Lutfi Dervishi: Një tragjedi që mund të përsëritet ...

Lutfi Dervishi: Një tragjedi që mund të përsëritet ...

Vendngjarja pranë shkollës 'Fan Noli'

Ngjarja tragjike e ndodhur në shkollën Fan Noli në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi brutal, ka tronditur shumëkënd. Por është një tragjedi e paralajmëruar. Ky akt dhune, kryer nga tre bashkëmoshatarë të viktimës, nxjerr në dritë një realitet të hidhur: pasojat e rënda të konflikteve të nisura dhe të nxitura në rrjetet sociale dhe dhunën si model suksesi.

Sipas raportimeve fillestare, motivi kryesor i krimit duket të ketë qenë një sherr në rrjetet sociale që më vonë përshkallëzoi në dhunë fizike. Brenda 90 sekondave, një “sherr” virtual u shndërrua në  tragjedi. Ngjarja është një këmbanë alarmi për të gjithë: familjen, shkollën, institucionet shtetërore dhe vetë shoqërinë.

Duhet pranuar se modeli i suksesit që promovohet prej vitesh është modeli i dhunës: dhunë verbale, dhunë virutale, dhunë fizike. Dhuna që gjenerohet në rrjete sociale, promovohet në median tradiconale dhe finalizohet me “top modelë” në Kuvend dhe institucione

Rastet e dhunës ku përfshihen të mitur nuk janë të reja. Kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Por mungesa e mbikëqyrjes dhe ndikimi i mediave sociale e ka bërë situatën edhe më shqetësuese. Mediat sociale, që  janë krijuar për të bërë bashkë njerëzit dhe për të ndarë informacion, po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në platforma për ngacmime, bulizim, kërcënim dhe përshkallëzim konfliktesh.

Për nxënësit, të cilët janë ende në proces të formimit emocional dhe social, konflikte të tilla marrin përmasa dramatike. Një status, një foto, një koment i pamenduar ose një postim provokues mund të nxisë zemërime që kalojnë nga ekrani në rrugë.

Ngjarja ku humbi jetën 14 vjeçari ngre pyetje që sot janë retorike:  A jemi të ndërgjegjshëm për komunikimin dhe mjedisin e dhunshëm në të cilin po jetojmë? A është bërë mjaftueshëm për të mësuar të rinjtë mbi menaxhimin e konflikteve? A janë prindërit dhe mësuesit të vetëdijshëm për ndikimin që mediat sociale kanë në jetën e nxënësve?

Detyra e shkollës sot nuk mund të kufizohet vetëm në dhënien e dijeve akademike. Sot më shumë se kurrë duhet folur për rrezikun e konfliktit dhe nevojën e komunikimit. Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të jenë më të interesuar jo vetëm për jetën reale, por edhe jetën virtuale të fëmijëve të tyre.

Ngjarja e sotme është vetëm një nga shumë raste që tregojnë se si dështimi për të adresuar ndikimin e mediave sociale dhe mungesa e edukimit për të menaxhuar emocionet dhe konfliktet mund të sjellin pasoja fatale.

Eshtë urgjente nevoja e rritjes së  ndërgjegjësimit për ngacmimin virtual.

Shumë lajme janë bërë dhe shumë garanci janë dhënë  për “përfocimin e sigurisë publike në shkolla”. Ngjarja e sotme tregon se çdo propagandë nuk të çon gjatë. Fjalët bosh për “paketa sigurie” në shkollë, për memorandume dhe strategji sot tingëllojnë si tallje.

Tragjedia në Tiranë nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, por një simptomë e një problemi më të madh shoqëror. Që shkollat të mos shndërrohen në skena tragjedish, por të jenë hapësira për edukimin e brezit të ri, debati duhet të nisë sot.

Mosveprimi sot mund të kushtojë jetë të tjera nesër. Diskutimi për ndikimin e mediave sociale nuk është më zgjedhje, por një domosdoshmëri.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?