Luledielli dhe flutura

Luledielli dhe flutura

Nuk do të mendosh njësoj për lulediellin pasi të kesh parë “Fluturat” e Bujar Alimanit. As për pambukun e bardhë, apo fushat me kanale vaditëse, as për ato vepra të ndërtuara që ishin mburrja e pesëvjeçarëve komunistë. Do të mendosh më shumë për baltën, jo atë të ëmblën e rilindasve, por baltën e hidhur dhe të ftohtë ku zhytej qëllimisht një pjesë tragjike e realitetit shqiptar të paraviteve ‘90.

Statistikat e ftohta paralajmërojnë kuadrin e parë të dokumentarit të shfaqur premierë mbëmjen e të martës, në Millennium ku njerëzit kanë zënë shkallët anësore duke qëndruar në këmbë deri në fund të projeksionit. Një piktore me grafikat e saj, intrigon për fillimin e historive, një detaj minimalist artistik që të sjell në mendje lidhjen e fortë dhe të njohur tashmë të Alimanit me pikturën. Por nëse pret më shumë në sekuencën më pas, gabohesh! Në ekranin e madh fillon rrëfimi i copëzuar i vajzave dhe grave që u lindën dhe rritën në internim në Gradisht. Ato janë kryekëput protagonistet, madje edhe narratori i dokumentarit. Eshtë zgjidhja e duhur për t’i dhënë peshë fjalës, rrëfimit të shtrirë në kohë dhe vend. Krijojnë mozaikun e një vendi që duket sikur ka ekzistuar në një botë tjetër, me rrëfime që nuk të lënë të shkëpusësh mendjen asnjë çast të vetëm. Trondisin, thjesht dhe drejtpërdrejtë, 21 rrëfime që tregojnë jetë të humbura, vite të djegura, por jo ëndrra të shuara, meskinitetet dhe pabesitë e pushtetarëve, frikërat dhe terrorin nën hijen e një xhipi, uniforme polici apo drejtori shkolle, përballja në gjyqe dhe vizitat në burgje pas udhëtimesh të gjata në këmbë dhe të pangrënë. Lotë dhe buzëqeshje, heshtje dhe psherëtima, por kokën e mbajnë lart teksa vajzat e familjeve Pervizi, Kaloshi, Mirakaj, Bajo, Bylykbashi etj tregojnë të vendosura vuajtjet dhe traumat që nga mosha e fëmijërisë deri në rënien e komunizmit. Sepse zgjedhje të mesme nuk ka ashtu siç e thotë njëra nga fluturat: “Të mos flasësh, nuk bën sepse duhet ditur çfarë ka ndodhur, të flasësh zgjohen dhimbje”. E dhimbja e tyre është e fortë, aq e fortë sa një luledielli nuk mund të kundrohet si një bukuri e natyrës, por refuzohet si simboli i rropatjes së tyre për ta mbledhur në mëngjesi në mbrëmje teksa autokombajna i shtynte të ecnin fushave. As vitet e pasdiktaturës, nuk e kanë shkundur kujtimin e kohës së errët duke ia hequr lulediellit çdo mundësi për t’u admiruar në paqe nga fluturat e Gradishtit dhe Savërit.

Regjisori nuk i konsideron si viktima, por heroina, që ia dolën mbanë të jetojnë dhe të bëjnë realitet ëndrrat e tyre, paçka se u paraprinë nga një kalvar vuajtjesh. Mu për këtë arsye në fund lejon të mbeten në kujtesën e publikut, buzëqeshja e ëmbël e Ravesës, shqiptares në bashkinë e Nju Jorkut, apo fytyrat e qeta e grave bashkëvuajtëse, të ulura në një tryezë së bashku. Dhe ashtu të forta siç janë teksa rrëfimi i tyre në film mbaron, e dritat në sallë ndizen, flasin për kohën e tashme. Pohojnë se gjërat kanë ndryshuar shumë më pak nga sa kishin pritshmëritë dhe se asgjë nuk është bërë për këtë shtresë të vuajtur, të shkelur dhe të vrarë. Apeli i tyre i takon të gjithë vendit! Sepse Shqipëria ka nevojë të dalë jashtë baltës, të qajë me lotë të sinqertë, të kërkojë ndjesë, të përulet, të dëgjojë e të pranojë zhbërjen e saj gjysmë shekullore. Ka nevojë të ulet si një fëmijë në mes të Gradishtit, kampeve të internimit, kënetave të thara, kanaleve vaditëse, fushave me luledielli, pambuk e misër, burgjeve famëkeqe, varreve të humbura. Ka nevojë të zbulojë me kujdes atë pjesë të fshehur të historisë, realitetin që shumë e vuajtën dhe jetuan, por ca më shumë nuk e njohën fare apo nuk e dinin se deri në c’përmasë ekzistonte. Shqipëria ka nevojë të zgjojë institucionet, shoqatat e shoqërinë civile, artistët, dëshmitarët e të mbijetuarit, historianët që të riformatojnë realitetin 45 -vjeçar të diktaturës.

Shqipëria ka nevojë të ketë guxim së pari që të shohë dhe të dëgjojë! Duke filluar me “Fluturat” që duhet të projektohet në të gjitha hapësirat e qyteteve, jashtë mureve të kinemasë dhe pa kufizim në kohë. Kështu nuk do të shmangim dot nga shqisat “ulërimat e të shkuarës” e ndoshta do të gjejmë guximin të reagojmë!

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Kronika e përgjakur e 7 Prillit!' Sonte ora 22:00 në 'Crime Story' në Report Tv

'Kronika e përgjakur e 7 Prillit!' Sonte ora 22:00 në 'Crime Story' në Report Tv