Lufta në Ukrainë/SHBA autorizon ndihmën më të madhe për sigurinë në Ukrainë deri tani! Ukraina: Goditëm bazën ushtarake ajrore ruse në Krime

Lufta në Ukrainë/SHBA autorizon ndihmën më të madhe për sigurinë në Ukrainë deri tani! Ukraina: Goditëm bazën ushtarake ajrore ruse në Krime

Zelensky dhe Clinton

"Ka ende terror bërthamor në qendër të ditës sot në Ukrainë", Presidenti Volodymyr Zelensky pati një intervistë me videokonferencë me Bill Clinton, duke ftuar ish-presidentin amerikan të tërheqë vëmendjen e komunitetit botëror për bombardimin e termocentralit bërthamor në Zaporizhizhia. Po ashtu, lideri ukrainas bëri thirrje që vendet perëndimore të ndalojnë hyrjen e qytetarëve rus, kjo si një përgjigje ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës. Ndërkohë, Pentagoni njofton një paketë të re të ndihmës me armë për Ukrainën: këtë herë për një miliard dollarë, më e madhja që nga lufta.

Ditën e sotme janë dëgjuar shpërthime në bazën ushtarake ajrore ruse në Novofedorovka, në Krimenë perëndimore. Një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas njoftoi se ishin forcat e armatosura të Kievit që goditën ato bazën e ushtrisë ruse në Krime. Si pasojë e sulmit raportohet se deri më tani një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur. Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se shpërthimi i municioneve të aviacionit shkaktoi shpërthimin, por nuk dhanë më shumë detaje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:05
Rritet rezistenca e Ukrainës në zonat e pushtuara nga Rusia

Në një sfidë në rritje për Rusinë për të kontrolluar zonat e pushtuara të Ukrainës juglindore, forcat guerile pro-Kievit po vrasin zyrtarë pro-Moskës, po hedhin në erë ura dhe trena dhe po ndihmojnë ushtrinë ukrainase duke identifikuar objektivat kryesore. Shtimi i rezistencës ka gërryer kontrollin e Kremlinit mbi këto zona dhe po pengon planet e tij për të mbajtur referendume në qytete të ndryshme si një hap drejt aneksimit nga Rusia. “Qëllimi ynë është ta bëjmë jetën të padurueshme për pushtuesit rusë dhe të përdorim çdo mjet për të prishur planet e tyre”, thotë Andriy, një koordinator 32-vjeçar i lëvizjes guerile në rajonin jugor të Khersonit.

Anëtar i grupit të rezistencës “Zhovta Strichka” apo “Shiriti i Verdhë”, Andriy foli për agjencinë Associated Press me kusht që të mos identifikohej plotësisht për të shmangur gjurmimin nga rusët. Grupi e ka marrë emrin e tij nga një prej dy ngjyrave të flamurit kombëtar të Ukrainës dhe anëtarët e tij përdorin shirita me këtë ngjyrë për të shënuar objektivat e mundshëm për t’u goditur.

Trupat ukrainase përdorën kohët e fundit një raketë të shumëfishtë, të furnizuar nga SHBA, të njohur si HIMARS për të goditur një urë strategjike në lumin Dnieper në Kherson, duke shkëputur lidhjen kryesore të furnizimit për rusët. Qyteti me 500,000 banorë, i pushtuar nga trupat ruse në fillim të luftës, është mbushur me fletëpalosje nga grupet e rezistencës, që kërcënojnë zyrtarët e mbështetur nga Moska. Pak para sulmit ndaj urës, u shfaqën fletëpalosje ku thuhej: “Nëse HIMARS-i nuk e bën dot, një partizan do të ndihmojë”. “Ne po i japim ushtrisë ukrainase koordinata të sakta për objektiva të ndryshme dhe ndihma e guerrilasve i bën armët e reja me rreze të gjatë, veçanërisht HIMARS, edhe më të fuqishme,” tha Andriy për agjencinë AP. "Ne jemi të padukshëm pas vijave ruse dhe kjo është forca jonë".

Ndërsa forcat ukrainase shtojnë sulmet në rajon dhe rimarrin disa zona në perëndim të lumit Dnieper, aktiviteti gueril gjithashtu është rritur. Ata koordinohen me Forcat e Operacioneve Speciale të ushtrisë ukrainase, të cilat i ndihmojnë të zhvillojnë strategji dhe taktika. Forcat Speciale gjithashtu zgjedhin objektivat dhe kanë krijuar një faqe interneti me këshilla si të organizosh rezistencë, të përgatisësh prita dhe t'i shmangesh arrestimit. Në zonat e pushtuara u krijua një rrjet deposh me armësh dhe vende strehimi sekrete. Bomba janë vendosur pranë ndërtesave administrative, në shtëpitë e zyrtarëve dhe madje edhe në rrugën e tyre për në punë. Një eksploziv i vendosur në një pemë shpërtheu ndërsa një automjet i shefit të burgut Kherson, Yevgeny Sobolev, kalonte pranë, megjithëse ai i mbijetoi sulmit. Një automjet policie u godit nga një predhë, duke plagosur rëndë dy oficerë, njëri prej të cilëve vdiq më vonë. Nënkryetari i administratës lokale në Nova Kakhovka vdiq nga plagët pasi u qëllua me armë gjatë fundjavës.

Guerilët janë përpjekur vazhdimisht të vrasin Vladimir Saldo-n, kreun e administratës së përkohshme të rajonit Kherson të mbështetur nga Rusia, duke ofruar një shpërblim prej rreth 25,000 dollarësh. Ndihmësi i tij, Pavel Slobodchikov, u qëllua dhe u vra në automjetin e tij, ndërsa një zyrtar tjetër, Dmytry Savluchenko, u vra nga një makinë bombë. Sulmet e kanë detyruar Moskën të dërgojë njësi anti-guerile në Kherson, tha zoti Saldo. "Çdo ditë, njësitë speciale nga Rusia zbulojnë dy ose tre depo me armë për aktivitete terroriste", tha zoti Saldo në kanalin e tij të medias sociale.

Në fillim të sulmit, mijëra banorë organizuan protesta paqësore. Por ushtria ruse i shpërndau shpejt dhe arrestoi aktivistët, duke radikalizuar rezistencën. Fotografi i dasmave, i kthyer në aktivist, Oleksandr Kharchikov, 41 vjeç, nga Skadovsku, tha se ai u godit dhe torturua pasi u arrestua gjatë një operacioni spastrimi të sigurisë ruse. “Rusët më torturuan për një kohë të gjatë. Më rrahën me shkop bejsbolli, më shtrënguan gishtat me pincë dhe më torturuan me goditje elektrike”, tha zoti Kharchikov në një intervistë telefonike. “Pësova një tronditje dhe një brinjë të thyer, por nuk u dhashë asnjë informacion dhe kjo më shpëtoi.” Zoti Kharchikov kaloi 155 ditë nën pushtimin rus derisa u arratis.

“Rusët ofronin 10,000 rubla (165 dollarë) për këdo që aplikon për nënshtetësinë ruse për të forcuar kontrollin e tyre në rajon”, tha ai.

Moska ka futur rublën, ka krijuar rrjete celulare ruse dhe ka ndërprerë televizionet ukrainase në zonë. Ekrane gjigante që transmetojnë televizione ruse, janë vendosur në sheshet kryesore të qyteteve.

Kryetari i Bashkisë së Melitopolit, Ivan Fedorov, i cili gjithashtu kaloi një kohë të gjatë në robërinë ruse, tha për AP-në se rreth 500 aktivistë ukrainas u arrestuan dhe shumë të tjerë u torturuan. Disa u zhdukën për muaj të tërë pas arrestimit të tyre.

Në maj dhe qershor, guerilët hodhën në erë dy ura hekurudhore në Melitopol dhe nxorrën nga shinat dy trena ushtarakë rusë, tha zoti Fedorov.

"Lëvizja e rezistencës po ndjek tre objektiva: të shkatërrojë armët ruse dhe mjetet e furnizimit të tyre, të diskreditojë dhe frikësojë pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe t’u japë informacion shërbimeve speciale ukrainase për pozicionet e armikut", shtoi ai.

Rusia u përgjigj duke forcuar patrullat dhe duke kryer spastrime të rregullta për ata që dyshoheshin për lidhje me guerilasit. Gjatë bastisjeve të tilla, ata kontrollojnë telefonat dhe arrestojnë ata me simbole ukrainase, ose foto të të afërmve me uniforma ushtarake.

Nga popullsia e paraluftës e Melitopolit prej 150,000 banorësh, më shumë se 60,000 njerëz janë larguar.

Zyrtarët pro-Moskës po përgatiten për një referendum të mundshëm në Melitopol dhe zonat e tjera të pushtuara që kërkojnë të bashkohen me Rusinë, duke kryer bastisje dhe duke dhënë pasaporta ruse, tha zoti Fedorov.

“Ne do të pengojmë referendumin rus. Ne nuk do të lejojmë votimin nën tytat e armëve ruse,” tha ai, duke shtuar se jo më shumë se 10% e popullsisë simpatizon Moskën dhe gjysma është larguar.

Rezistenca varion nga aktivistët radikalë te mësuesit dhe pensionistët, që këndojnë këngë ukrainase në parqe dhe mbajnë fshehurazi shirita të verdhë dhe blu.

“Rusët prisnin që të përballeshin me lule, por u përballën me faktin se shumica e njerëzve e konsiderojnë veten ukrainas dhe janë të gatshëm të ofrojnë rezistencë në forma të ndryshme – nga mbledhja e informacionit deri te djegia dhe hedhja në erë e pushtuesve”, tha Oleksii Aleksandro, pronar i një restoranti në portin jugor të Mariupolit.

Në një gjest sfidues të fundit në Mariupol, një i ri i mbështjellë me një flamur ukrainas qëndroi në një rrugë pranë teatrit të shkatërruar nga bombat ruse. Fotoja e tij u përhap në mediat ukrainase dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy e përshëndeti atë në një fjalim drejtuar kombit.

“Ishte një gjë shumë e guximshme dhe doja ta falënderoja për veprimin e tij” tha zoti Zelenskyy. "Ky njeri është një nga shumë njerëz që presin rikthimin e Ukrainës dhe nuk do ta pranojnë pushtimin në asnjë rrethanë."

Megjithëse ndjenjat pro-Moskës janë të forta në zonën industriale, kryesisht rusisht-folëse të Donbasit, në Ukrainë, atje është shfaqur edhe një lëvizje guerile.

Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai tha se gjashtë trupa ruse u plagosën muajin e kaluar kur automjeti i tyre u hodh në erë nga guerilasit në qytetin e Sievierodonetskut menjëherë pas konfiskimit të tij. Ata gjithashtu kanë vënë në shënjestër hekurudhat, duke ndërprerë dërgesat ruse të municioneve dhe furnizimet e tjera.

“Guerilët kanë vepruar me mjaft sukses”, tha zoti Haidai për agjencinë AP. “Ata nuk kanë shpërndarë vetëm fletëpalosje. Ata kanë shkatërruar edhe objekte infrastrukturore dhe po ndihmojnë shumë për të ngadalësuar sulmet dhe përparimet ruse”.

Vëzhguesit thonë se lëvizja guerile ndryshon sipas rajonit dhe se është në interes të të dyja palëve që ta ekzagjerojnë shtrirjen e saj.

“Rusët e bëjnë këtë për të justifikuar operacionet e tyre në territoret e pushtuara, ndërsa ukrainasit kërkojnë të demoralizojnë forcat ruse dhe të lartësojnë fitoret e tyre”, thotë Vadim Karasev, kreu i Institutit të Strategjive Globale me bazë në Kiev. “Është e vështirë të besosh përrallat për ukrainasit që ushqejnë ushtarët rusë me ëmbëlsira të helmuara, por ndonjëherë mitet funksionojnë më mirë se faktet”./VOA

Ora 19:55
‘Ky është vetëm fillimi’, Kievi njofton se sulmoi bazën ajrore ushtarake në Krime, 1 i vdekur, disa të plagosur

Një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas tha se ishin forcat e armatosura të Kievit që goditën bazën ajrore ushtarake ruse në Krime, raporton “New York Times”.

"Ishte një bazë ajrore nga e cila avionët niseshin rregullisht për sulme ndaj forcave tona në teatrin jugor," tha në Twitter, Zëdhënësi presidencial Mykhailo Podolyak.

“E ardhmja e Krimesë do të jetë të jetë një perlë e Detit të Zi, një park kombëtar me një natyrë unike dhe një destinacion turistik botëror. Nuk është një bazë ushtarake për terroristët. Ky është vetëm fillimi", shkroi ai.

Zyrtarët lokalë raportuan se një person ka humbur jetën ndërsa pesë të tjerë, në mesin e tyre një fëmijë janë plagosur. Ndërsa, Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se shpërthimi i municioneve të aviacionit shkaktoi shpërthimin, por nuk dhanë më shumë detaje.

Ora 19:16
Kievi: Aksidenti bërthamor në Zaporizhia do të kishte pasoja 10 herë më të rënda se ai në Çernobili

Pasojat e një fatkeqësie hipotetike bërthamore në termocentralin  bërthamor ukrainas të Zaporzhias, ku aktualisht janë përqendruar sulme mes ushtrisë ukrainase dhe asaj ruse mund të jenë dhjetë herë më të larta se ato të përjetuara pas aksidentit të Çernobilit në 1986.

Paralajmërimi vjen nga autoritetet në Kiev:

“Zona hipotetike e përjashtimit do të arrinte
30,000 kilometra katrorë, dhjetë herë më shumë se ajo e dekretuar pas aksidentit të vitit 1986, mjaft e madhe për ta bërë të pabanueshëm të gjithë rajonin e Zaporizhyas”, thuhet nga Ministria e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore të Ukrainës.

"Zona e territorit potencialisht të kontaminuar mund të arrijë dy milionë kilometra katrorë, tre herë më e madhe se Ukraina. Shkalla e kontaminimit të territoreve të tjera në Ukrainë dhe Evropë, Rusi dhe Bjellorusi do të varet më pas nga era", shton ajo. 

Ora 17:42
Shpërthime të forta dhe re tymi e zezë në bazën ajrore ruse në Krime (VIDEO)

 

Janë dëgjuar shpërthime të forta si dhe pamje të një reje të dendur tymi të zi që ngrihej nga drejtimi i një baze ajrore ruse në Novofedorivka në Krimenë perëndimore, raporton Reuters. Po ashtu, dhe disa video të cilat kanë qarkulluar në rrjetet sociale tregonin tymin e zi si dhe zhurmën që dëgjohej nga kjo bazë ajrore .

Sipas raportimeve, të paktën 12 shpërthime janë dëgjuar rreth orës 15:30 (me orën lokale) pasditen e sotme. Media "Ria Novosti" thotë se rusët duan që komandanti rajonal Sergej Aksenov të largohet nga rajoni.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, shpërthimet janë për shkak të ndezjes së municioneve, të cilat ishin në një zonë magazinimi të bazës, askush nuk u lëndua nga shpërthimi dhe pajisjet e aviacionit të aeroportit nuk u dëmtuan.

Ora 16:31
Moska: Kievi ka pezulluar qarkullimin e naftës ruse në Evropë

Ukraina ka pezulluar rrjedhat e naftës ruse në tre vende evropiane që nga 4 gushti, sepse pagesa nuk mund të kryhet për shkak të sanksioneve, tha kompania ruse e naftës, Transneft.

Transneft tha më 9 gusht se kjo kishte ndikuar në dërgesat në Republikën Çeke, Hungari dhe Sllovaki. Sipas kompanisë, pagesa e naftës për muajin gusht u bë më 22 korrik për operatorin e tubacionit të Ukrainës, Ukrtransnafta, por e njëjta nuk krye dhe për rrjedhojë paratë u kthyen.

Banka ruse, Gazprombank, e cila trajtoi pagesën, tha se paratë u kthyen për shkak të kufizimeve të Bashkimit Evropian dhe shtoi se dërgesat e naftës në Poloni dhe Gjermani nëpërmjet Bjellorusisë ishin duke u zhvilluar "si zakonisht". Rusia ka reduktuar tashmë flukset e tubacioneve të gazit në shumë vende anëtare të BE-së, duke përmendur problemet me mirëmbajtjen e turbinave në tubacionin Rrjedha Veriore 1, si dhe sanksionet kundër disa blerësve që Moska i njeh zyrtarisht si "jomiqësorë".

Prej kur Kremlini filloi pushtimin e tij të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, Perëndimi vendosi sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë, duke e shkëputur vendin nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ka kërkuar mënyra për të reduktuar varësinë nga burimet energjetike ruse dhe ka rënë dakord të ndalojë më shumë se dy të tretat e importeve të naftës ruse. Shtetet e Bashkuara ndaluan naftën dhe gazin rus disa ditë pasi Rusia nisi agresionin në shkallë të gjerë kundër Ukrainës./REL

Ora 15:30
Zelensky: Perëndimi duhet të ndalojë hyrjen e qytetarëve rusë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është drejtuar një thirrje Perëndimit që të ndalojë hyrjen e të gjithë qytetarëve rusë përmes një interviste për “Washington Post”.

“Rusët po kryejnë një agresion kundër një populli tjetër”, tha lideri ukrainas.

Ndërsa ditën e djeshme, kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha se dhënia e vizave turistike për rusët duhet t'i nënshtrohet kufizimeve dhe bëri thirrje për një vendim në nivel të Bashkimit Evropian .Nga ana tjetër, Dmitry Peskov , Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin u përgjigj:

"Çdo përpjekje për të izoluar rusët apo Rusinë është një proces që nuk ka perspektivë,"

Ora 10:17
SHBA bën gati ndihmën më të madhe për sigurinë në Ukrainë që prej fillimit të luftës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë autorizuar paketën më të madhe të ndihmës për sigurinë e Ukrainës që prej nisjes së luftimeve më 24 shkurt. Kështu njoftoi presidenti i SHBA-së Joe Biden, të martën.

Biden bëri me dije se kjo paketë do të ketë municione, armë dhe pajisje shtesë që do të ndihmojnë Ukrainën në përmbushjen e nevojave kritike të sigurisë ndërsa mbrojnë vendin nga rusët.

Njoftimin e Biden-it e bëri publik edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë, përmes një postimi në Twitter:

“Sot, SHBA kanë autorizuar paketën tonë më të madhe të ndihmës për sigurinë e Ukrainës deri më tani. Kjo paketë do të ketë municione, armë & pajisje shtesë që do ndihmojnë Ukrainën në përmbushjen e nevojave kritike të sigurisë ndërsa mbrojnë vendin e tyre”, Joe Biden.

Ora 09:05
Lufta në Ukrainë, Kievi raporton bombardime masive në qytetet e vijës së parë

1660028891_1348845.jpg

Ukraina raportoi bombardime intensive ruse në vijën e parë të luftës, të martën, ndërsa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmin e fundjavës në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili shkaktoi shqetësimin ndërkombëtar për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Luftime të ashpra u raportuan në qytetet e vijës së parë, pranë qytetit lindor të Donetskut, ku zyrtarët ukrainas thanë se trupat ruse nisen një valë sulmesh në përpjekje për të marrë kontrollin e rajonit të industrializuar të Donbasit.

"Situata në rajon është e tensionuar - bombardimet janë të vazhdueshme në të gjithë vijën e frontit... Armiku po përdor shumë sulme ajrore, po ashtu" tha guvernatori rajonal i Donetsk, Pavlo Kyrylenko, për televizionin ukrainas, duke shtuar se megjithatë, Donetsku po mbahet nga ukrainasit.

Raporti i përditshëm i fushëbetejës nga shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha se qytetet në veri, lindje dhe juglindje të Kharkiv-it ishin nën zjarr nga tanke, artileri dhe raketa.

Në juglindje, ura kryesore Antonovskyi mbi lumin Dnipro në rajonin Kherson u shënjestrua sërish nga forcat ukrainase, në përpjekje për të ndërprerë linjat ruse të furnizimit, pasi Rusia e përdor atë urë si vendkalim.

Rusia këmbëngul se po zhvillon një "operacion special ushtarak" në Ukrainë për ta çliruar atë nga nacionalistët dhe për të mbrojtur komunitetet rusishtfolëse. Ukraina dhe Perëndimi i përshkruajnë veprimet e Rusisë që prej 24 shkurtit si një luftë agresioni të paprovokuar.

Konflikti ka zhvendosur miliona, ka vrarë mijëra civilë dhe ka lënë qytete, qyteza dhe fshatra në gërmadha.

G.MO/S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Juli: 09/08/2022 08:35

    Coji gruan ta binde te te ndihmoje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Trafikonin emigrantë duke i ndihmuar për të kaluar kufirin, arrestohet një 53-vjeçar nga Kukësi

Trafikonin emigrantë duke i ndihmuar për të kaluar kufirin, arrestohet një 53-vjeçar nga Kukësi