Mbi 2000 vite të mendimit shqiptar, në një libër nga Ndriçim Kulla

Mbi 2000 vite të mendimit shqiptar, në një libër nga Ndriçim Kulla

Eshtë e vështirë që të përfshish në 500 faqe libër të gjitha dijet e kokave të rënda të mendimit shqiptar, që shtyhet në një kreacion intesiv përtej 2000 viteve.

Kur mendon se shkencat tona albanologjike janë aq të varfëra me udhëpërshkrimin e diturisë shqiptare, me zanafillë nga tradita e largët ilire, libri i ri “Historia e mendimit shqiptar” i studiuesit të njohur Ndriçim Kulla të ofron vëmendjen e duhur për të parë evolucionin e mendimit shqiptar si një pjesë të pandashme të trashëgimisë kulturore, krahas asaj të arkeologjisë, kulteve, folklorit, etnografisë, fesë dhe letërsisë.

Në fakt, është totalisht e pandashme, nëse i referohesh metodës kërkuese të studiuesit Kulla, që zbulon se historia e mendimit të traditës së largët ilire, zë fill me themelet e krishtërimit dhe e zbulon këtë traditë si pararendësen të humanizmit iliro-arbëror e të transmentuar deri në ‘900-n, që pastaj siç duket vjen duke u shndërruar gjenetikisht në një psikologji kombëtare.

Studiuesi Ndriçim Kulla zbulon se në Historinë e Mendimit Shqiptar ka një ndriçim edhe më të hershëm, para Krishtit, duke e lidhur me vet gjuhën shqipe.

“Edhe historia e mendimit shqiptar, duhet konsideruar si pjesë themelore e kësaj kulture, që duhet detyrimisht të shtrihet përtej historisë së letërsisë dhe gjuhës shqipe, pasi gjuha vërtetë ndikon mendimin, por ky i fundit mund të jetojë edhe të zhvillohet edhe pa të. ‘Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe,duhet të studioni gjuhën shqipe’, pat shkruar filozofi i madh Gotfrid Lajbnic. Ky pohim projekton, jo vetëm një lidhje të brendshme të mendimit me gjuhën, por edhe një zhvillim të mendimit dhe të shpalosjes së psikikës dhe shpirtit shqiptar, edhe përtej historisë së letërsisë së saj”, shkruan Ndriçim Kulla në librin studimor “Histori e mendimit shqiptar”. Kulla thekson më tej se “Edhe në thellësi të shekujve, studiues të tjerë autoritarë vlerësojnë se “në parahistori ilirët, tashmë të gjithëpranuar si të parët e shqiptarëve, ishin kulmi i kulturës europiane.” Kulla ka përshkruar sesi ilirët kanë krijuar sistemin edukativ e arsimor, e më gjerë.

Duke e parë historinë e mendimit shqiptar në zhvillim përmes faktorit të kolonizimeve e pushtimeve, Kulla argumenton sesi proceset e romanizmit apo -izmave të kulturës iliro-shqiptare ishin në përgjithësi të ngadalshme. Ai sjell argumenetet nga të gjitha fushat e kërkimit, përfshi edhe arkeologjinë.

Ndriçim Kulla ka nisur një udhëtim tepër të gjatë e të mundimshëm në kërkim të historisë së mendimit shqiptar i prirë nga disa motivacione. Në hyrje të librit në kapitullin “Në vend të epilogut”, Kulla shkruan:

“Një shenjë e parë e madhe e truallit pjellor nga ku nisi të lëvrohej mendimi shqiptar, që në kapërcyell të viteve ‘900, ishte krijimi jo vetëm i modelit të një kulture, por edhe mundësisë për zhvillimin e saj. Bashkë me përpjekjet për shtetin shqiptar, një vepër historike-filozofike “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, përtej të qenit një platformë ideologjike e Rilindjes, do të bëhet edhe modeli për një tjetër realitet e kulturë. Ndërsa motivi përfundimtar që i la shqiptarët të vendosnin për alfabetin e përbashkët sipas parimit një tingull-një shkronjë, do t’u shërbente atyre si një mundësi reale për ta zhvilluar këtë kulturë. Fatkeqësia qe se ky model dhe kjo mundësi do të shoqëroheshin organikisht me një kontrast të dukshëm midis nivelit sipërisht të dallueshëm të mendimtarëve tanë dhe atij të “pamjaftueshëm” të podiumit, të cilit ata i drejtoheshin.” Ky shënim flet shumë për mungesën e përcjelljes së një historie të pluhurosur të mendimit shqiptar, që nënkupton qartë edhe errësirën pesëshekullore që mbolli perandoria osmane, ndërsa mendimi shqiptar, rrekej ta ndriçonte edhe vetë atë. Ndaj, duke kuptuar sesi autorët e mëdhenj shqiptarë sillnin bashkë me fuqinë e filozofit edhe ndikimin e publicistit për shumë fakte të harruara të historisë, Kulla vendos në librin e tij një histori mendimi që vjen nga kontributi i njerëzve të letrave që arrinin të shkëputeshin nga të ndjerit folklorik të historisë. Por ekzistencën e mendimit shqiptar Ndriçim Kulla e sheh të pashkëputur edhe mes shekujve të errësirës osmane. Ai shkruan: “P.sh. auditori që gjeti Noli, një nga ligjëruesit më të mëdhenj të atij fillimshekulli, ishte po ai që Beçikemi pat parë në kuvendet e luftëtarëve, të odave të burrave, të rasteve solemne e të ngjarjeve të shënuara. Sipas tij, e gjitha kjo, ka ndodhur për shkak të ndërprerjes së Mesjetës. Një oratori për të cilën ai mendon se vetëm mund “të merret me mend si një oratori popullore, me karakter improvizues, e diktuar nga nevojat e jetës” dhe si e tillë ka qenë “larg çdo kanunizmi të rrjedhave evropiane”. Qëllimi për të qenë i konsideruar nga vendim-marrësit në kushtet e një propagande të gjithanshme, i ka dhënë publicistikës së asaj periudhe tiparet e një promovimi të madh dhe të vështirë, sa kulturor aq dhe kombëtar përkundrejt “axhendës” politike shqiptare.”, shkruan Kulla, ndërsa me një mori argumentesh për nevojat e studimit të mendimit shqiptar, ai përfshin si domosdoshmëri në rrafshin enciklopedik edhe mendimin e atyre që i quan “të fëmijve jashtë atdheut”.

Kulla shkruan: “Marrëdhënia e imponuar e një territori shqiptar të administruar nga turqit ushqeu me kohë “një realitet jashtë Shqipërisë më të rëndësishëm se ai brenda saj”, siç dëshmon vetë Noli. Kjo duket të ketë ndodhur për disa arsye: 1. Faktori politik vendimmarrës jashtë Shqipërisë dhe prodhimi i veprave dhe madje i organeve periodike të shtypit, ishte shumë më i rëndësishëm jashtë Shqipërisë. Lejet dhe mbështetjet financiare për botim i drejtoheshin dhe vinin nga administratat e huaja, duke bërë që shqiptarët të shkruajnë e të botojnë në disa kontinente, shtete dhe rreth e rrotull nëpër Ballkan. 2. Autorët shqiptarë vinin nga shkollime gjithashtu jashtë Shqipërisë, sepse një cikël i plotë studimesh brenda vendit në atë kohë nuk ishte i mundur. Një fëmijë i rritur mes shembujve të familjes dhe komunitetit, i arsimuar në shkolla të mira, por jo shqiptare, ishte modeli më i shpërndarë mes këtij kontigjenti njerëzish. “Mëmëdheu” ishte në “formën e një perëndie dhe kulti i tij” në “vendin e një besimi fetar”. Të prodhoheshe personalitet shkrimi ose dhe veprimtar kombi jashtë Shqipërisë nuk ishte e rrallë, për të mos thënë që u bë model zotërues.” Kështu duek udhëtuar nëpër shekujt e mendimit shqiptar Ndriçim Kulla nuk lë jashtë edhe Skënderbeun figurën model, për të cilin thotë se “Në pikëpamjen ideore, figura përputhet edhe me qëndrimin politik të lëvizjes - kundër turqve- dhe me atë “ideologjik” të Rilindjes Kombëtare: organizimi i kombit në nivel shteti të pavarur. Me theks të qartë, realitetet politike të Shqipërisë janë konteksti i aktualizimit të figurës së Skënderbeut të udhëhequr nga shpresa. Përshtatja ndaj auditorit është një nga skemat e personifikimit. Ja se si shprehej Noli në një shkrim të atyre viteve: “Po të pyesim se ku është Skënderbeu sot, unë po u them se sot e kemi Skënderbenë në Shkodër dhe Janinë, atje ku luftojnë bijtë e tij, atje ku prej katër muaj mprojnë shqiptarët qytetet e tyre... Këto janë Skënderbegët e Shqipërisë, të cilët në flamur i famëshëm shqiptar mprojmë atdhenë e tyre...” (706). Gjithësesi, referimi ndaj këtij modeli nuk duhet të konsiderohet i përshtatur vetëm për periudhën e para-pavarësisë. Edhe shumë kohë më vonë, në një leksion te mbajtur në një Seminar te Vatrës në vitin 1960, Noli do të shprehej kështu: “Skënderbeu jetoi në shek. XV, ne jetojme në shek. XX. ç’perfaqeson për në sot mbas pese shekujsh? Ai ende jeton midis nesh. Problemi i tij peseqind vjet me pare ishte i njëjti problem që kishim dhe në ne Rilindjen shqiptare: Davidi i rreckosur , me një hobe në dore, që lufton kunder Goliathit te armatosur gjer në dhëmbë. Ai fitoi, edhe në fituam. Shqiperine e çliruam megjithë pengesat e mëdha që ndeshëm. Ishte Skënderbeu ai që na frymëzoi atëherë, e po na frymëzon dhe sot. Aq sa ngandonjëherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë vallë tani ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu”.”, shkruan Kulla në këtë studim të nivelit akademik, duke përcaktuar në paradigmat e studimit figurat e mëdha të kombit si fanarë ndriçues të mendimit shqiptar, e duke përfshirë mes tyre edhe rilindasit, Fishtën e korifej të ndritur të ‘900-s. Sigurisht libri ka dhe paradigmat shkencore që përçojnë kumtet tek një lexues i një niveli më të ngritur, kur flet për histori mendimi dhe vetë mendimtarët e shenjuar me këtë status të lartë. Do të mjaftonte një fragment i analizës për ta kuptuar metodën e gjerë dhe të përsosur të këtij studimi prej 500 faqesh. “Mpleksja e këtyre modeleve mbizotërues te mendimtarët shqiptarë me ato të “podiumit të pamjaftueshëm” dhe “manovrimit të kushtëzuar” që mbizotëronin karshi nivelit kulturor të shqiptarit të kohës, mbrun formulën e një realiteti shumë të ngjashëm me atë të sotmin. Mesit të këtij realiteti historik, vendimet e Shqipërisë janë marrë jo nga veprimi masiv kombëtar, por nga ndikimi i ushtruar dhe kërkuar nga vendim-marrësi për këta protagonist. Në një kohë që duhet të ndodhte tërësisht e kundërta. E kjo për faktin se me këtë model protagonisti i ka në parim të gjitha të mundura, po aq sa dhe të pamundura. Ai mundet me gjithçka nga vetvetja, por pothuajse me asgjë nga realiteti ku do të ushtrojë veprimtarinë e vet. Kjo mospërputhje duket të ketë prodhuar një shkallë të caktuar paqëndrueshmërie, apo konfuzioni ose shenjë “heteronomie”, por që që në pikëpamje të ideve mund të ekspozohet si evolucion i natyrshëm i një mendimi në vetvete. E thelluar kohë pas kohe, kjo mpleksje ka shpënë në mungesën nga njëra anë të një “elite shqiptare”, ndikuese dhe udhëheqëse, e nga ana tjerër, mungesën e një opinioni të shëndetshëm publik, që sot mund të përkthehet në mungesën e një shoqërie të fortë civile.”, shkruan Kulla. Këto rrëfime janë pak, mes kumtesh të tjera që vijnë pas një pune të gjatë dhe të lodhshme për të shktuar librin më të ri “Histori e Mendimit Shqiptar”.   

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia