Marshimi i shpresave të lagura… nga Perëndimi

Marshimi i shpresave të lagura… nga Perëndimi

Lulzim Basha

Ndryshe nga çfarë pritej dhe nga çfarë po përpiqej të krijonte me profilin e tij të ri, Lulzim Basha u kompleksua nga Perëndimi. Deklaratat e rënda të SHBA, Bashkimit Europian, OSBE dhe dhjetra ambasadorëve Perëndimorë në Tiranë, që përmendin dhe me emër Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, transformuan brenda një ore njeriun që filloi të bënte të fortin me Perëndimin.

Një ditë më parë në konferencën e tij për shtyp, Lulzim Basha ishte treguar cinik deri në neveri me kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE në Tiranë, duke u përpjekur të dëgjonte me kënaqësi perverse, kërcënimin që një bandit i tij kishte bërë në muret e banesës së ambasadorit.

Pas reagimit të ashpër ndërkombëtar, ai nxitoi të nxirrte Gazmend Bardhin të distancohej nga dhuna ndaj ambasadorit, biles dhe nga dhuna në protestë, dhe të premtonte se nuk do të kishte bomba “Molotov” në protestën e sotme. Dhe çudia ndodhi, për të na treguar të gjithëve se kush i komandon molotovët.

Por ajo që ishte më e dukshme, ishte fjalimi i Bashës në bulevard, i gjithë kundër dhunës dhe e gjitha një përpjekje për të qenë ai viktimë e dhunës, dhe jo autor i dhunës.

Por ndryshe nga Basha, i cili duket se reagoi nën presion nga deklaratat e ashpra të Perëndimit, enturazhi i shtypit që frymëzon qëndrimet e Bashës, nuk ishte i përgatitur për “ndryshimin” e menjëhershëm të Bashës dhe vazhdonin sulmin ndaj Perëndimit.

Fatos Lubonja, që foli në TV pak para Bashës, i konsideroi deklaratat e SHBA- OSBE dhe diplomatëve të tjerë, si deklarata të ortakëve të mafias qeveritare në Shqipëri, duke qenë kështu, i ndershëm në përpjekjet për të mbrojtur Lulzim Bashën, që ishte njeriu më i sulmuar i tyre.

Problemi ishte se ndërkohë që të gjithë mbështetësit e Bashës po përpiqeshin të mbronin Bashën nga Perëndimi, Basha ishte duke i kërkuar ndjesë Perëndimit.

Eklektizmi i Bashës dhe ndjeshmëria e tij nga presioni Perëndimor, është në të vërtetë ajo që e bën të pabesueshëm dhe të paqëndrueshëm “revolucionin” e Lulzim Bashës.

Njësoj si më 2017, kur justifikoi marrëveshjen me Ramën me presionin ndërkombëtar, ai sot reagoi aq fort dhe aq shpejt dhe me përulje ndaj Perëndimit, sa dukej sikur në fund të fjalimit, ishte duke thënë, “eja të ulemi për atë dreq pazari”.

Nuk është e këshillueshme që një parti e madhe si PD të marrë një profil kaq anti-Perëndimor, pasi ajo vetë është një parti me elektorat pro-Perëndimor.

Nuk është as serioze që një parti pretendente për pushtet, të ketë objekt sulmi përditë diplomatët e Perëndimit dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian.

Është dhe më e pështirë, që në verbërinë e sulmeve ndaj tyre, të ketë më shumë fantazi seksuale, se sa fantazi politike, duke i përfytyruar gjithë perëndimorët si manjakë seksualë, që duan të bëjnë seks me femra apo meshkuj shqiptarë, përveç atyre të PD dhe LSI.

Por Lulzim Basha e zgjodhi vetë këtë rrugë kundër Perëndimit, i diktuar nga Sali Berisha dhe hallet e tij familjare me Perëndimin dhe reformën në drejtësi.

Partia Demokratike nuk kishte ndonjë problem me Perëndimin deri në janar, kur Berisha dhe djali tij humbën shpresat nga SHBA, dhe panë që reforma në drejtësi këtu po përparonte.

Pas kësaj, u dha kushtrimi për të djegur mandatet dhe për të dalë në rrugë edhe kundër Perëndimit, nën teorinë e “Konspiracionit të madh kundër Perëndimit”.

Baza e konspiracionit është që këta perëndimorët që përfaqësojnë Perëndimin, janë të shitur tek “Sorosi” dhe do vijë një rend i ri botëror që do jetë me PD. Idiotësi e madhe dhe qesharake ishte, por të gjithë menduam se më në fund Basha vendosi të bëhej kamikaz dhe ta përfaqësonte këtë marrëzi.

Këto shenjat e lëkundjes sot nuk janë të mira për të. Jo se ne e duam anti-Perëndimor, por se ashtu e do Berisha.

Kështu një ditë kundër Perëndimit, një ditë pro, kam frikë se do ta lënë në baltë dhe gazetarët që po e frymëzojnë të bëhet një herë burrë kundër SHBA.

Marshimi i sotëm ishte një marshim i shpresave të lagura, jo aq shumë nga shiu, sa sa nga ajo që Basha ndjente poshtë potureve të tij, duke lexuar njëra pas tjetrës sulmet e ardhura nga Perëndimi.

Aq mban njeriu, mos i bini më qafë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Akrobatët performancë te Amfiteatri: Të ndërtohet Cirku i ri, stërvitemi në kushte skandaloze

Akrobatët performancë te Amfiteatri: Të ndërtohet Cirku i ri, stërvitemi në kushte skandaloze