Jashtë ambienteve të shkollave, emocionet ishin po aq të forta sa edhe brenda klasave, ku maturantët po i nënshtroheshin provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Prindërit prisnin me ankth përfundimin e testit për të dëgjuar përshtypjet e para të fëmijëve të tyre.

"Vajza ime ka studiuar shumë. Është shumë e përgjegjshme. Gjatë natës pothuajse nuk ka fjetur fare, duke përsëritur autorët e letërsisë dhe gjithë programin e gjuhës shqipe”, tha Gjystina Golloshi, avokate.

Gjystina Golloshi është avokate me profesion dhe thotë se vajza e saj synon të ndjekë të njëjtën rrugë, atë të drejtësisë. Edhe dy fëmijët e tjerë të familjes kanë zgjedhur të studiojnë në këtë fushë.

“Unë jam avokate me profesion. Në fakt të tre kanë qenë shumë mirë në lëndën shoqërore dhe në këtë fushë ata mendoj se do të japin më shumë. Mendoj janë ndikuar gjithashtu nga unë, por ka qenë zgjedhja e tyre, vendimi i tyre”, shton ajo.

Për shumicën e maturantëve, testi rezultoi i një niveli mesatar dhe i përballueshëm.

“Mirë, nuk ishte shumë i vështirë”, thotë një maturante.

“I nivelit mesatar ishim të kualifikuar për këtë test. 34 pyetje. Koha ishte maksimale. shfrytëzuam, bëmë më të mirën tonë, shprehet maturanti.

“Kanë qenë gjërat që ne i kemi bërë gjatë mësimit me Zyshën. Kanë qenë domethënë gjërat që ne i kemi bërë dhe kemi mbaruar me sukses. Ishin gjithsej 34 pyetje”, thotë një tjetër.

Megjithatë, maturantët tregojnë se kontrollet në qendrat e provimit kanë qenë të rrepta.

“Po shumë shumë jashtëzakonisht shumë”, thotë një maturante.

“Po kishim kontrolle të rrepta”, shprehet një tjetër.

“Për pjesën e telefonave dhe me makineri dhe në testim na monitoruan”, thotë maturanti.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Arsimit bëri të ditur se publikimi i tezës nuk ka cenuar procesin e Maturës Shtetërore. Sipas ministrisë, teza është publikuar nga një qendër provimi në qarkun e Kukësit dhe maturanti përgjegjës është përjashtuar menjëherë nga provimi.

Institucioni paralajmëroi se masa do të merren jo vetëm ndaj nxënësve që shkelin rregulloren, por edhe ndaj administratorëve dhe personave përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit.

Provimi i radhës për maturantët do të jetë ai i Matematikës më 16 qershor, ndërsa provimi me zgjedhje do të zhvillohet më 23 qershor.