Maqedonia voton, shqiptarët
festojnë fitoren në Strugë

Maqedonia voton, shqiptarët <br />festojnë fitoren në Strugë
MAQEDONI - Partitë e koalicionit qeverisës në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë shënuar fitore të thellë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas rezultateve të para që ka kumtuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, partia maqedonase në pushtet ka fituar 16 komuna, ndërsa BDI të gjitha komunat shqiptare, pos Strugës, ku fitues ka dalë kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, informon europaelire.

Të dielën në Maqedoni është zhvilluar rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në 29 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal. Në raundin e parë të zgjedhjeve, të zhvilluar më 24 mars, janë zgjedhur 49 kryetarë të komunave. Sipas planit të decentralizimit, Maqedonia është e ndarë në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit.

Zyrtarisht raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbyll dje në ora 19.00


VMRO DPMNE: FITUAM NE 13 KOMUNA

Ora 21:39
VMRO DPMNE ka shpallur fitore në Debarcë, Dellçevë, Berovë, Bogdanci, Gjorçe Petrov, Kavadar dhe Butel. Paraprakisht VMRO DPMNE shpalli fitoren në Çeshinovë, Staro Nagoriçane, Resnjë, Losovë dhe Karbincë. VMRO DPMNE gjithashtu njofton se janë në epërsi në Manastir, Veles dhe Koçani. Ndërkohë sipas Partisë së Gruevskit fitore me rezultat 2 me 1 kanë siguruar edhe në Qytetin e Shkupit.

KANDIDATJA E BDI, TEUTA ARIFI: TETOVA E DESHI NDRYSHIMIN

Ora 21:29 Tetova e deshi ndryshimin, votoi për ndryshimin. Kjo është deklarata e parë e kandidates së BDI-së për Tetovën, Teuta Arifi, e cila ka fituar në raundin e dytë zgjedhor kundrejt kandidatit të PDSH-së, Sadi Bexheti. “Dëshiroj me këtë rast vetëm të falënderoj të gjithë qytetarët e Komunës së Tetovës, të cilët e mbështeten opsionin tonë të përbashkët dhe njëkohësisht të nënvizoj se ne do të rrimë karshi besës së popullit të Tetovës, i cili e deshi ndryshimin dhe e përkrahu atë”, ka deklaruar Arifi.  Ajo ka falënderuar të gjithë qytetarët e Tetovës, përfshirë dhe ata të bashkësive të tjera etnike, për mbështetjen e dhënë në garën zgjedhore, informon Zhurnal.

KRYETARI I KOMISIONIT ZGJEDHOR SHKON NE SELINE PARTISE OPOZITARE, QE E KA PROPOZUAR

Ora 21:16 Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Konadarko, ndodhet në këto çaste në Shtabin Zgjedhor të LSDM-së. Lajmi bëhet i ditur nga Tv Sitel, gazetarët e së cilës kanë pikasur Kondarkon teksa hynte në hapësirat e partisë opozitare maqedonase. Nuk dihen arsyet përse kreu i KSHZ-së nuk ndodhet në vendin e tij të punës, por në shtabin e partisë e cila e ka propozuar atë në këtë detyrë informon Zhurnal.

SHQIPTARET FESTOJNE FITOREN NE STRUGE

Ora 21:09 Shqiptarët festojnë fitoren në Strugë.Nga rezultatet e siguruara nga shtabi komunal dhe nga shtabi zgjedhor i kandidatit Sela, nga 27.587 vota, 19.323 vota kanë votuar për kandidatin Ziadin Sela. Në komunën e Strugës është konfirmuar fitorja e kandidatit shqiptar Ziadin Sela.
Nga rezultatet e siguruara nga shtabi komunal dhe nga shtabi zgjedhor i kandidatit Sela, nga 27.587 vota, 19.323 vota kanë votuar për kandidatin Ziadin Sela, ndësa kandidati maqedonas Koçoski ka fituar 8244 vota. Në komunën e Strugës tashmë ka nisur fitorja bindëse e kandidatit shqiptar, ndërsa në këtë komunë pritet organizimi i një feste masive për festimin e kësaj fitoreje. Deri tani kanë ngelur pa numëruar rreth 5 mijë vota, por nuk do të ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm, informon Indeksonline.

Ora 21:08 Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka shpallur fitore në Strugë. Për një fitore ata kanë paralajmëruar edhe në komunën e Studeniçanit.
Shefi i Shtabit zgjedhor të kësaj partie Bekim Fazliu ka thënë se BDI-ja në këtë raund zgjedhor është ndihmuar nga maqedonasit dhe nga RDK-ja me qëllim që të gjitha elementet antishqiptare të bëhen bashkë kundër PDSH-së dhe se për komunat tjera vazhdon numërimi i votave. Për momentin aktivistët e PDSH-së janë duke festuar fitoren në qytetin e Strugës e cila në rrethin e dytë gjeti mbështetjen edhe të BDI-së së Ali Ahmetit. Epërsia e PDSH-së në Strugë është rreth 10 mijë vota. Informon Indeksonline.

RDK; BEJTA KA EPERSI ME 500 VOTA

Ora 21:08 Rilindja Demokratike Kombëtare para pak çastesh në një konferencë për shtyp ka pranuar se kandidati i BDI-së për kryetar të Gostivarit, Nevzat Bejta ka një epërsi prej 500 votash. Nënkryetari i RDK-së Artan Dika, tha se vazhon numërimi i votave. Ai tha se deri më tani janë numëruar rreth 80 për qind të votave. “Prej tyre kandidati i BDI-së ka një përparësi prej 500 votave. Kryesisht kjo epërsi vjen nga zonat në të cilat në raundin e parë kanë marrë vota kandidatët e VMRO-së, LSDM-së dhe PDSH”, u shpreh Dika. Pra sipas Partisë së Osmanit, Bejta aktualisht është në epërsi, informon Zhurnal.

JAKIMOVSKI "SHKEL" PETROVIN

Ora 20:58 Stevçe Jakimovski edhe zyrtarisht është fitues i zgjedhjeve lokale në komunën e Karposhit. Mësohet se diferenca e votave kundrejt kundërkandidatit të LSDM-së Andrej Petrov është rreth 7 mijë vota. Jakimovski ka mbajtur edhe konferencë për gazetarë në ora 20 e 30 në Shtabin zgjedhor në ish kafiterinë Bllu kafe” në udhëkryqin e bulevardit “Teodosij Golloganov” dhe rrugës “Ruzvelltova”, ku si duket edhe është shpallur fitorja e Jakimovskit, informon Zhurnal.

VMRO SHPALL FITOREN NE 6 KOMUNA

Ora 20: 50 VMRO-DPMNE ka shpallur fitore në 6 komuna, dhe ka njoftuar se deri tani është në epërsi në 5 komuna të tjera, si dhe në Qytetin e Shkupit. Fitoret janë shënuar në komunat Çeshinovo-Obleshevo, Starno Nagoriçane, Jegunovcë, Resnjë, Lozovë dhe Karbincë. Në epërsi, partia e kryeministrit është edhe në Manastir, Kavadar, Veles, Butel dhe Koçan. Sipas të dhënave paraprake, VMRO kryeson ndaj LSDM-së me rezultat 2:1, informon Zhurnal.

DISA VENDVOTIME ME PARREGULLSI ZGJEDHORE

Ora 20:35  Në disa vendvotime janë shënuar parregullsi zgjedhore, për të cilat kanë raportuar organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve, sikundër është “Most” dhe “Civil”. Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komune u zhvillua në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kumanovë, Çair, Butel, Haraçinë, Bërvenicë, Resnjë, Debarcë, Studeniçan, Tearcë, Berovë, Manastir, Bogdanc, Veles, Vrapçisht, Dellçevë, Gjorgje Petrov, Jegunoc, Kavadar, Karbincë, Karopsh, Koçanë, Llozovë, Mogillë, Nagoriçani i Vjetër, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë dhe Qyteti i Shkupit. Në Strumicë u rivotua raundi i parë në vendvotimet 1727, 1730 dhe 1734, me gjithsej 3.255 votues, si dhe në Dollnen në vendvotimin 1.473, informon Indeksonline

BDI SHPALL FITORE NE ÇAIR, TEARCE, VRAPÇISHT DHE HARAÇINE


Ora 20: 29
Fitore bindëse në komunën e Çairit, si dhe fitore në komunat Vrapçisht, Haraçinë dhe Tearcë shpalli Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Kjo parti bëri të ditur se në komunën e Tetovës është në avantazh me 4.700 vota, ndërsa në epërsi është edhe në komunën e Gostivarit.
Këtë e deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Bujar Osmani. Sipas tij, rezultatet e para që posedon BDI-ja qysh tani mund të shpallet fitorja në këto dy komuna. Osmani këto zgjedhje i cilësoi si demokratike dhe të drejta ku qytetarët kanë dëshmuar vetëdije të lartë. "Kjo ishte shumë me rëndësi për ne sepse qëllimi ynë ishte të përmirësohet imazhi i dëmtuar nga zgjedhjet 2006 dhe 2008" tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, informon Zhurnal

AHMETI: BDI, FITORE TE THELLE NE TE GJITHA KOMUNAT

Ora 20: 11
Ahmeti shpalli fitoren më të thellë në Tetovë, Çair, Haraçinë, Tearcë, Studeniçan, Vrapçishgtë si dhe fitoren e madhe në komunën e Gostivarit.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka shpallur fitoren e kësaj partie në balotazhin e mbajtur sot në Maqedoni. Ahmeti ka theksuar se BDI ka shënuar një fitore të thellë në historinë e saj të veprimit politik. Ahmeti shpalli fitoren më të thellë në Tetovë, Çair, Haraçinë, Tearcë, Studeniçan, Vrapçishgtë si dhe fitoren e madhe në komunën e Gostivarit. “Gjithashtu kemi fituar për në balotazh në komunën e Dollnenit. Ne kemi bërë një fitore edhe në Strugë. Në emër të gjithë juve do të doja të përshëndes të gjitha ata shqiptarë që ne na përcjellin dhe që gëzohen bashkë me ne, për fitoren e madhe”, theksoi Ali Ahmeti. Ai ka theksuar se detaje tjera do të japin shtabet partiake dhe se për fitoren e Tetovës festa do të mbahet ditën e enjte, informon INA

CERVENKOSVSKI: MAQEDONIA NUK ESHTE SHTET, AS DEMOKRATIK, AS JURIDIK

Ora 19: 19 Edhe lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ka realizuar të drejtën e votës, në raundin e dytë zgjedhor në Qytetin e Shkupit. Në deklaratën për media, Cërvenkovski ka theksuar Maqedonia nuk është shtet as demokratik dhe as juridik. "Kjo është e qartë. Kjo gjendje mbretëron në të gjitha sferat e jetesës shoqërore dhe mund të argumentohet seriozisht. Këto zgjedhje lokale, mënyra si u organizuan, të gjitha parregullsitë nga ana e pushtetit, janë vetëm vula e fundit e kësaj gjendjeje në vendin tonë", ka deklaruar Cërvenkovski, informon Zhurnal.

KRYEMINISTRI GRUEVSKI: ZGJEDHJE NORMALE, ME PAK INCIDENTE

Ora 19:19
Kryetari i Qeverisë, Nikola Gruevski, ka realizuar të drejtën e tij të votës në shkollën fillore “Kuzman Josifovski – Pitu”, në Komunën e Kisella Vodës.
"Shpresoj se edhe sot, ashtu si edhe herën e kaluar, do të kemi ditë normale zgjedhore në të cilën qytetarët do të mund të votojnë lirshëm, pa kurrfarë problemesh, dhe do ta realizojnë të drejtën e tyre, duke rrethuar numrin e kandidatit për të cilin ata besojnë se do të bëjë më shumë vepra", ka deklaruar kryeministri. Ai ka theksuar se zgjedhjet po zhvillohen normalisht me disa incidente të vogla në disa vende, për të cilat organet dhe institucionet shtetërore kanë reaguar menjëherë, informon Zhurnal

STRUGE, FLUKS I MADH SHQIPTARESH, DY ORE PARA MBYLLJES SE VOTIMIT

Ora 19:08
Pas lajmit të publikuar se mund të rrezikohet fitorja e shqiptarëve, në dy orët para mbylljes së vendvotimeve ka pasuar një fluks i madh i votuesve, kryesisht shqiptarë. Të dhënat e KSHZ-së bëjnë të ditur se dalja në qytetin e Strugës ka qenë 60,04 për qind, apo kanë votuar gjithsej 33.806 mijë qytetarë. Kështu, deri në ora 13 dalja në këtë qytet ka qenë 33,08 për qind, kurse epërsia në rundin e parë ka qenë afër 3 mijë vota në favor të kandidatit maqedonas.
Në garë janë kandidati i PDSH-së dhe ai i listës së përbashkët VMRO-DPMNE dhe LSDM. PDSH në rrethin e dytë në këtë qytet ka në dispozicion edhe 9 mijë votat e Arben Labënishtit të BDI-së. Partia shqiptare në pushtet BDI që në rundin e parë i dha mbështetjen kandidatit të PDSH-së, ndërsa dorën i zgjati edhe RDK e Rufi Osmanit vetëm e vetëm që kjo komunë të udhëhiqet nga shqiptarët, informon Zhurnal

STRUGE, RREZIKOHET FITORJA E SHQIPTAREVE

Ora 17:51 Strugë, rrezikohet fitorja e shqiptarëve. Mobilizimi i madh i qytetarëve maqedonas në Strugë rrezikon të “shemb” udhëheqjen e shqiptarëve atje. Në garë janë kandidati i PDSH-së dhe ai i listës së përbashkët VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kështu, deri në ora 13 dalja në Strugë ka qenë 33,08 për qind, kurse epërsia në rundin e parë ka qenë afër 3 mijë vota në favor të kandidatit maqedonas. PDSH në rrethin e dytë në këtë qytet ka në dispozicion edhe 9 mijë votat e Arben Labënishtit të BDI-së. Një dalje masovike e shqiptarëve do të siguronte fitore të lehtë të shqiptarëve karshi 14 mijë votave të kandidatit maqedonas, që ai numër do ishte mbi 20 mijë...Partia shqiptare në pushtet BDI që në rundin e parë i dha mbështetjen kandidatit të PDSH-së, ndërsa dorën i zgjati edhe RDK e Rufi Osmanit vetëm e vetëm që kjo komunë të udhëhiqet nga shqiptarët, informon Zhurnal.

MAQEDONI, ZHVILLOHET RAUNDI I DYTE I ZGJEDHJEVE, 29 KOMUNA NE BALOTAZH

Ora 13:20 Në Maqedoni po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve pasi 29 komuna kaluan në balotazh. Ky proces ka shënuar edhe incidente. Në komunën e Strumicës në një qendër votimi është thyer një kuti votimi, ndërsa ka pasur edhe të shtëna me armë nga një makinë në lëvizje.  Sipas policisë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në ajër nga një makinë e tipit “BMW”. Policia theksoi se ka marrë të gjitha masat për zbardhjen e këtyre incidenteve. Menjëherë është ndaluar personi që ka thyer kutinë e votimit. Sipas komisionit shteteror te zgjedhjeve perqindja e pjesmarrjes ne votime mbete e ulët. Partitë shqiptare në raundin e dytë konkurrojnë në: Tetovë, Gostivar, Strugë, Çair, Haraçinë, Vrapçishte, Tearcë.

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e Bardhit për Olsi Ramën, Kryeministri Rama: Kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, iu është shitur si sapun për djathë italianëve

Akuzat e Bardhit për Olsi Ramën, Kryeministri Rama: Kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, iu është shitur si sapun për djathë italianëve