Mashtrimi përmes FOREX/ Lihet në burg izraeliti Rafael Genish, mohon akuzën: Kam biznes të ligjshëm! Masë më e lehtë për operatorët dhe supervizorët

Mashtrimi përmes FOREX/ Lihet në burg izraeliti Rafael Genish, mohon akuzën: Kam biznes të ligjshëm! Masë më e lehtë për operatorët dhe supervizorët

Izraeliti Rafael Genish

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për izraelitin, Refael Genish dhe administratori i kompanisë, ndaj të cilëve rëndon akuza për “mashtrim kompjuterik” me Call Center për investime në bursë.

Nga ana tjetër, në seancën e mbajtur ditën e sotme, për 15 operatorë, "senior dhe junior", u caktua një masë më e lehtë, ajo e “arrestit në shtëpi”, e ndërsa për 16 të tjerë ajo e “detyrimit për paraqitje”. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se Genish ka mohuar akuzën duke pretenduar se ka një biznes të ligjshëm në Shqipëri, por letërporosia e autoriteteve gjermane zbuloi se në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, kryhej një nga vjedhjet më të mëdha me investime të rreme në bursë, nëpërmjet platformës Forex.

Rafael Genish u arrestua dy ditë më parë në kushtet e flagrancës nga policia me akuzën e mashtrimit kompjuterik të të huajve nga Tirana, ndërsa Report Tv ka mësuar se ai do të hetohet edhe për pastrim parash. Përmes FOREX ata kanë kontaktuar më shumë se dy milionë qytetarë europianë, ku mbi 2 mijë prej tyre kanë arritur të mashtrohen, ndërsa vlerat monetare që përfitonin varionin nga 500 euro e sipër. Pas operacionit janë sekuestruar “RG Company” në pronësi të Refael Genish, ambientet ku ushtrohej veprimtaria e Call Center në Tiranë, qindra pajisje ndërsa po punohet edhe për të sekuestruar shuma parash të cilat dyshohet se janë depozituar në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.

Më herët, Report Tv zbardhi dëshminë e një prej punonjësve të "Call Center" të FOREX e cila ka dëshmuar se periudha e trajnimit të këtyre shtetasve zgjaste vetëm 2-3 ditë dhe eksperienca në punë nuk ishte kriter. Sipas dëshmisë së saj, punonjësit që mashtronin më shumë kishin përfitimet më të mëdha monetare.

Në Shqipëri janë shtuar si kërpudhat call center që shërbejnë si ndërmjetësuese mes qytetarëve që duan të investojnë dhe të futen në tregjet financiare, dhe bankave, që ndryshe quhen kompani brokerimi. Tregu më i madh financiar në botë që ofron mijëra burime investimesh (çiftet e monedhave, ar, aksione në naftë apo indekse të bursave të ndryshme), është Forex, që përfshin edhe tregun e bursave, edhe të mallrave edhe të monedhave, dhe dyshohet se pikërisht nën këtë logo luajnë edhe shumë kompani fantazmë të hapura në Shqipëri, që kryesisht mashtrojnë qytetarë të huaj.

Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës, ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palincencura. Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Historike në Serie A, ndeshja e Interit do gjykohet nga një ekip arbitresh vajza

Historike në Serie A, ndeshja e Interit do gjykohet nga një ekip arbitresh vajza