Prezantoi projektligjin për OJF-të, Gjonaj: Regjistrimi elektronik në Gjykatën e Tiranës lehtëson procedurat dhe ofron shërbime të tjera shtesë

Prezantoi projektligjin për OJF-të, Gjonaj: Regjistrimi elektronik në Gjykatën e Tiranës lehtëson procedurat dhe ofron shërbime të tjera shtesë

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj sot gjatë takimit në Komisionin e Ligjeve

Ditën e sotme Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi projektligjin për OJF-të dhe risitë e lehtësimit dhe digjitalizimit të regjistrimit të tyre në Gjykatë.

Gjatë takimit në Komisionin e Ligjeve ajo tha se arsyeja kryesore e risisë dhe e kësaj iniciative ka ardhur me qëllim lehtësimin dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve, thjeshtimin e dokumentacionit që u kërkohet qytetarëve për ofrimin e shërbimeve nga ana e institucioneve të administratës shtetërore si dhe krijimi i mundësisë së marrjes së shërbimit online

Sipas ministres, me krijimin e një regjistri elektronik, Gjykata e Rrethi Gjyqësor Tiranë do të garantojë lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në favor të subjekteve të interesuara.

Ajo shtoi se do të rritet aksesi publik ku çdo person i interesuar mund të kryejë, pa pagesë, kërkime në bazën e të dhënave elektronike për çdo të dhënë të regjistruar.

Një tjetër risi e cila u prezantua nga Gjonaj gjatë mbledhjes së sotme është krijimi i një sporteli elektronik i cili është portali elektronik i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i aksesueshëm nëpërmjet faqes zyrtare në internet dhe mundëson ofrimin e shërbimit për publikun në distancë.

Njoftimi i plotë:

“PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE”

Sot në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi risitë e projektligjit Për Regjistrimin e OJF-ve, një nisëm kjo e kërkuar jo vetëm nga nevoja për rregullim të problematikave aktuale, por edhe si nismë ligjore që vjen edhe nga rëndësia e përmbushjes së Rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të MONEYVAL.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj bëri një përmbledhje të ndërhyrjeve në ligj për të rregulluar kuadrin ligjor dhe risitë që ky akt sjell në legjislacionin shqiptar. Në vijim është informacioni i plotë.

Parashtrim në tërësi i problematikave dhe risive që sjell akti

Qëllimi kryesor i  ndërmarrjes së iniciatives ligjore për ndryshimin e ligjit aktual të regjistrimit të OJF-ve është  përmirësimi i kornizës ligjore ekzistuese që lidhet me procedurën e regjistrimit të OJF-ve, nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve konkrete për thjeshtimin e dokumentacionit që u kërkohet qytetarëve për ofrimin e shërbimeve nga ana e institucioneve të administratës shtetërore, duke krijuar lehtësira dhe mundësi të marrjes së shërbimit online, me sa më pak dokumente, me kosto të reduktuar për qytetarë dhe mbi të gjitha brenda afateve të shkurtra.

Sjellim në vëmendje se, disa nga problematikat e konstatuara në praktikë, që kanë diktuar nevojën për ushtrimin e iniciativës përkatëse legjislative, konsistojnë në sa më poshtë:

Së pari, ligji aktual për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse ka të përcaktuar Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës si të vetmin organ kompetent për të gjitha regjistrimet dhe procedurat e shpërbërjes së OSHC- ve dhe për veprimet e ndërmjetme që kërkohen gjatë veprimtarisë së këtyre organizatave, duke përbërë kështu një barrë të panevojshme administrative dhe financiare për OJF-të, veçanërisht për subjektet të cilët, regjistrojnë OJF-të e tyre në qytete të tjera të Republikës së Shqipërisë. Modernizimi i sistemit të regjistrimit është nevojë e domosdoshme, me qëllim përmirësimin e aktiviteteve të OJF-ve në Republikën e Shqipërisë.

Së dyti, ligji ekzistues për regjistrimin e OJF-ve ka një  sistem regjistrimi në mënyrë manuale të OJF-ve. Kjo passjell statistika jo të plota, pasi ka një moskoordinim ndërmjet institucione të tjera që kanë detyrimin e raportimeve mbi këto organizata.

Së treti, bazohet në procesin gjyqësor që shqyrtohet nga një gjyqtar i vetëm nga seksioni tregtar i gjykatës, që është natyrshëm më i ngadaltë krahasuar me procesin administrativ i cili synohet të përfshihet në vendimet e ndërmjetme;

Së katërti, ndikon negativisht në transparencën e Regjistrit si dhe qasjen në të dhëna nga palët e treta, e cila do të bëhet e mundur me ndryshimet e synuara.

Së fundmi, kjo nismë vjen edhe nga rëndësia e përmbushjes së Rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të MONEYVAL lidhur me këtë fushë. Në një raport të tyre cilësohet ndër të tjera se nuk ka asnjë dokument mbi praktikat më të mira që të jetë hartuar nga Shqipëria me përfshirjen e OJF-ve, si dhe nuk janë ndërmarrë hapa për promovimin, mbikëqyrjen e riskut ose monitorimin e OJF-ve, duke rekomanduar krijimin e regjistrit elektronik dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve.

RISITË :

Me krijimin e regjistrit elektronik Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë garanton lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në favor të subjekteve të interesuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nëpërmjet digjitalizimit elektronik të regjistrimit, bashkëpunon me autoritete të tjera publike dhe mundëson ndërlidhjen dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave, të regjistruara në bazën e saj elektronike, me regjistra apo baza të dhënash elektronike të autoriteteve të tjera publike, si brenda, ashtu dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Rritet aksesi publik ku çdo person i interesuar mund të kryejë, sipas këtij ligji, pa pagesë, kërkime në bazën e të dhënave elektronike për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve.

Sekretaria e Regjistrit konfirmon të dhënat e regjistruara nga organizatat jofitimprurëse, sipas këtij ligji, nëpërmjet lëshimit të ekstrakteve në format shkresor apo elektronik, sipas këtij ligji. Çdo person, ka të drejtë të marrë pa pengesa, në format shkresor apo elektronik, sipas dëshirës, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo organizate jofitimprurëse, si dhe kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër.

Gjithashtu një risi është krijimi i sportelit elektronik i cili  është portali elektronik i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i aksesueshëm nëpërmjet faqes zyrtare në internet, mundëson ofrimin e shërbimit për publikun në distancë, duke komunikuar drejtpërdrejt me sistemin qendror për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, nëpërmjet mjeteve elektronike. Çdo shtetas, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë që, në cilësinë e kërkuesit apo të personit të autorizuar, të paraqesë një kërkesë për regjistrim apo të kryejë pranë sportelit elektronik çdo regjistrim apo veprim tjetër, sipas këtij ligji. Krjimi i këtij portali elektronik i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për regjistrimin OJF-ve dhe digjitalizimi i të dhënave dhe arkivave të OJF-ve do të sillte lehtësira për publikun në dinstancë jo vetëm në koston financiare të udhëtimeve që bënin për të ndjekur procesin deri në regjistrimin e veprimtarisë së tyre, por njëkohësisht dhe të kohës së harxhuar.

Risi tjetër e këtij projektligji është ulja e barrës në procedurat gjyqësore në vendimet për ndryshime (që do merren nga Kancelari). Do të jetë një procedurë administrative më e shpejtë kur vendimin për kërkesat për regjistrimet e tjera do të merret nga Kancelari.  Në këtë mënyrë është kohë e kursyer për subjektin. Ndryshe nga regjistrimi dhe ç’regjistrimi të cilat realizohen me vendim gjykate, vendimi për miratimin e ndryshimeve është në kompetencë të Kancelarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët