Mesazhi/ Favorizoi Francesco Becchetti-n, Vetingu ‘fundos’ gjyqtaren Kaçe Agolli, e ‘mori në qafë’ biznesmeni kontrovers, ja si Holanda rrëzoi drejtësinë e korruptuar shqiptare 

Mesazhi/ Favorizoi Francesco Becchetti-n, Vetingu ‘fundos’ gjyqtaren Kaçe Agolli, e ‘mori në qafë’ biznesmeni kontrovers, ja si Holanda rrëzoi drejtësinë e korruptuar shqiptare 

Francesco Becchetti

TIRANË- Më 10 shtator 2021, Komisioni i Vetingut vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës Kaçe Agolli, duke i dhënë fund karrierës së saj 25-vjeçare në drejtësinë shqiptare. Krahas disa problematikave me pasurinë, sidomos me burimet e shpenzimeve të vajzës në SHBA dhe përfitimit të gjyqtares si e pastrehë, procesi i verifikimit të gjyqtares së Tiranës, si rrallëherë, u fokusua në thellësi tek aftësitë profesionale dhe shqyrtimi i dosjeve nga ana e saj.

Gjatë vlerësimit profesional të gjyqtares, trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici u ndal tek një dosje e vitit 2009, në shqyrtimin e të cilës kishte marrë pjesë gjyqtarja Agolli, ku palë e interesuar dhe në fund përfitues ishte biznesmeni kontrovers Francesco Bechetin, i cili prej dy vitesh ka ‘ndezur’ politikën shqiptare, për shkak se fitoi në arbitrazh ndërkombëtar 110 milionë euro, pasi shteti shqiptar i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon”.

KPK-ja u vu në lëvizje për të analizuar këtë dosje nga denoncimi i publikut. Francesco Becheti, me anë të kompanisë Albania Beg Ambient i kërkonte kompanisë italiane Enel 433 milionë euro, si dëmshpërblim për fitim të munguar nga viti 2005 deri në vitin 2011, për mos ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit nga Enel. Trupa gjykuese në Gjykatën e Tiranës në vitin 2009 përbëhej nga tre gjyqtarë. Kaçe Agolli, pjesë e trupës gjykuese, ka votuar pro padisë së Bechetit, duke detyruar Enel t’i paguante  25 milionë euro si dëmshpërblim Bechetit. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë, ndërsa Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e përfaqësuesve të kompanive që duhet të paguante paratë. Pra, të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri e kanë konfirmuar vendimin.

Holanda rrëzon drejtësinë shqiptare
Vendimi i Gjykatës së Tiranës pro Bechetit, i cili është lënë në fuqi nga Apeli dhe Gjykata e Lartë, është trajtuar për ekzekutim nga Gjykata e Amsterdamit në Holandë. Komisioni i Vetingut ka administruar dokumentacionin. Gjykata e Amsterdamit ka hedhur poshtë vendimin e gjykatave shqiptare për këtë çështje, duke e konsideruar të gabuar.

Në vendimin e shkarkimit të gjyqtares, për këtë çështje thuhet se “Nga dokumentacioni i administruar gjatë hetimit ka rezultuar se Gjykata e Apelit të Amsterdamit me vendimin e datës 17.7.2018 ka vendosur se vendimi i Gjykatës Shqiptare: “(ishte) në mënyrë aq evidente në kundërshtim me të drejtën shqiptare të cituar nga vetë ajo gjykatë sa që (...) doemos duhet konkluduar se bëhet fjalë për një gabim të dukshëm dhe se asnjë gjykatë që vepron në mënyrë të arsyeshme (...) nuk do të kishte ardhur deri te një gjykim i njëjtë. E njëjta vlen edhe për vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, e cila përkundër ...”.

Në vijim, Gjykata e Apelit në Amsterdam ka vlerësuar se, thënë shkurt, zhvillimi i procesit shqiptar nuk i ka plotësuar kriteret që duhet të parashtrohen në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe prandaj vendimi gjyqësor shqiptar nuk vjen në konsideratë për t’u ekzekutuar në Holandë”.

Vetingu i kërkon llogari për dosjen
Komisioni i Vetingut i ka kërkuar sqarime gjyqtares për rolin e saj në shqyrtimin e kësaj çështje kaq të rëndësishme dhe me vlerë të madhe. Gjyqtarja Kaçe Agolli ka mbrojtur vendimin e saj, duke pohuar se Becheti është subjekti i së drejtës shqiptare, pasi ai është regjistruar si person juridik pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbajtës i titullit koncensionar.

Ajo ka pohuar se dëmi është shkaktuar në Shqipëri dhe padia ngrihet në vendin ku shkaktohet dëmi. Sipas saj, vendimi bazohet në nenin 608 të Kodit Civil, pasi ekzistojnë gjithë elementët e kërkuar nga ligji për dëmin.

Lidhur me konstatimin holandezëve, gjyqtarja Kaçe Agolli ka pohuar se “Nuk arrij dot të kuptoj përse vendimi nga të tjerë juristë jo shqiptarë është cilësuar i pakuptueshëm. Kuptueshmëria s’varet prej meje, në një kohë që vendimi respekton gjithë standardet e detyrueshme nga Kodi i Procedurës Civile. Nëse vendimi ynë do të ishte i pakuptueshëm, Gjykata e Apelit duhet ta kishte prishur. Nëse vendimi ynë dhe i Gjykatës së Apelit do të ishte i pakuptueshëm dhe i pazbatueshëm, Gjykata e Lartë duhet të kishte ndërhyrë dhe t’i prishte të dy vendimet. Kjo s’ka ndodhur e mendoj se në sy të ligjit, ky i fundit është respektuar tërësisht prej nesh në këtë vendimmarrje”.

Qëndrimi i Vetingut
Trupi gjykues i KPK-së thotë se edhe pse vendimi pro Bechetit është lënë në fuqi nga gjykatat shqiptare, Gjykata e Apelit të Amsterdamit ka konstatuar se arsyetimi i përdorur dhe konkluzioni i gjyqtarëve shqiptarë bien ndesh me vetë dispozitat referuese të Kodit Civil Shqiptar dhe vetë qëllimin që ky vendim synon të arrijë, garantimin dhe dëmshpërblimin e drejtë të palëve.

“Trupi gjykues çmon se aftësia dhe detyra e një gjyqtari është të zbatojë ligjin dhe ta interpretojë atë krahas jurisprudencës së detyrueshme, nën frymën e qëllimin e tij, jo në mënyrë të fragmentarizuar e jashtë kontekstit. Po ashtu, gjykata duhet të ishte kujdesur që të plotësoheshin kriteret në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe që vendimi të ishte i ekzekutueshëm, pasi subjekti vetë ishte në dijeni të ekzistencës së marrëdhënies së palës paditëse me shoqëritë e huaja. Trupi gjykues, duke e vlerësuar qëndrimin e Gjykatës së Apelit të Amsterdamit si një qëndrim zyrtar, në fuqi, dhe i marrë nga një institucion i huaj, tërësisht i pavarur dhe i pandikuar nga sistemi i së drejtës shqiptare, si dhe i pandikuar lidhur me situatën aktuale konkrete rivlerësuese të subjektit të rivlerësimit, i konsideron qëndrimet e saj të besueshme dhe vlerëson se me vendimin nr..., datë 24.3.2009, subjekti rivlerësimit ka treguar mungesë dhe dobësi në drejtim të aspektit të njohurive mbi ligjin dhe aftësive për të interpretuar jurisprudencën dhe marrëveshjet ndërkombëtare, mungesë të elementëve garantist të së drejtës...”, thuhet në vendimin e shkarkimit.

Shkarkimi
Në përfundim, Komisioni i Vetingut ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Kaçe Agolli për probleme me pasurinë dhe për shkak të vendimmarrjeve të saj, të konsideruara të padrejta, si gjyqtare, duke përfshirë sidomos edhe rastin e Francesco Bechetit. Tashmë gjyqtarja e Tiranës Kaçe Agolli mund ta ankimojë vendimin e shkarkimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut.

 

Vendimi i Komisionit të Vetingut që përfshin çështjen Becheti, ku shkarkon gjyqtaren Kaçe Agolli

B.K./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tedi: 09/10/2021 23:01

    Ja dhe kete cudi se kishim degjuar. Shkalla 1, 2 dhe 3 njesoj. Ne Amsterdam e rrezojne. Ok. Bukuri, te gjithe nga e pare te e larta ti heqin nga sistemi. Pyetje per Tik palafikun: se fundmi nje gjykate arbitrazhi ka pranuar Beketin dhe denuar Shqiperine. 140 mil euro. Si mendon ti Tiku, ca dujet te behet me gjithe zinxhirin ne Shqiperi, Lali Eri, Lali Rama, dhe lale e lalushe para e pas tyre? Duhet te hiqen? Te akuzohen, cfare? Thelloje njehere me Meron kete pune.

    Përgjigju
    • Katarakti: 10/10/2021 09:39

      Nuk di se si eshte e verteta,por di qe Becchetti eshte nje hajdut dhe i ndihmuar nga shume hajdute te tjere shqiptare! Saimiri dhe kolegu i tij edhe ajo femra qanin kur iku Boss-i i tyre! Para te madhe bene! Nuk u shkoi njehere ne mendje nga vinin Eurot e Agon Channel? Karakteristika nr, 1 e shqiptarit sidomos PD-Lsi eshte, hajdutlliku!

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin