Mark Gjomarku: Ja si do ta
çlirojmë Shqipërinë nga komunistët

Mark Gjomarku: Ja si do ta<br />çlirojmë Shqipërinë nga komunistët
Pjesa e tretë
 
(Vijon nga dje)
Qëndresa luftarake në fund të dhjetorit 1944 – janar 1945 kundër operacioneve pushtuese dhe vendosjes së pushtetit komunist, bëhej në territoret e Malësisë së Madhe të udhëhequra nga Llesh Marashi e Prek Cali.
Beteja të ashpra u zhvilluan në Luginën e Cemit, pranë Tamarës ku forcat partizane pësuan shumë humbje. Ndërsa më 22 janar 1945 kur Dedë Shabani e Hasan Isufi u goditën e pësuan disfatë gjatë lëvizjes nga Lezha për të sulmuar Shkodrën, njësitë luftarake të komanduara prej Llesh Marashit në Bajzë Kastratit përplasen furishëm me njësitë partizane.

Këtu u vra dhe komandanti partizan ndërsa njësitë partizane të sulmuara nga të gjitha anët prej popullit u tërhoqën shpejt. Forcat partizane të Brigadës XXIV-S, të ndodhura në panik, lëshuan dhe Koplikun. Pasi u fut në Koplik, Llesh Marashi tha: “Sonte do të hyjmë në Shkodër, se kemi forca të mëdha, Hasan Isufi do të sulmojë nga Bushati dhe Jup Kazazi nga Postriba, çohuni për të marrë fuqinë se .. anglezët zbarkojnë sa të sulmojmë...”.

Megjithatë, rigrupimi i forcave partizane i bëri ballë inkursionit të forcave antikomuniste drejt Shkodrës. Më 23 janar disa kompani partizane u ndeshën tek Ura e Rrjollit duke  u shkaktuar humbje këtyre forcave dhe duke i zmbrapsur ato. Kështu Llesh Marashi, tani përballë forcave të shumta partizane u detyrua të linte dhe Koplikun dhe të tërhiqej në thellësi të maleve, në Kelmend, për t’u organizuar dhe për të vepruar përsëri. Në krye të rezistencës në atë krahinë kaloi bajraktari Prenk Cali, i cili kishte dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e kufijve në veri të Shqipërisë (pas Luftës së Parë Botërore).

Në një situatë të tillë në veri të vendit kur forcat antikomuniste, megjithëse jo të koordinuara mirë, po u rezistonin me sukses njësive luftarake partizane, më 21 janar 1945 doli urdhri nga Komanda e Korparmatës III, dhe iu dërgua për zbatim Divizionit II dhe VIII me qendër në Shkodër e Peshkopi. Objektivi ishte:
“... Divizioni II (Brigada I, XXIII, XXIV) duke vepruar në veri të lumit Drin, urdhërohej që të kishte si objektiv kryesor Vermoshin e fshatrat përreth, të godiste e të asgjësonte në mënyrë të rrufeshme Prenk Calin dhe çdo rezistencë tjetër të armikut në Vermosh.

Divizioni VIII (Brigada XVII, XVIII, XXVII) urdhërohej të operonte në zonat Kthellë, Mirditë, Selitë, Pukë, Lurë, Mat, Lumë, Peshkopi, Kala e Dodës, Bicaj e Kukës dhe të asgjësonte forcat reaksionare në Lumë e Mirditë”.
Këto dy divizione, me nga 3 brigada secila, pothuajse me të njëjtat kapacitete që kishin Divizioni VI dhe Divizioni V që luftonin kundër nazi-fashizmit për të çliruar viset e Jugosllavisë, ishin urdhëruar të luftonin dhe të nënshtronin shqiptarët, trevat e të cilëve nuk pranonin vendosjen e pushtetit komunist.
 
 Mark Gjomarku udhëheqës dhe komandant i luftës kundër “Pushtimit”. “Komiteti Kombëtar i Maleve”
Disfatat që pësuan grupet nacionaliste përballë sulmeve të brigadave të divizioneve partizane, që kërkonin me çdo kusht vendosjen e pushtetit komunist në trevat e lartpërmendura, vinin për shkak të një organizimi dhe koordinimi mes këtyre grupeve luftarake. Nga ana tjetër njësitë luftarake të komanduara e të udhëhequra prej PKSH ishin më të koordinuara, kishin një epërsi të madhe numerike forcash, si dhe në pikëpamjen strategjike kishin pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë, si dhe ishin të mbështetur dhe koordinonin veprimet edhe me shërbimet ushtarake e inteligjente të shtetit komunist jugosllav që po konsolidohej gjithnjë e më tepër.

Në këto rrethana, kur forcat antikomuniste izoloheshin akoma më shumë dhe “dara” e veprimeve ushtarake shtrëngohej gjithnjë e më shumë, lindi si domosdoshmëri koordinimi dhe bashkëpunimi më i madh i grupeve të rezistencës antikomuniste për t’i bërë ballë intervenimit partizan.

Kurse ndërrimi i taktikës që e përmendëm më sipër, nga luftë frontale në shpërndarjen e ushtrisë së Mark Gjomarkut, për t’u riorganizuar në çeta sipas krahinave e bënte të domosdoshëm krijimin e një shtabi qendror koordinues,  organizues dhe komandues të lëvizjes antikomuniste në vend.
Në këto kushte, me iniciativën dhe nën drejtimin e Mark Gjomarkut, me përkrahjen e komandantëve nacionalistë të pamposhtur, u formua në Mirditë, në mars 1945 “Komiteti Kombëtar i Maleve”.

Në lidhje me këtë ngjarje, organizimin e Komitetit, drejtuesit e tij etj., në literaturën komuniste të kohës shkruhej:
“Në kushtet kur mbeturinat e bandave tradhtare kishin pësuar goditje të rënda dhe humbje të mëdha njerëzore e materiale, kur forcat e Korparmatës III, nën udhëheqjen e Partisë zhvillonin operacione të ashpra për “shfarosjen kryekëput të reaksionit”, kriminelët kryesorë të luftës që ende nuk ishin asgjësuar si Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari, Prengë Përvizi, Prenk Cali e Llesh Marashi, Pashuk Miraka, Fiqiri Dine, Hysni Dema, me qëllim që të dilnin nga gjendja e rëndë e të organizoheshin, u mblodhën në shkurt të vitit 1945 në malet e Mirditës formuan “Komitetin e Maleve” ...

Në krye të këtij komiteti që kishte si qëllim të bashkonte gjithë nacionalistët shqiptarë të veriut luftonin kundër pushtetit të demokracisë popullore, qëndronte Mark Gjomarku dhe 9 nën/kryetarë të cilët, - sipas Mark Dodanit, - ishin: Bajraktari i Lumës Muharrem Bajraktar, ish-kapiteni zogist dhe eksponent i Legalitetit në Mat Bilal Kola, përfaqësuesi i Dibrës bajraktari Dan Kaloshi, Pashuk Biba i Pukës, Prengë Përvizi i Kurbinit etj. Në lidhje të ngushtë me Komitetin e Maleve u vu dhe kleri katolik i veriut, i cili të gjitha kishat i ktheu në baza të të arratisurve që luftonin me pushkë në dorë kundër komunizmit”.


Ndërsa Nikoll Mëlyshi, një nga drejtuesit e këtij Komiteti dëshmon duke na dhënë një panoramë mjaft të plotë:
“Në marsin e vitit 1945 Mark Gjomarku formoi Komitetin Qendror të Mirditës ...
Në muajin shtator 1945, Mark Gjomarku i bani një thirrje të gjithë krahinave të veriut, ku më dt. 15 shtator 1945 u ba mbledhja në vendin e caktuem, në bjeshkën e Zepës së Fanit të Mirditës. Mbledhja u kryesua nga Mark Gjomarku. Merrshin pjesë:

Muharrem Bajraktari me 150 luftëtarë, Preng Gjergj Keqi e Ali Gjoci me 30 vetë, Bilal Kola e Kurt Sul Kurti me 40 vetë; Mark Gjomarku me 100 vetë etj. Në këtë mbledhje, për shkak të ndjekjeve dhe mungesës së ndërlidhjeve, mungonin: Dibra, Elbasani, Kruja, Puka, Dukagjini dhe Kelmendi ... U bisedua dhe u vendos që të hynin në lidhje me çetat kosovare për një bashkëveprim, të cilat qarkullonin me shumicë të madhe në rrethet e Gjakovës dhe të Prizrenit. Këto ishin deri diku në kontakt me Muharrem Bajraktarin dhe Pashuk Mirakën. Ishte e domosdoshme lidhja e bashkëveprimi me çetat e Elbasanit, Alushin, Biçakun, Blloshmin etj., pastaj në Krujë, Pukë, Dukagjin e Kelmend ...
Më 27 e 28 tetor 1945, u ba mbledhja po në Mirditë, në bjeshkët e Qamit, ku morën pjesë përfaqësuesit antikomunistë të të gjithë krahinave që ishin ftue, me përjashtim të dibranëve, matjanëve dhe të Elbasanit, sepse kishin ra në përpjekje me komunistët ...

N’atë mbledhje u bashkuan fuqitë e delegatëve të Mirditës; të Lumës e të Hasit të Thatë; si Muharrem Bajraktari dhe Mehmet Bajraktari i bashkuem me delegatët e Kosovës, Adem Ali Pozhari, Mehmet Ago Roshkoci e Pashuk Bib Mirakaj; Ymer Bardhoshi e Mark Malaj; Gjon Dostanishta; me pukas, dukagjinas e të Malësisë së Madhe. Luftëtarët e lirisë kaluan 48 orë bashkë, duke bisedu me urti e besim problemet kritike që kishin rrethue popullin tonë. Bisedat qenë shoshitje për të mujtë me hjekë prangat e tiranisë së kuqe nga fyti i shtrënguem i popullit shqiptar.


Gjithë populli i Shqipnisë së Veriut ishte ba i ndërgjegjshëm me u hedh në luftë, vetëm se ishte në pritje të nji urdhri nga Kryetari i të arratisunve...
U morën shumë vendime, por jo si ai i shpërthimit të një revolucioni të shpejtë, për shkak të mungesës së Dibrës, Matit e Elbasanit, por mbi të gjitha për shkak të mungesës së kryetarit Mark Gjomarku sepse pati qenë shumë i sëmurë.

Kjo qe arsyeja që u la një mbledhje tjetër më 15 prill të vitit 1946, në bjeshkën e Zepës të Mirditës. Mjerisht edhe ajo mbledhje dështoi sepse Mark Gjomarku më 13 prill 1946, tue udhtue me shkue në mbledhje me 65 luftëtarë, në katundin Domgjon të Fanit ka ra në luftë me komunistat ... Mark Gjomarkut nuk iu da lufta për tre ditë me radhë, kështu nuk mujti me shkue në mbledhje në vendin e caktuem ... Me gjithë që ndërlidhja dhe bindja për nji luftë të përbashkët ishte duke u realizua në të gjitha krahinat e veriut dhe të Shqipnisë së mesme, mjerisht turmat e forta e të shumta të brigadave speciale të komunistave në ndjekje të luftrave, kishin paralizue të gjitha mbledhjet e krahinave ...

Në marrëveshjen që bani Mark Gjomarku me parinë e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës në akord edhe me krahinat e tjera  të Shqipërisë së Veriut u vendos që Komiteti Qendror të transferohej nga Mirdita në Shkodër, me emnin Organizata Bashkimi (me pseudonime emrash e zyra të pa përcaktuara) ... Mbas përcaktimit të Komitetit Qendror në Shkodër, Nënkomiteti Krahinor i Mirditës mori emrin Lidhja Kombëtare e Maleve ... Në Mirditë, në këtë kohë qarkullojshin: 530 luftëtarë të vendosun, të nda me çeta prej 5 deri në 10 veta bashkë ...

Qeveria e Tiranës posa u stabilizue, formoi brigadat speciale të ndjekjes, me partizanë, të gjithë me rroga mujore dhe nis për Mirditë tre brigada me nga 1 500 veta çdo brigadë, në ndjekje të luftëtarëve mirditas. Populli i ndihmonte luftëtarët dhe i strehonte dhe nuk trembej aspak nga torturat e mjerimet dhe pushkatimet e përditshme që bajshin partizanët në çdo katund. Por populli kishte lidhur besë dhe ishin bashkuar me luftëtarët 12 000 burra prej 12 bajrakëve të Mirditës, që ishin n’organizim e sipër për me kapë armët dhe me u hedhë në revolucionin antikomunist.


Pasi u vendos Komiteti Qendror në Shkodër, Mark Gjomarku bëri një projekt-statut me disa pika programatike e rregullimtare që i përshtateshin popullit t’atyne krahinave ... Ky projekt-statut kishte për bazë vullnetin e popullit dhe ishte përpilu e nënshkru prej Mark Gjomarkut dhe dy anëtarëve të shtrenjtë të shtabit të tij: Ndrec Lufit e Nikoll Mëlyshit”.
Në fakt ky dokument përbëhet nga disa pika, me anë të të cilave ne mësojmë dhe frymën programore të kësaj organizate politiko-luftarake. Qëllimi i projekt-statutit ishte:
1 – Me përsërit lidhjen e besës së mëparshme të zakonit e të burrnisë në mes të luftërave njeni me tjetrin, që të mos bëhet hakmarrje derisa të jemi në luftë kundra komunizmit.

2 – Një besëlidhje të shtrenjtë e të pa hile në mes të luftëtarëve të lirisë dhe të popullit (Itifak të përgjithshëm) që asnjë luftëtar të mos mundet me vra ndokënd në popull për hakmarrjet e vjetra e ngatërresa personale, përveç spiunëve që vriten me nënshkrim të kryetarit të organizatës. Kështu që populli të jetë i siguruar dhe i pa frikë me ndihmu luftëtarët e lirisë.

3 – Me i dhënë me kuptue popullit dhe komunistave, se ne qëndrojmë në malet e Shqipërisë me armë në dorë, për një të drejtë që i është mohuar popullit dhe i është grabitur liria, nderi dhe pasuria. Luftëtarët nuk janë kriminelë me vra e me grabit popullin e pafajshëm, ashtu si vret Partia Komuniste, pa procese, pa gjykime, veç e mbështet me shpatulla për lisi dhe ia fut pushkën brinjëve, pa kurrfarë faji e arsyeje.

4 – Me lidh besën sipas traditave shqiptare, me të gjitha krahinat e rrymat politike të Shqipërisë, pa dallim feje e krahine, për krijimin e një fronti të përbashkët.

5 – Me sakrifikue të gjitha energjitë morale e materiale, për bashkimin dhe forcimin e frontit antikomunist, për të mos lejuar që komunizmi të grabisë të drejtat njerëzore dhe të shkombëtarizojë popullin shqiptar.

6 – Me fillu një ofensivë të vendosur e të përbashkët kundra Tiranës dhe mbasi të jetë çliruar të formohet një qeveri e përkohshme, për t’i dhënë kohë popullit të përgatitet me zgjedh me votë të lirë formën e regjimit, duke përjashtu nga ligji i zgjedhjeve Partinë Komuniste.

Për aktivitetin e mëtejshëm të Lidhjes Kombëtare të Maleve ish-drejtuesi Nikoll Mëlyshi më tej dëshmon:
“Më 6 maj 1946, u ba nji mbledhje e madhe historike, me përfaqësi nga krahina të tjera. Pothuajse ajo mbledhje pati formën e nji Kongresi të Lidhjes Kombëtare të Maleve. Mbledhja u ba në pyllën e dendur të Rrasës së Bardhë, Rrëshen-Kthellë, në të cilën kishin ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë së Veriut përfaqësues e të deleguem antikomunistë. Përveç 450 luftëtarëve të malit, morë pjesë edhe 500 burra të Kthellës e Mirditës, ku sejcili kishte pru torbat me bukë e djathë për delegatët e krahinave të tjera.

... Kuvendin e kryesoi dr. Mark Gjomarku, i cili parashtroi pa rezerva popullit, pikat e projekt-statutit ... të Besëlidhjes Kombëtare të Maleve. Njoftoi aderuesit n’at mbledhje formimin e një Shtabi të Përgjithshëm dhe përgatitjen e nji organizimi luftarak për t’u hedhë populli në luftën antikomuniste.

Shtabi i Përgjithshëm plotësohej më tepër prej oficerësh të ushtrisë së mëparshme e që ishin luftëtar mali. Ky shtab përmbante dy këshilla:
a) Këshillin e shtrejtë Ekzekutiv me tre drejtues:
1 – Kryetari i Përgjithshëm dr. Mark Gjomarku me pseudonimin “Vala e Drinit”.
2 – Anëtar ushtarak ish-kapiten i klasit I, Nikoll Mëlyshi, me pseudonimin “Vala e Fanit”.
3 – Anëtar politik ish-kapitenin kreshnik, Ndrec Shkurt Lufi me pseudonimin “Vala e Matit”.
b) Këshilli i gjanë Konsultativ, përbëhej prej gjithë oficerave që ishin anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, me detyra të veçanta...”.

Dokumenti u firmos nga përfaqësuesit pjesëmarrës të krahinave.
Mbledhja, në përfundim të saj caktoi mbledhjen e dytë të përgjithshme, më 20 maj të vitit 1946 në Valt të Perlatit të Kthellës. Ndërsa krahina e Mirditës caktoi para kësaj date, më 12 maj një mbledhje paraprake si vend organizator i kryengritjes që ishte. Në këtë mbledhje u morën disa vendime:

1 – “Forma e përshëndetjes në mes të luftëtarëve dhe popullit do të ishte: “Poshtë Komunizmi”, “Rroftë Shqipnia”.

2 – U caktua një organikë ushtarake e fillimit të revolucionit, prej 12 000 vetash, vullnetarë prej 12 bajrakëve të Mirditës, tue plotësue kuadrot e duke formu skuadra, batalione, sipas bajraqeve me kuadrot e oficerat e nënoficerat e ushtarët e vet. Prej 500 luftëtarësh të malit gjindeshin oficera e kuadro të zot të karrierës që i shërbejnë shumë çështjes organizative të Shtabit të Përgjithshëm për të vënë në funksion të strukturave luftarake gjithë këtë popull.

3 – Përveç tre anëtarëve që përbënin shtabin, u caktuan pranë Shtabit për nevoja urgjente edhe këta oficera: Kapiten I Nikoll Preng Gjomarkaj, kapiten Nikoll Përdeda, Kapiten Islam Daci, Kapiten Mark Dod Gjini, Kapiten Gjon Mëhilli, Toger Kol Bajraktari etj.
Pranë seksionit politik: Ish-nënprefekt Pjetër Llesh Gjoni, ish-kryetar komune Mark Bajraktari.

4 – Çdo vendim pas asaj mbledhje, do të kryesohej e do të nënshkruhej prej Kryetarit të Organizatës dhe prej dy anëtarëve të Shtabit, me pseudonime.
Mbledhja përfundoi duke porositur luftëtarët që të mos mungonin në mbledhjen e dt. 20 maj 1946, si dhe u caktuen njerëzit e posaçëm për thirrjen e përfaqësuesve të Lumës, Dibrës dhe të Kosovës...
Në mbledhjen e përgjithshme të dt. 20 maj morën pjesë pothuajse të gjithë të arratisunit e Mirditës, mjerisht munguan ata të të gjith krahinave të tjera, nga shkaku i forcave komuniste që kishin fillue ndjekjet në stil të gjanë, sidomos në zonën e Mirditës”.
 
 (Vijon nesër)
Autori është historian dhe drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit. Studimi është shkëputur nga vepra e tij “Antologji Historike”
 
 Shkrimi u publikua sot (27.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës