Ministria e Kulturës dhe TAP nënshkruajnë marrëveshje për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike, të zbuluara gjatë ndërtimit të tubacionit

Ministria e Kulturës dhe TAP nënshkruajnë marrëveshje për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike, të zbuluara gjatë ndërtimit të tubacionit

Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP) nënshkruan një marrëveshje për realizimin e një projekti, i cili do të katalogojë, konservojë, arkivojë dhe raportojë gjetjet arkeologjike dhe artefaktet e zbuluara gjatë ndërtimit të tubacionit të TAP-it.

Kjo marrëveshje parashikon një investim prej 1.4 milionë euro, që synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Projekti do të zbatohet nga kontraktori i përzgjedhur “Abkons shpk”, në bashkërendim dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës.

Gjatë ndërtimit të këtij tubacioni, më shumë se 600 arkeologë punuan në të tre vendet pritëse për të monitoruar vazhdimisht punimet e ndërtimit dhe për të dokumentuar të gjitha gjetjet e trashëgimisë kulturore.

Në Shqipëri u identifikuan zona arkeologjike, vendbanime dhe gjetje të trashëgimisë kulturore, duke u mundësuar arkeologëve të zgjerojnë më tej njohuritë e tyre. Bëhet fjalë për gjetje nga disa periudha të historisë shqiptare, duke filluar nga një vendbanim neolitik, i zbuluar në Turan të Korçës, deri te gjetje të shekullit të kaluar. Rajonet ku u zbuluan pjesa më e madhe e siteve arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari.

Në total, janë zbuluar 44,000 artefakte dhe rreth 1,000 skelete në 12 gërmime dhe monumente kulturore pranë gjurmës së tubacionit në Shqipëri.

Plani i TAP-it për menaxhimin Mjedisor, Social dhe Trashëgiminë Kulturore është në përputhje me rregulloret kombëtare dhe të BE-së, kërkesat e performancës së BERZH-it dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Për TAP nënshkroi z. Luca Schieppati, Menaxher Drejtues i TAP, i cili u shpreh se “TAP përshkon vende me histori e kulturë të pasur. Jam krenar që gjetjet e zbuluara nga TAP-i kanë pasuruar njohuritë tona mbi historinë e Shqipërisë dhe të Europës. Kemi përzgjedhur me kujdes një ofrues shërbimi kompetent dhe me përvojë që plotëson të gjitha kërkesat për të siguruar një zbatim të suksesshëm të projektit. Ne besojmë se në koordinim me Ministrinë e Kulturës, kontraktori do të sigurojë përfundimin e detyrës në kohë e në përputhshmëri të plotë me kushtet e kontratës.”

Për Ministrinë e Kulturës nënshkroi Ministrja, Elva Margariti, sipas së cilës “nuk është e rastit që jemi sot këtu për të nënshkruar një tjetër marrëveshje dhe një tjetër hap bashkëpunimi. TAP është një nga bashkëpunëtorët tanë më të vlefshëm, me të cilët po restaurojmë Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve, një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe për jetën kulturore dhe akademike. Sot nënshkruajmë një marrëveshje në fushën e arkeologjisë dhe shpresoj që të vijojmë me të tjera projekte të përbashkëta”

Redi Basha, Drejtor Ekzekutiv i “Abkons” u shpreh se “Ndihemi krenarë që do të mund të vazhdojmë të ofrojmë kontributin tonë për ruajtjen e pasurive arkeologjike të vendit, si pjesë e projektit për Gazsjellësin Trans Adriatik. Gjetje të shumta mbresëlënëse janë nxjerrë në dritë gjatë punimeve për TAP-in. Gërmimet e kryera në kuadër të ndërtimit të gazsjellësit kanë pasuruar topografinë arkeologjike dhe bazën shkencore. Nga ana tjetër, kanë dalë në dritë gjithashtu një numër sitesh arkeologjike të panjohura deri më sot, të cilat e zgjerojnë akoma më tepër perspektivën studimore në vend dhe në rajon. “Abkons” ka ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në të gjithë projektet dhe do të vijojë të punojë sipas standardeve më të larta edhe në procesin e katalogimit, për të siguruar qëndrueshmëri në ruajtjen e gjetjeve arkeologjike.”

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Mblidhet sot Këshilli Bashkiak, ja pretendentja kryesore për kryebashkiake

Himara 2 ‘kryetarë’ në burg, vendi vakant pas dorëheqjes së Jorgo Goros! Mblidhet sot Këshilli Bashkiak, ja pretendentja kryesore për kryebashkiake