Mazhoranca e kënaqur me SPAK dhe Krajën, porosi për goditjen e ‘çunave problematikë’ që marrin tenderat, kritika të forta për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Çelën 

Mazhoranca e kënaqur me SPAK dhe Krajën, porosi për goditjen e ‘çunave problematikë’ që marrin tenderat, kritika të forta për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Çelën 

Olsian Çela dhe kreu i SPAK Arben Kraja

Mazhoranca parlamentare është e kënaqur dhe vlerëson rezultatet e deritanishme të SPAK me në krye Arben Krajën, në goditjen e krimit dhe korrupsionit, po nga ana tjetër ka rezerva veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme me në krye Olsian Çela. Kraja dhe Çela kanë raportuar fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe dje në Parlament për veprimtarinë e organeve hetimore që drejtojnë, gjatë vitit 2020. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve në 4 qershor 2021, kreu i SPAK Arben Kraja u vlerësua nga relatori Adnor Shameti, i cili bëri një përmbledhje dhe mbajti një qëndrim në emër të Kuvendit. E vetmja porosi e Shametit për SPAK ishte goditja e ‘çunave problematikë’, të cilët marrin tendera në mënyrë të dyshimtë.

“Ka qenë realizimi i të gjitha pritshmërive, si nga ne ashtu dhe nga ana e publikut ne lidhje me procesin e bërjes së drejtësisë. Në këtë kuptim, për të gjitha shtyllat që drejtuesi i SPAK-ut raportoi përpara Komisionit të Ligjeve sot qëndrojnë dhe unë nuk mund të kem përveçse vlerësime në të gjitha shtyllat e veprimtarisë, që nga puna bazë e hetimit, përcjelljes për gjykim dhe mbrojtjes së akuzës në gjyq, marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja që kanë një rol të veçantë, realizimi i detyrimeve të tjera ligjore dhe kushtetuese me radhë, pa dashur të bie në përsëritje.  Gjithsesi, pritshmëritë e publikut, po e përsëris edhe një herë, sepse sikundër e kam thënë: përsëritja është nënë e mërzisë, por edhe nënë e dijes, janë shumë të larta, për të çuar djemtë problematikë para drejtësisë. Kur them djem problematikë, nuk e kam fjalën vetëm për atë pjesën e organizatave apo e grupeve të strukturuara kriminale, por e shoh në të njëjtin plan edhe me djemtë problematikë, të cilët janë të lidhur me institucionet shtetërore, me abuzimet me fondet publike, me keqmenaxhimin e taksave që paguajnë shqiptarët”, ka pohuar Shameti.

Puna e SPAK është vlerësuar edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili theksoi se “Natyrisht, unë bashkohem me konsideratat e relatorit, z. Shameti. Puna e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në kaq pak kohë të ushtrimit të veprimtarisë së saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vlerësohet me nota pozitive, duke pasur parasysh faktin që është një strukturë në ndërtim e sipër.... Në këto kushte pune unë konstatoj me kënaqësi se nga Prokuroria e Posaçme, nga SPAK-u, kemi pasur rezultatet e para të prekshme të reformës në sistemin e drejtësisë, edhe pse vazhdoj të kem të njëjtin mendim dhe qëndrim, që suksesi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është thjesht dhe vetëm barrë dhe përgjegjësi e Prokurorisë së Posaçme, por e të gjitha agjencive të tjera shtetërore në Republikën e Shqipërisë”.

Katër ditë para kreut të PSAK, Arben Kraja, në Komisionin e Ligjeve raporti kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela. Ndryshe nga qëndrimi për Krajën, Komisioni mbajti një qëndrim kritik për punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Kritikat janë renditur nga relatorja Vasilika Hysi që nga numri i lartë i dosjeve të mbyllura, rezultat larg pritshmërive në luftën kundër pastrimit të parave, politikë të dobët penale për krimet kundër mjedisit etj.

"...Lidhur me rekomandimin që ne kemi bërë për pastrimin parave, të them të drejtën, kam pasur një pritshmëri më të lartë lidhur me goditjen e pasurive që burojnë nga veprimtaria kriminale. Ju vazhdimisht e keni theksuar si në prezantimin që keni bërë si kandidaturë, por edhe në të gjitha diskutimet tuaja, sa herë keni qenë në parlament, se paraja duhet goditur. Unë shikoj se ka një trend pozitiv në rritje lidhur me çështjet e sekuestrimeve dhe konfiskimeve, pra me zbatimin e ligjit antimafia, por nuk është ai rezultati që pritet. Unë do të doja të dija se cila është arsyeja...

...nuk gjej informacion në raport për viktimat e tjera, viktimat e krimeve seksuale. Rasti i fundit në Mirditë, rasti i Kamzës, rasti i Kavajas më bën mua ta ringej përsëri zërin, sikurse e kam ngritur dje bashkë me ministren e Drejtësisë dhe me kryetarin e komisionit për të parë një politikë penale më efektive, më të rëndë, më agresive, më të ashpër ndaj krimeve seksuale me viktima gratë dhe fëmijët. ,..Sa eficiente ka qenë asistenca për viktimat dhe ndjekja penale kur numri i rasteve të përcjella në gjykatë nuk është ajo që duhet, kur numri i kallëzimeve ose i ndjekjeve ka rënë? A lidhet kjo me faktin se realisht krimet seksuale janë në rënie, numri i referimeve është në rënie, apo referimet e sjella nga policia nuk përmbushin kriteret që ju të filloni ndjekjen penale?

...Sa herë e keni kërkuar zbatimin e sigurisë juridike, neni 65/a, që është një element shumë i rëndësishëm i politikës penale? Në këtë kuadër, cila është arsyeja që marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk është hartuar ende. Pra, ka kaluar gati 1 vit, me gjithë përgatitjet që keni bërë, konsultimin dhe diskutimin, dhe ende nuk e kemi marrëveshjen për pranimit të fajësisë...

...Shikoj që krimet, denoncimet apo rastet e ndjekjes penale për krimet mjedisore janë rritur, por ka një ulje të pakuptueshme të çështjeve të dërguara në gjyq dhe të pandehur.... Sinqerisht, ndihem e keqardhur që politika penale për krimet e kundër mjedisit është shumë e dobët dhe ju e pranoni, pra keni qenë realist në këtë analizë. Cilat janë arsyet që krimet mjedisore, ndjekja dhe rastet janë rritur, ndërsa dërgimet në gjyq dhe numri i të pandehurve është në rënie?

....Një çështje tjetër, që dua ta evidentoj, janë pushimet, pezullimet e çështjeve, vendimet e pafajësisë dhe rënia e kallëzimit. Politika penale, në kuptimin e gjerë të fjalës, varet shumë nga drejtimi që jep organi i prokurorisë. Nuk e di përse kemi një rritje të pushimeve të çështjeve penale? ... Kemi një rënie të çështjeve të numrit të dërguar në gjykatë. Unë ju mbështes që të bëni një analizë të tillë, pra çfarë ka ndodhur që ka më pak çështje të dërguara në gjykatë dhe më pak çështje të përfunduara?

...Përse kemi ende një nivel relativisht të lartë të vendimeve të pafajësisë, stabël? Por 150, 154 vendime pafajësie nuk janë pak. Pra të privosh lirinë, të cenosh liritë dhe të drejtat e njerëzve në një proces dhe në fund të marrësh pafajësi, a janë realisht pafajësi apo mendoni që keni pasur prova, argumente dhe është problemi me gjykatat? Përse ka kaq shumë mosekzekutime të vendimeve penale? Janë persona që nuk i gjeni? Janë jashtë vendit? A ka probleme me sistemin e adresave?”, ka pohuar Hysi.

Qëndrimi kritik i Hysit është reflektuar edhe në rezolutën që ka miratuar Kuvendi për raportimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe në rekomandimet që duhet të zbatohen për vitin 2021. Kuvendi kërkon rritjen e hetimeve kryesisht të filluara nga vetë prokurorët, më shumë efektivitet në hetimet pasurore, manual për hetimet dhe ndjekjen penale të grupveprave të trafikimit të qenieve njerëzore etj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet