Me Musaf dhe Mercedes

Me Musaf dhe Mercedes

Në eposin e tij të vargëzuar “Gjermania. Një përrallë dimërore” poeti gjerman Heinrich Heine demaskon për mrekulli hipokrizinë dhe hipokritët. Pra, ata që prej të tjerëve kërkojnë rigorozitet moral, ndërsa vetë jetojnë në luks. “I njoh edhe zotërinjtë shkronjëtarë; e di, ata pinin verë tinëz dhe publikisht predikonin ujë”, shkruan Heine.

Do të ishte supozim dashakeqës nëse do të thoshim se disa nga imamët e Kosovës pinë verë tinëz. Por ujë ata predikojnë orë e çast dhe jo tinëz po hapur lavdërohen me veturat e tyre të shtrenjta. Ky nuk është problemi i vetëm me një kategori imamësh, të cilët veprojnë nën kulmin e Bashkësisë Islame të Kosovës, një institucion që duket se arsyen e vetme të ekzistencës prej vitesh e ka ruajtjen e funksioneve udhëheqëse të “liderëve të përhershëm fetarë” (thua se bëhet fjalë për Këshillin e Rojtarëve të Iranit).

Mjafton të shikohen kundër-vullnetshëm disa nga videot që qarkullojnë në Youtube dhe platforma të ngjashme me “predikime” imamësh. Shumica e tyre nuk kanë të bëjnë fare me fenë, janë më shumë kërcënime se çfarë i pret në ferr ata që imitojnë “vlerat e huaja” (eufemizëm për çdo gjë që buron nga Perëndimi). Mallkohen vajza që nuk bartin shami. Për çdo problem, sipas këtyre imamëve, islami ofron zgjidhje. S’ka lidhje që këto këshilla nuk kanë asnjë referencë fetare, madje shpesh tingëllojnë irracionale, banale apo qesharake (“Hoxhë i nderuar, a bën gruja me ia kontrullu telefonin burrit?”). Dhe hoxha menjëherë ofron shërbimet e tij terapeutike për çiftet bashkëshortore në krizë thua se ka ndjekur të njëjtën shkollë me Sigmund Freudin. Çka na duhen “Stupcat” me imamë të tillë?

Imamët e tillë janë më së shumti të ndjeshëm kur dikush ua përmend pasurinë, luksin, jetën larg mesatares shqiptare. Sidomos kur kjo bëhet me humor, i cili shpesh është armë më e fuqishme për të demaskuar hipokrizinë. Po u përmend publikisht luksi i dinjitarëve fetarë, ndjekësit fanatikë të tyre harrojnë Kuranin dhe kapin kërbaçin. Nga kjo dhunë e pësojnë sidomos ata zëra publikë që e nxjerrin në shesh hipokrizinë e liderëve fetarë. Kundër kësaj hipokrizie dhe dhune duhet të reagojë gjithë shoqëria. E sidomos duhet të veprojnë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Nuk është problemi më i madh që një imam mund të jetë pronar i një Mercedesi, e keqja qëndron te celebrimi arrogant i një dhurate që simbolizon një kulturë bakshishi pjesë e së cilës bëhet edhe shefi i BIK-ut duke ia hequr çarçafin një Mercedesi thua se kemi të bëjmë me një ceremoni synetllëku, ku secili imam duhet të bindet me potencën e teknikës gjermane.

Por skandali qëndron më thellë. Kemi një xhemat që i dhuron veturë një imami kontrovers, thënë më së buti. Një imam i arrestuar në vitin 2014 gjatë një aksioni të policisë (më vonë i shpallur i pafajshëm nga drejtësia e Kosovës). Një imam që në vitin 2013 mbante një fjalim të zjarrtë afër Baselit (Zvicër) ku besimtarëve shqiptarë u bënte thirrje që të mos i lejonin vajzat e tyre të martohen me qafirë. Me atë rast bënte thirrje edhe për “solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona në Siri”. Në fund të atij tubimi (për të cilin më 2014 ka raportuar gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”) imami me Musaf dhe ndërkohë edhe me Mercedes njoftonte se të pranishmit kishin dhuruar 11 mijë franga.

Tubime të tilla imamët e Kosovës mbajnë anekënd Europës Perëndimore. Një shtresë njerëzish me botëkuptim të thjeshtë ngarend pas tyre, beson në dogmat e tyre dhe e hap kuletën me naivitet të madh. Athua ku kanë mbetur ato 11 mijë franga që shqiptarët naivë të rrethinës së Baselit i kishin hedhur në një kuti të zbrazët këpucësh dhe mijëra e mijëra franga të tjera që prej dekadash imamët i mbledhin nëpër Zvicër, Gjermani, Austri e gjetiu? Këso transparence nuk u pëlqen imamëve. Andaj kemi shpalosje Mercedesësh dhe grushtime të opinionistëve që ua demaskojnë hipokrizinë.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Loran shehu: 13/04/2023 12:52

    Ah pika qe nuk i bie ktyre palo hoxhallarve zgjepsa

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni