Luma i AAK: Marrëveshjen e VLAN e 
prishi në mënyrë të njëanshme LDK

Luma i AAK: Marrëveshjen e VLAN e <br />prishi në mënyrë të njëanshme LDK
PRISHTINE - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilëson të prishur nga LDK në mënyrë të njëanshme marrëveshjen paszgjedhore të bllokut VLAN. Kështu është shorehur zëdhënësi i AAK-së Ernest Luma në një lidhje telefonike me televizionin A1 Report, lidhur me zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, dhe mundësisë së një marrëveshje mes LDK dhe PDK.

Në fjalën e tij, Luma përsëriti qëndrimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, që blloku VLAN nuk ekziston më, duke theksuar se kjo prishje e marrëveshjes është bërë në mënyrë të njëanshme nga LDK e Isa Mustafës, pasi sipas tij, kjo e fundit ka shkelur paktin ku ishte vendosur se kryeministër do të ishte pikërisht Haradinaj.

“Ajo që mund të konfirmoj është se nga qëndrimet dhe vendimet e fundit të LDK-së bëhet e ditur se postin e kryeministrit synon ta marrë LDK, dhe kjo automatikisht nënkupton prishje të marrëveshjes së 10 qershorit. Pra prishje të njëanshme të marrëveshjes së 10 qershorit, në të cilin AAK, LDK, Nisma pra si koalicion i shumicës parlamentare të dalë pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kishin nominuar  zotin Haradinaj kandidat për kryeministër. Pra është LDK që me vendime të tilla e ka shkelur atë marrëveshje.” tha Luma

Ndërsa lidhur me një koalicion të mundshëm me PDK-në e Hashim Thaçit, Luma nuk e ka mohuar por ka lënë të nënkuptohet se një marrëveshje e tillë mund të arrihej vetëm nëse qeverinë do ta udhëhiqte Haradinaj. Në këtë kontekst zëdhënësi i AAK-së nënvizoi se kjo është një pikë e panegociueshme për këtë forcë politike ose në të kundërt do të qëndrojnë në opozitë.
“AAK ka platformën për të udhëhequr qeverinë e re. Ne nuk lëvizim nga qëndrimi që Haradinaj të jetë kryeministër dhe nuk do të bëjmë pazare në këtë drejtim.” theksoi Luma

Më poshtë intervista e plotë e zëdhënësit të AAK Ernest Luma për A1 Report:

Zoti Luma doja t’ju pyesja se ka dis raportime se AAK është shkëputur nga blloku VLAN, e konfirmoni ju këtë?
Ajo që mund të konfirmoj është se nga qëndrimet dhe vendimet e fundit të LDK-së bëhet e ditur se postin e kryeministrit synon ta marrë LDK, dhe kjo automatikisht nënkupton prishje të marrëveshjes së 10 qershorit. Pra prishje të njëanshme të marrëveshjes së 10 qershorit, në të cilin AAK, LDK, Nisma pra si koalicion i shumicës parlamentare të dalë pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kishin nominuar  zotin Haradinaj kandidat për kryeministër. Pra është LDK që me vendime të tilla e ka shkelur atë marrëveshje.

Pra ju po thoni se marrëveshjen e ka prishur LDK?
Po fakti që kur bëhet fjalë për një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes, siç është udhëheqja në qeverinë e Kosovës, dhe kur drejtpërdrejt cenohet ajo nga LDk, atëherë kjo është prishje e njëanshme e marrëveshjes. Ne jemi parti serioze në spektrin politik të Kosovës, dhe oferta apo kandidati ynë për kryeministër mendojmë se është kandidati më i mirë i mundshëm. Kjo ka qenë pika më e fortë e koalicionit dhe natyrshëm kur në këtë mënyrë deklarohet LDK atëherë marrëveshja është e shkëputur njëanshmërisht. Në një farë mënyre është tradhti ndaj bllokut. Pra LDK nuk do të ishte partner i sigurtë i AAK në krijimin e institucioneve dhe udhëheqjen e vendit.

Zoti Luma domethënë është një vendim i pakthyeshëm? Nuk do të thotë se LDK mund të ndryshojë mendim dhe ju të riktheheni në koalicion?
LDK pavarëssiht vendimeve dhe ndryshimeve që i bën nga momenti në momen, janë ccështje të saj por nuk do të kenë impakt më në politikat e AAK. Kështu që rruga e parë që i hapet AAK është të qenurit në opozitë dhe jo mundësia për të udhëhequr në qeverinë e Kosovës në një formë tjetër.

Sa probabilitet ka për një koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit?
Këto janë tema që qarkullojnë nëpër media, nuk ka asgjë konkrete, por nuk mund të them se ka akoma akord. Ne e konsiderojmë të shkëputur marrëveshjen me LDK.

Por nuk e përjashtoni një koalicion me PDK?
AAK ka platformën për të udhëhequr qeverinë e re. Ne nuk lëvizim nga qëndrimi që Haradinaj të jetë kryeministër dhe nuk do të bëjmë pazare në këtë drejtim. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Bushka: Të marrim masa reformuese me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit

Bushka: Të marrim masa reformuese me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit