Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti: Zbatimi duhet të niste që dje, ndërkombëtarët të dënojnë Beogradin

Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti: Zbatimi duhet të niste që dje, ndërkombëtarët të dënojnë Beogradin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se plani i zbatimit të marrëveshjes së panënshkruar me Serbinë, do duhej të kishte nisur që nga dita e djeshme. Kurti tha se për këtë sjellje, Serbia duhet të dënohet nga faktorët ndërkomëtarë.

Sipas tij, pikat e dakordësuara në Ohër për të cilat nuk pati nënshkrim, janë marrëveshje dhe si të tilla duhet të zbatohen nga Serbia, që sipas tij, deklaron vazhdimisht se nuk do të zbatojë asgjë për të cilën është dakordësuar më herët.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë”, u shpreh Kurti.

Në 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Ndërmjetësues të takimit ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Marrëveshja e dakordësuar por e pafirmosur

Në faqen zyrtare të BE-se është publikuar edhe dokumenti i Aneksit të Implementimit të propozimit franko-gjerman.  Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse - që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi - në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues. Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Riorganizimi i PD, kur duhet të mbahen zgjedhjet per kryetarin e ri?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Kievi: Goditet një digë, rrezik përmbytjeje! Zelensky mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Lufta/ Kievi: Goditet një digë, rrezik përmbytjeje! Zelensky mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare