Meta apel politikës: Duhet dialog i vërtetë! Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan si në fletore vizatimi

TIRANE-Presidenti Ilir Meta në aktivitetin për Ditën e 53-të Botërore të Paqes u shpreh se politika shqiptare ka nevojë për një dialog të vërtetë për të kaluar krizën, pa përjashtime dhe manipulime. Në fjalën e tij, duke 'thumbuar' kryeministrin Edi Rama pas përplasjes me Ramush Haradinajn që përfundoi në gjykatë, kreu i shtetit iu rikthye edhe njëherë debatit për ndryshimin e kufijve në Ballkan, mes Kosovës dhe Serbisë që ishte mjaft i fortë në muajt e verës së vitit të kaluar.

"Paqja nuk izolohet nga kufijtë. Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të matur për ta ruajtur atë edhe në rajonin tonë, që i ka ende të freskëta plagët e gjenocidit dhe konflikteve etnike e fetare.  E rëndësishme është të kuptojmë se e ardhmja është vetëm bashkëjetesa. Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi. Të punojmë të gjithë, jo për ndryshim të kufijve, por për heqje të tyre, për partneritet të plotë, në pozita të barabarta, me një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur" tha Meta.

Verën e kaluar, që nga momenti i hapjes së debatit nga Presidenti Thaçi në Kosovë për një marrëveshje me Serbinë që mund të përfshinte edhe rishikimin e kufijve, mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ka pasur qëndrime dhe akuza, teksa kreu i shtetit Ilir Meta është pozicionuar kundër kësaj ideje.

Fjlala e plotë e Ilir Metës
Mesazhi kuptimplotë i këtij viti, i Atit të Shenjtë, Papa Françesku, vjen me një thirrje të shpresës për paqe nëpërmjet dialogut, pajtimit dhe kthimit ekologjik.

Paqja dhe shëndeti janë dy gjërat më të shtrenjta që ka një shoqëri dhe një individ. Por që për fat të keq e kuptojmë këtë kur i humbasim dhe kur nuk kujdesimi për to çdo ditë.

Paqja në disa raste mund të  arrihet shumë lehtë dhe të fillojë, siç thotë edhe Shën Nënë Tereza: ‘Edhe me një buzëqeshje’, por në të shumtën e rasteve, ashtu siç na e ka mësuar historia, kërkon sakrifica të panumërta, punë dhe përpjekje të vazhdueshme, jo vetëm për ta fituar por edhe për ta mbrojtur atë.

Ky ishte edhe mesazhi i këtij viti i Papa Françeskut, arritja e paqes në marrëdhënien me njëri-tjetrin, në vendin dhe rajonin ku jetojmë, e madje edhe më gjerë, në rreziqet që i kanosen sot paqes në mbarë botën.

Ashtu siç e tha edhe Ati i Shenjtë, bashkësia jonë njerëzore mbart, në kujtesë dhe në mish, shenjat e luftërave dhe të konflikteve që kanë ndjekur njëri-tjetrin, gjithnjë e më shkatërruese, dhe që nuk reshtin së godituri sidomos më të varfrit dhe më të dobëtit. Edhe kombe të tëra e kanë të vështirë të lirohen prej zinxhirëve të shfrytëzimit dhe të korrupsionit, që ushqejnë urrejtje dhe dhunë. Ende sot, shumë burrave e grave, fëmijëve e të moshuarve, u mohohen dinjiteti, siguria fizike, liria, përfshi edhe ajo fetare, solidariteti dhe shpresa për të ardhmen.

Shqiptarët ruajnë në kujtesë zinxhirët dhe vargonjtë e diktaturës komuniste më të ashpër që ka njohur kontinenti ynë, por edhe pse u çliruam prej tyre 30 vite më parë edhe sot, jemi të ndërgjegjshëm dhe të shqetësuar se vendi ynë ende përballet me sfidat e shfrytëzimit dhe korrupsionit, dhe vuan nga mungesa serioze  e shpresës për të ardhmen.

Janë pikërisht këto arsyet pse shqiptarët detyrohen të largohen nga vendi i tyre.

Largimi i të rinjve nga Shqipëria është një fenomen shkatërrimtar për vendin dhe duhet ndalur sot dhe jo nesër.

Papa Françesku, për të gjithë ata që e kanë takuar, ka një vëmendje të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në veçanti duke njohur vuajtjet e tyre të pashembullta në të kaluarën komuniste.

Jo vetëm kaq, por ne e dimë shumë mirë edhe rëndësinë që ai i kushtoi Shqipërisë për të gjitha arsyet, përfshi dhe shembullin model të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare që ajo përfaqëson.

Papa Françesku gjatë vizitës së Tij në Shqipëri na ka lënë si porosi:  Kam parë kaq shumë të rinj, ndaj ju lutem mbajini ata në atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demokrafik i Europës.

Për fat të keq, po të bëjmë një bilanc, pas kësaj vizite të Atit të Shenjtë në vendin tonë në vitin 2014, rreth 200-300 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga vendi, një fenomen që fatkeqësisht vazhdon.

Nëse dikush do më thotë se ky fenomen ndodh kudo, unë mund t’i them se nuk është kurrsesi në këto përmasa, për më tepër që nuk kemi të bëjmë me një largim, por me shpopullim.

Nëse nga Serbia largohet 1 serb, nga Shqipëria largohen 8 shqiptarë, nëse nga Mali i Zi largohet 1 malazez, nga Shqipëria largohen 11 shqiptarë për 1 mijë banorë.

Kjo është një situatë alarmante dhe dramatike që kërkon një përgjigje nga të gjithë aktorët dhe të gjithë qytetarët tanë.

Ndaj edhe Ati i Shenjtë në mesazhin e Tij të këtij viti theksoi se: kërkohet që t’i bëhet thirrje ndërgjegjes morale dhe vullnetit personal dhe atij politik.

Për këtë arsye vullneti politik duhet të forcohet gjithnjë e më shumë, për të nxitur procese të reja që i pajtojnë dhe i bashkojnë njerëzit dhe bashkësitë dhe ju japin atyre shpresë për të ardhmen.

Më shumë dashuri për vendin, një vullnet dhe një dialog më i madh dhe më i shpejtë politik do kontribuonin në zhvillimin e vendit dhe do të dekurajonin këtë fenomen duke e ndihmuar Shqipërinë për çeljen e negociatave dhe për të kapur ritmin e duhur të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pa sforcime të jashtëzakonshme dhe artificiale, si dhe pa pengesa në rritje.

Dialogu, thekson Ati i Shenjtë, çon në paqen e një vendi.

Bota nuk ka nevojë për fjalë boshe, u shpreh ai, por për dëshmitarë të bindur, për artizanë të paqes të hapur ndaj dialogut, pa përjashtime dhe manipulime.

Ndaj edhe politika dhe politikanët duhet të vihen në shërbim të njerëzve të thjeshtë.

Të përdorin të përgjegjshëm dialogun publik dhe institucional në interes të qytetarit.

Të drejtojnë duke i shërbyer interesit kombëtar dhe të ardhmes së vendit.

Të punojnë me përgjegjësi për të siguruar kushte që rinia jonë të arsimohet këtu, të punojë këtu, e ta ndërtojë këtu jetën dhe të ardhmen e saj.

Shqipëria ka një harmoni dhe tolerancë fetare shembullore për mbarë botën, ndërkohë për fat të keq ka një politikë, qënuk po ecën në drejtimin e duhur.

Sot shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për një dialog të vërtetë me gjithsecilin prej tyre.

Ata duan që zëri i tyre të dëgjohet, të kenë lirinë e zgjedhjes, të fjalës, të jenë aktivë dhe faktorët më kryesorë në ruajtjen e Kushtetutës, demokracisë, dhe në vendimarrjen, dhe destinacionin europian të vendit.

Shqiptarët duhen dëgjuar dhe jo përjashtuar!

Shpresa, thuhet në mesazhin e Papë Françeskut, është virtyti që na vë në ecje, që na jep krahë për të ecur përpara, madje edhe kur pengesat na duken të pakalueshme.

Shqiptarët janë një popull shprese dhe e kanë treguar këtë përgjatë gjithë historisë së tyre. Ata shpresuan gjatë pushtimeve dhe diktaturës dhe shpresa e tyre u përmbush me lirinë që gëzojmë sot.

Fatkeqësisht, pas një periudhe kaq të gjatë Shqipëria mbetet e ngadaltë në procesin e integrimit europian dhe shpresa e shqiptarëve sot është më e pakët se ajo e viteve 1990-të dhe 2000.

Ndaj duhet punë dhe përgjegjshmëri. Jo fjalë, por vepra. Jo premtime por përmbushje e ëndrrave dhe shpresës së shqiptarëve dhe sidomos më të rinjve.

Shqiptarët meritojnë standarde më të mira jetese dhe një ekonomi më të konsoliduar, më përfshirësë dhe më shpresëdhënëse.

Ajo që është e vërtetë për paqen në fushën sociale, tha Papa Françesku, është e vërtetë edhe në atë politike dhe atë ekonomike.

Nuk do të ketë kurrë paqe të vërtetë nëse nuk jemi të aftë të ndërtojmë një sistem më të drejtë ekonomik dhe me përfshirës.

Ndasia midis pak njerëzve të shtresave të pasura dhe asaj shumice të varfër, dhe monopoli ekonomik në dëm të bisneseve të vogla dhe familjare, kanë krijuar një pabarazi sociale dhe një hendek të madh në dëm të paqes së vërtetë sociale.

Shqipëria është një vend bekuar nga Perëndia me një bukuri të rralla, me pasuri të shumta natyrore, historike dhe kulturore, por edhe me njerëz të aftë, të talentuar dhe punëtorë, ndaj kërkohet përgjegjshmëri në ndërtimin e një sistemi më të drejtë ekonomik dhe krijimin e kushteve për një zhvillim ekonomik të qendrueshëm që do shmangte pabarazinë dhe konfliktet sociale, dhe do rriste standardin e jetesës së qytetarëve tanë e si rrjedhojë do sillte një kohezion dhe paqe solide.

Shqipëria është një vend që ka diell për të gjithë.

Mesazhi i Atit të Shenjtë na inkurajon të tregojmë më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit, të kujdesemi për shtresat në nevojë, të jemi më solidarë, të forcojmë institucionin e familjes dhe të kontribuojmë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në një shtet të së drejtës, demokracia e përshpejton procesin e paqes, nëse bazohet te drejtësia dhe angazhimi për t’i mbrojtur të drejtat e gjithësecilit.

Drejtësia e vërtetë dhe konsolidimi i demokracisë janë ende sfida dhe misione të papërmbushura në Shqipëri të cilat kërkojnë angazhime shumë serioze në mënyrë që qytetarët e thjeshtë të gjejnë drejtësinë, të ndihen të mbrojtur dhe t’u rikthehet besimi tek të gjitha institucionet.

Drejtësia nuk i përket një individi. Ajo i përket një populli. Dhe vetëm me anë të saj qytetarët e thjeshtë arrijnë dhe mbrojnë paqen e vërtetë sociale.

Paqja nuk izolohet nga kufijtë. Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të matur për ta ruajtur atë edhe në rajonin tonë.

Ne ndodhemi në një rajon, i cili edhe gjatë dekadave të fundit përjetoi gjenocid dhe konflikte luftrash etnike dhe fetare dhe për këtë ka ende nevojë për pajtim, pasi plagët janë ende të freskëta dhe nuk duhen lënduar më tej.

Ndaj mesazhi i Atit të Shenjtë është domethënës dhe një kujtesë që të jemi vigjilentë dhe të vëmendshëm ndaj çdo tentative dhe përpjekjeje që do të mund të cenonte qetësinë, paqen, mirëkuptimin dhe respektin reciprok dhe bashkëjetesën mes popujve, kombeve, etnive dhe besimeve në rajonin tonë.

Për këtë arsye kërkohet shumë maturi në mënyrë që paqja në rajon të prevalojë dhe të jetë e qëndrueshme, duke shërbyer si një themel për integrimin e përbashkët të të gjitha vendeve.

Pak ditë më parë, ne dhe e gjithë bota, përkujtuam Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, që na ktheu pas në histori në shfarosjen industriale të 6 milion hebrenjve, viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit, që humbën jetën për shkak të urrejtjes dhe të përpjekjeve për të sunduar të tjerët me çdo kusht dhe me çdo mjet.

Ne e dimë gjithashtu se çfarë ndodhi pak dekada më parë  në zemër të Europës, në Srebrenicë dhe Reçak. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se e ardhmja është vetëm bashkëjetesa.

Nuk mund te luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi.

Pak ditë më parë, Presidenti i Malit të Zi, z.Milo Gjukanoviç duke shprehur shqetësimet e tij legjitime për mospërdorimin e fesë nga asnjë vend si mjet për të cënuar sovranitetin e një shteti të pavarur dhe demokratik, me të drejtë shprehej se nuk ka vend as për Serbi të madhe dhe as për Shqipëri të madhe, sepse projekte të tilla vetëm hapin rrugë për tragjedi të mëdha.

Ne sot në këtë rajon duhet të gjithë të punojmë jo për ndryshime të kufijve, por për heqje të kufijve dhe për partneritet të plotë në pozita të barabarta, me një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur.

Shqipëria do vazhdojë të jetë një shembull i bashkëjetesës në rajon, duke filluar në radhë të parët me fqinjët dhe me të gjithë ata që e duan paqen dhe që janë për partneritet.

Në mesazhin e Tij, Ati i Shenjtë apeloi edhe për një kthim në ekologji.

Burimet natyrore, format e shumta të jetës dhe vetë Toka na janë besuar për t’u kujdesur për to dhe për t’i ruajtur ato. Toka dhe natyra janë banesa jonë e përbashkët që ne shpesh e harrojmë.

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 përveç të tjera dëshmoi se pasojat edhe mund të shtohen kur nuk tregohet kujdesi i duhur për zbatimin e ligjit për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, garancinë e mbrojtjes së jetës së qytetarit, me respektimin e kritereve urbanistike, thjesht dhe vetëm për të realizuar disa njerëz përfitime të momentit, që më pas mund të cenojnë jetën e qytetarëve në mënyrën më të padrejtë

Ne duhet t’i themi ndal edhe shfrytëzimit abuzues të burimeve natyrore dhe të tregohemi të përgjegjshëm për të mirën e përbashkët dhe për natyrën tonë të mrekullueshme. Aq më tepër po të kemi në konsideratë potencialet e jashtëzakonshme që ka vendi ynë për zhvillimin e turizmit në një mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Viti që lamë pas ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët.

Paqja sociale, dialogu politik, procesi i integrimit të vendit, zhvillimi i ekonomisë, përmirësimi i standardeve të jetesës, rikthimi i shpresës për të frenuar largimin e rinisë dhe shpopullimin e vendit, duhen të ishin marrë më shumë seriozisht.

Sot me mijëra qyetarë të Durrësit, Thumanës, Tiranës, Korçës gjenden ende në vështirësi dhe të pastrehë për shkak të pasojave shkatërrimtare të tërmeteve të vitit të kaluar.

Solidariteti njerëzor i treguar nga ekipet tona të shpëtimit, të vendeve fqinje apo edhe atyre larg vendit tonë ka qenë i madh.

Padyshimkjo është një sfidë që do të përfundojë kur pasojet të rikuperohen përgjithmonë dhe kur qytetarët tanë të integrohen normalisht, sikurse ishin të gjitha mundësitë dhe kushtet përpara kësaj fatkeqësie, përveç humbjes së parikuperueshme të 51 jetëve, që duhet të na kthehen në mësim për të mbrojtur jetët e qytetarëve, duke i zbatuar dhe i forcuar ligjet.

Ndërkohë shpresojmë që vendime të rëndësishme të merren në lidhje me hapjen e negociatave me BE-në, pavarësisht se pengesat dhe vështirësitë janë të shumta.

As justifikimet nuk qëndrojnë sepse duhej të ishte bërë gjithçka, prej kohësh, për t’ia lehtësuar vendit këtë proces.

Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ‘Ku ka rini, ka shpresë.” – tha Papa Françesku në meshën që zhvilloi në Tiranë. Ndaj duhet të mbrojmë rininë. Të kthejmë shpresën sepse koha nuk pret!

Falënderoj Kishën Katolike shqiptare e cila, bashkë me komunitetet e tjera fetare në vend, ka kontribuar vazhdimisht me mesazhet e paqes, harmonisë, dialogut, duke ofruar mesazhe bashkimi dhe shprese për të gjithë shqiptarët.

Të mos harrojmë porosinë e Papa Françeskut, gati 6 vite më parë, që shqiponjat nuk e harrojnë folenë dhe fluturojnë lart.

Duhet të bëjmë çdo gjë përmes bashkëpunimit dhe dialogut pa përjashtime dhe pa manipulime, porosit Ati i Shenjtë për këtë vit, në mënyrë që shqiponjat të qëndrojnë në folenë e tyre, të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve, për të qenë një vend i respektuar dhe me dinjitet në Europë, ashtu sikurse është një fakt që këtë identitet të kombit tonë e ka përcaktuar dhe e ka orientuar më mirë se kushdo Gjergj Kastriot Skënderbeu qindra vite më parë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia