Maksim Haxhia: Berisha donte
dënimin e Pashkos e Imamit

Maksim Haxhia: Berisha donte <br />dënimin e Pashkos e Imamit
TIRANE- Ish-prokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” deklaron për herë të parë si e propozoi Azem Hajdari në këtë post, si refuzoi Ministrinë e Mbrojtjes, marrëdhëniet e acaruar me ish-Presidentin Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Zhulali për Sazanin dhe ish-ministrin e Rendit, Kopliku.
Ish-kryeprokurori rrëfen përgatitjen e dosjes për Ramiz Alinë, për 2 prillin, për Ilir Metën, si mbrojti nga burgu dy drejtuesit e qazetës Koha Jonë, Nikollë Lesi dhe Aleksandër Frangaj, presioni për dënime në shkallë të gjërë. Kryetari I Dhomës Kombëtare të Avokatisë, prof. as. dr. Maksim R. Haxhia tregon se udhëheqja e atëhershme kërkoi goditjen përmes drejtësisë të "mocionistëve" Ceka, Pashko, Imami, Keko dhe Zogaj por dhe si përdorën pretekste për ta shkarkuar, pasi nuk dha dorëheqjen siç ia kërkuan. Në një rrëfim të gjatë, Maksim Haxhia flet për përplasjet dhe klanet në PD, të cilat vepronin si njësi më vete dhe që sollën dhe shkatërrimin e drejtësisë shqiptare.

Zoti Haxhia, jeni Kryeprokurori i parë për periudhën postkomuniste. Si erdhët në krye të Prokurorisë shqiptare?
Është e vërtetë që unë kam qënë Kryeprokurori jo vetëm i parë pas rrëzimit të regjimit totalitar komunist, por mund të them që kam qënë dhe prokurori më i ri në atë periudhë. Kuptohet që në atë periudhë kërkohej një kryeprokuror që të mos kishte implikime në pozicionet e drejtësisë së nomenclatures komuniste. Unë në atë kohë kam qënë pedagog, shef katedre dhe zv.dekan në fakultetin e drejtësisë.

Cili ishte personi që ju propozoi në krye të Prokurorisë shqiptare dhe si u arrit të përzgjidhej emri juaj?
Kuptohet që lidhjet e mia kanë qenë me studentët, me iniciativën e tyre për grevën e urisë, heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, pluripartizmin dhe hapjen e shoqërisë shqiptare drejt ekonomisë së tregut dhe pronës private. Lidhjet e mia ishin me studentët, të cilët ishin dhe iniciuesit e lëvizjes demokratike në Shqipëri, siç ishte dhe heroi I demokracisë, i ndjeri Azem Hajdari. Pikërisht Hajdari ishte dhe promotori i propozimit për emërimin tim. Fillimisht qe një përpjekje për të më emëruar ministër të Mbrojtjes, ku natyrisht presidenti i asaj kohe Sali Berisha insistoi, me atë njohje që i kishin referuar. Por unë refuzova disa herë, pasi nuk më lidhte asgjë me Ministrinë e Mbrojtjes. Por me idealet e kohës kërkoja të kontribuoja në profesionin tim, për të cilin kisha akumuluar dhe një bazë tetorike dhe praktike. Kështu që përfundimisht m'u propozua posti i Prokurorit të Përgjithshëm.

Ishte detyrë e vështirë, i parashikoje presionet politike...?
Gjithsesi, unë e pranova këtë detyrë. Kuptohet që nuk doja të luaja "djalin e përkëdhelur", megjithëse e parandjeja se ishte detyra më e vështirë e kohës. E them këtë sepse në fund të fundit, të gjitha presionet do të përfundonin tek prokuroria. Qoftë nga forcat demokratike, të cilat aspironin për drejtësi, por që po ta themi dhe në mënyrë të sinqertë kishin dhe sensin e hakmarrjes ndaj nomenklaturës, qoftë dhe për t'i hapur rrugë zhvillimit dhe për të frenuar eksodet. Por ishte dhe mentaliteti i kohës, sepse shoqëria shqiptare vinte nga një mbyllje e gjatë dhe nuk mund ta pranonte që dhe shtypi të merrte atë zhvillim që mori në atë kohë, siç ishte gazeta 'Koha Jonë' apo gazetat e tjera që filluan në atë kohë, të cilat dashur pa dashur filluan të bëhen opozitë e fortë e qeverisë së kohës, qeveri e cila harroi se kishte ardhur dhe kishte marrë një mision demokratik, por që harroi dhe një gjë tjetër të rëndësishme, misionin informues të medias.

Pra u përballët me presionet dhe përplasjet e para...?
Ritheksoj, në mes të këtyre përplasjeve ishte prokuroria, e cila përgithësisht përbëhej nga prokurorë të rinj, pasi u lëvizën të gjithë për shkak të një reforme totale. Mjete nuk kishim, eksperincë nuk kishim, mbështetje nuk kishim. Aq më tepër që unë nuk militoja në strukturat e larta të PD, që të kisha dhe unë përkrahjen e ndonjë klani të caktuar. Gjithashtu filluan dhe eksodet nga Shqipëria në drejtim të vendeve fqinje.

Po përplasjet e para reale kur filluan, duke ua bërë të vështirë detyrën?
Kishim ngjarjen e Poliçanit, ku pretendohej se ishte implikuar dhe deputeti I Partisë Socialiste, atëherë në opozitë, Ilir Meta. Kam qënë vetë personalisht në vendngjarje, bëmë diferencimet tona juridike, duke u pozicionuar dhe qëndruar në ato linja ku unë I kisha vënë qëllim vetes, që të mos implikohesha politikisht.
Pra pavarësisht se kisha presione politike, isha më se i vendosur që prej
këtyre presioneve politike të evidentoja dhe të merrja vetëm atë që ishte juridike, jo të bëhesha mashë për të realizuar qëllimet politike ndaj një grupi apo ndaj një grupi tjetër.

Por, situatat e vështira nuk mbaruan, me sa duket mandati juaj do të ishte me përplasje të tilla...?
Më 8 gusht u krijua dhe grupi i mocionistëve me Neritan Cekën, të ndjerët Gramoz Pashko e Teodor Keko, me Zogajn, Imamin etj, të cilët kuptohet si grup i parë në një fluks të madh siç ishte pozicionimi dhe autoriteti i Partisë Demokratike, ishte e pakonceptueshme një dalje e tillë. Në këtë këndvështrim kuptohet pati dhe presione dhe reagime për ndonjë ndërhyrje të fortë juridike kundër tyre, pasi ishin pozicionuar kundër PD. Por që unë isha i vendosur, zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Pra, ka pasur presione nga të gjitha anët dhe për gjithçka...?
Ka pasur një sërë denoncimesh për gazetarët, të cilat unë nuk i pranova. Unë nuk mbroja ata nëse do të kishin ndonjë aktivitet riminal, apo që kishin elementë penale, or duke kërkuar të isha gjithnjë sa më profesional. Edhe shtresa e të përndjekurve politikë që ndoshta nuk e kuptuan pozicionin tim, ose isha i parakohshëm në atë situatë bënë presionin e tyre. Të gjitha këto krijuan rrethanat dhe presionin që mua më çuan deri në largimin nga detyra.

Me zotin Berisha keni komunikuar apo jeni takuar në atë kohë dhe si kanë qënë marrëdhëniet me të si President i asaj kohe?
Në atë kohë unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me Berishën dhe ai në atë kohë ishte i përkushtuar për drejtësinë. Duke e pare sot në retrospektive, e shoh shumë ndryshe pozicionin e tij.... Pasi bëj një analizë të të gjithë ecurisë politike, sociale të vendit mund të them që Berisha në atë kohë ka qënë nën trysninë e grupeve të ndryshme brenda partië, sepse kërkonin një prokuror që të kënaqnin dhe ata kërkesat e tyre. Ndoshta unë, duke qenë profesionist dhe i paanshëm, më quanin si një njeri që doja të mbroja nomenklaturën komuniste ose të bëja lojën e ndonjë klani brendapërbrenda PD. Kështu që erdhi momenti qe dhe zoti Berisha u vu në një pozicion të tillë, që u bë pjesë e konfliktit. Pas kësaj situate, konflikti i agravua, pasi pa miratimin e Berishës nuk mund të bëhej asnjë hap. Siç duket ishte e natyrshme që unë duhej të sakrifikohesha përballë të gjithë atyre klaneve që ishin në PD-në e asaj kohe.

Ju kërkuan dorëheqjen...?
Mua m'u kërkua dorëheqja dhe nuk e dhashë. Dhe jo se nuk e njihja institucionin e dorëheqjes, por sepse arsyet për të cilat më është kërkuar një gjë e tillë, nuk më bindën. Aq më tepër që unë isha i përkushtuar dhe isha ëndërrimtar për atë mision që kisha marrë. Sakrifikova për këtë mision, pasi pata një bursë në Gjermani, 5 vjet për doktoraturë dhe sakrifikova për të ardhur në këtë detyrë. Por nuk ishte vetëm kjo, por që dhe gjithë brezi ynë në atë kohë kishte ideale dhe ishim të përkushtuar për një sistem të ri, me ato parime, secili në fushën e vet.

Si nisi shkarkimi juaj në atë kohë...?
Kur më kanë thirrur në interpelancë në Kuvend me grupin e ish-mosionistëve, kryetari i Kuvendit, i ndjeri Pjetër Arbnori, pasi në bazë të dispozitave kushtetuese mua nuk më takonte të thirresha në interpelancë në Kuvend si Prokurori i Përgjithshëm, por vetëm ministrat, më tha që 'mund të ikni pasi nuk lejohet'. Në një bisedë konfidenciale me të, I thashë se "unë do të vij në interpelancë, pavarësisht se nuk më takon, por do të vij vetëm e vetëm se dua të iki nga detyra. Më mirë iki tani dhe gjejnë ndonjë sebep dhe ia lë vendin bosh një personi që mund të përshtatet dhe të kënaqë interesat e klaneve se sa të përdhos të ardhmen time. Më mirë iki tani me këtë kosto",i thashë.

Po çfarë kërkonin realisht...?
Konflikti filloi që me ministrin e Rendit të asaj kohe, Bashkim Koplikun, pasi filluan ca kontrolle banesash te ish-ushtarakët e Laçit që i bënin në 2 të natës, ndërkohë që mund t'i thërrisnin vetëm duke u marrë armën. Unë këtë e kundërshtova duke filluar dhe penalizimet në Ministrinë e Rendit, sepse ishte atribut I Prokurorit të Përgjithshëm që të jepte lejen për kontrolle.

Pastaj konflikteve sikur u "hape" derën...?
Një konflikt tjetër ishte dhe problemi i Sazanit. Kishte një eksod me një anije nga Sazani, ku ishin disa ushtarakë me fëmijët e tyre. Për herë të parë gjetëm një grup të organizuar për eksodet drejt Italisë, sepse deri atëherë ishin kështu në mënyrë sporadike dhe të paorganizuara, kapej një anije dhe me të ikej. Anija u rrëmbye dhe vajti në Itali, dhe gjithë këta persona, bashkë me familjarët nuk erdhën. 14 veta që ne zbuluam i vumë përpara përgjegjësisë. Me të ndjerin ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali patëm një konflikt, pasi ai kërkonte që të penalizoheshin të gjithë ushtarakët që ishin në anije, me idenë se përse nuk luftuan për të mbrojtur anijen. Unë i thashë se nuk mund të luftonin, pasi nuk jemi në kushtet e filmit 'Duel i Heshtur', ndërkohë që në anije kishte fëmijë dhe gra.

Dhe të gjitha këto përplasje me politikën e kohës bëheshin kur goditeshin gazetarët, por dhe "fabrikoheshin" juristë me kurse tremujore te "plepat" në Durrës...?
Kam qënë kundërshtar i prerë ndaj kurseve të përshpejtuara të përgatitjes së juristëve, të cilët për tre muaj kurs u bënë gjyqtarë. Kam pasur përplasje të forta dhe për problemin e gazetarëve. Më është bërë presion, madje më është kërkuar me këmbëngulje arrestimi i disa gazetarëve të Koha Jonë, por unë nuk e kam pranuar një urdhër të tillë, pasi nuk kishte asnjë element të veprës penale, jo se doja thjeshtë t'I mbroja. Bëhet fjalë për Nikollë Lesin dhe Aleksandër Frangajn. Ata më erdhën të dy në zyrë dhe unë i garantova ata se, duke vënë në funksion anën time profesionale dhe se si e shoh unë këtë problem, pasi shqyrtova akuzat, se sa të jem unë Prokuror i Përgjithshëm në këto veprime nuk ka vepër penale. Jo se desha t'i mbroj por s'kishte shkelje.

Goditjet të bëheshin se s'kishe mbështetje politike...?
Përplasje kisha, siç e thashë dhe më lart për problemin e mocionistëve, që më bëhej presion të bëja diçka kundër tyre. Ishte dhe problemi I Hajdin Sejdisë që pati një konflikt juridik. Këto ishin elementë të një treguesi që unë s'isha pjesë tu u bë derisa çështja shkoi në Gjykatë. Pastaj unë e lashë sepse kështu erdhën situatat.

Po për arrestimin e ish-presidentit Ramiz Alia...?
Po, unë kam qënë Prokuror i Përgjithshëm në momentin e mbledhjes së dokumentacionit për procedimin penal ndaj ish-presidentit Ramiz Alia. Kam kërkuar me insistim që çdkush që kishte prova t'i sillte, në mënyrë që të krijohej dosja për të dhe më pas të kalonin për gjykim. Atëherë pas dy ditësh, unë më 17 shtator të vitit 1992, u shkarkova dhe pastaj Ramiz Alia u arrestua nga pasardhësi im në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas kësaj kohe ju keni ushtruar profesionin e avokatit...?
Për hir të së vërtetës unë kam qënë shumë I apasionuar pas procesit akademik. Kërkova të kthehesha pranë fakultetit juridik, por m'u mohua kjo mundësi dhe kështu fillova në profesionin e avokatit. Që në fillesat e punës sime si avokat më zgjodhen në krye të avokatëve të Tiranës, sepse kryetar i përgjithshëm u zgjodh I nderuari Kleanthi Koçi.

Ju keni pasur çështje të rëndësishme që keni mbrojtur, cilën vlerësoni si më të rëndësishmen...?
Unë kam pasur shumë çështje, por nuk mund të them se cila ka qënë çështja më e rëndësishme. Në gjuhën tuaj gazetareske mund të thuhet çështje e rëndësishme dhe persona të rëndësishëm. Por për një avokat nuk ka çështje dhe persona të tillë. Për një avokat ka një çështje, të cilët duhet t'I përkushtohet me përgjegjësi dhe ta vlerësojë maksimalisht, si për atë që ka një çështje të vogël se për atë është një çështje e madhe, dhe si për atë që ka një çështje të madhe, pasi sërisht është çështje e madhe për të. Si ai që është fukara, si ai që është i pasur, si ai që ka një poizicion social si ai që nuk e ka një të tillë. Jam munduar të jem i përkushtuar, por mund të them që nuk ka profesion më të vështirë se sa avokati. Është shumë i vështirë, pasi me hallet e tua çmendesh dhe jo më të jetosh dhe me hallet e tjetrit. Aq më tepër që tjetri të ka besuar jetën, të ka besuar lirinë, të ka besuar familjen, të ka besuar pasurinë, përgjegjësia jote shumëfishohet. Dhe me këtë përgjegjësi duhet të ruash balancat që të ushtrosh maksimalisht profesionin tënd, dijet profesionale, ta mbrosh sa më me efektivitet sa më me besnikëri, kuptohet duke shfrytëzuar dhe ndonjë lidhje me prokurorinë, gjykatën apo palën, në kuptimin e drejtë që të të mos mohohet e drejta që të takon për palën që t'i mbron si avokat.

Keni pasur përballë dhe prokurorët dhe gjyqtarët, si e mendoni ecurinë e drejtësisë në Shqipëri, sa profesionale është?
Kjo është pyetja që unë e kam pritur prej kohësh dhe që mendoj se duhet të jetë objekt i një tryeze të përbashkët me politikanë, juristë, ekonomistë, me shoqërinë civile dhe me ndërkombëtarët. Unë kam qëndrimin tim të prerë që konsiston: Demokracia në Shqipëri do të vendoset vetëm ateherë kur të vendoset drejtësia. Drejtësia në Shqipëri do vendosetatëherë kur të perfeksionohet Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë do të perfeksionohet atëherë kur një president të jetë I përgjegjshëm që të përfillë e të respektojë gjithë mendimin e shoqërisë civile dhe duke lënë të fundit fare interesat politike, në emërimin e gjyqtarëve. Këtu fillon dhe mbaron përgjegjësia dhe tulla e parë e themelit të drejtësisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Eshtë kjo drejtësi që është dhe po e vuajmë ne sot, sepse nuk janë respektuar pikërisht piketat e kriteret e përgjedhjes së gjyqtarëve. Kam insistuar, dhe në emër të komunitetit që përfaqësoj që pika më e dobët, pra dhe korrupsioini politik, dhe ai krahinor, klanor dhe korrupsioni financiar, është në këtë pikë.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali