'Minus 1 deputet për Dibrën', PD: I lënë në harresë, mungesa e investimeve e zbrazi nga të rinjtë

'Minus 1 deputet për Dibrën', PD: I lënë në harresë, mungesa e investimeve e zbrazi nga të rinjtë

Dhurata Çupi

Partia Demokratike ka deklaruar se ulja e numrit të mandateve në Dibër është prova se si Rilindja e ka trajtuar këtë qark.

Përmes një deklarata zyrtare, Çupi shkruan se të dhënat tregojnë se nuk do të jenë më 6, por 5 deputetë nga Qarku i Dibrës, sipas saj për arsyen e vetme se numri i banorëve atje është zvogëluar në masën që humbasin përfaqësimin e 1 deputeti.

Ajo deklaroi se Dibra është vendi më i prekur nga largimi i të rinjve, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe investimit të pakët në këtë qark.

Deklarata e plotë:

Kam ndarë këto ditë me shumë dibranë dhe matjanë shqetësimin për uljen e numrit të përfaqësuesve që do të kenë në Kuvend. Të gjitha të dhënat tregojnë se nuk do të jenë më 6, por 5 deputetë nga Qarku i Dibrës, për arsyen e vetme se numri i banorëve atje është zvogëluar në masën që humbasin përfaqësimin e 1 deputeti.

Shumë e padrejtë! Dibrës i ka falur Zoti bukuri e pasuri të pafundme, ndërsa pushteti po e zbras nga të rinjtë që i japin jetë një vendi.

Dibra është më e prekura nga largimi i të rinjve, sepse është qarku i lënë më në harresë nga qeveria në ikje. 8 vjet në pushtet dhe nuk mbaruan dot as Rrugën e Arbrit, megjithëse e gjetën të nisur dhe me projekt të gatshëm. Korrupsioni u bë pengesë për zvarritjen vit pas viti të ndërtimit të kësaj rruge. Përtej kësaj, nuk ka asnjë investim tjetër domethënës. Infrastruktura mungon dhe, bashkë me të, edhe shërbimet për zonat më të largëta.

Mungesa e investimeve në infrastrukturë është fatkeqësia më e madhe për qarkun e Dibrës, e cila ka zona të mahnitshme për t’u vizituar dhe për të zhvilluar turizmin malor.

Maja më e lartë në vend, Mali i Korabit ndodhet në qarkun e Dibrës, por madhështia e tij është lënë në hije, sepse turistët nuk vijnë më në Dibër. Liqenet e Lurës, megjithëse janë masakruar ndër vite, kanë një bukuri të rrallë. Fama e Llixhave të Peshkopisë, me ujin e tyre kurativ, po zbehet me kalimin e kohës, turistët janë rralluar, bashkë me vetë dibranët që ikin duke lënë pas këto pasuri të jashtëzakonshme.

Gjithçka ndodh, sepse nuk ka rrugë, nuk ka investime, por ka vetëm braktisje, në një zonë që njihet për njerëzit e vet punëtorë, të mençur dhe të ditur.

Është për të ardhur keq, kur shikon sesi Dibra, që ka nxjerrë me qindra intelektualë, sot i ka shkollat gati të rrënuara, ndërsa mësuesit keqtrajtohen politikisht dhe ekonomikisht.

Frutikultura dhe prodhimet e zonës në qarkun e Dibrës janë të jashtëzakonshme nga shija dhe me famë jo vetëm brenda vendit, por ndihma e qeverisë është zero. Nuk ka asnjë inkurajim financiar që të rinjtë dhe dibranët të qendrojnë atje për të shtuar prodhimin, për ta shitur dhe për të rritur më tej ekonominë me këtë biznes. Mollët, Kumbullat, qershitë, arrat, patatet e Dibrës janë të mrekullueshme, por për to nuk ka treg, sepse nuk ka rrugë. Nuk ka rrugë që lidhin zonat e brendshme të qarkut dhe vetë qarkun me Tiranën. Kostoja del shumë e lartë dhe përfundimi cili është? Eksodi!

Për fat të keq, ka edhe diçka tjetër që po largon dibranët dhe matjanët: Krimi! Është i vetmi investim që kjo qeveri ka bërë gjatë këtyre viteve më qarkun e Dibrës! Strukturat e shtetit sot i drejtojnë bandat. Një grusht njerëzish drejtojnë gjithë qarkun, të cilin e kanë mbushur me drogë! Prandaj, dibranët ikin sot dhe lënë pas një zonë të mrekullueshme.

Ulja e përfaqësimit në Kuvend me 5 deputetë është një këmbanë alarmi për dibranët dhe matjanët. Zgjidhja më e mirë është të maksimalizojmë votën dhe të largojmë këtë qeveri të padrejtë, të pandershme dhe diskriminuese! Me minus duhet të dalë Edi Rama, jo dibranët dhe matjanët!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

'EXPO Albania', 5 projekte në konkursin ndërkombëtar për krijimin e qendrës së re të panaireve

'EXPO Albania', 5 projekte në konkursin ndërkombëtar për krijimin e qendrës së re të panaireve