Ministrja e Jashtme: Ekziston vullneti i mirë për zgjidhjen e ligjit luftës dhe çështjen e pronave me çamët

Ministrja e Jashmte, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat bashkë me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, tha se ekziston vullneti i mirë për zgjidhje të pranueshme reciprokisht edhe për abrogimin e Ligjit të Luftës apo çështjen e pronave të komunitetit çam.

'Është kënaqësi e veçantë që pata mundësinë të pres sot këtu në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Me Ministrin Dendias shkëmbyem mendime në lidhje me përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, të cilat duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë midis dy popujve tanë, në respekt të interesave strategjike, partneritetit të ngushtë në NATO-s dhe perspektivës së përbashkët evropiane.

Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, një vend ku jetojnë një numër i konsiderueshëm bashkëatdhetarësh, por që njëkohësisht mbetet partneri e mbështetësi i  zëshëm i Shqipërisë në rrugën drejt progresit dhe integrimit evropian.

Dua të vlerësoj ndihmën e ofruar nga Greqia në përballimin e tërmetit dhe t’i rishpreh mirënjohjen dhe ta falenderoj edhe një herë Ministrin Dendias, që na u gjet personalisht pranë me ekipet e shpëtimit menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe rindërtimin e shkollës profesionale në kompleksin ''5 Maji'' në Tiranë.

Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh në nivele të ndryshme, pavarësisht situatës së krijuar nga Pandemia Covid-19. Ndërsa sot ramë dakort që me vullnet të përbashkët, të punojmë bashkarisht për të adresuar të gjitha problemet që duhet ende të zgjidhen, dhe që janë në interes të dy vendeve tona, por më së pari në interes të qytetarëve tanë.

Pjesë e diskutimeve ishte dhe komuniteti i qytetarëve tanë në Greqi, me mbi 600 mijë shqiptarë, që punojnë dhe kontribojne atje, duke qenë komuniteti më i madh i të huajve. Vlerësuam integrimin e tyre në shoqërinë greke, por diskutuam edhe mbi adresimin e cështjeve që lidhen me mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, mësimin e gjuhës shqipe, shqiptarët që vuajnë dënimet në institucionet greke dhe çështje të tjera konsullore që do të lehtësojnë lëvizjen dhe jetën e shtetasve tanë.

Ministri Dendias më informoi se ka planifikuar një tur vizitash në rajon, duke e nisur nga Shqipëria. Duke falenderuar Ministrin e sigurova se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive, të moderuar, të udhëhequr nga synimi për një integrim euro-atlantik rajonal, si dhe për një integrim ekonomik. Ne ndamë të njëjtin mendim se integrimi Euro-atlantik mbetet një orientim i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm për të gjitha vendet e rajonit.

Tashmë tre vende të Ballkanit Perëndimor janë vende anëtare në NATO dhe unë theksova vëmendjen e veçantë që merr ky fakt, ndikuar nga zhvillimet në Ukrainë, rëndësinë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të anëtarësohen, duke përfshirë edhe Kosovën.

Një çështje e rëndësishme që u diskutua ishte dhe integrimi  evropian i Shqipërisë. Gjej rastin të falënderoj Greqinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me marrjen e datës për konferencën e parë ndërqeveritare. Mbështetja e vazhdueshme Greqisë, duke shënuar një pikë kulmore me Samitin e Selanikut gati 20 vjet më parë, mbetet një dëshmi e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë dhe rajonit në BE është një synim i ndërsjellë e strategjik.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze të BE-së.

Bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare ishin në fokus të diskutimit të sotëm. Ne e vlerësojmë Greqinë si një partner ekonomik shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe gjuha e shifrave tregojnë se Greqia vazhdon të jetë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe investime të huaja direkte. Pandemia i vuri në sprovë ekonomitë tona dhe provoi që bashkëpunimi i ngushtë midis institucioneve dhe bizneseve tona bëri që ta përballojmë deri tani me sukses këtë situatë. Sigurisht që mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e investimeve janë më te mëdha dhe duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim.

Vlerësuam bashkëpunimin tonë në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, si dhe mbështetjen reciproke te kandidaturave tona ne organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu, falënderova Greqinë për mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë si një vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe shpreha bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Temë e diskutimit tonë ishte edhe situata në Ukrainë ku në këtë situatë të vështirë dëshiroj të rikonfirmoj edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kjo luftë nuk është vetëm një luftë për mbijetesën e Ukrainës, por një luftë për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian. Duhet bërë më shumë për të ndaluar luftën e pajustifikuar ndaj Ukrainës. Me Ministrin Dendias ne ndajmë qëndrim të njëjtë në dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe solidarizohemi në shprehjen e keqardhjes dhe ngushëllimeve tona për humbjen e jetës së shumë banorëve të Mariupolit, përfshi ata me origjinë greke.

Një tjetër çështje e diskutuar e ishte edhe ajo e delimitimit të zonave detare, e cila paraqet interes për të dy vendet tona, pasi lidhet me ushtrimin e sovranitetit territorial dhe te drejtat sovrane në hapesirat detare respektive. Rikonfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqesore, siç është Gjykata Ndërkombetar e Drejtësisë.

Ne besojmë dhe shpresojmë që konstruktiviteti dhe vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam.  Duke ju falënderuar edhe një herë për vizitën, fjala për ju zoti Ministër.'- tha ministrja Olta Xhaçka

 


Lajmi kryesor:

Dendias në Tiranë: Nisim procedurat për heqjen e ligjit të luftës dhe njohjen e pensioneve të shqiptarëve! Xhaçka ngre çështjen e pronave të çamëve, paralajmërimi i grekut: Pasoja për integrimin


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

 Izraeli përgjigjet ndaj Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! SHBA: Na njoftuan, por se miratuam sulmin! Teherani: Vendet bërthamore të sigurta

Izraeli përgjigjet ndaj Iranit, godet një bazë ushtarake në Isfahan! SHBA: Na njoftuan, por se miratuam sulmin! Teherani: Vendet bërthamore të sigurta