Rama: Italia mbështet në terren luftën ndaj KÇK! Di Maio: Me ju për rindërtimin pas tërmetit, dialogoni për integrimin

TIRANE - Vizita e tij e parë në Shqipëri përkoi me një mision të veçantë, atë të shprehjes së solidaritetit të qeverisë dhe popullit italian ndaj të prekurve ndaj tërmeti shkatërrues së 26 nëntorit. Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio e nisi vizitën e tij zyrtare në Shqipëri duke takuar të strehuarit në kampin e ngritur nga emergjencat e Mbrojtjes Italiane në Vorë, ku janë strehuar rreth 300 banorë. Aty, së bashku me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në prani edhe të ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, firmosi procesverbalin e dhurimit të pajisjeve të emergjencave civile italiane, për të përballuar katastrofat dhe situatat e emergjencave.

Ai përcolli angazhimin e qeverisë italiane për të ndihmuar Shqipërinë edhe në procesin e rindërtimit. Teksa më tej takoi kryeministrin Edi Rama, të dy zyrtarët mbajtën një konferencë për mediat, ku kreu i qeverisë tha se ka marrë mbështetjen e Italisë edhe për një tjetër proces të rëndësishëm në Shqipëri. Atë të ligjit të ri që pritet të gjejë zbatim, Anti-KÇK, kundër krimit të organizuar dhe SPAK kundër korrupsionit të zyrtarëve. Shefi i mazhorancës tha se veç asistencës teknike, Italia do të ndihmojë në këtë proces edhe me njerëz në terren.  

Di Maio tha se Italia do të ndihmojë Shqipërinë për të bërë një vlerësim paraprak të dëmeve për të pasur kështu një situatë më të qartë në konferenca e donatorëve të vendeve të BE-së që pritet të mbahet në muajin shkurt. Teksa shprehur dëshirën që kjo konferencë të mbahet në Tiranë, ministri italian tha se më e rëndësishme është që të gjitha vendet të tregojnë afërsinë e tyre me Shqipërinë për ta ndihmuar në kapërcimin e fatkeqësisë nga tërmeti.

Di Maio nuk la jashtë vëmendjes as situatën politike në Shqipëri kur kërkoi që të gjitha palët të angazhohen në rivendosjen e një klime dialogu që të mos komprometojë rrugëtimin e vendit tonë në Integrimin Evropian.

"Të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë në mënyrë që të mos komprometojë rrugëtimin e integrimit evropain dhe të bëjë të mundur të shfrytëzohen potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar një ulje të tensioneve dhe hapjen e kanaleve të përballjeve dhe dialogut", u shpreh ministri italian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:50
Meta pret Di Maion në Presidencë: Duam asistencë italiane për rindërtimin pas tërmetit


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë Luigi Di Maio u prit në një takim në Presidencë edhe nga kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta gjatë vizitës që po zhvillon në Tiranë. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi vendin tonë, si dhe kërkoi asistencën italiane edhe për rindërtimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura. Gjithashtu, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Për rajonin, nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në Bashkimin Europian, ndaj e vlerësojmë mbështetjen e plotë të Italisë për këtë objektiv madhor”- u shpreh kreu i Shtetit. Presidenti Meta vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, ne presim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve kryesorë italianë në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të promovuar praninë e investimeve të mëdha italiane në Shqipëri”, - theksoi Kreu i Shtetit. Në fund të takimit Meta tha se urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.

Ora 16:13
Di Maio në Presidencë, pritet nga Meta

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, Ministri i Jashtëm Italian, Luigi di Maio ka mbërritur në presidencë në takim me kreun e shtetit, Ilir Meta. Di Magio shoqërohet nga ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo.

Ora 15:59
Ftesa e Ramës? Basha pas takimit me Di Maion: Jo show, qeveria të zbatojë propozimet e opozitës


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio deklaroi për mediat se diskutoi për gjendjen e emergjencës pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë, por edhe krizën politike. Basha u shpreh se tragjedia tregoi se shteti ishte i keqpërdorur, ndërsa shumë njerëz sot kanë nevojë për ndihmë dhe vlerësim të banesave. Ai i bëri edhe njëherë thirrje qeverisë që të zbatojë planin me 5 pika, që sipas tij është adoptuar nga Italia për të kaluar dimrin ekonomik. Lideri demokrat refuzoi edhe njeherë ftesën e kryeministrit Rama për dialog në një tryezë.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës
Pyetje: Çfarë biseduat me zotin Luigi di Maio?

Lulzim Basha: I shpreha mirënjohjen time më të thellë, në radhë të parë, për ndihmën e jashtëzakonshme që na dha Italia në ditët e tragjedisë së 26 nëntorit dhe vazhdon të na japë. Ndërkohë që faza e dytë e emergjencës po godet mijëra familje shqiptare, të pastreha ne nevojë urgjente për ndihma humanitare, për ushqime dhe për vlerësimin sa më shpejt të banesave të tyre, riparimin apo rindërtimin e tyre.

Italianët ishin ndër të parët. Kam qenë vetë dëshmitar, me një pjesë prej jush, sesi ardhja e tyre me pajisjet dhe ekspertizën e duhur, ishte një mbështetje jo thjesht morale për njerëzit tanë, për efektivat tanë të rraskapitur që gërmonin me duart bosh nën rrënoja, por, faktikisht, edhe për përshpejtimin e operacioneve kërkim shpëtimit, që me siguri ndihmuan për të shpëtuar dhjetëra jetë.

Po kështu e falënderova për rolin që Italia po luan për integrimin europian të Shqipërisë dhe për avokatin e palodhshëm që po bën për hapjen e negociatave.

Diskutuam për krizën politike në vend dhe për vendosmërinë e opozitës për të dhënë kontributin e saj për zgjidhjen e kësaj krize përmes udhërrëfyesit tashmë të njohur të Bundestagut, reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme për të rikthyer legjitimitetin kaq shumë të munguar, që ka lënë pasoja të mëdha në shkatërrimin e kapaciteteve shtetërore për të mirëqeverisur apo edhe për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore sikurse ishte 26 nëntori. Sepse 26 nëntori ishte një fatkeqësi natyrore, por tregoi qartë se sa i papërgatirur është shteti shqiptar, sa keqpërgatitur është shteti shqiptar për t’iu përgjigjur një fatkeqësie të tillë, qoftë në përgjigjen e parë, përgjigjen e emergjencës, qoftë në këto dy javë që kanë kaluar.

Larg qoftë sikur diçka e tillë të përsëritej, prapë edhe sot jemi të papërgatitur dhe prapë të njëjtat dëme do të kishim dhe prapë në të njëjtën situatë do të ishim. Ky është një rrezik që nuk mund të pranohet. Ndaj, për këtë kam kërkuar dhe dua të insistoj që të kalohet nga fjalët, shfaqjet dhe sjelljet e papranueshme, intimiduese ndaj medias, ndaj gazetarëve, ndaj analistëve, ndaj qytetarëve, duket se janë një produkt me tepricë dhe totalisht i panevojshëm, në këtë kohë krize, të kalohet urgjentisht në veprat të cilat janë detyrë e qeverisë.

Ajo që i kemi parashtruar është propozimi ynë, por asgjë që kemi parashtruar nuk është çështje vullneti apo dëshire.

Qeveria e ka për detyrë të ndihmojë njerëzit në detyrë.

Qeveria e ka për detyrë të përfundojë një orë e më parë, jo një orë më vonë, vlerësimin e banesave të qytetarëve.

Qeveria e ka për detyrë të mobilizojë të gjithë inxhinierët e mundshëm, t’i çojë në terrne, t’i shtojë grupet e punës.

E ka për detyrë të përdorë ligjin e fatkeqësive natyrore për të anuluar kontratat e 10 oligarkëve. 150 milionë dollarë, që sot janë më të nevojshme se kurrë për mijëra familje në nevojë, për mijëra familje pa bukë, strehë, në dëshpërim, pa ilaçe, me fëmijë të vegjël, me të moshuar të sëmurë.

E ka për detyrë t’i gjendet biznesit jo thjesht në zonën e Durrësit, por kudo ku është i goditur dhe tronditur nga tërmeti. Propozimet të cilat i kam marrë nga propozimet Këshillit Italian të Ministrave dhe sigurisht i kemi adoptuar me ekspertët tanë më të mirë sipas nevojave të biznesit të Durrësit. Janë plotësisht të bëshme. Kush thotë të kundërtën, ose nuk di ose gënjen. Janë propozime, të cilat, po të shikoni, në shumë vende, duke filluar me Italinë fqinje, kanë qenë pikërisht këto propozime, ato 5 pika që kemi nxjerrë për biznesin, kanë bërë të mundur, kanë ndaluar futjen në një “dimër ekonomik” zonave të prekura nga tërmeti. Ekonomia jonë ishte e goditur nga tërmeti ekonomik edhe përpara këtij tërmeti. Çfarë do të duhet të presim?!

Pyetje: A do të uleni në tryezë me Ramën?

Lulzim Basha: Përgjigjen për këtë pyetje e keni marrë 10 herë. Më vjen keq por nuk kam asgjë tjetër për të shtuar përveçse asaj që kam thënë për këtë. Fokusi im, energjia ime dhe e Partisë Demokratike është të ndihmojmë me çdo mënyrë, me çdo formë njerëzit dhe jo të bëhemi pjesë e një shfaqje që po na turpëron dhe po na shton dhimbjen dhe vuajtjen e qytetarëve.

Pyetje: Zoti Basha pse nuk mendoni se mund të jetë kjo një mënyrë për të treguar se jeni në ndihmë të qytetarëve?  

Lulzim Basha: Përgjigjen për këtë pyetje e keni marrë me dhjetëra herë. Fokusohuni tek mesazhi që sapo ju dhashë: Dialogu politik për reformën zgjedhore, zhbllokimi i dialogut politik për reformën zgjedhore sipas propozimit të shtatorit. Reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve përcaktojnë cilësinë e demokracisë, jo fotot dhe shfaqjet midis kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës.

Ora 14:58
Di Maio: Uroj që konferenca e donatorëve për tërmetin të bëhet në Tiranë! Aktorët politikë të hapin kalanet e dialogut për integrimin

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio tha se Italia do të ndihmojë Shqipërinë për të bërë një vlerësim paraprak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, për të pasur kështu një situatë më të qartë edhe në Konferencën e Donatorëve që vendet e BE-së do të solidarizohen me ndihma për vendin tonë në muajin shkurt. Di Maio nuk la jashtë vëmendjes as situatën politike në Shqipëri kur kërkoi që të gjitha palët të angazhohen në rivendosjen e një klime dialogu që të mos komprometojë rrugëtimin e vendit tonë në Integrimin Evropian.

Di Maio: Motivi kryesor për të cilën ndodhem këtu, jo vetëm për të kultivuar më tej miqësinë historike mes dy vendeve, por edhe për shprehur solidaritetin e palës italiane pas tërmetit të 26 nëntorit, gjithashtu për të shprehur edhe mbështetjen e Emergjencave Civile Italiane dhe të qeverisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Unë vizitova një kamp të çadrave të ngritur nga departamenti i emergjencave italiane ën Vorë, ku ndodhen të strehuar 300 shqiptarë, ku firmosa procesverbalin e dhurimit të materiale nga ana e mbrojtjes civile italiane. Me këtë frymë, i theksova kryeministrit mbështetjen e Italisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Italia insiston mbi nevojë e një vendimi pozitiv për të dyja vendet për të përcaktuar edhe një datë për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe gjithashtu për një mandat për komisionin për të përgatitur kuadrin e negociatave. Të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë në mënyrë që të mos komprometojë rrugëtimin e integrimit evropain dhe të bëjë të mundur të shfrytëzohen potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar një ulje të tensioneve dhe hapjen e kanaleve të përballjeve dhe dialogut.

BE mund të bëjë më shumë dhe do të bëjë më shumë. Ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë hapin e parë të ndihmave, në ditët në vijim do të kemi rastin në takime të tjera, ku kryeministri Conte do të bëjë të pranishme ndihmesën që duhet t'i jepet Shqipërisë dhe kjo duhet të bindë Komisionin Evropian që duhet t'i qëndrojë afër Shqipërisë. Ne do të punojmë fuqishëm në Konferencën e Donatorëve, dhe do të vëmë në dispozicion teknikët tanë që të bëjnë vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në mënyrë që konferenca e donatorëve të ketë një kuadër të qartë situatës. Urojmë që Konferenca e Donatorëve të mund të bëhet në Tiranë, por ende më e rëndësishme është niveli i afërsisë që do të tregojnë të gjitha shtetet anëtare ndaj Shqipërisë. Është një rast dramatik, dhe shpreh ngushëllimet e mia. Kjo tragjedi përbën një rast që institucionet evropiane të shprehin afërsinë ndaj Shqipërisë, një vend mik për Italinë dhe BE-në. Puna që mund të bëjmë së bashku në luftën ndaj fenomeneve të paligjshme që në një farë mënyrë prekën gjithë zonën e Mesdheut. Sepse sikundër e thashë, ne luftojmë nëpërmjet implementimit të ligjeve të reja. Kemi ligj të ri për evazionin fiskal, korrupsionin, por puna e përbashkët mund të bëjë të mundur edhe rritjen investimeve nga sipërmarrësit italianë. 

Do të doja të përshëndes ambasadorin italian që ka punuar ngushtësisht me të gjitha institucionet shqiptare, dhe kemi nevojë edhe ne si ministri e jashtme për praninë e tij dhe i urojë punë të mbarë ambasadorit në detyrën e re që do t'i caktohet sepse puna që ka kryer gjatë këtyre viteve ka qenë e rëndësishme dhe stafi diplomatik i akredituar këtu ka dhënë ndihmesën e tij në mënyrë që të kultivohet më tej miqësia jonë.

Ora 14:54
Rama merr mbështetjen e Italisë për Anti-KÇK dhe SPAK: Asistencë me njerëz në terren

Kryeministri Edi Rama falenderoi ministrin e jashtëm të Italisë, Di Maio në vizitën e tij të parë në Shqipëri, që përkon me një gjest solidarë të shtetit fqinj ndaj vendit tonë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Kreu i qeverisë tha se diskutoi me ministrin italian edhe lidhur me ligjin Anti-KÇK dhe njësinë speciale anti-korrupsion ku tha se Italia nuk do të ofrojë vetëm asistencë teknike, por edhe njërëz në terren.

Rama: Falenderoj nga zemra ministrin e Punëve të Jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Italisë, zoti Di Maio. Edhe pse është vizita e tij e parë në Shqipëri, një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri dhe për të shprehur solidaritetin edhe një herë të qeverisë italiane dhe të popullit mik italian me Shqipërinë, me shqiptarët në këto momente të vështira pas katastrofës së 26 nëntorit. Pavarësisht se e kam thënë në vijimësi, nuk do jetë asnjëherë mjaft për ta përsëritur shprehjen e mirënjohjes së thellë ndaj Italisë, dhe ndaj trupave të kërkim shpëtimit dhe të emergjencave civile italiane që ishin të parat që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi. Marrëdhënia jonë me Italinë është e shkëlqyer dhe më vjen mirë që edhe me qeverinë e re italiane ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer në vazhdën e një tradite që asnjëherë nuk ka dhënë asnjë shenjë ndikimi të politikës së brendshme të një vendi në cilësinë e kësaj marrëdhënie. 

E falenderova ministrin për impenjimin konstant të Italisë, të tijin pesonalisht për të shtyrë procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në mënyrë të veçantë.

Diskutuam edhe për aspekte të partneritetit strategjik. Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë i parë në marrëdhëniet ekonomike, tregtare, dhe vendi që nuk është kursyer asnjëherë në përpjekjet për transformimin e Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci funksionale.

Nga ana tjetër, me ministrin kemi diskutuar edhe reformën e drejtësisë, legjislacionin e ri kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, kemi diskutuar edhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më konfirmoi gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht në mënyrë tradicionale me asistencë teknike por me njerëz në terren, bashkëpunim konkret dhe të përditshëm.

Vitin e ardhshëm mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i partneritetit strategjik, dhe këtë partneritet duam ta zgjerojmë.

Ora 12:18
Ministri i Jashtëm italian: Pas vlerësimit të dëmeve ju ndihmojmë me rindërtimin! Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE (VIDEO)

Ministri i Jashtëm italian u shpreh gjatë vizitës në kampin e Vorës se prania e tij sot këtu është dëshmi e afërisë së dy vendeve. Ai tha se pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve, qeveria italiane do të ndihmojë edhe në procesin e rindërtimit. Di Maio deklaroi se Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, dhe do vijojë ta mbështesë edhe ndaj atyre vendeve që janë kundër zgjerimit të BE.

"Prania ime sot këtu përbën një dëshmi të afërsisë së qeverisë italiane me popullin shqiptar pas tërmetit të fundit të muajit të kaluar. Afërsia e qeverisë italiane është dëshmuar edhe nëpërmjet pranisë së emergjencave civile edhe forcave zjarrfikëse. Këtë e dëshmon edhe ky kamp me tenda që është dhuruar nga qeveria italiane. Teksa i shpreh edhe njëherë ngushëllimet për viktimat e tërmetit të muajit të kaluar, theksoj se po ndihmojmë edhe në vlerësimin e dëmeve dhe në bazë të tyre do të japim ndihmën tonë për të ndihmuar në përballimin me sukses të kësaj situate. Një përqafim edhe për familjarët e viktimave të tërmetit. Populli italian është pranë popullit shqiptar sepse i lidh një miqësi e fortë. Italia është në linjën e parë që mbështet fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE. Dhe integrimi në BE i Shqipërisë mund t'i japë mundësi sipërmarrjeve tona këtu të rriten dhe duke ofruar kështu mundësi të reja punësimi por edhe për rritjen ekonomike të vendit. BE në mënyrë të natyrshme duhet të bëjë pjesë të saj Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne do e mbështesim këtë edhe ndaj atyre vendeve që nuk janë pro zgjerimit të BE dhe po e pengojnë zgjerimin e BE", u shpreh Di Maio.

Fjala e plotë e ministrit Luigi Di Maio
/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pyka: 11/12/2019 19:03

    Haha...pinoku i vogjël.....edhe unë s'jam dakort...qeveria të zbatojë pikat e mia...hahahi.Ah desh harrova,jam shumë i prekupuar për ty pinok:vila e re,si shkoj me tërmetin...bëj të fala piktorit....

    Përgjigju
  • Lulka e zgjuar: 11/12/2019 18:42

    Cthote lulka more njerez?thote qe qeveria te zbatoj propozimet e opozites?ne cvend te botes qeveria ben ate qe do opozita?apo opozita ketu i duket vetja sikur eshte ne pusht-etapo kur eshte ne opozit ka ide gjeniale dhe kur eshte ne pusht-et e ka mendjen vetem per te vrare e vjedhur?dhe nuk u punon truri per te bere gjera te mira per popullin/.?ah moj lulke na nga mbive?kush ishte fara qe mbive ti kaq i zgjuar?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë