Malaj: Trashëgimtarët e ligësisë

Malaj: Trashëgimtarët e ligësisë

Një letër që kryetarja e bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi iu dërgoi kohët e fundit ambasadorëve të shteteve kryesore perëndimore në Shqipëri nuk tërhoqi sa duhet  vëmendjen e medias, megjithëse ishte një veprim me ngarkesa negative politike dhe morale. Po ndalem mbi të sepse ishte shumë domethënëse në planin historik, moral dhe politik; ishte nga ato veprime që ndoshta do të përmendet edhe pas shumë viteve dhe ka të ngjarë që kryetarja aktuale e bashkisë të kujtohet në të ardhmen vetëm për këtë akt.

Sikur letra e saj të përmbante thjesht mendimin vetjak edhe mund të mos përfillej, por e vërteta është se ai mendim dhe gjykim nuk është vetëm i saj dhe nuk është një mendim i ri, i papritur apo i diktuar nga një situatë e veçantë.

Jo! Ai mendim është i vjetër, është mendimi, gjykimi dhe morali i një pjese të parisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj shkodrane në veçanti. Në thelbin e vet ai mendim është substanca morale e një pjese të parisë shqiptare që historikisht ka qenë e prirur dhe e gatëshme të sakrifikojë interesat e vendit dhe popullit për hir të arritjes apo ruajtjes së sundimit të vet mbi një pjesë sado të vogël të truallit dhe popullsisë shqiptare.

Gjatë historisë jo shumë të pasur shtetformuese shqiptare, një pjesë e parisë së vendit, duke përfshirë edhe atë të Shkodrës, kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe përparimtar në zgjimin e vetëdijes kombëtare, në ngritjen e nivelit kulturor dhe në zhvillimin ekonomik e shoqëror tek shqiptarët. Por, mjerisht, krahas figurave që e kanë lartësuar kombin dhe vendin, ka pasur e ka edhe individë që, me veprimet dhe sjelljet e tyre e kanë ulur dinjitetin kombëtar deri në përbaltje.

Përpara se të trajtojmë vjetërsinë historike të kësaj sjelljeje dhe moralit të saj, ia vlen të analizohet përmbajtja e letrës së znj. Ademi si shprehje e qartë e një hipokrizije alarmante dhe të paskrupuj. Kjo hipokrizi shprehet në këta rreshta të letrës:

“Një shqetësim i madh qytetar, intelektual e politik më detyron t’ju shkruaj shkëlqesi të nderuar, miq të paepur të vendit tim, përfaqsues të demokracive që ne kemi ëndërruar e ndjekim si model për vendin tonë… Në dijet e mija, demokraci do të thotë vullnet i shumicës… Kjo shumicë nuk u bë e mundur as për të votuar e jo më për të zgjedhur. Kthehem me trishtim të thellë tek realiteti në qytetin tim, i cili nuk e pranon dot manipulimin, dhunën e imponimit kriminal e politik për ta emëruar nga lart kryetarin e bashkisë… Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë (demokracinë- V.M.) as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8 përqind. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-1920, ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E, ndoshta, është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën. Ndaj, ju drejtohem Ju në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ evropian, besimplotë tek vullneti i tyre demokratik, se sa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese”.

E ngarkuar me pasione me tepricë dhe me dije të pakta, kryetarja e bashkisë së Shkodrës beson se me atë lehtësi me të cilën ajo dhe bashkëluftëtarët e saj partiakë mashtrojnë kokëboshët e Shqipërisë për 30 vjet do të mund të mashtrojë edhe diplomatët mendjehollë të Perëndimit. Shqetësimin dhe ankthin e saj dhe të disa të punësuarve prej saj, që shkaktohen nga humbja së shpejti e vendeve të punës dhe privilegjeve të tjera, zonja në fjalë e paraqet si shqetësim dhe ankth mbarëpopullor.

Përveç kategorisë së lartpërmendur, si dhe të manipuluarve të përjetshëm nga politika, pjesa dërrmuese e popullsisë nën juridiksionin e bashkisë Shkodër, ashtu si në gjithë vendin, janë të interesuar kryesisht për mbarëvajtjen e problemeve sociale, ekonomike dhe të rendit dhe jo aq për emrat e atyre që drejtojnë bashkinë. Shkodra dhe shkodranët bëjnë edhe pa kryetaren në largim Ademi dhe pa kryetarin e sapozgjedhur Pjetri, por as Shkodra dhe as Shqipëria nuk mund të bëjnë përpara pa dinjitet dhe sovranitet kombëtar.

Me hipokrizi të pakufishme kryetarja e bashkisë iu drejtohet diplomatëve perëndimorë si “miq të paepur të vendit tim, përfaqsues të demokracive që ne kemi ëndërruar e ndjekim si model për vendin tonë”. Vetvetiu lind pyetja, përgjigjja e së cilës do të ishte vetëvrasëse për letërshkruesen: nëse fjalët e kryetares së bashkisë Shkodër janë të sinqerta, si shpjegohet që ajo dhe kolegët e saj nëpër Shqipëri nuk iu bindën këshillave të “miqve të paepur” të vendit dhe përse nuk ndoqën rrugën dhe modelin që qeveritë e të gjitha shteteve që këta ambasadorë përfaqsojnë, i sugjeruan opozitës shqiptare? Përse, në vend të këshillave të tyre, ndoqën thirrjet partiake brendashqiptare për dorëzimin e mandateve parlamentare dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, veprime këto të konsideruara si antidemokratike dhe të dënuara publikisht nga të gjitha kancelaritë perëndimore?

Në letër znj. Ademi pohon se “demokraci do të thotë vullnet i shumicës”. Megjithëse ky pohim është pranuar si i vërtetë, zonja “harron” se, ligjërisht, bëhet fjalë për respektimin e vullnetit të shumicës së atyre që e ushtrojnë të drejtën e votës sepse, po të ishte për shumicën e të gjithë atyre që kanë të drejtën e votimit, atëherë do dilte se partia e saj e ka qeverisur vendin padrejtësisht gjatë viteve 2005-2009 (me 19,7 % të votuesve) dhe në 2009-2013 (si koalicion, me 25,6% të votuesve).

Në vazhdim të përpjekjeve që synojnë të mashtrojnë, znj. Ademi pohon se shumicës së zgjedhësve “nuk iu bë e mundur as për të votuar e jo më për të zgjedhur”. Edhe këtu lindin të tjera pyetje që asgjësojnë hipokrizinë e autores së letrës: pamundësia e shumicës për të votuar e zgjedhur erdhi ngaqë qeveria ua mohoi me ligj dhe ua ndaloi me dhunë, apo ngaqë opozita bëri thirrje për bojkot? Çfarë është më e turpshme dhe e rëndë, kjo opozitë i frikësoi votuesit duke i paraprirë ditës së zgjedhjeve me akte terroriste siç ishin djegiet e shkollave dhe materialeve zgjedhore ku parapriu me “shembullin” e vet Shkodra dhe kryesisht znj. Ademi dhe ish-deputeti Bardh Spahia.

Me të njëjtën hipokrizi, Ademi iu qahet të huajve duke pohuar se “kthehem me trishtim të thellë tek realiteti në qytetin tim i cili nuk e pranon dot manipulimin, dhunën e imponimit kriminal e politik…”. Për fatin e keq të Shkodrës dhe për shkak të partisë së znj. Ademi, Shkodra ka qenë gjatë këtyre viteve në pararojë të manipulimeve e dhunimeve zgjedhore dhe, sidomos të përjetimit të akteve më të rëndë të dhunës dhe të djegies së institucioneve, bisneseve dhe komisariatit të policisë, si dhe me pengmarrjen e ish-prefektit.

Duke besuar se do iu hedhë hi syve të huajve, me pohimin e sipërcituar, ajo iu shitet atyre si idealiste dhe dashnore e zjarrtë e parimeve demokratike. Mirëpo, ata e dinë shumë mirë historinë e turpshme të sjelljes së partisë së Voltanës “me parime demokratike”, historinë e dhunimeve të proceseve elektorale, të shkeljes së lirisë së shtypit, të dhunës ndaj gazetarëve dhe opozitarëve, të korrupsionit dhe burgosjeve e vrasjeve politike prandaj, pas qendrimeve më të fundit të opozitës së rrugës e kërcënuan se do ta shpallnin organizatë politike terroriste.

Sikur znj. Ademi të zotëronte minimumin e formimit dhe bindjeve demokratike nuk do i ishte bashkuar asaj partie pas gjithë zullumeve dhe krimeve që ka kryer, dhe tani do iu bindej këshillave të “përfaqsuesve të demokracive që kemi ëndërruar si model për vendin tonë” dhe jo thirrjes së “nënës parti”. Megjithëse zonjës i mungon formimi demokratik nuk i mungon intuita për të perceptuar se “miqtë e paepur” të vendit tonë nuk të bëjnë kryetare bashkije, ndërsa partia të bën gjithçka edhe kur nuk meriton asgjë.

Pas gjithë fjalive e frazave mashturese, znj. Ademi iu kujton diplomatëve perëndimorë se qyteti i saj ka qenë administruar nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha në fillim të shekullit të 20-të dhe se edhe tani ata (ajo flet në emër të banorëve të Shkodrës pa i pyetur fare shkodranët) janë gati që t’ia lënë administrimin shtetëror të huajve më parë se atij që është zgjedhur nga një pjesë e banorëve të kësaj bashkije.

Duke e vlerësuar mendimin e saj, në rastin më të mirë, si mendjelehtësi më duhet të them se kjo kërkesë është shërbimi më i mirë që iu bëhet tezave shoviniste dhe antishqiptare serbe që prej shumë kohësh pohojnë se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese dhe as mund të vetëqeverisen. Të jesh e gatëshme t’ua dorëzosh sovranitetin shtetëror të huajve vetëm që të mos ushtrohet nga kundërshtari yt politik i brendshëm do të thotë të shesësh dinjitetin e vendit dhe prestigjin mbarëkombëtar për hir të interesave vetjake.

Kur i referohemi historisë, siç e ceka më lart, na del se morali dhe sjellja e znj. Ademi nuk janë një rast i vetëm dhe as një mendim emocional i një individi thjesht të papërgjegjshëm. Nga historiani dhe intelektuali i shquar z. Pëllumb Xhufi mësova se edhe në vitin 1913, kur sapo kishin filluar përpjekjet për shtetformim dhe qeveria e Vlorës i kërkonte parisë së qytetit dhe rrethinave t’i bashkëngjiteshin qeverisë kombëtare, një pjesë e kësaj parije ishte përgjigjur se: “Ne kemi Komisionin Ndërkombëtar dhe ky na mjafton”.

Në ngjarjen kriminale të 2 prillit 1991 në Shkodër, të organizuar nga partia e znj. Ademi, e cila rezultoi me disa viktima të pafajshme dhe djegien e qytetit, një pjesë e demonstruesve kishin thirrur disa herë “Shkodra Republikë!”.

Gjatë gjyqit që u bë lidhur me ngjarjen, drejtuesit kryesorë të PD-së, pa i akuzuar kush, e mohonin me këmbëngulje ekzistencën e të tilla parullave. Si rezultat i pohimit të këtij fakti nga shumë dëshmitarë “demokratë” ekzistencën e thirrjeve të turpshme dhe antikombëtare e pohuan edhe vendimet gjyqësore përkatës. Në atë kohë thuajse askush nuk fajësonte partinë e Voltanës për këto thirrje, sepse konsideroheshin ose thjesht shpërthime të papërgjegjëshme të lumpenit që ndodhej me shumicë në protestën e dhunshme ose provokime të ndonjë elementi të veçantë shqiptar në shërbim të UDB-së jugosllave e cila ishte e ulur këmbëkryq në zonën e Shkodrës në atë kohë, e nuk përjashtohet të jetë po aq e pranishme edhe në ditët tona.

Para dy vitesh, një kopuk me emrin Arben Ceni dhe me detyrë administrator i njësisë “Ana e Malit” në bashkinë Shkodër, pohonte: “Tre hidrocentrale janë në qarkun e Shkodrës. Kemi Thethin, plazhin më të mirë në Shqipëri, Velipojën. Kemi edhe liqenin më të madh në Shqipëri dhe Ballkan. Të gjitha këto janë resurse, domethënë ne s’kemi nevojë (për të qenë të varur). Domethënë, si Katalonja, të ndahemi edhe ne dhe ta menaxhojmë ne vendin tonë si Shkodër”. (Gazeta “Tema”, 25 mars 2018).

Rastet nuk mund të jenë sporadikë. Ato flasin se, fatkeqësisht, ka një mendësi që trashëgohet nga një pjesë e parisë së politikës shqiptare, pjesa më ekstremiste, reaksionare dhe regresive e saj që duket e përqendruar tek e djathta shqiptare e Shkodrës. Nën shembullin e idhujve dhe mentorëve të saj politikë Berisha e Basha (nuk është çudi që edhe letra e lartpërmendur është diktuar prej tyre) znj. Voltana Ademi përfaqëson një nga figurat politike më ekstremiste dhe përçarëse.

Në 14 prill 2018 ajo shprehej: “Nga Shkodra ka nisur lëvizja që do të shënojë rënien e një qeverie që do të mbahet mend gjatë si armike e shkodranëve, e Veriut. Sot Shkodra e shpalli “non grata” Edi Ramën”. Mbasi ndoqi vendosmërisht këtë rrugë që është “rruga e partisë” paçka se rruga rezultoi e gabuar, antidemokratike dhe e dështuar, znj. Ademi iu kërkon ndihmë diplomatëve perëndimorë, këshillat e të cilëve i ka refuzuar me karshillëk prej shumë kohësh.

Zonja dhe ata që i pëshpërisin po na dëshmojnë se janë në jerm dhe s’dinë çfarë kërkojnë dhe kujt ia kërkojnë. Po u kërkojnë ndihmë dhe përkrahje atyre që nuk ua kanë përfillur këshillat duke mos e fshehur se janë pezmatuar prej atyre këshillave dhe, për rrjedhojë, i kanë etiketuar dhe “vënë në lojë” për ndihmën morale dhe demokratike të ofruar, pa ua kursyer fyerjet si “të blerë me paratë e krimit e drogës” nga Edi Rama dhe si vegla të Sorosit. Vërtetë e çuditshme, pasi i fyen dhe i munxosën u kërkojnë ndihmë dhe përkrahje. Në të vërtetë nuk janë aq totolesh, por halli ku e kanë futur veten i bën të flasin si në jerm.

Në misionin e saj të dështuar zonjës Ademi i vjen në ndihmë edhe një “shkencëtar” me titujt “prof., dr. “, me mbiemrin e nderuar Gurakuqi dhe me mendjen e thartuar prej pasioneve të shkallës sipërore. Prof. Romeo Gurakuqi i drejtonte një letër kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë Shkodër ku i thoshte:

“Unë mendoj se çështja e drejtimit të bashkisë së Shkodrës, në linjë kanunore dhe statutore, është e bazuar mbi disa parime themelore të konsoliduar me kohë në qeverisjen qytetare në anët tona… Në Shkodër nuk mund të pranohet një drejtim këshillimor dhe ekzekutiv minoritar i institucionit bashkiak. Në qytetin e Shkodrës, me konventë është i ndaluar edhe drejtimi minoritar, edhe ai monopartiak. Në 13 tetor 2019, do apo nuk do Edi Rama, në Shkodër do të zhvillohen zgjedhjet pluraliste për bashkinë e Shkodrës… E ndiej për detyrë t’ju informoj se ditën që dikush i pamandatuar nga sovrani do të guxojë të ngjisë me pahir shkallët e ndërtesës bashkiake, unë, në cilësinë e përfaqsuesit të zgjedhur demokratikisht në Parlamentin e Shqipërisë, do të jem së bashku me bashkëqytetarët e mi para derës së institucionit për të paraqitur kërkesën e duhur”.

Nuk është hera e parë që vërej që një prof.dr. i shekullit të 21-të mendon dhe jeton me rregullat dhe mendësitë mesjetare. Siç vihet re lehtësisht, në përpjekjet e tij për të kërcënuar me dhunë e destabiletet zonën nga vjen, Gurakuqi, përveç se “harron” se nuk është më deputet i zonës, bën edhe një “gabim” tjetër: ai pohon se është i zgjedhur demokratikisht në Parlament, ndërkohë që ai dhe partia e tij i kanë shpallur të paligjshme dhe nuk i njohin zgjedhjet e vitit 2017.

Tani, ose zgjedhjet kanë qenë të ligjshme dhe ti zotëri je “zgjedhur demokratikisht” ose zgjedhjet janë të paligjshme dhe ti as ke qenë dhe as je “përfaqsues i zgjedhur demokratikisht”. Në deklaratën e tij dr.prof. flet për “anët tona” duke lënë të kuptohet se “anët e tij” nuk iu nënshtrohen të njëjtave parime kushtetuese dhe legjislacionit si gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë. Nga ana tjetër, profesori dhe politikani shkodran që, para dy viteve e gajaste popullin kur iu prezantohej gjatë fushatës zgjedhore si “përfaqsues i Republikës së Re të Lulzim Bashës” dhe jo si përfaqsues i PD-së, tani na i përzien në të njëjtin çanak “kanun, statut, konventë”, por nuk gjen dot vend të përmendë Kushtetutën dhe ligjet.

Ky njeri që mendërisht endet në Mesjetë ka nevojë të këshillohet me dashamirësi të mos bëhet pjesë dhe drejtues i dhunës sepse, në vend që t’i kalojë ditët e nxehta të verës në plazh, mund t’i kalojë me të drejtë në qelitë e nxehta të Reçit. Nëse organi kompetent do ta shpall dekretin e Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si kushtetues, kryetari i sapozgjedhur i bashkisë Shkodër, së bashku me 60 kryetarë të tjerë bashkishë, do të kthehen vullnetarisht andej nga kanë ardhur qysh të nesërmen e vlerësimit kushtetues.

E parë historikisht, moralisht dhe kombëtarisht, kërkesa që përmban letra e znj. Ademi është thjesht vazhdim historik i qëndrimeve dhe sjelljeve kutërbuese të një pjese të parisë shqiptare, qendrime dhe sjellje që kanë shkuar kurdoherë kundër interesit kombëtar. Këta individë janë pasardhës shpirtëror të Gjomarkajve, i pari i të cilëve i pati kërkuar një herë Austro-Hungarisë dhe pastaj Serbisë ndihmë për krijimin e “Republikës së Mirditës”, saktësisht në momentet më kyçe të ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe shtetformimit në Shqipëri. Ata janë pasardhësit shpirtëror të Esat Pashë Toptanit e Haxhi Qamilit që iu vinin stërkëmbësha përpjekjeve për qeverisje kombëtare, si dhe pasardhës të Mustafa Krujës, Ali bej Këlcyrës, Xhafer Devës, Xhafer Ypit, Terenc Toçit etj. të cilët ose i bënin thirrje Italisë ta pushtonte Shqipërinë dhe “ta rrëzonte malokun e Matit nga froni”, ose i lëpiheshin dhe i thurnin lavdi Italisë e Gjermanisë që kishin pushtuar vendin dhe, të ndihmuar nga bajonetat e ushtrive të tyre që kullonin gjak shqiptari, përbetoheshin se nuk do ta lejonin ardhjen në pushtet të kundërshtarëve të tyre politikë të FNÇL.

Historia do ta përmend letrën e znj. Ademi si një akt të turpshëm dhe të papërgjegjshëm por do i ngushëllojë brezat e ardhshëm me konstatimin se ky mendim dhe ky moral i përkasin një pakice të papërfillshme, ndonëse të dëmshme./ DITA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë