Masat e Bankës së Shqipërisë frenuan kreditë me probleme, Gent Sejko: Ekonomia shënon kthesë në 2021-shin! Të fokusohemi te ulja e borxhit publik

Vaksinimi, lehtësimi i masave kundër virusit si dhe pritshmëritë për një sezon të suksesshëm turistik, sipas Bankës së Shqipërisë janë indikatorët kryesor që do të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.

“Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të lëvizë në një trajektore rritëse në afatin e mesëm e të gjatë, i mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit, nga reduktimi i pasigurive, si dhe nga rikuperimi progresiv i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Ne presim një sezon turistik më të suksesshme se vitin e kaluar, padyshim edhe prej vaksinimit, dhe në rast se kemi edhe ulje të masave sigurisht që edhe ekonomia shqiptare do të performojë mirë, dhe ne parashikojmë rritje rreth 5% jemi pak më konservativ se parashikimet e ndërkombëtarëve dhe të institucioneve vendase”, u shprehe Sejko.

I pranishëm në komisionin e Ekonomisë për të prezantuar raportin vjetor të bankës qendrore, guvernatori Gent Sejko u shpreh se falë masave të ndërmarra u frenua një recesion i thellë ekonomik.

“Ne vlerësojmë se masat e marra kanë qenë efektive, duke mbështetur ekonominë në disa drejtime. Po ashtu, mbi 23,000 biznese e familje me kredi në vlerën e rreth 200 miliardë lekëve, përfituan nga moratoriumi i pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimi i kredive ekzistuese. Masat e marra prej Bankës së Shqipërisë për të ndihmuar bankat në trajtimin e kredive të kredimarrësve në vështirësi të përkohshme financiare dhe për ristrukturimet e kredive, krijuan hapësira për stabilizimin e nivelit të përgjithshëm të kredive me probleme, ndaj Banka e Shqipërisë mbetet veçanërisht e kujdesshme në monitorimin e këtij treguesi’, tha guvernatori.

Ndërkohë Sejko tha se duhet treguar kujdes me borxhin publik.

Më tej, prioriteti i politikave duhet të zhvendoset drejt shëndoshjes së balancave ekonomike, e në veçanti drejt reduktimit të 7 borxhit publik dhe krijimit të hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të tjera në të ardhmen

Guvernatori foli edhe për ndryshimin e rregullores për normat e interesit për kreditë konsumatore duke vendosur një tavan për to. Sipas tij vendimi është ndërmarrë edhe si pasojë e ankesave të bëra nga qytetarët.

“Po bëjmë një rishikim rregullator lidhur me normat e interesit si dhe me interes vonesat që këto institucione vendosin për klientët e tyre, sigurisht këto institucione operojnë në zona të vështira, kanë nivel të lartë risku dhe kanë norma më të larta interesi. Kjo duhet të ketë një limit brenda parametrave të tregut. Prsh, nëse bankat aplikojnë një normë interesi 3-4 apo 5%, këto institucione të mos aplikojnë norma interesa 10 fish më të larta. Pasi kemi pasur edhe ankesa nga klientët e këtyre institucioneve”, theksoi guvernatori.

Pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra, Banka e Shqipërisë vijon ti qëndroj mendimit se këtë vit do të ketë një rritje të nivelit të kredive me probleme që aktualisht është në pragun 8.1%.

“Pandemia do të ketë ndikimin e saj dhe ne parashikojmë se do të ketë një rritje të kredive me probleme, dhe në skenarin më të keq të rritjes së kredive me problemeve, bankat nuk do të rrezikonin. Në gjykimin tonë, politikat makroekonomike duhet të vijojnë të ruajnë kahun e tyre stimulues, derisa rritja ekonomike dhe zgjerimi i punësimit të jenë vendosur në shina të qëndrueshme”, deklaroi Sejko në Komisionin e Ekonomisë.

 

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet