Gushti, i hapur për vaksinim masiv për qytetarët +18 vjeç! Manastirliu: Studentët të vaksinohen para shkollës, 24% e popullsisë ka marrë të 2 dozat! Vijnë 20 mijë doza

TIRANË- Muaji gusht do të jetë muaj i hapur për vaksinimin e qytetarëve +18 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu nga Qendra Shëndetësore nr.1 në Tiranë, ku ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit.

“Ne kemi vendosur që muaji gusht të jetë një muaj i hapur për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar. Do të jetë një muaj që ne do ta konsiderojmë muaj sulmi, për të vaksinuar qytetarët e grupmoshës +18 vjeç”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu i ka bërë apel studentëve të vaksinohen gjatë muajit të hapur dhe përpara fillimit të sezonit të ri akademik.

“Eshtë e rëndësishme një thirrje për studentët, për t’u vaksinuar sepse shtatori, tetori, fillimi i shkollës sigurisht që do të na përballë me rritjen e kontakteve, me ato grumbullime të cilat ndonjëherë janë të pashmangshme, por nëse jemi të vaksinaur të paktën kemi të garantuar që shmangim komplikacionet dhe format e rënda të sëmundjes dhe sigurisht edhe fatalitetet”, tha Manastirliu.

Referuar rasteve të pavaksinuar të shtruar aktualisht në spitalin Infektiv, Ministrja Manastirliu u ka bërë thirrje edhe të moshuarve mbi 60 vjeç të vaksinohen, pasi janë kategori shumë e rrezikuar.

“Numrat janë rritur në mënyrë të lehtë, po ashtu shtrimet në spitale, ku ajo çfarë vihet re është që qytetarët që janë shtruar në spital nuk janë të vaksinuar dhe janë të grupmoshave +70 vjeç, +60 vjeç, që do të thotë që ka ende qytetarë që nuk janë vaksinuar, që i përkasin grupeve të riskut, ndaj një apel nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Vaksinimi është një detyrim qytetar, detyrim moral, për të mbrojtur veten për të mbrojtur të gjithë ata që ne duam” - nënvizoi Manastirliu.

Shefja e Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Prof. Silva Bino tha se me ditët dhe javën e hapur të vaksinimit është rritur mbulesa vaksinale për doza të para dhe të dyta, kryesisht në Tiranë, Gjirokastër, Mirditë etj, por apeloi për vaksinim, duke e konsideruar atë një emergjencë.

“Mbulesa vaksinale po rritet, sidomos ajo që është e rëndësishme po rritet mbulesa me dy dozat. Pra jemi 24% e popullatës me dy doza. Kemi dhe rrethe që janë 60% e popullatës, si Gjirokastra, apo Mirdita që është 40% e popullatës. Kohët e fundit sidomos me javën e hapur të vaksinimit niveli i mbulesës vaksinale është rritur ndjeshëm. Vaksinimi është një urgjencë, sepse virusi është tepër i transmetueshëm dhe tepër ngjitës, dhe nuk pret. Koha nuk pret. Studentët të cilët do të futen në auditore, mund të bëhen përçues të infeksionit, në grupe të pavaksinuara. Pra vaksinimi, i studentëve, i mësuesve, vaksinimi i të moshuarve të cilët mund të bëjnë forma të rënda apo vdekje për fat të keq siç ndodhi edhe kohët e fundit, është një element tepër i rëndësishëm”, tha Bino.

Vaksinimi masiv po vijon nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, në pikat e përqëndruara te vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore. Prej fillimit të këtij procesi janë kryer në total 1,168,308 doza të vaksinës ndaj COVID19. 512,625 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. Ndërkohë deri tani në vendin tonë kanë mbërritur 1,699,410 vaksina antiCOVID.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:55
Dhuratë nga qeveria kroate, Manastriliu: Vijnë 20 mijë doza vaksine Astra Zeneca në vend

20 mijë doza vaksinë Astra Zeneca kanë mbërritur në vendin tonë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Ogerta Manastirliu, në një shënim në mediat sociale.

'20.000 doza vaksine AstraZeneca sapo kanë mbërritur në Shqipëri, falë mbështetjes së qeverisë kroate. Me 1,699,410 vaksina antiCOVID që kanë mbërritur deri tani dhe sasi të tjera që do të vijnë, jemi të vendosur të çojmë përpara planin kombëtar të vaksinimit anticovid.'- shkruan Manastirliu.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Prindi: 29/07/2021 15:07

    Pse se hap dhe per femijet mbi 12 vjec si ne gjithe boten

    Përgjigju
  • Mondi: 29/07/2021 14:40

    Qfar asht kjo pun mor , ju thoni kena vaksinu gati 1miljon e 200 mij njerez , tashi thoni Jan vaksinu 24 %e popullsise , nae nxjerret shqiprin 6 miljon

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman