Masakra e Peshkëpisë niset letërporosi zyrtare në Greqi: Na jepni informacion

Masakra e Peshkëpisë niset letërporosi zyrtare në Greqi: Na jepni informacion

Dy ofticerët e vrarë në Peshkëpi

Zbardhja e autorëve të masakrës së Peshkëpisë të ndodhur në 10 prill 1994 në Gjirokastër, ka sjellë dërgimin e një letërporosie në drejtim të Greqisë, ku i kërkohet këtij shteti informacion për personat e arrestuar në vitin 1995 në afërsi të Janinës. Prokurorët e Krimeve të Rënda tre ditë më parë ju drejtuan gjykatës me kërkesën për dërgimin e një letërporosie në Greqi, ku autoriteteve greke u është kërkuar bashkëpunim dhe i kanë lënë një sërë detyrash për ti kryer. Gjykata ka pranuar kërkesën dhe tashmë, i gjithë materiali i prokurorisë është transferuar në ministrinë e Drejtësisë për përkthim në gjuhën greke, ku dhe mandej do i dërgohet ministrisë së Drejtësisë Greke.

Nëpërmjet kësaj letërporosi prokuroria do kërkojë informacion nga autoritetet Greke, lidhur me personat e arrestuar në datë 19 Mars 1995 në Greqi, të cilëve ju janë kapur armë e municione. Njëherësh kërkohen emra e plotë të këtyre personave, sasia e armëve dhe municionit, tipi, lloji si dhe numrat serialë të tyre, të sekuestruar në Greqi. Gjithashtu do kërkohet verifikimi i këtyre personave mbi aktivitetin e tyre në Greqi dhe se ku ndodhen aktualisht me qëllim pyetjen e tyre lidhur me ngjarjen e Pëshkëpisë. Nga përgjigjia që autoritet shqiptare do marrin nga pala Greke, varet shumë dhe fati i hetimeve i kësaj çështje.Kjo letërporosi do jetë dhe një gur prove i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve për sa i përket fushës së ndërsjelltë juridike.

Arrestimi i komandos në Greqi

Pikërisht në 19 mars 1995 në Greqi janë arrestuar anëtarët e komandos terroriste “Piro i Parë” Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke, Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor, Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik. Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë. Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim–shkarkimi dhe Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, vëllai i Harallamb Papas. Bashkë me ta janë sekuestruar dhe armët automatike të rrëmbyera në kasafortën e repartit të Peshkëpisë.

Sulmi në dy postat kufitare

Të gjithë këta persona janë arrestuar në Greqi pikërisht ditën kur kanë bërë një sulm të dytë, në postën kufitare shqiptare në Llongo, i cili u zbras nga ushtria Shqiptare, që këtë herë ishte e armatosur. Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando special e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Gjatë sulmit komandoja terroriste mori peng dhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar Qemal Stroka, i cili më pas u la i lirë në kufi. Gjatë rrugës ndaj Strokës është ushtruar dhunë fizike çka solli dhe tronditjen e fortë psiqike.

Gjatë largimit komando greke mori me vete edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komando, me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës. Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë shpejtuan t’i jepnin ndihmën e parë shokut të tyre Arsen Gjini dhe komandantit Fatmir Shehu, por gjithçka ishte e kotë. Komando e frontit për çlirimin e Vorio Epirit ia kishte arritur qëllimit.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Barcelona 'prezanton' epokën Xavi 2, Laporta: Ekipi ka nevojë për stabilitet! Trajneri: Kemi harmoni me presidentin dhe Decon

Barcelona 'prezanton' epokën Xavi 2, Laporta: Ekipi ka nevojë për stabilitet! Trajneri: Kemi harmoni me presidentin dhe Decon