Mero Baze: Deputetët që po ikin gjithë gëzim nga Parlamenti

Mero Baze: Deputetët që po ikin gjithë gëzim nga Parlamenti

Kuvendi i Shqipërisë

Dy deputetë të “Foltores” së Berishës, Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi e kishin sot ditën e fundit në Kuvend. Të dy do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit në dy bashkitë kryesore të vendit, Tiranë dhe Elbasan. Një tjetër koleg i tyre me profil më të ulët poltik, Zef Hila u rikthye tek bastioni i vet ne Bashkinë e Vaut të Dejës.

Vendimi i tyre është një gjest politik për t’u përshëndetur, për t’u larguar nga një mjedis ku nuk ka më perspektivë politike dhe ku identifikimi me Sali Berishën, është një plagë që do t’i mundojë gjatë. 

Vendimi për bërë betejën e tyre nuk buron aq shumë nga shpresa që zgjon ndonjë fitore e mundshme në bashki, por më shumë nga dëshira për t’i ikur Parlamentit, ku tani pas humbjes së betejave dhe për vula e sigla, ata thjesht identifikohen si dy njerëz të Berishës.

Krahasuar me Partinë Demokratike zyrtare, ku ka më shumë deputetë dhe askush nuk merr guximin të garojë, fjala vjen në Tiranë, Durrës apo Elbasan, gjesti i dy deputeteve të Foltores është një akt politik i rëndësishëm, që do t’i lërë ata në një periudhë më afatgjatë në politikë.

Shkatërrimi i Partisë Demokratike për shkak të Sali Berishës dhe axhendës së tij personale, tani nuk është një hall vetëm i PD, por dhe i secilit deputet që bën pjesë aty dhe që përpiqet të notojë në këto kohë duke u përpjekur të mos bëhet pis nga Berisha. 

Nga ana tjetër ideja për të mos qenë politikisht aktiv në këto kohë, me shpresë që të bëhen të gjallë kur të qetësohen ujërat, tregon se çfarë stofi jopolitik kanë shumica e deputetëve të PD.

Kjo betejë nxjerr në sipërfaqe ata njerëz që kanë vetëdije politike në PD dhe ata që janë aty për të marrë rroga. Beteja do të provojë sa vlen secili, por aty më shumë vlerë ka një politikan që merr dhe pesë për qind, se sa ata që fshihen nga beteja.

Edhe më qesharake janë idetë që PD të kandidojë vetëm për këshillat bashkiake, pa nxjerrë kandidatë, me shpresë se mund t’i kërkojnë llogari Berishës më 15 maj pse humbi. Po ata Berisha nuk i llogarit që janë gjallë sot, që kanë dhe vulë, e jo më 15 maj, nëse nuk kandidojnë askund. 

Kriza në të cilën ka hyrë Partia Demokratike kërkon akte lufte për t'ia dalë përtej. Ata që janë me Berishën, më të mirën që mund të bëjnë është kjo që bëri Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi, që të shkëpusin betejën e tyre nga Berisha dhe të vazhdojnë përpara duke krijuar historinë e tyre. Ndërsa pala tjetër e cila formalisht është kundër Berishës, ose duhet të jetë realisht kundër Berishës, ose nuk vlen për asgjë. 

Është e pafalshme që asnjë nga figurat kryesore të Partisë Demokratike në Kuvend nuk i shkoi mendja të garonte për bashkitë e mëdha në vend, për të krijuar identitetin e tyre politik. Nuk e kuptoj se çfarë i duhet rroga e deputetit edhe për dy vjet një politikani të ri, të cilin aty ku është se e ka emëruar Berisha dhe tani shpreson të marrë rrogën dhe dy vjet duke bërë sikur është kundër Berishës.

Partia Demokratike do të ringrihet prapë një ditë pa Berishën. Dhe në atë proces ringritje, nuk do të jetë më kriter kush e ka pasur mirë me Berishën apo Bashën, por kush ka afirmuar veten këto kohë kur PD ishte duke u fundosur.

Nuk më duket se nga Partia Demokratike zyrtare do t’i vijë ndonjë emër dikujt në ndërmend, të shquar për diçka, përveçse përpjekjeve të mundimshme që dhe me Berishën të mos ishin, por dhe ai të mos i mbante inat. Kjo natyrisht nuk i lë atë më në politikë.

Nëse dikush prej tyre do garonte, nëse e ka hallin tek rroga e Kuvendit, ajo i vazhdon dhe tre vjet. Por personaliteti i politikanit, nuk formohet me rrogë. 

Ndaj sot Belindi dhe Luçiano janë të gëzuar që ikin nga Kuvendi dhe bëjnë betejën e tyre jo se janë doemos fitimtarë, por se shpëtojnë nga damka e “non gratës” dhe bëjnë historinë e tyre. 

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Interi beson te Inzaghi, rinovon deri në vitin 2027

Interi beson te Inzaghi, rinovon deri në vitin 2027