Maleve tona nuk iu mungojnë burrat: Faiku, trimi që nuk e njohëm

Maleve tona nuk iu mungojnë burrat: Faiku, trimi që nuk e njohëm

Faik Kadenasi

Në këtë tokë, takojmë njerëz që na afrojnë me perëndinë. Janë njerëz që dinë të flasin qetë, me zë të ëmbël, paqësor dhe melodioz. Qenie njerëzore që na dhurojnë kujtime të ëmbla, nostalgji për kohërat e shkuara dhe fotografive bardh e zi, u japin ngjyra vetëm me praninë e tyre.

Të gjithë jemi fizikisht të përkohshëm dhe moralisht të përjetshëm. I tillë është dhe Faiku Kadenasi, trim i trimave, syri i patrembur i pushkës, i përbetuar ndaj armikut, babai i përkushtimit, miku i hallit, shoku i besës, njeriu i moralit. Të takosh një njeri të tillë, duhet ta konsiderosh veten njeri me fat, pasi është e rrallë të njohësh një trim që mikun e ka të parin. Të pranon në vatrën e tij dhe ti nis e bisedon shtruar me këtë trim. Është shtatlartë, krenar, i ditur, dhe gjithmonë në fund të bisedës, ngre kokën lart, pasi e shikon gjysmën e gotës plot se beson në optimizëm. Bisedat e tij, s'kanë fund, të respekton mendimin, të dëgjon, të këshillon me aq sa di dhe ta hap derën dhe për një takim tjetër.

Nëse sot je i mërzitur për një bisedë pa vlerë, ai të buzëqesh, nuk të ofendon, flet me qetësi, nuk të përbuz dhe të tregon një histori të luftës ku ai ka qenë pjesëmarrës, sesi ai qëndronte larg shtëpisë dhe peripecitë e tij, dhe pret që ti të kesh ndryshuar sado pak mendim për situatën tënde. Të hedh një vështrim pa asnjë tendencë tjetër, dhe ti që e falenderon atë figurë aq të çmuar për ty tashmë.

Sot, kam njohur një burrë që nuk e kisha njohur më parë, një burrë që di të ngrejë dolli, të presë miq, të tregojë histori si shkencë jo si një rrëfim. Kam njohur një qytetar që diktatura e përplasi në fshatrat e qytetit të Kolonjës dhe ia shtoi më shumë rrudhat dhe thinjat nga mundimet e mentalitetit të prapambetur.

Sonte kam njohur një djalosh që vitet e rinisë i shpenzoi për të ardhmen e vendit dhe si shpërblim mori banimin në një fshat. Njoha gjithashtu një baba të përkushtuar ndaj familjes, ku bazë ka moralin dhe fjalën e nderit.

Pata fatin të njoh një djalë që respekton të vjetrin dhe prindërit i mban si shtyllë të fortë. Njoha një burrë që i respektohet fjala, i ndjehet mungesa, dhe i peshon këmba saqë kur kalon nëpër të njëjtat rrugë, ende dhe sot thonë si hapi i Faikut.

Në këto male, nuk kanë munguar burrat, nuk kanë munguar trimat, i kemi mes nesh, i kemi patur gjithmonë pranë nesh, shpatat e maleve kanë qenë dhe janë ata, trimat tanë.

Faiku, fizikisht nuk është më pranë nesh, unë pata fat që e njoha mes shkrimeve, mes fjalëve të ëmbla të njerëzve që jetuan në kohën e tij, ama moralisht Faiku është ende mes nesh dhe do të jetojë aq kohë sa ne të ecim në bazat e tij.

Asgjë nuk e mposht Faikun, asgjë dhe askush, pasi ka hijen e rëndë, hapin e madh dhe karakterin e fortë. Njësoj si mali, Faiku është mali i fortë i kësaj toke.

Do t'iu këshilloja ta takonit njëherë Faikun, mbase fizikisht nuk mundeni pasi ligjet e Natyrës dhe Tokës nuk na e lejojnë se jetojmë në një tjetër kohë, por ndërmjet shkrimit, takojeni njëherë Faikun, këtë burrë shtatlartë, gjigant, me fjalën e nderit, me hijen e rëndë, dhe ta ndjeni erën e malit të tij. Ka ndërtuar malin e tij Faiku, ka gdhendur cilësitë e një burri të moralit, të një babai që rriti fëmijët si drita e hënës dhe diellit, që i shërbeu atdheut deri në minutën e fundit të fuqisë së tij dhe s'kërkoi asnjë shpërblim, ujiti Tokën e tij dhe nuk u tremb nga asgjë dhe askush. Madje dhe vdekjes që i erdhi fizikisht, ai i qeshi, nuk iu frikësua, nuk frikësohen trimat! Ashtu shtatlartë u largua fizikisht, por la pas malin gjigant të vlerave pasurore të tij.

Mungon Faiku sot, pas 19 vitesh largim nga toka, mungon shumë. Mungon kolla e tij, mungon zëri melodioz në gëzime familjare, mungon e qeshura, tregimi i historive siç vetëm ai i tregonte, mungon përqafimi i babait, mikut, shokut, mungon fizikisht shumë. Por ai është kujtimi më me vlerë i popullsisë tonë.

Faiku, trim i trimave, shoku i halleve dhe mali që nuk bie kurrë.

Uroj të takoheni njëherë me malin e tij.

Faiku, trimi që nuk njohëm.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shume prekese ...: 25/02/2020 20:45

    Respekte qe kujtoni njerez me te tille vlera..plus neve qe na jepet mundesia ,mos Ti fshehim.lotet ne lexim... Flm..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023!  ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira

Vonesa e anulime në fluturime, 60% e udhëtimeve me probleme nga Wizz Air, mijëra qytetarë rrugëve në 2023! ‘Air Albania’ prej kompanive më të mira