FIER - Artistët e ansamblit “Fiore de Levante” sollën në skenë këngë dhe valle tradicionale të ishullit grek të Zakinthos, me kostume shumëngjyrëshe të punuara me motive tipike joniane. Ritmet e shpejta dhe koreografitë plot energji u ndërthurën me interpretimet folklorike të Ansamblit “Myzeqeja”, që solli në skenë veshjet karakteristike të fushës së Myzeqesë dhe vallet popullore shqiptare.
Publiku fierak e përcolli me emocione mbremjen muzikore, ku arti u bë ura që lidh popullin shqiptar me ate grek.
Armando Subashi, kryetar bashkie në Fier u shpreh se “aktivitete të tilla na afrojnë dhe forcojnë lidhjet mes popujve tanë...”
Evangjelia Burojanis, n/kryetare bashkie, Zakinthos tha se “ky është një moment i veçantë, pasi prekëm nga afër artin dhe kulturën tuaj.”
Drejtuesi i ansamblit grek Denis Kefalinos theksoi se shqiptarët dhe grekët në Zakinthos kanë krijuar një lidhje të veçantë ndër vite, duke u bërë pjesë e pandarë e një komuniteti të përbashkët.
Bashkëpunimi mes dy ansambleve vijon prej vitesh dhe, pas një ndërprerjeje për shkak të pandemisë, rikthimi i tyre solli sërish në Fier atmosferën e ngrohtë.
Komente






