Mero Baze: Përpjekje e Ilir Metës për t’u dukur si president

Mero Baze: Përpjekje e Ilir Metës për t’u dukur si president

Presidenti Ilir Meta

Ilir Meta është përpjekur dje të prodhojë një procedurë të re “verifikimi” për listën e kandidatëve për ministra që Edi Rama ka bërë të njohur publikisht. Përmes një shkrese, ai i ka kërkuar Prokurorisë ta informojë nëse ka për ndonjë prej tyre informacione apo kërkesa për të iniciuar hetime ndaj tyre.

Jemi të qartë për dëshirën e tij për të legjitimuar aktet e mëparshme antikushtetuese ku ka deformuar vullnetin politik të fituesit, duke i refuzuar shkarkime ministrash dhe emërime ministrash të rinj.

Gjykata Kushtetuese u shpreh qartë pas kësaj, duke e detyruar presidentin të shprehet me dekret dhe jo me deklarata për shtyp rreth performancës së një kandidati për ministër.

Pra nëse ai mendon se dikush nuk e meriton, shprehet me dekret. Pastaj shumica e trajton dekretin e tij në Parlament si çdo dekret tjetër, duke respektuar vullnetin e saj.

I qartë për këtë fund pa lavdi që kanë përpjekjet e tij presidenciale për të diktuar vullnetin e shumicës, me këtë shkresë ai po përpiqet të tregojë se dhe procedurat e tij të mëparshme ishin normale.

Prokuroria ka zgjedhur t’i përgjigjet presidentit për kërkesën e tij, por në fakt nuk është e detyruar me ndonjë ligj t’i japë atij informacione për persona të zgjedhur, për shkak se po marrin një detyrë që ua garanton ligji.

Prokuroria dhe institucionet e tjera të vendit, e kanë gjithë të drejtën ta lënë pa përgjigje shkresën e Ilir Metës, siç pat lënë ai pa përgjigje kërkesën për dekretim të shkarkimit të Ditmit Bushatit apo emërimin e Gent Cakaj dhe Sandër Lleshajt.

E drejta kushtetuese për informim rregullohet me ligj të veçantë dhe ai mund të përdorë atë ligj.

Nga ana tjetër është e paqartë nëse institucioneve që u drejtohet presidenti janë të afta të gjykojnë se cilat janë kushtet që duhet të plotësojë një qytetar që të bëhet ministër apo që të mos bëhet.

Ne nuk kemi kritere specifike për një post të tillë që t’u referohesh nga pikëpamja ligjore, përveç kushteve që duhet të plotësojë çdo qytetar mbi 18 vjeç, që ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedh.

Mosha është lehtësisht e verifikueshme, kurse për çdo cilësi tjetër ka institucione përkatëse që të japin informacion për dekriminalizimin, gjendjen gjyqësore, shkollimin etj.

Pra kërkesa të tilla janë spekulim propagandistik dhe tërësisht të pambështetura në ligj, por thjesht për të krijuar konflikt politik.

E vetmja gjë e re është se ndërsa më 2019 arroganca me të cilën i bënte këto gjëra ishte frymëzuese për djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh, tani është flakë kashte për t’u dukur se nuk ka ikur akoma nga Presidenca.

Është pak a shumë si diferenca mes Sali Berishës para dy vitesh, që me një të lëvizur të dorës nxirrte grupin parlamentarë të PD nga Kuvendi pa e pyetur Lulzim Bashën, dhe Sali Berishën e sotëm, që duket si plak i vetmuar rrugëve, që gjuan me gurë makinën e Lulzim Bashës.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

'Tempulli' deri tani u sekuestruan mbi 1600 kg drogë, Balla: Do vijojmë

'Tempulli' deri tani u sekuestruan mbi 1600 kg drogë, Balla: Do vijojmë