Mbërrijnë në Rinas 40,800 doza të AstraZenecas nëpërmjet COVAX! Manastirliu: Deri në fund të prillit 700 mijë vaksina të mbërritura! Sot 10218 vaksinime

TIRANË- Shqipëria ka marrë sasinë e radhës të dozave të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet mekanizmit COVAX. Ditën e sotme kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit 40,800 doza, teksa në ditët në vijim pritet një tjetër sasi prej 250,000 vaksinash. Synimi është që deri në fund të prillit vendi ynë të ketë 700 mijë vaksina të mbërritura, për të arritur objektivin prej 500 mijë persona të vaksinuar deri në fund të majit.

Kjo sasi e vaksinave është pritur në Aeroportin e Rinasit nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Manastirliu tha se nëpërmjet mekanizmit të COVAX, Shqipëria ka paguar për 1,140,000  doza nga të cilat kanë mbërritur 38400.

"Qeveria shqiptare ka bërë të mundur të parapaguajë 1,140,000 doza vaksine, nëpërmjet Covax dhe sot mbërrijnë edhe 40,800 doza të tjera AstraZeneca, të cilat do të shpërndahen menjëherë në të gjithë Shqipërinë, për të vijuar vaksinimin masiv të popullatës +60 vjeç dhe të gjithë ato grupe të riskuara, të cilat ne kemi filluar ti vaksinojmë, siç vijuam sot me punonjësit e të gjithë operatorëve turistikë. Ne kemi siguruar deri tani mbi 400 mijë doza vaksine, kemi vaksinuar mbi 300 mijë qytetarë dhe do vijojmë këtë proces derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Nuk do të heqim dorë në asnjë moment, pasi për ne mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është e para, ndaj do të vijojmë në mënyrë intensive të ruajmë ritmet e larta të vaksinimit ashtu sikurse kemi bërë deri tani. Presim nesër edhe 50 mijë doza të tjera vaksinash të AstraZeneca, gjithashtu nga dita e hënë presim mbi 200 mijë vaksina të Sinovac dhe gjithashtu 8120 vaksina të Pfizerit", tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk do të ulet ritmi për vaksinimin masiv të qytetarëve. 

"Mbërrijnë 40,800 doza të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax, teksa presim mbi 250,000 vaksina në ditët në vijim, për të mos e ndalur ritmin e lartë të vaksinimit, derisa çdo qytetar  të mbrohet nga virusi i rrezikshëm", shkruan Rama. 

Vaksinimi masiv po vijon me të moshuarit mbi 60 vjeç ku prioritet kanë të sëmurët kronik, stomatologët, farmacistët, arsimtarët në shkollat private, edukatorët, punonjësit e rendit dhe punonjës të medias. Aktualisht në vendin tonë janë duke u përdorur vaksina Pfizer, AstraZenca, vaksina ruse Sputnik V dhe ajo kineze Sinovac.Sot ky proces nisi me vaksinimin e operatorëve turistik, me qëllim për të lehtësuar sezonin turistik, për të pasur një verë pa kufizime. Në total në vendin tonë janë vaksinuar 314.622 persona.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:10
Manastirliu publikon të dhënat: Sot 10.218 vaksinime anti-COVID

10218 vaksinime janë kryer ditën e sotme. Shifra u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë kanë marrë dozën e parë, një pjesë e tyre edhe të dytën, 324, 840 qytetarë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet