Mero Baze: Ku qëndron përgjegjësia penale dhe përgjegjësia morale e Fatmir Mediut në Gërdec?

Mero Baze: Ku qëndron përgjegjësia penale dhe përgjegjësia morale e Fatmir Mediut në Gërdec?

Fatmir Mediu

Reagimi i parë i Fatmir Mediut pasi Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i komunikoi akuzat lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ishte “çudia” se akuzat ishin të njëjtat me ato të vitit 2009. Dhe kjo, sipas tij, ishte skandal, pasi ai e quan atë akuzë të motivuar politikisht dhe se nuk është pyetur asnjëherë këto 15 vite për atë akuzë.

E kuptoj që nuk është një moment i lehtë në jetën e një ish- zyrtari të lartë përballja me akuzën e cila përmban brenda disa vite burg, dhe mund të mos jesh në gjendje të thuash gjëra të mençura në atë moment. Për këtë arsye, në praktikat e çdo procesi gjyqësor, çdo i akuzuar ka të drejtë të mos bëjë komente në raste të tilla. Edhe zoti Mediu e ka pas shansin të mos fliste pas akuzës.

Madje kreu i SPAK Altin Dumani, ka qenë një prej prokurorëve të kësaj çështje qysh më 2008, por që për shkak të trukeve procedurale të përdorura nuk e ballafaqoi dot çështjen në gjykatë.

Në atë proces janë gjykuar dhe dënuar vetëm pjesa e partnerëve në biznes me Ministrinë e Mbrojtjes, Mihal Delijorgji, zyrtarë të kompanisë së tij dhe Ylli Pinari, si drejtor i “Meico.” Ish- shefi i Shtabit të Ushtrisë Luan Hoxha, i cili ka thuajse të njëjtën akuzë me Mediun, u largua për azil politik në SHBA, pasi sipas kabllogrameve të zbuluara të Departamentit të Shtetit, kishte rrëfyer në Ambasadë se i biri i Sali Berishës qëndronte pas biznesit dhe ishte nën presionin e njerëzve të Berishës për të dështuar hetimet.

Fatmir Mediu, pas disa zvarritjesh të procesit, arriti ta mbyllë atë në shtator të vitit 2009, pasi mori mandatin si deputet i listës së PD, dhe Gjykata e Lartë pushoi gjykimin për shkak të imunitetit.

Me këtë mandat të dhuruar rregullisht nga PD, për shkak të Berishës dhe implikimit të djalit të tij, është mbrojtur deri më sot.

Po ku qëndron përgjegjësia penale e Fatmir Mediut?

Është shumë e qartë përgjegjësia e Fatmir Mediut si iniciator i këtij biznesi dhe këmbënguljes që ai të shkonte në duart e asaj kompanie pa garë, për të cilën ka lobuar djali i Sali Berishës.

Historia nis me përpjekjet e Mihal Delijorgjit, i cili përmes lidhjes që kishte krijuar m Shkëlzen Berishën, donin të lidhnin një kontratë direkte me qeverinë shqiptare për demontimin e fishekëve të maskuar nën një shoqëri të përbashkët shqiptare me një kompani amerikane.

Pas 42 hyrje- daljeve brenda muajit në zyrën e Fatmir Mediut, Shkëlzen Berisha e kishte bindur atë ta çonte në qeveri për VKM.

Në kulmin e fushatës elektorale të vitit 2007, në muajin shkurt, ndërsa PD ishte në përpjekje të dëshpëruara për të mundur Edi Ramën në garë me Sokol Olldashin, i biri i Sali Berishës shfrynte i nervozuar nëpër zyrat e PD, pasi dy vetë po i pengonin projektin me “ca amerikanë”. Ishte fjala për Ridvan Boden dhe Ilir Rusmalin, të cilët po hezitonin t’i jepnin dakordësinë për VKM-në që kërkonte.

Në mbledhjen e qeverisë të datës 17 shkurt 2007, shikohet qartë nga procesverbali se Fatmir Mediu është mbështetës i angazhuar me mish e shpirt që qeveria të miratojë një VKM që kjo kontratë t’i shkojë direkt kësaj kompanie pa garë. Mediu thotë:

“...Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka paraqitur ofertën, ka diskutime, d.m.th intensive me juristë të Këshillit të Ministrave, me juristët tanë për të gjetur zgjidhjen. Kjo është zgjidhja që na kanë ofruar të dyja palët. Ridvani bën juristin dhe financierin. Të kthejë përgjigje me shkrim. Të bëhet ballafaqimi…”.

Pra Fatmir Mediu kishte bërë gati skemën që kjo kompani të fitonte kontratën direkt me VKM.

Sali Berisha, i cili ishte tërësisht pro tij, kërkonte t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve dhe ja “ngarkoi” këtë detyrë Ilir Rusmalit që të gjente zgjidhje.

Rusmali i përgjigjet aty për aty në mbledhje që kjo nuk bëhet, pasi qeveria nuk është komision tenderi. Nëse zotëria do ta bëjë këtë gjë, le të bëjë një vendim nga Ministria e tij dhe ta bëjë me tender si gjithë të tjerët, i thotë Rusmali

Berisha këmbëngul që Rusmali të gjejë zgjidhje, por ai ja pret shpresat.

Këtu dështon përpjekja e parë e Mediut për të kthyer qeverinë në komision tenderi, për t’i dhënë kontratën direkt kësaj kompanie.

Pas kësaj, qeveria autorizon Ministrinë e Mbrojtjes, me vendimin nr. 138, që ta bëjë këtë procedurë me tender dhe ai nxjerrë urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, për t’i hapur rrugë kësaj procedure.

Në fund, kjo procedurë nxjerr prapë fitues Delijorgjin me partnerët e tij fiktivë nga SHBA, Southern Anmmunition Company, të cilët ndërkohë kishin autorizuar si përfaqësues të tyre në këtë biznes Rrahman Selmanllarin, shokun e ngushtë të Shkëlzenit. Pra ishin mbulesa e Shkelzenit.

Për ta bërë sa më praktike nisjen e punës në terren, Delijorgji kishte krijuar nderkohë edhe një kompani ndërtimi, ku kishte bërë aksioner Fahri Balliun, duke përdorur mizorisht emrin e vajzës së tij ende studente. Fitimi paradhënie ishte nje foristradë Q7 për Balliun.

Punimet në Gërdec filluan praktikisht para se të mbaronin procedurat dhe ishte bërë fakt i kryer se ai shërbim do kryhej nga kompania e Delijorgjit, pas së cilës qëndronte Shkëlzen Berisha.

Do të mjaftojnë telefonatat e pafundme të Delijorgjit me Shkëlzenin dhe Selmanllarin për gjatë gjithë vitit, për të kuptuar se ata ishin pronarët e vërtetë të atij biznesi.

Edhe pse ushtarakët e lartë denoncuan prishjen e paligjshme të godinave para hartimit të kontratës, Mediu nuk reagoi por i hapi rrugë paligjshmërisë.

Kjo është kolona e parë e abuzimit me detyrën e Fatmir Mediut, pasi ka fiksuar që do t’i japë kontratën një kompanie, dhe megjithëse ka dështuar në një procedure, ka zgjedhur një procedurë tjetër, e cila ka dhënë të njëjtin rezultat. Pra kemi një fiksim të subjektit fitues për një biznes që e kanë kërkuar vetë ata dhe Mediu është përdorur si sekser me qeverinë.

Pjesa e dytë e paligjshmërisë ka të bëjë me normat e fitimit me të cilin ka favorizuar kompaninë, dhe lehtësirat e tjera të krijuara si favore.

Kësaj historie ju bashkangjit një histori e dytë korruptive, ajo e eksportimit të fishekve kinezë për ushtarët në Afganistan përmes një kompanie amerikane.

Meqë shitja e municioneve kineze ishte e paligjshme, blerësit amerikanë të kompanisë AEY, kërkuan të ripaketohen në kuti kartoni që të zhduken shenjat kineze.

Tenderin për këtë amerikanët ja kishin dhënë biznesmenit Kosta Trebicka. Por pasi bëri paktin e parë të porosisë, Trebicka u përball me shantazhin e grupit të Shkëlzen Berishës për të hequr dorë nga ai biznes, pasi do ta bënte vetë grupi i Shkëlzenit. Pra i njëjti grup, Delijorgji-Berisha u përpoq të merrte kontrollin dhe mbi ripaketimin, duke fituar kështu disafish, pasi nga kontrata e parë merrnin fishekë për t’i demontuar dhe për t’u paguar për demontim, ndërkohë që kishin plan që të mos i demontonin, por t’i shisnin në Afganistan. Pra të paguheshin një herë për demontim dhe një herë për shitje, duke dhjetëfishuar fitimet.

Beteja e Kosta Trebickës kundër tyre u bë popullore dhe mbërriti në zyrën e “New York Times”. Kur shefi i zyrës së “New York Times” në Moskë në atë kohë, Chris Chivers, më shkruajti për ta informuar për dijeninë që kisha rreth përzierjeve të djalit të Sali Berishës në këtë histori, unë nuk isha i qartë për të dy historitë, por vetëm për atë të parën. Kur ja shpjegova me hollësi, më ktheu përgjigje se kjo është një hsitori tjetër, ndërsa ai po interesohej për një histori paralele me këtë, që ka të bëjë me të njëjtët njerëz, pra me Delijorgjin e Shkëlzen Beirshën, dhe me të njëjtin vend, Gërdecin.

Këtu u bë e qartë se historia ishte më e rëndë se sa dukej. Fatmir Mediu nxorri nga zyra të dërguarin e “New York Times” që i shkoi për intervistë në vjeshtën e vitit 2007, dhe pastaj pas dy orësh shkoi duke qarë në Ambasadën amerikane dhe dorëzoi kasetën që i sekuestroi, duke kërkuar ndjesë.

Historia vazhdoi kështu derisa Gërdeci shpërtheu më 15 mars 2008, për shkak të arrogancës dhe injorimit të çdo rregulli të sigurmit teknik, për shkak të mbështetjes politike, duke varrosur të gjallë 26 vetë.

Tani Fatmir Mediu ngjan i çuditur që akuzat janë të njëjta me 2009 dhe se nuk ka fakte të reja. Akuzat nuk kanë pse ndryshojnë, pasi nuk janë akuza të gjykuara.

Dhe të vdekurit nuk ndryshojnë, janë ata që ishin më 15 mars. I vetmi i vdekur i shtuar më pas është Kosta Trebicka, dhe disa pjesëtarë familjeve të viktimave të vetëvrarë nga depresioni.

Fatmir Mediu duhet të përballet me dinjitet në këtë gjyq, jo si “njeri i besës” së Shkëlzen Berishës, por si një zyrtar që ka gabuar dhe që duhet të ndihmojë drejtësinë të vërë në vend dinjitetin e shtetit shqiptar.

Nga kjo varet shumë se si ai do mbetet në historinë e politikës shqiptare, si një qen besnik i një familje kriminale, apo si një zyrtar që ka gabuar dhe që diti të përballet me drejtësinë. Këtë gjë e ka vet në dorë. Kurse ndëshkimin e tij e ka në dorë drejtësia. Ajo mund ta falë apo ta ndëshkojë, por kjo nuk do mbahet mend. Ajo që do mbahet mend është nëse ky njeri do iki nga politika si qen besnik i atij që e ushqeu, apo si njeri me dinjitet. Kaq ka në dorë.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mero: 11/01/2023 00:22

    As pike as presje nuk hiqen nga shkrimi. Bravo. Drejtesi do te vihet dhe ska dyshim. Jane lot nenash qe ende nuk jane thare, jane britma shpirti qe ulerasin per drejtesi, jane fjale qe skane fund per padrejtesine.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ambasadori i BE-së, Gonzato shkon në Kuvend

Ambasadori i BE-së, Gonzato shkon në Kuvend