëgjohen shpërthimet, shikoni flakët

VIDEOLAJM/ Momenti kur molotovet hidhen drejt derës së bashkisë, dëgjohen shpërthimet, shikoni flakët