Mat, Klosi: Ulza Eco Park, model i destinacionit të ri turistik

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Matit në 5-vjetorin e shpalljes së Liqenit të Ulzës, Park Natyror. Ministri Klosi tha se kjo festë tradicionale, historia dhe bukuria natyrore janë vlera, të cilat nuk mund të mbeten kurrsesi të fshehura, po duhet të jenë motive për të shndërruar  zonën në destinacion turistik. 

Një lundrim në liqenin e Ulzës është preludi i lançimit të projektit Ulza Eko Park. Në 5- vjetorin e shpalljes së Liqenit të Ulzës, Park Natyror, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, deputeti i qarkut Dibër, Ilir Beqaj, dhe ambasadorë të huaj në Shqipëri udhëtuan me skaf nëpër liqen nga Shkopeti në Ulëz. Në sheshin qendror të qytezës, në një atmosferë festive edhe në vigjilje të festës së Shën Markut, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për krijmin e Ulza Eko Park, modeli i parë i destinacionit ekoturistik.


          Liqeni i Ulzës

Pasi uroi banorët për festën e Shën Markut, ministri Klosi tha se festa tradicionale, historia dhe bukuria natyrore janë vlera të cilat është e patolerueshme që të mbeten të fshehura dhe të mos jenë arsye për të shndërruar zonën në destinacion turistike. Ai i bëri thirrje biznesit të zonës që të investojnë në agroturizëm, duke përfituar nga subvencionet e shtetit, për të rritur potencialin turistik të zonës. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se politika e qeverisë shqiptare është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik. Dhe kjo do të arrihet edhe duke zhvilluar të gjitha resurset për të ofruar alternativa turistike jo vetëm për vizitorët vendas por edhe të huaj. Duke folur për projektin Ulza Eco Park, mnistri Klosi u shpreh ky është një model i ri turistik që mban në ekuilibër, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit, një model që duhet zhvilluar gjerësisht, si turizmi i së ardhmes.

Deputeti Beqja tha se projekti nëpërmjet investimeve të reja, do të sjellë më shumë begati dhe mirëqenie luginës së Matit, duke zhvilluar turizmin në tre dimensione; rurale, kulturore dhe ekologjike. Ndërsa duhet një qasje e re për profesionet e reja të shërbimit në funksion të turizmit. Ceremonia vijoi me nënshkrimin e marrëveshjes nga katër institucionet për krijimin dhe zhvillimin e Ulza Eco Park. Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Bashkia e Matit dhe Bashkia Mirditës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhe Agjencia Rajonale e Zhvillimit 2. Eco Ulza Park është i pari model mbrojtje dhe zhvillimi, që e kthen Ulzën nga një Park i thjeshtë Natyror në Eco Park në Destinacion të ri Turistik. Kjo zonë do të shërbejw si një model i ri për zhvillimin turistik. Falë këtij projekti, përveç turizmit kulturor në këtë zonë mund të zhvillohen ecje në natyrë, sporte ujore, vozitje, kajake, itenerare biçikletash etj. Në përfundim të aktivitetit, Ministri Klosi së bashku me deputetin Beqaj dhe ambasadorët e pranishëm vizituan gjithashtu panairin me produkte lokale dhe artizanale të organizuar në sheshin qendror të Ulzës.


Ju uroj për festën e cila është një nga ato festa që bën bashkë njerëzit, duke i kërkuar atyre të jenë të lumtur dhe të kemi sa më shumë festa qoftë këtu në Mat dhe kudo në Shqipëri. Lugina e Matit është nga ato tokat e banuara që gjatë gjitha periudhave historike, me zanafillë nga qytetërimi prehistorik i Pellazgëve dhe i Kulturës Iliro e deri më sot mbart mbi vete kaq shumë histori. Çdo fshat i Luginës së Matit ka nga një histori për Skënderbeun. Duke ecur me makinë përgjatë Lumit Mat,shihen vargmalet e Skënderbeut.Gjithashtu në Tunelin e Madh, kemi edhe Kalanë e Skënderbeut. Në fshatin Stojan, 4-5 kilometra nga rruga kryesore në vendin e quajtur Mgjulla e Hotit, janë rrënojat e një kishe të lashtë (ilire, shumë të vjetër. Dhe turmat ilire, janë atje, ende të pazbuluara plotësisht. Në këtë zonë gjendet Kalaja e Malcit.Diku është një tjetër kala e Skënderbeut, Kalaja e Petralbës. Fusha ku ka luftuar Skënderbeu është vetëm disa kilometra më tej, rrënojat e kalasë ilire të Xibrit janë aty. Ura e Vashës është një prej monumenteve të kulturës që gjendet pikërisht në kryqëzimin e Rrugës së Matit me Rrugën e Arbërit, duke bashkuar dy shpate malesh. Lugina e Matit njihet dhe për vendin e parë të prodhimit të barutit në Shqipëri shumë interensante kjo për ne që jetojmë në Shqipëri dhe jo më për vizitorët e huaj që janë sot këtu. Dhe rrënojat e punishteve të barutit gjendeshin aty deri në fund të viteve 30 Kjo zone ka resurse natyrore, si lugina e Lumit Mat, Liqeni i Ulzës, por dhe vlera social- kulturore. Lumi i Matit me digat e dy hidrocentraleve të para, të Shkopetit dhe Ulzës, përbëjnë po ashtu një objekt shumë interesant turistik. Kjo zonë është habitat i dushkut, dhe përsa i përket faunës karakteristike ka plot specie të cialt janë të rralla në të gjithë florën dhe faunën shqiptare. Bushkashi është një nga 100 fshatrat që e kemi zgjedhur si fshatra për t’u zhvilluar në kuadrin turistik. Dhe sot jemi të gjithë këtu natyrisht pa fshehur një punë të palodhur të deputetit Beqja i cili na ftoi për ta bërë të mundur që kjo ngjarje e sotme të ishte një festë që jo vetëm e festojmë apo e shijojmë prodhimet e zonës, por në një festë që ne të mendojmë të gjithë së bashku; cfarë mund të bëjmë për këtë zonë? Si mund ta shndërrojmë atë në një magnet turistik për shumë e shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë dhe kjo është politika jonë, kjo është detyra jonë; ne të kemi mundësi që Shqipëria turitike të mos jetë vetëm Shqipëria e Adriatikut apo e Jonit, por të jetë edhe Shqipëria e Matit, Shqipëria e Beratit, Shqipëria e Tropojës, Shkodrës, Përmetit. Kudo Shqipëria ka një magnet turistik dhe ne këtë detyrë kemi, që ne sot ta shndërrojmë Shqipëri në një destinacion turistik europian. Dhe këtë mund ta realizojmë së bashku me kryetarët e bashkive, të cilët dua t’i përshëndes dhe falenderoj këtu për këtë dimension, prefektin me gjithë institucionet qendrore, me njerëzit me ata që krijojnë , me ata që kanë mundësi që në këtë zonë të krijojnë realisht destinacione turistike, të mirëpritura nga të gjithë.Është e patolerueshme që në këtë vit, në këtë kohë zhvillimi, në këtë nevojë kaq të madhe që të gjithë njerëzit kanë më shumë alternativë turistike, ne të mbajmë të fshehta bukuri si Ulza, dhe të mos kemi këtu një shans jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për turistët e brendshëm, për turistët e vendit të vijnë e të kalojnë baret dhe restorantet e kësaj zone. Prandaj i bëj thirrje të gjithë biznesit privat; mendoni shumë fort për agroturizmin, për të pasur mundësinë që subvencione që vijnë edhe nga institucione shtetërore në partneritet me kaq shumë donatorë që janë këtu me ne dhe që do të doja t’i falenderoja, në këtë festë, të kemi mundësinë që të ndërtojmë arsye pse një turist shqiptar të vijë këtu, por edhe arsye përse një turist i huaj të zgjedhë të presë biletën për të zbritur në Rinas, dhe jo në Zagreb, apo në Podgoricë, në Athinë apo në Romë. Ka mijëra e mijëra arsye që na bëjnë ne bashkë këtu, për ta shndërruar këtë park , në një park të vërtetë eko turistik. Nuk jam këtu vetëm për t’iu përshëndetur, jam këtu për t’ju inkurajuar. Kemi një Shqipëri të mrekullueshme, kemi një Shqipëri që edhe nga aksioni që kemi bërë deri para pak ditësh e kemi më të pastër, por duhet ta kemi edhe më të pastër. Kemi një Shqipëri që të gjithë ne duhet ta duam, dhe në këtë zonë padyshim edhe ato thashë në fillim janë shenja që njerëzit e kësaj zone e duan shumë Shqipërinë dhe në radhë të parë duan shumë njëri- tjetrin. Gëzuar Festën!

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot