A do e dekretojë anti-shpifjen? Meta: Do ta shikoj me vëmendje, pastaj do të flas! Gjendja e medies, kambanë alarmi (VIDEO)

TIRANE-Presidenti Ilir Meta nga aktiviteti 'Liria e shprehjes përballë të drejtave të njeriut' të organizuar nga Avokati i Popullit, u shpreh se fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, ndërsa theksoi se për paketën anti-shpifje që u miratua ditën e mërkurë në Kuvend mes debateve, do të vendosë nëse do ta dekretojë apo jo kur ta shikojë me vëmendje. Kreu i shtetit tha se do të flasë me argumente duke paralajmëruar kthimin e dekretit në Kuvend. Ai e cilësoi gjendjen e medies sot në Shqipëri një kambanë alarmi. 

"Së pari duhet ta shoh me vëmendje sepse është folur vazhdimisht për ndryshime të ndryshme dhe të minutave të fundit kështu që do ta shikojmë të zbardhur të gjitha aktet që janë miratuar, relacionet përkatëse dhe kuptohet që përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar besoj dhe do të jetë transparente si gjithmonë. Liria e shprehjes është një nga parimet më të shenjta. Angazhimi i shtetit dhe shoqërisë në përkrahje të lirisë së medias është tregues i demokracisë.

Fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, po ashtu edhe kushtet. Numri i protestave është rritur. Numri i reporterëve që janë larguar është rritur. Disa pronarë e kanë asgjësuar postin e kryeredaktorit të lajmeve e bëjnë vetë. Këto janë kambana alarmi ku ndodhet liria e shprehjes në Shqipëri. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë diktaturën dhe vuajtjet nga mohimi i kësaj të drejte. Por kambana më e fortë është shpopullimi" tha Meta.

Kreu i shtetit kishte një mesazh edhe për krizën politike. "Një mjedis politik i përçarë nxit gjuhën e urrejtjes, urojmë që edhe tërmeti të shërbejë si moment reflektimi, pasi vetëm dialogu na garanton demokraci të suksese dhe frymëzuese" tha ai. Në javën e fundit u zhvillua një debat i fortë për paketën anti-shpifje, që shumica kaloi në Kuvend, ndërsa opozita dhe disa shoqata gazetarësh e kundërshtuan.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:15
Zyrtari i ambasadës së SHBA: Liria e fjalës nuk është licencë për të thënë çfarë të duam

Ditët e fundit në Shqipëri u zhvillua një debat i fortë për paketën anti-shpifje që miratoi qeveria në Kuvend, ndërsa zëvendës ambasadori amerikan në detyrë Daniel Koski nga aktiviteti që organizoi Avokati i Popullit u shpreh se liria e medias është jetike për demokracinë. Ai tha se nuk mund ta pastrojmë shoqërinë nga fjalët e urrejtjes duke i shtypur. Zgjidhja, sipas tij ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, se goma. Por theksoi Koski, liria e fjalës nuk është licencë për të thënë cfarë të duash.

"Fjala është dhuratë. Është një talent që vetëm njerëzit e zotërojnë. Ajo na mundëson të shprehim dashuri dhe shpresë. Është mjeti që na lejon të ëndërrojmë, të planifikojmë dhe të vëmë në lëvizje projekte madhështore. Por ligjërata mund edhe t’i japë zë frikës, zemërimit dhe urrejtjes. Fjalët mund të çojnë në dhunë. Ekziston një kufi midis ligjëratës së pranueshme dhe të papranueshme, por është e vështirë të hiqet një vijë kufiri. Ne jemi mbledhur sot këtu për të debatuar mbi atë vijë dhe rolin e Zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e këtyre kufijve. Jam mirënjohës për mundësinë që të ofroj pikëpamjen e Sh.B.A. për lirinë e fjalës dhe për të bërë një kërkesë në mbrojtje të saj.

Fjala e lirë është dhe ka qenë gjithmonë kryesore për Shtetet e Bashkuara. Në vendin tonë, liria e fjalës erdhi në jetë pas Revolucionit Amerikan, kur ne bëmë një premtim publik, një besëlidhje, për t’a mbrojtur atë përmes Amendamentit të Parë të Kushtetutës së Sh.B.A.

Prej ditës kur boja u tha mbi atë dokument, ka pasur shumë diskutime dhe mosmarrëveshje në lidhje me ligjin kushtetues amerikan, përfshirë edhe kuptimin e Amendamentit të Parë. Sidoqoftë, angazhimi amerikan për të mbrojtur lirinë e fjalës është i palëkundur. Ne madje e shtrijmë atë mbrojtje edhe ndaj të shprehurit të çuditshëm, të folurit qartësisht të pasaktë dhe fjalëve fyese, të pamenduara. Pse?

Ne nuk mund ta pastrojmë shoqërinë nga fjalët e urrejtjes duke i shtypur ato. Ne besojmë se kundërshtimi më i mirë ndaj gjuhës së ulët dhe të urrejtjes është arsyetimi racional. Nëse gjuha e urrejtjes është helm – dhe është e tillë – arsyetimi është kundërhelmi. Ndërsa diskutoni se ku duhet hequr viza midis fjalës së mbrojtur dhe të pambrojtur, ju lutem të kujtoni se përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma.

Ka edhe përfitime të tjera që angazhimi radikal ndaj fjalës së lirë sjell për shoqëritë e lira.

Liria e fjalës ushqen një larmi idesh, qasje të paparashikuara më krijuese për një çështje. Një forum publik i hapur ndaj një larmie të pafund të mendimit njerëzor prodhon zgjidhje më efikase për problemet që sfidojnë shoqëritë. Për shembull, organizatorët e kësaj konference ftuan më shumë se njërin prej nesh për të mbajtur fjalime këtë mëngjes, në kërkim të një larmie pikëpamjesh për një çështje të vështirë.

Fjala e lirë është gjithashtu edhe valvula e sigurisë së shoqërisë. Në fund edhe të debateve më të diskutueshme publike mbi temat më të kundërshtueshme, anëtarët e një shoqërie të lirë mund të largohen duke e ditur se kishin një mundësi për të thënë fjalën e tyre, pavarësisht përfundimit.

Mbi të gjitha, fjala e lirë i ka dhënë formë thelbit të demokracisë që nga lindja e saj në Ballkanin Perëndimor pothuajse 2,500 vjet më parë. Demokratët e Athinës krijuan një qeveri të bindjes, të arsyetimit racional: një qeveri të fjalës. Fjala e lirë është fryma e demokracisë. Mbyte atë, ndërprite rrjedhën e saj dhe trupi politik mund të vdesë.

Nga ana tjetër, fryma e mospajtimit ka fuqinë për të tronditur një shtet policor. Kjo është arsyeja pse diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë. Ata mund të mbijetojnë vetëm nëse mohojnë fjalën e lirë të popullit të tyre. Kur ata e privojnë shoqërinë e tyre nga oksigjeni, që është fjala e lirë, demokracia vuan dhe kalbet. Shqipëria u zgjua nga makthi komunist i kontrollit të fjalës jo më larg se 30 vitet e fundit. Shumë prej jush e dinë shumë mirë se si është të jetosh me frikën e pasojave të paparashikuara të fjalëve të tua. Shumë prej jush u rritën në një shoqëri në të cilën një fjalë e thënë rastësisht mund të të çonte në burg, punë të detyruar dhe tortura. Ju nuk duhet të ktheheni më kurrë në atë shoqëri.

Liria e fjalës nuk është licensë për të thënë çfarë të duam, pavarësisht nga pasojat. Edhe ne në Shtetet e Bashkuara vendosim kufij mbi të ashtuquajturat fjalë luftuese dhe forma të tjera të shprehjes që çojnë drejtpërdrejt në dhunë. Por, kufijtë përcaktojnë shoqëritë duke treguar çfarë ato tolerojnë dhe çfarë ato kanë frikë. Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve.

Sërish, nuk është e thjeshtë të përcaktosh kufirin midis fjalës së pranueshme dhe fjalës që provokon dhunë. Prandaj jemi sot këtu – për të shqyrtuar kufijtë e fjalës së lirë. Unë thjesht ju kërkoj që ta vendosni atë kufi në mënyrë të gjerë dhe pa frikë" deklaroi ai. 

Ora 11:47
Paketa anti-shpifje, Ruçi: Media s'mund të jetë e lirë kur fyen dhe kërcënon (VIDEO)

Pas votimit te paketës “anti-shpifje” Gramoz Ruçi deklaroi në aktivitetin e organizuar nga Avokati i Popullit se një media nuk mund të jetë e lirë, nëse lexuesit e shikuesit, pra konsumatorët, ndjehen të fyer apo të kërcënuar prej lirisë së saj. "Rregullimet ligjore të nevojshme nuk presupozojnë domosdoshërisht zgjerimin e rrezes së shtetit demokratik, por forcën e tij për të garantuar mbrojtjen e dinjitetit dhe lirive qytetare. Një media nuk mund të jetë e lirë, nëse lexuesit e shikuesit, pra konsumatorët, ndjehen të fyer apo të kërcënuar prej lirisë së saj. Sa më shumë rritet pushteti dhe influenca, aq më shumë duhet të rritet edhe përgjegjësia dhe vetëkontrolli. Liria e medias nuk mund të zhvillohet jashtë etikës së saj" tha ai.

Ora 11:25
Meta: Azilkërkuesit shqiptarë në BE rritje me 16% për 2019! Duhet politikë e re (VIDEO)

Kreu i shtetit u ndal te azilkërkuesit, duke theksuar se numri në 10 muajt e parë të këtij viti është rritur me 16% krahasuar me një vit më parë. "Përveç pasojave të rënda të tërmetit që kërkojnë një angazhim të fortë të brendshëm dhe të jashtëm për t'i përballuar të gjitha ato pasoja të mëdha për qytetarët, bashkitë, komunat dhe shtetin, pasi do të paguhen nga taksapaguesit. Shqetësimi më i madh është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemoragjinë e vendit të pandaleshme, që unë e quaj shpopullim.

Ka qenë tronditëse të lexoja statistikat e muajit nëntor për azilin që tregonte një rritje shqetësuese në 16% nga janari në tetor të 2019 krahasuar me 2018. Në raport me Serbinë për 1 mijë banorë kemi 8.2 herë shifrën më të latë. Edhe largimi i Agron Tufës ishte lajm tronditës, që u kërcënua për shkak mendimeve. Tronditë ishte edhe mos reagimi i asnjë institucioni. Duhet të na bëjë të reflektojmë sa më shpejt se kjo humbje e besimit është përgjegjësi e këtij konflikti, që nuk mund të vijojë më për një Shqipëri pa shqiptarët. Politika duhet të reflektojë e para, pastaj shqiptarët. Shpresoj që ky fundviti dhe ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishme se cdo gjë është jeta dhe shëndeti dhe është dashuria për njëri tjetrin të reflektojmë për një politikë të re, që drejton në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe që garanton llogaridhënie" tha ai.

 

Ora 11:17
Paketa anti-shpifje, Meta: Do ta shikoj me vëmendje, do flas me argumente (VIDEO)

Kreu i shtetit deklaroi në përfundim të aktivitetit të organizuar nga Avokati i Popullit se do ta shikojë me vëmendje miratimin e paketës anti-shpifje dhe më pas do të flasë me argumente.  "Do ta shoh me vëmendje, pasi janë ndryshime të minutave të fundit, do të shikojmë për të zbardhur të gjitha aktet dhe relacionet përkatëse dhe përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar dhe transparente" tha Meta duke paralajmëruar kthimin e ligjit në Kuvend.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asl: 20/12/2019 16:01

    Po duhet se pjesa me e madhe e "gazetareve" me diplloma ufos jane kthyer ne fallxhore.Ky ligj duhej me shpejt te dilte dhe per Sali larasken e gjoja qytetarin fixhital.Ha,ha.

    Përgjigju
  • Tironci: 20/12/2019 15:31

    PDja ithote media e e lire Kur gagaqi Mark Mark... i thot deputetit te kuvendit shqiptare te godas me shishe gokes, keto jane banditet e PDse qe nuk duan ligjin e anti shpifje.

    Përgjigju
  • A...Zh: 20/12/2019 11:04

    I padurueshem, ky te provokon te vjella!

    Përgjigju
  • Arbëri: 20/12/2019 10:57

    Tani filloi likja me gënjeshtra dhe trillime në vend të portaleve, idiot njeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv