Aksesi në kujdesin ndaj kancerit vijon të mbetet një nga sfidat kryesore në Europë dhe për këtë arsye, sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, pabarazitë në trajtim nuk mund të zgjidhen me reforma të pjesshme, por kërkojnë transformim të plotë të sistemeve shëndetësore.

Deklaratat u bënë gjatë pjesëmarrjes së saj në forumin e 11-të botëror të kancerit 2026, të organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”, ku u diskutuan sfidat dhe zgjidhjet për garantimin e aksesit të barabartë në kujdesin ndaj kancerit në vendet europiane.

Gjatë fjalës së saj, Sala theksoi se lufta kundër kancerit nuk lidhet vetëm me trajtimin e sëmundjes, por kërkon një qasje të plotë që përfshin parandalimin, depistimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe kujdesin pas trajtimit.

Ajo nënvizoi se mundësitë për mbijetesë nuk duhet të varen nga vendbanimi i pacientit, ndërsa shtoi se diagnostikimi i hershëm, qasja në trajtime inovative dhe forcimi i kapaciteteve të sistemeve shëndetësore mbeten faktorë vendimtarë për reduktimin e pabarazive në kujdesin shëndetësor.

Në panelin e forumit, ministrja prezantoi edhe reformat që Shqipëria po ndërmerr në sektorin e onkologjisë, të cilat i cilësoi ndër më të rëndësishmet në sistemin shëndetësor të vendit. Sipas saj, fokusi kryesor mbetet rritja e aksesit, cilësisë dhe barazisë në shërbimet për pacientët.

Mes masave të prezantuara ishte krijimi i Institutit Kombëtar të Kancerit, i cili do të shërbejë si qendër kombëtare për kujdesin e integruar, kërkimin shkencor dhe edukimin. Po ashtu, po punohet për decentralizimin e shërbimeve të onkologjisë mjekësore përmes forcimit të njësive rajonale, me synimin që pacientët të marrin më afër vendbanimit të tyre një pjesë më të madhe të shërbimeve.

Sala foli gjithashtu për modernizimin e shërbimit kombëtar të radioterapisë, përmirësimin e legjislacionit për barnat dhe pajisjet mjekësore në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, si dhe përshpejtimin e transformimit digjital në shëndetësi për të përmirësuar koordinimin e kujdesit, sistemet e referimit dhe përdorimin e të dhënave shëndetësore.

Në përfundim, ministrja theksoi se suksesi i politikave për kancerin nuk duhet të matet vetëm me përparimet shkencore, por edhe me aftësinë e sistemeve shëndetësore për të ofruar diagnozë më të shpejtë, kohë më të shkurtra pritjeje dhe kujdes më të koordinuar për pacientët.