Meta u jep 'Dekoratën e Artë të Shqiponjës' ekipeve të shpëtimit izraelitë! Gjenerali: Mirënjohës shqiptarëve

Teksa ndodhet për një vizitë zyrtare në Izrael, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Njësinë izraelite të Shpëtimit Kombëtar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” duke shprehur mirënjohjen shtetërore, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmesën e dhënë  gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, pas tërmetiti të 26 nëntorit.

Sipas zyrës së shtypi të Presidencës, Meta i dorëzoi “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Kolonelit Vach duke vënë në dukje se ky vlerësim iu shkon ushtarakëve izraelitë: “Për vullnetarizmin dhe gatishmërinë e menjëhershme, profesionalizmin e spikatur dhe sakrificat e pakursyera të treguara gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit të viktimave, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues që treguat gjatë inspektimit, vlerësimit të godinave dhe të banesave të dëmtuara nga tërmeti, si dhe veçanërisht për qetësimin e banorëve dhe këshillimin e qytetarëve shqiptarë të prekur nga fatkeqësia natyrore, duke konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet miqësore dhe historike mes dy kombeve dhe vendeve tona.”.

Gjenerali Major Tamir Yadai, ideatori i dërgimit të Njësisë izraelite të Shpëtimit Kombëtar, duke falënderuar Presidentin për vlerësimin me këtë Dekoratë të lartë, theksoi se “kur planifikuam të udhëtojmë drejt Shqipërisë, e dinim historinë dhe lidhjen e fortë mes dy popujve, sepse ne gjithmonë do t’u jemi mirënjohës shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. E kuptuam se ishte koha dhe po na paraqitej mundësia jonë për t’ju rikthyer nderin me anë të mbështetjes. Sepse motoja jonë është: ‘Të shpëtojmë jetë, pa kufij!’ Punojmë dhe përpiqemi fort të përmbushim moton tonë, ndaj shpresojmë të takohemi sërish me shqiptarët në kohë të tjera më të lumtura! Dëshiroj t’ju bëj me dije se nëse shqiptarët do të kenë sërish nevojë për ndihmën tonë, ne do të jemi patjetër aty!”

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Meta, vizitoi bazën ushtarake të Ramlës, pjesë e Forcave izraelite të Mbrojtjes. I shoqëruar nga komandanti i bazës, Gjeneral-Major Tamir Yadai si dhe nga Koloneli Golan Vach,  Meta u takua me personelin ushtarak, një pjesë e të cilit dha kontribut të veçantë për tejkalimin e pasojave të rënda që la pas tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019.

Presidenti Meta inspektoi dhe ndoqi nga afër demonstrimet e operacioneve dhe të teknikave të kërkim-shpëtimit, duke vënë në dukje se “personeli i Njësisë izraelite jo vetëm ndihmoi në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në vlerësimin e banesave dhe shtëpive të dëmtuara, por luajti një rol të jashtëzakonshëm psikologjik për qetësimin e banorëve të prekur nga tërmeti”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:12
Meta nga Izraeli: Krenar që të përfaqësoja Shqipërinë në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin

Presidenti Ilir Meta mbyll vizitën e tij në Izrael, ku ishte i pranishëm në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin, me një mesazh. Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shprehet se ndidhet shumë krenar që përfaqësoi Shqipërinë, popullin që nuk i braktisi kurrë hebrenjtë dhe nuk ua dorëzoi nazistëve.

"Nder dhe krenari të përfaqësoja Shqipërinë në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin, ku së bashku me liderë botërorë përkujtuam me respekt në muzeun e Yad Vashemit në Jeruzalem, viktimat hebreje të Luftës së Dytë Botërore.

Populli shqiptar, ndihet sot krenar, jo vetëm se nuk u dorëzoi nazistëve asnjë hebre, por gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore numri i hebrenjve në vendin tonë u rrit disa herë më shumë nga ç’ishte para fillimit të saj. Rritja e antisemitizmit në formën e përdorimit të gjuhës së urrejtjes, dhunës, mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit, po merr gjithnjë e më shumë rëndësi dhe e bën urgjente nevojën që ato çka kemi mësuar nga përvoja jonë t’i përkthejmë në politikat tona.

Antisemitizmi duhet të luftohet përmes edukimit, promovimit të dialogut, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në kuadër të të drejtave të njeriut si dhe qytetarisë botërore. Ky është edhe një imperativ i menjëhershëm i sigurisë, si dhe përbën një detyrim afatgjatë edukues, për ta shndërruar vërtet përkujtimin e Holokaustit në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, në një ‘Kurrë më’", shkruan Meta.

Ora 19:28
Meta takon homologun izraelit: Faleminderit që na ndihmuat pas tërmetit! Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona

1579788330_metaaa.jpg

Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit sot në një takim nga homologu i tij izraelit Yuli Edelstein Siç njofton zyra e shtypit të presidencës, Meta pasi shprehu kënaqësinë që viziton Izraelin me rastin e Forumit të Pestë Botëror të Holokaustit, theksoi se Shqipëria dhe Shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.

“Mesazhi im është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit - Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona! Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të. Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar,” – u shpreh Presidenti Meta.

Gjithashtu, Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë. 

"Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike", tha Presidenti Meta. 

Sipas presidencës, kreu i shtetit falënderoi homologun e tij për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë. 

“Ju jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit në ato momente të vështira, që i konsolidoi më shumë marrëdhëniet historike miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë”, deklaroi Meta.

Ora 12:04
Meta vizitë në Izrael: Jam krenar që jam kryetari i një shteti që shpëtoi mijëra hebrenj

Presidenti Meta ndodhet në Izrael me rastin e forumit të pestë botëror të holokaustit.  Gjatë takimit presidenti Meta u shpreh se ndjehet krenar që është kreu i një shteti i cili ka shpëtuar mijëra jetë hebrenjsh. Meta gjithashtu shprehu falënderime për mesazhet e solidaritetit gjatë periudhës pas tërmetit të 26 nëntorit. Meta shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë.

Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të,” - tha Meta.

“Ju jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit në ato momente të vështira, që i konsolidoi më shumë marrëdhëniet historike miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë” , theksoi presidenti.

Presidenti Meta vuri në dukje se Shqipëria dhe Shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhje presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Zgjedhje presidenciale në Maqedoninë e Veriut