Me vdekjen mbi supe! Kalimtari mespërmes rrugës vetëm pak pasi një grua humbi jetën tek Ura e Golemit (VIDEO)

Nëse flasim për lajmet e kronikës së zezë, aksidentet rrugore kryesojnë me lajme tragjike. Thuajse në çdo ditë ka persona që mbesin të plagosur, ashtu sikundër janë shtuar edhe rastet me viktima në rrugë. Në shumicën e rasteve shkak bëhet shpejtësia tej normave të lejuara, që rrallë gjen drejtues automjeti të respektojë me përpikëri limitet e shpejtësisë që të detyron tabela. Por përkundër kësaj. Në Shqipëri është edhe një fenomen, që nga dita në ditë po merr jetë njerëzish.

Në autostrada, në rrugë që ka vështirë fushëpamje, etj, ke firmosur vdekjen nëse ndalon nga ndonjë automjet dhe tenton të kalosh në krahun tjetër të rrugës. Të njëjtin fat pati sot edhe një grua 38-vjeçare. Ajo ishte pasagjere në një autobus që vinte nga Berati. Me papërgjegjshmëri totale, automjetet e transportit ndërqytetës shkelin me të dyja këmbët rregullat e qarkullimit në rrugë, duke u bërë shkak për jetë të humbura. Gruaja, Brunilda Shuti, së bashku me tre persona të tjerë, zbritën nga autobusi që ndaloi tek Ura e Golemit në aksin Plepa-Kavajë. Ka hedhur një sy në rrugë dhe më tej ka vrapuar të kalojë në krahun tjetër të urës. Në mesin e urës së mbikalimit të Golemit, një automjet që po kalonte e mori para gruan, e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Makina që përplasi 38-vjeçaren

Në anën tjetër të rrugës ndodhet plazhi, dhe janë të shumtë qytetarët që këtë rrezik e ndërmarrin përditë.

Madje vetëm pak pasi aksidenti i kishte marrë jetën 38-vjeçares, është përsëritur e njëjta skemë. Një automjet privat, ka ndaluar në anë të rrugës (ku nuk ka asnjë xhep për ndalimin e makinave pasi është urë), prej tij ka zbritur një zotëri. Ai ecën disa hapa në anë të rrugës dhe sapo 'sigurohet' se nuk po kalon asnjë automjet, kalon në krahun tjetër të urës.

Kujtojmë se në këtë aks rrugor qarkullim përgjatë sezonit veror është i lartë dhe kërkohen masa shtesë nga policia dhe po ashtu distanca e mbikalimeve dhe nënkalimeve është e madhe dhe nuk përkojnë më numrin e banorëve që në këtë zonë u duhet të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën.

Por situata të ngjashme shfaqen në rrugët kryesore të vendit ku shpejtësia tej normave, mungesa e kalimeve për këmbësorët, mungesa e sinjalistikës por edhe kalimi në vende të rrezikshme nga qytetarët i ka kthyer akset në gropa që thithin jetë. Edhe me problematike bëhet situata në zonat periferike sikurs ndodh në Lezhë, ku qytetarët bëjnë kilometra rrugë në këmbë për të gjetur një mbikalim, ose zgjedhin shkurt të kalojë me rrezikun e vdekjes mbi supe.

Korça, përpos turistëve të shumtë përkon dhe me pikat e kalimit kufitar. Këtë të martë dy automjete u përplasën duke lënë 4 të plagosur. Një mjet tip furgon i cili shërben për transport mallrash në drejtim të Korçës, dyshohet të ketë bërë një lëvizje të gabuar në krah të kundërt, e për pasojë është përplasur me një mjet tjetër. Po i tillë ishte edhe aksidenti i pak ditëve më parë ku mrekullisht shpëtuan 7 persona mes tyre edhe fëmijë pasi automjeti i tyre doli nga rruga.

Boshti veri-jug që kalon kryq e tërthorë në Qarkun e Gjirokastrës, nuk ka asnjë nënkalim apo mbikalim për këmbësorët. Ndonëse është investuar në 10 vitet e fundit në përmirësimin e infrastrukturës. Gati 120 km rrugë nga fshati Krahës që është kufiri mes Qarkut të Gjirokastrës dhe atij të Fierit e deri në kufi me Greqinë, qytetarët do duhet të kalojën përmes rrugës me qarkullim të lartë për të dalë nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Mbikalimi në kthesën e Memaliajt, ka mbetur prej vitit 2013 jashtë funksionit edhe pse rikonstruksioni i aksit Levan-Tepelenë ka përfunduar kohë më parë. 10 persona kanë humbur jetën në aksin Jorgucat-Kakavijë teksa kalonin superstradën. Por viktima ka pasur edhe në në Urën e Kardhiqit, në aksin Ura e Leklit-Këlcyrë, Gjirokastër-Jorgucat apo dhe në aksin Krahës-Memaliaj. Po ashtu nga Mamurrasi deri në Shkodër, nje aks i quajtur prej qytetarëve si rruga e vdekjes ka vetëm një mbikalim dhe shume kryqëzime.

Nisur nga numri i lartë i aksidenteve, mjetet e transportit publik dhe çfarëdolloj automjeti tjetër, e kanë të ndaluar të bëjnë ndalesa në rrugë, aty ku nuk ka sinjalistika rrugore që e lejojnë, siç janë vendet që njihen si "xhepat" në rrugë. Megjithatë, për kalimtarët, ende nuk ka mbikalime të mjaftueshme, çka i detyron ata të kalojnë mespërmes rrugës ku ecin automjetet. Kjo mangësi vihet re më së shumti në zonat periferike, ku qytetarët bëjnë kilometra në këmbë për të gjetur një mbikalim. Megjithatë, jo të pakta janë rastet, të bëra edhe mediatike, ku edhe pse mbikalimi mund të jetë jo më shumë se 100 metra larg , qytetarët nuk e përdorin dhe zgjedhin rrugën më të "shkurtër", duke kaluar në mesin e automjeteve pa asnjë siguri!

Po sot, një tjetër aksident rrugor i ndodhur tek Tre Urat në Divjakë, i mori jetën një 57-vjeçari. Agim Muça ka një histori të trishtë, përtej fenomenit problematik të papërgjegjshmërisë në rrugë si nga shoferët ashtu edhe kalimtarët. Gjatë natës në banesën e tij i kanë vjedhur bagëtinë. 57-vjeçari i ka ndjerë dhe është vënë në ndjekje të autorëve duke marrë automjetin, por gjatë rrugës, ndoshta për efekt të shpejtësisë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë makina ka dalë nga rruga. Në orën 05:30 të mëngjesit ai u nda nga jeta si pasojë e përplasjes së makinës së tij Ford, ndërkohë që i plagosur mbeti djali i tij, që Agim Muça e kishte marrë me vete në makinë. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa nga ana tjetër, policia po heton për kapjen e autorëve të vjedhjes, 

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë