Manastirliu i përgjigjet me foto akuzave të Berishës e Bashës: Ja kardiologjia që 'doktori' e deshi aq fort! Braçe: Kokrrat e hajdutëve...

TIRANË - Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i është përgjigjur liderit demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, që sot akuzuan qeverinë se nuk ka bërë asgjë për shëndetësinë në këto 7 vite. Teksa Basha dhe Berisha flisnin nga një aktivitet i PD për shëndetësinë, ministrja Manastirliu ndodhej me zëvendëskryeministrin Erion Braçe në Lushnje. “Kokrrat e hajduteve këtë punë kanë, fjalët tona janë punët që bëjmë, puna e tyre janë fjalët”, u shpreh zv/Kryeministri Erjon Braçe, gjatë inspektimit të qendrës së Grabianit, e rindërtuar nga e para në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

Akuzave të Bashës e Berishës ministrja u është përgjigjur me disa foto që tregojnë se si ishte në kohën e Berishës gjendja e shëndetësisë, ministrja shkruan: 

”Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gjendjen e shëndetësisë, në kohën e katahurës së atyre që sot paturpësisht shpallin vizione për shëndetësinë.
Ja, këto pamje/fakte ilustrojnë qartësisht vizionin e tyre. Nuk janë realizuar në vendgrumbullime mbeturinash, por janë shkrepur mu në zemër të qendrës spitalore më të madhe në vend vetëm 6 vjet më parë!
Ishte koha kur profesorë, mjekë dhe infermierë të nderuar, qytetarë hallexhinj dhe të sëmurët duhej të punonin dhe merrnin shërbimin ekzaktësisht në këto mjedise. Koha kur Qendra Spitalore më e madhe në vend nuk dallonte pothuaj fare, nga një treg i gjësë së gjallë, ushqimeve të çastit dhe fanellatës, ka ikur një herë e mirë. Kthim pas nuk do të ketë! Puna për Shëndetësinë që duam vazhdon pa u ndalur kudo në Shqipëri!”

Ndërsa duke ironizuar Sali Berishën i cili është kardiolog me profesion, Manastirliu shkruan: ”Fotografia e parë është shkrepur në shërbimin e Kardiologjisë, të cilin Doktori “e deshi” dhe “e mbështeti” aq fort”

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se si qendra e Grabianit, janë rindërtuar me të njëjtin standard 180 qendra shëndetësore nga veriu në jug, në çdo cep të vendit dhe puna do të vijojë me 120 qendra dhe ambulanca të tjera.

Basha: Me koncesionet në shëndetësi vjedhin 35-40 milionë euro në vit

Më herët gjatë aktivitetit, Basha tha se "shëndetësia falas një gënjeshtër kriminale", duke shtuar se "me koncesionet në shëndetësi vjedhin 35-40 milionë euro në vit".

"Buxheti i shtetit për shëndetësinë është 115 usd për frymë, tre herë më pak se Bosnja. Nuk janë koncesione dhe PPP. Janë vjedhje me kosto 35-40 milionë euro në vit. Me këtë shumë sistemi shëndetësor mund të sillet në parametra të pranueshëm. Problemet janë të qarta. Nisin dhe bazohen mbi gënjeshtrën e madhe të shëndetësisë falas. Shëndetësi falas nuk ka dhe nuk mund të ketë. E ka thyer ne mes shëndetësinë. Centralizimi i sotëm ka tejkaluar edhe parametrat e regjimit komunist. Arsyeja nuk qëndron tek mungesa e vizionit, por tek vjedhja e kësaj qeverie, tek paaftësia dhe keqmenaxhimi i institucioneve shëndetësore, keqpërdorimi politik i tyre, gjë që është kriminale. Pagat e personelit shëndetësor do të rriten ne 1200 Euro në muaj për mjekët dhe 700 Euro në muaj për infermierët. Do të rrisim numrin e barnave të rimbursueshme. Në Shqipëri do të futen vetëm barna nga vende të origjinës së sigurtë, që nuk dëmtojnë shëndetin e shqiptarëve. Nevojitet liberalizim i paketave shëndetësore sipas nevojave të pacientit. Shqiptarët nuk do të blejnë me barna nga xhepi, nuk do të duhet të paguajnë bakshishe nën dorë", u shpreh Basha gjatë aktivitetit.

G.M./m.v./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të pranojnë institucionet shtetërore ulje të pagave si kontribut për situatën e krijuar nga COVID-19?

Komento