Lufta me gruan e Gjin Gjonit për Duty Free/ Kompania amerikane kërkon përjashtimin e gjyqtarit Avni Sejdi për njëanshmëri

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë vijon beteja mes kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi dhe Ministrisë së Financave, për licencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, për të cilat kjo kompani ka humbur tenderin si dhe i ka mbaruar kontrata që në datën 27 gusht 2019. Ministria i ka hequr autorizimin kompanisë së gruas së Gjin Gjonit për të ushtruar këtë aktivitet, me argumentin se i ka mbarur kontrata me TIA. Elona Çaushi i kërkon gjykatës që ta detyrojë ministrinë t’ia japë autorizimin. Kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila ka fituar tenderin dhe ka lidhur një kontratë me TIA për menaxhimin e ambienteve e të njëjtave ambiente tregtare që po ia mban ‘peng’ dhe shfrytëzon kompania e Elona Çaushit, përmes dy vendimeve të dy gjyqtarëve që nuk kanë kaluar Vetingun, ka kërkuar sot përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Avni Sejdi, për njëanshmëri.

Fillimisht, gjatë seancës së sotme, e para për vitin 2020, përfaqësuesit e kompanisë amerikane, si palë e interesuar në këtë proces, kërkuan pezullimin e gjykimit të çështjes së licencës, deri kur të merrej një vendim në Gjykatën e Apelit të Tiranës, po për të njëjtën çështje. Në 21 Janar të këtij muaj, Gjykata e Apelit të Tiranës do të nisë shqyrtimin e një vendim tjetër paraprak të gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi, e cila në datën 7 gusht 2019 vendosi që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit, pavarësisht se për këto ambiente tenderin e kishte fituar kompania amerikane, duke lidhur edhe kontratën me TIA që në korrik, kontratë e cila parashikonte marrjen në dorëzim të ambienteve që në 15 shtator 2019. Padia fillimisht nisi të shqyrtohej nga gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj në 1 gusht 2019, por çuditërisht, përfaqësuesi i Albania Duty Free Distribution nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatësit Aliaj, i cili pushoi çështjen. Në të njëjtën ditë, kompania e Elona Çaushi përsëriti padinë, e cila u shqyrtuar nga Mimoza Kajo-Brahimi. Kjo e fundit vendosi në favor të Elona Çaushit.

Vendimi paraprak i Mimoza Kajo-Brahimit do të shqyrtohet në 21 Janar në apel. Nëse Apeli e rrëzon këtë vendim, ky akt rëndon pozitat e kompanisë së Elona Çaushit dhe ndikon në procesin tjetër për çështjen e licencës që po shqyrtohet nga gjyqtari Avni Sejdi. Kjo ishte arsyeja se pse përfaqësuesit e kompanisë amerikane International Cruise Duty Free (ICDF) kërkuan sot pezullimin e gjykimit nga Avni Sejdi. Nga ana e tij, gjyqtari i Administratives Avni Sejdi e rrëzoi këtë kërkesë, me pretendimin se një kërkesë e tillë është rrëzuar që në seancën e kaluar dhe se procesi paralel në Gjykatën e Apelit nuk afekton çështjen që po shqyrtohet nga ai. Pas këtij vendimi, përfaqësuesit e kompanisë amerikane paraqitën një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Avni Sejdi nga gjykimi i kësaj çështje, me argumentin se po tregohet i njëanshëm dhe se me vendimet e tij, po cënon interesat e ICDF. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Avni Sejdi solli ndërprerjen e seancës dhe pezullimin e gjykimit, deri kur një tjetër trupë gjykuese e Gjykatës Administrative të shqyrtojë kërkesën e kompanisë amerikane.

Në gusht të vitit 2019, kompania Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, arriti të marrë brenda 24 orëve licencën nga Ministria e Financave për vijimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free (dyqanet pa taksa) në Rinas. Por, në shtator, Ministria e Financave bëri disa verifikimi, ku rezultoi që kompania e kishte gënjyer mbi disa informacione. Për këto arsye, në zbatim të ligjit, në datë 30 shtator, Ministria e Financave ia anuloi licencën. Në 8 tetor të 2019 hyn në lojë gjyqtari Avni Sejdi, i cili me një vendim të ndërmjetëm ka pranuar kërkesën e Albania Duty Free Distribution për pezullimin e efekteve të vendimit të Ministrisë së Financave për anulimin e autorizimit për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, deri në zgjidhjen me themel të çështjes. Si Avni Sejdi ashtu edhe Mimoza Kajo-Brahimit, madje edhe bashkëshorti i Elona Çaushit, Gjin Gjoni, nuk jave verifikuar ende nga Komisioni i Vetingut, nëse duhet të shërbejnë në drejtësi apo duhet të shkarkohen nga detyra.

Ndërkaq, kompania amerikane International Cruise Duty Free është thellësisht e zhgënjyer nga kjo situatë. Disa ditë më parë, Shqiptarja.com botoi letër të plotë të presidentit të kompanisë amerikane International Cruise Duty Freem, Lucio Suoto, i cili tha se, pas shumë sipërmarrjeve të suksesshme në mbarë botën, nuk e ka gjetur veten asnjëherë në një situatë të tillë. Ai tha se shumë njerëz e kanë paralajmëruar për mënyrën se si bëhet biznes në Shqipëri, por shtoi se kishte shpresuar tek reforma në drejtësi se do të siguronte një sistem gjyqësor të lirë dhe të paanshëm. Lucio Suoto pohoi gjithashtu se kjo situatë do të ketë kosto, ndërsa i referohet Ministrisë së Financave, e cila i rinovoi licencën kompanisë së gruas së Gjin Gjonit pa shqyrtuar dokumentet dhe pa marrë parasysh se kishte humbur tenderin dhe gjykatave që marrin vendime duke shkelur çdo parim biznesi. Suoto theksoi se kompania ICDF po lufton për një kauzë dhe një problem që nuk duhet të ekzistonin.

d.ba./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ju ka ndihmuar bashkia në zonën ku jetoni për të përballuar emergjencën e krijuar nga koronavirusi?

Komento

Komente

  • Bledi: 17/01/2020 20:37

    Gjyqtaret dihet qe jane te kapur dhe blere nga Gjin Gjoni&Co, por personi pergjegjes qe i dha licensen brenda dites dhe pa verifikuar informacionin a mund te quhet KCK? Ka marre ndonje mase adminustrative qeveria per kete individ? Qe ketu ze fill historia e ketij turpi. Si e ka emrin ky dje perse nuk e kallezojne penalisht? KCK gjykata dhe KCK qeveria

    Përgjigju
  • Alma aranitasi: 17/01/2020 17:11

    Kompania amerikane ka te drejte.Jam ne proces gjyqsor me Mimoza Kajo Brahimi Eshte kck.Eshte e njeanshme.Sillet si rugace .Kemi te drejte dhe te drejten kerkon tua jape pales tjeter.Bashkpunon me eksperten dhe i ndajne parate bashke

    Përgjigju