Marrja e mendve, si
mund ta kontrollojmë

Marrja e mendve, si<br />mund ta kontrollojmë
TIRANE - Çdo ditë shohim dhe dëgjojmë njerëz që ankohen nga marrja e mendve. Por çfarë është marrja e mendve, një sëmundje psikologjike apo një sindromë që shkaktohet nga një sëmundje tjetër? Për gjithçka që ka të bëjë me këtë lloj sindromi që na shoqëron shpesh në jetën e përditshme, flet neurologu Agron Islami, mjek pranë poliklinikës së Specialiteteve nr.3

Çfarë është marrja e mendve?
Marrja e mendve është një lloj sindromi, ose një lloj shqetësimi që ka të bëjë me lëvizjen e objekteve ose me pasigurinë tonë në vetvete.

Sa lloj marrje mendsh kemi? 
Kemi marrje mendsh që quhet e brendshme dhe marrje mendsh të jashtme. Marrjet e mendve të brendshme janë ato që duket sikur trupi jonë lëviz në hapësirë, kjo është marrja e mendve subjektive. Kemi edhe marrje mendsh që shkaktohet, nga tumoret e kokës, por këto janë raste shumë,  shumë të rralla.

Shkaqet e marrjes së mendve?
Shkaqet e marrjes së mendve janë nga më të ndryshmet. Marrja e mendve që ka të bëjë me lëvizjen e objekteve. Mund të vijë si rezultat i tensionit të lartë, por edhe me uljen e tensionit. Marrja e mendve mund të shkaktohet edhe nga spondiliantroza e qafës. Spondiliantroza e qafës është një shfaqje reumatizmale në nivelin e rruazave të qafës. Pra, janë disa zgjatime reumatizmale këto përbëjnë spondiliantrozë. Gjithashtu, marrjet e mendve që janë si rezultat i organizmit mund të provokohen edhe nga sëmundje e veshit.

Po, kështu edhe disa sëmundje të sistemit nervor, prekja e disa formacioneve të trurit provokojnë marrjen e mendve. Kur kemi marrje mendsh që lidhen me organizmin, p.sh me veshin këto shoqërohen edhe me lëvizje të bebeve të syrit në disa plane, në planin horizontal, ose në planin vertikal. Po, kështu kemi edhe marrjen e mendve që shkaktohet nga spondiliantroza, edhe në këtë rast kemi rrotullimin e objekteve.

Por, përveç rrotullimit të objekteve këto marrje mendsh mund të shoqërohen edhe me të vjella. Kjo si rezultat i ndryshimit të pozicionit dhe të presionit në kockat e veshit. Pra janë dy faktorë, faktori i shtypjes së enëve të gjakut  në këtë sektor dhe njëkohësisht shtimi i presionit të lëngut në brendësi të veshit ose të kanaleve gjysmë  rrethore. Përveç kësaj edhe ulja dhe ngritja e tensionit, në praktikën e përditshme provokon marrje mendsh.

Cilat janë shenjat e marrjes se mendve të brendshme?
Ndryshe ndodh me marrjen e mendve të brendshme, që kanë të bëjnë me lodhjen e sistemit nervor ose me streset. Në këto raste njerëzit kanë  një pasiguri në vetvete dhe duket sikur janë në një anije që ecën në mes të detit në mes të dallgëve.

Si i dallojmë?
Ne i dallojmë në këtë mënyrë, marrja e mendve që lidhjen me organikën, pra me sëmundjet e enëve të gjakut, me spondiliantrozë, me veshin e brendshëm ose uljen dhe ngritjen e tensionit, këto zakonisht shoqërohen edhe me lëvizjen e bebes së syrit, dhe kanë të vjella dhe të përziera. Gjë që nuk ndodh me marrjen e mendve që vjen si rezultat i dobësimit të sistemit nervor.

Këto lloj marrje mendsh shoqërohen zakonisht me simptoma subjektive, pasi këta persona kanë frenim të sistemit nervor dhe dëmtim të tij. Kjo mund të shoqërohet me mungesë përqendrimi, çrregullime të ritmit të gjumit, mund të shoqërohen me prishje të oreksit. Gjë që ne si specialistë i diferencojmë dhe i dallojmë.

Është psikologjike marrja e mendve?
Marrja e mendve të karakterit subjektiv janë psikologjike. Në situata të veçanta, si në raste stresi provokohen marrje të mendve.

Si trajtohet marrja e mendve të karakterit subjektiv?
Marrja e mendve të karakterit subjektiv, ose nervor në këto raste krahas preparateve që është kundra marrjes së mendve ne i japim edhe qetësues të sistemit nervor dhe kjo varet nga shkalla e stresit dhe kësaj dobësie nervore.

Cilën grupmoshë prek më tepër marrja e mendve?
Përsa i përket grupmoshës, marrjet e mendve të karakterit subjektiv prekin të gjitha grupmoshat, si moshat e reja edhe moshat produktive  të cilat janë 35-50 vjeç. Ndërsa, përsa i përket marrjes së mendve të karakterit organik që lidhen me ndonjë sëmundje, mund të jenë të një moshë më të madhe, si spondiliantroza e cila mund të prekë mbi moshën 45 vjeçare, por asnjëherë nuk kanë kufi të prerë së është gjithmonë në varësi të shkaqeve.

Kë prek më shumë meshkujt apo femrat?
Njësoj preken të dy sekset.

A ndikojnë stinët në marrjen e mendve?
Po, stinët më problematike janë pranvera dhe dimri. Kjo sepse ndryshimet atmosferike janë shumë të mëdha në këto periudha. Ndikimi i orëve biologjike dhe në kohë të caktuar në orare të caktuara, në intervale kohore të caktuar, sjellin ndryshime të mëdha, qoftë kjo në madhësinë e enëve të gjakut, qoftë edhe këto lagështira ndikojnë në shkaqet që çojnë në marrjen e mendve.

Kafja si ndikon në marrjen e mendve?
Personave që vuajnë nga marrja e mendve u rekomandojnë të shmangin përdorimin e kafesë, çajit, çajit të malit, kakaos, kjo për arsyen sepse të gjitha këto produkte ngrenë tensionin. Japin ngushtim të enëve të gjakut, dhe kjo bën ngritjen e tensionit që shkakton marrjen e mendve. Pra, ndikojnë në madhësinë dhe kalibrin e enëve të gjakut, prandaj edhe ne nuk jua rekomandojmë këto produkte këtyre personave.

Produkte të tjera që shkaktojnë marrjen e mendve?
Produkte të tjera janë, shtimi i yndyrnave, apo ngrënia e ushqimeve me yndyrë. Shkakton rritjen e tensionit, gjë që çon në marrjen e mendve.

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi marrje mendsh, dhe ende nuk kemi shkuar te mjeku ?
Personi që ka këto marrje mendsh, nëse i ka për herë të parë është mirë që në farmacinë më të afërt të marrë një preparat që është kundër marrjes së mendve si bretaseku, ose mund të marrë vitaminën B6, që menjëherë e qetëson nga marrja e mendve. Pastaj, mirë është që të drejtohet te mjeku për ekzaminimin e mëvonshëm.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon