Ministrat e NATO-s diskutojnë për rrezikun nga Rusia, Afganistanin dhe modernizimin e ushtrisë

Ministrat e NATO-s diskutojnë për rrezikun nga Rusia, Afganistanin dhe modernizimin e ushtrisë

Foto ilustruese

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ndodhet në Bruksel për një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO -s të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë në Afganistan, tensionet me Rusinë dhe politikat për teknologjinë.

"Jam këtu për të nxitur modernizimin ushtarak të NATO-s dhe për t’u siguruar që aleanca të jetë e përgatitur për sfidat e së ardhmes," shkruante zoti Austin në Twitter pasi mbërriti të mërkurën.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të bien dakord për një plan të ri madhor të enjten për t’u mbrojtur kundër çdo sulmi të mundshëm rus nga të gjitha frontet, duke riafirmuar objektivin kryesor të aleancës për të frenuar Moskën, pavarësisht nga një vëmendje në rritje ndaj Kinës.

Strategjia konfidenciale, për të cilën njofton agjencia Reuters, parashikon për përgatitjen për sulme të mundshme paralele në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi që mund të përfshijë armë bërthamore, goditje të rrjeteve kompjuterike dhe sulme nga hapësira.

Zyrtarët theksojnë se ata nuk besojnë se ekziston ndonjë rrezik urgjent për ndonjë sulm nga Rusia. Moska mohon të ketë synime agresive dhe thotë se është NATO-ja ajo që rrezikon të destabilizojë Evropën me plane të tilla.

Por diplomatët thonë se "Koncepti për Parandalimin dhe Mbrojtjen në Zonën Euro -Atlantike" - dhe plani strategjik për zbatimin e tij - është i nevojshëm në kushtet kur Rusia zhvillon sisteme të avancuara armësh dhe vendos trupa dhe pajisje më pranë kufijve të aleatëve.

"Kjo është mënyrë parandalimi," tha ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer për planin.

"Dhe kjo po përshtatet me qëndrimet aktuale të Rusisë - dhe ne po shohim shkelje veçanërisht të hapësirës ajrore mbi shtetet baltike, por edhe rritje të inkursioneve në Detin e Zi," tha ajo për radion gjermane Deutschlandfunk.

Miratimi do t’u hapë rrugën planeve më të detajuara rajonale deri në fund të vitit 2022, tha një zyrtar amerikan, duke i dhënë mundësi NATO-s të vendosë se çfarë armësh shtesë i duhen dhe si t'i pozicionojë forcat e saj.

Pika të nxehta

Në maj, Rusia grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, numri më i lartë që kur Moska aneksoi Krimesë në 2014, thonë zyrtarët perëndimorë. Në shtator, Rusia përdori robotë të rinj luftarakë në stërvitjet e mëdha ushtarake me aleatin e saj ish-sovjetik Bjellorusinë që kanë alarmuar aleatët baltikë.

Rusia po përmirëson ose zëvendëson sistemet hapësinore ushtarake sovjetike, po zhvillon teknologji të bazuara në inteligjencën artificiale për t’iu kundërvënë sistemeve komanduese të aleancës dhe po zhvillon të ashtuquajtura "super armë".

Ato përfshijnë raketa hipersonike me aftësi bërthamore që mund të shmangin sistemet e paralajmërimit të hershëm.

Gjenerali amerikan në pension Ben Hodges, i cili komandoi forcat e ushtrisë amerikane në Evropë nga viti 2014 deri në vitin 2017, tha për agjencinë Reuters se ai shpresonte që plani të nxiste një koordinim më të mirë në mbrojtjen kolektive të NATO -s, që do të thotë më shumë burime për rajonin e Detit të Zi.

"Sipas mendimit tim, kjo është një pikë më e mundshme e nxehtë sesa Baltiku," tha zoti Hodges.

Jamie Shea, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s, tha për agjensinë e lajmeve Reuters se plani mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e fokusit tek Rusia në një kohë kur aleatët kryesorë po bëjnë përpjekje të shtojnë praninë e tyre në rajonin Indo-Paqësor dhe t’i kundërvihen fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.

"Deri sot mendohej se Rusia përbën shqetësim, por jo një kërcënim urgjent. Por rusët po ndërmarrin disa hapa shqetësuese. Ata po eksperimentojnë në fushën e robotikës, dhe raketat hipersonike mund të jenë vërtet shqetësuese," tha ai./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Rikthehen reshjet e dëborës në vend, zbardhet Dibra dhe Thethi

VIDEO/ Rikthehen reshjet e dëborës në vend, zbardhet Dibra dhe Thethi