Mungesa e nxënësve kyç shkollën e Zerqanit, PD: Qeveria detyron shqiptarët të braktisin vendin

Mungesa e nxënësve kyç shkollën e Zerqanit, PD: Qeveria detyron shqiptarët të braktisin vendin

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka denoncuar mbylljen e shkollës së Zerqanit në qarkun e Dibrës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çupi shkruan se në 7 vitet e fundit janë mbyllur mbi 30 shkolla në Dibër, për shkak të largimit të banorëve në këtë vend.

Sipas ish deputetes, nxënësve të Zerqanit po iu mohohet arsimi, pasi atyre iu është kërkuar që të shkojnë në shkollat e Bulqizës, të cilat janë 30 minuta larg me makinë. Nxënësve të kësaj zone iu vështirësohet vajtja në shkollë pasi dimri në këto zona është i ashpër. Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve arsimore në Dibër, por edhe Ministres së Arsimit të shohin përparësitë për të mirën e nxënësve.

Postimi i plotë:

Skandali i mbylljes së mbi 30 shkollave vazhdon në Dibër për shkak të largimit të shqiptarëve. Dryni i është vënë edhe një tjetër shkolle në Zerqan.

Kyçin dyert e shkollave dhe detyrojnë shqiptarët të braktisin vendin.

Prej 7 vitesh vetëm në Qarkun e Dibrës janë mbyllur mbi  30 shkolla dhe kjo situatë nuk ka të ndalur, madje edhe me vendime të pabazuara që nuk lidhen me numrin e nxënësve.

 Drejtoria Arsimore ka marrë vendimin ti vendosë drynin shkollës së Zerqanit, në të cilën mësojnë dhjetra nxënës nga cikli i ulët deri te ai i mesëm.

Shqetësimi është legjitim për prindërit dhe fëmijët pasi u është kërkuar të regjistrohen në Bulqizë, 30 minuta me makinë larg, dhe të mendosh që dimri nuk është i butë në këto zona.

Përveç kostos dhe shqetësimit për largësinë, me këtë veprim arbitrar, banorëve të kësaj zone po ju mohohet lidhja e fortë për vite me radhë që ata kanë me arsimin.

Shkollës së Zerqanit e cila ka nxjerre me dhjetëra figura të rëndësishme lokale e kombëtare, po i vihet kyçi.

 Ky veprim është i papranueshëm. Shkollimi i fëmijëve dhe brezave duhet të jetë përparësi dhe jo pengesë, duhet të jetë mundësi dhe jo stërmundim për prindërit dhe nxënësit.

 Ju bëj thirrje autoriteteve arsimore në Dibër por edhe Ministres së Arsimit të shohin përparësitë për të mirën e nxënësve dhe jo të bëjnë të kundërtën. Fëmijët e Zerqanit e kanë shkollën e tyre, aty ku kanë studiuar prindërit e gjyshërit e tyre. Asnjë vendim i nxituar nuk mund t'ua mohojë këtë mundësi.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet