Me Parisin për lirinë, barazinë, vëllazërimin

Me Parisin për lirinë, barazinë, vëllazërimin
Qindra mijëra do të marshojnë sot në rrugët e Parisit për të mbështetur vlerat e shkëlqyera të lirisë, barazisë, vëllazërimit - ti mund të jesh me ta atje përmes rrjetit botëror të solidaritetit online.

Mbarë bota do të shohë se si njerëzit do të dalin në rrugë në përgjigje të vrasjes barbare të 12 njerëzve të mërkurën e shkuar. Por ndërkohë, ekstremistët e djathtë europianë po mobilizohen gjithashtu në antiprotesta dhe tanimë dy mjedise besimi të muslimanëve janë sulmuar. Kjo është ekzaktësisht çka vrasësit kërkuan: Përçarje dhe Frikë!

Sot ne mund t'u tregojmë të gjithë nxitësve të përçarjes e të frikës se qytetarët kudo që janë, mbështesin vlerat e lirisë së shprehjes, barazisë mes njerëzve dhe vëllazërisë mes individëve të çdo besimi.

Me një klikim bëhu edhe ti pjesë e nismës globale për t'u bashkuar në marshimin e botës së lirë, kundër barbarisë së atyre që vrasin në emër të fesë dhe ekstremizmit të kujtdo që kërkon të na përçaje duke kallur frikën mes nesh.

Ky është një ndër ato momente historike kur cilido prej nesh që beson tek toleranca dhe liria e shprehjes mund të ngrejë dorën apo zërin e vet, për të ndaluar që pasojat e dhunës të kërcënojnë të gjitha liritë tona. Sot në Paris do të jenë edhe plot udhëheqës europianë sepse ky moment nuk është vetëm i Francës, po i mbarë Europës.

Shumë prej nesh i kanë konsideruar karikaturat e Charlie Hebdo-së si fyese, raciste apo qëllimisht provokuese. Së bashku me profetin Muhamet, Charlie ka shënjestruar edhe Jezu Krishtin, Papën, emigrantët, çifutët, murgeshat e plot akoma. Por liria e shprehjes është kollaj të mbështetet deri në çastin kur na kërkohet të ngrihemi në këmbë për të mos lejuar shtypjen e shprehjes së lirë që nuk na vjen për shtat. Pikërisht në vlerën e këtij çasti qëndron edhe vlera e pakufishme e lirisë në botën që kemi zgjedhur, botën e lirë. Sot, duke u bërë pjesë e marshimit të Parisit përmes një klikimi, ti ndihmon që ky mesazh themelor për ekzistencën e botës së lirë të përcillet qartë si një mesazh uniteti global.

Është koha e një zgjedhjeje të qartë mes urrejtjes përçarëse dhe unitetit për lirinë, barazinë, vëllazërimin. Ky është momenti ynë për t'u përgjigjur në emër të shpresës dhe bashkëpunimit mes njerëzve mbi këto vlera të shkëlqyera e të panegociueshme.

*Edi Rama, Kryeminister i Shqiperise

Shkrimi u publikua ne profilin zyrtar te kreut te qeverise ne rrjetin social Facebook

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Pse disa vende arabe po e ndihmojnë Izraelin kundër Iranit?

Pse disa vende arabe po e ndihmojnë Izraelin kundër Iranit?